Llogaritja e vetvetes
Kur besimi është i saktë, atëherë si rezultat njeriu do ta marrë veten në llogari, do ta frenojë nefsin (veten) e tij, do të thyejë dëshirat e tij dhe nuk do t’i përgjigjet thirrjeve të tij. Hasan el Basriu (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Nuk gjen besimtar të vërtetë veçse ai vazhdimisht e merr veten në llogari, madje edhe në gjërat më të thjeshta, si: kur ha ushqim apo kur pi ujë e merr veten në llogari se cili është qëllimi (nijeti) në këtë.”
Sinqeriteti jonë është dobësuar, syfaqësia është përhapur, zilia dhe padrejtësia kanë hyrë në zemrat tona për shkakun se nuk po merremi me nefsin sa duhet, i cili urdhëron për të keqen, por e kemi lënë të arrijë qëllimet e tij (pasurinë, pozitat, lavdërimet etj.). Ne duhet ta frenojmë nefsin tonë dhe ta qortojmë atë.
Nefsi është fillimi dhe fundi i çdo fitoreje, apo i çdo humbje dhe dështimi. Ai ose është shkak që njeriu të jetë i vendosur në vepra të mira dhe që Allahu t’i japë fitore, ose është porta e dembelisë dhe e plogështisë. Ai ose është rruga e arritjeve të ambicieve të larta, ose e regresit dhe devijimit.
Ai që ka besim të saktë, e di se armiku kryesor i tij është vetja e tij. Nëse arrin të triumfojë ndaj vetes, atëherë në çdo betejë do të dalë fitimtar dhe do të shpëtojë prej devijimit. Allahu thotë: “Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete.” Rad 11. Nuk ka ndryshim, nëse nuk ndryshon vetën tënde.
Muslimani bën adhurime, mirëpo cila është ajo gjë që ia mangëson ato, apo ia zhvlerëson, apo ia largon përuljen e nënshtrimin gjatë veprimit të tyre? Arsyeja kryesore e këtyre është vetja e tij, e cila nuk duron dhe nuk është e kënaqur ta shohë vetëm Allahu gjatë bërjes së adhurimeve, por dëshiron ta shohin edhe njerëzit se është duke bërë adhurime e pastaj ta lavdërojnë.
Hoxhë Lulzim Perçuku
🪶 Transkriptim



