Shkëndijë përkujtuese – Thënie të transkriptuara (5)

» Rastet që kanë të bëjnë me fobi të ndryshme, frikëra etj., kanë të bëjnë me aspektin psikologjik, dhe kjo nuk do të thotë se ke probleme me besimin ngase me këtë gjë mund të sprovohet edhe besimtari më i mirë apo dijetari më i madh, si sprovë prej Allahut. Ashtu si sëmundjet e tjera fizike, edhe këto gjëra kanë nevojë të trajtohen dhe për to ka mënyra/shkaqe të trajtimit të cilat i ka lënë Allahu, si: gjetja e një psikologu fetar dhe konsultimi me të. Kjo temë është ende temë tabu në mesin e muslimanëve, mirëpo dijetarët e kanë lejuar dhe se psikologjia në periudhën e fundit e ka ndarë rrugën me filozofinë (nuk i trajton gjërat si filozofia, edhe pse ende mund të ketë disa gjëra që bien në kundërshtim me fenë). Në përgjithësi si shkencë, dijetarët bashkëkohorë kanë lejuar që të studiohet dhe që përmes saj t’iu bëhet dobi njerëzve.

» Nuk duhet ta humbasësh fenë tënde pse dikush të ofendon (ngaqë e praktikon atë). Pejgamberët, njerëzit më të dashur të Allahut, janë ofenduar e kërcënuar, mirëpo kanë bërë durim. Edhe ne, si pasues të tyre, duhet të ecim në këtë rrugë (të bëjmë durim). Ti nuk duhet ta përulesh veten para armiqve, por duhet të jesh krenar dhe kryelartë për fenë që ke (Islamin) dhe e përfaqëson, sepse ajo është feja të cilën e ka zgjedhur Allahu për njerëzit dhe e vetmja e pranuar tek Ai. Andaj, ki frikë Allahun, mos ki frikë njerëzit! Dhe Ai gjithmonë do të të bëjë rrugëdalje e do të të ndihmojë.

» Besimtari i devotshëm (qoftë student, apo punëtor etj.) nuk duhet të ketë frikë prej njerëzve apo frikë për karrierën e tij. Ne nuk e dimë se çfarë ndodh në të ardhmen, ndoshta fare nuk arrijmë të realizojmë atë që synojmë (nga ana e karrierës). Jemi dëshmitarë se si shumë njerëz po befasohen nga vdekja duke qenë edhe në moshë të re. Besimtari nuk duhet të rrezikojë fenë e tij (si: të mos e falë namazin etj.) për shkak të njerëzve të tjerë. Nëse e zë vdekja duke e lënë një namaz pa falur për shkak të njerëzve (ngaqë nuk ka dashur që të flasin për të, apo ta ofendojnë etj.), kjo gjë është shumë e rrezikshme.

» Le të jetë namazi gjëja e parë në listën e prioriteteve (brenda ditës). Kur mendon për aktivitetet ditore, gjëja e parë duhet të jetë falja e namazit (në kohën e vet dhe në mënyrën më të mirë), ndërsa të tjerat pastaj i rendit e i rregullon në bazë të kësaj.

» Nëse njeriu shpenzon kohë dhe mund për t’ua mësuar Kuranin të tjerëve dhe nuk ka mundësi që të fitojë furnizimin në mënyra të tjera dhe e di se nëse nuk merr pagesë për këtë atëherë do të detyrohet të angazhohet me diçka tjetër, e si pasojë  mbesin nxënësit pa mësuar leximin e Kuranit, atëherë nuk ka të keqe të marrë pagesë. Madje, transmetohet nga selefi të kenë thënë: “Nuk ka gjë që meriton më shumë të merret pagesë për të, sesa mësimi i Kuranit të tjerëve.” Kjo është puna për të cilën njeriu më së shumti meriton të paguhet, kjo sepse ua mëson njerëzve se si të lexojnë sa më mirë Librin e Allahut. Ajo që ndalohet është kur vjen dikush tek ti që të mësojë Kuran dhe ia kushtëzon: “Nuk e bëj këtë përveçse me pagesë.”

» Heshtja (me të cilën duhet të cilësohet besimtari) nuk duhet të keqkuptohet nga ndokush, dhe pastaj kur të jetë në shtëpi të mos flasë me gruan apo fëmijët, por të qëndrojë i heshtur. Përkundrazi, nëse i flet gruas apo fëmijëve fjalë dashurie e dashamirësie, me nijetin që t’i afrosh dhe të shpërblehesh tek Allahu, atëherë kjo është një vepër e mirë.

» Muslimani nuk duhet të kërkojë prej Allahut që ta sprovojë, duke thënë: “O Allah, më sprovo!” Mirëpo, ai duhet të përgatitet për çdo gjë që mund të sjellë e ardhmja, ngase është një gjë e pamundur të shpëtojmë pa u sprovuar. Ky është ligj i Allahut. Ai i drejtohet muslimanëve: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë…” Bekare 155. I tillë është realiteti i kësaj jete. Prandaj, besimtari, përball sprovave që mund t’i ndodhin, duhet të parapërgatitet me besim tek Allahu, me mbështetje tek Ai, me mendimin e mirë për Atë, me bindjen në Kader, në mënyrë që kur ta godasin sprovat të jetë i gatshëm që të ballafaqohet. Allahu thotë më tej: “përgëzoji të duruarit”. Nuk ka mundësi që njeriu të jetë durimtar përball sprovave nëse nuk e ka përgatitur veten më herët me gjërat që përmendëm.

» Për të arritur shpërblimin e leximit të sures Kehf, që ka ardhur në këtë hadith: “Kush e lexon suren Kehf në natën apo ditën e xhuma, i bëhet dritë në mes dy xhumave”, mjafton vetëm leximi arabisht. Mirëpo, sa më shumë që mediton në këtë sure gjatë leximit të saj, atëherë kjo dritë (që të jepet) do të jetë më e fuqishme. Pasi e lexon arabisht, mund ta lexosh edhe shqip, kjo është më e dobishme.

» Kur burri dhe gruaja e duan njëri-tjetrin për hir të Allahut – janë të dytë të udhëzuar, kjo është lidhja më e fortë e cila qëndron, e jo ajo dashuri që vjen për shkak të bukurisë apo gjërave të tjera. Dijetarët kanë thënë: “Bukuria zgjat deri në problemin e parë.” Martesa nuk është një javë apo një muaj, por është një projekt jetësor.

 

» Tespihet

Ka mospajtime në mes dijetarëve lidhur me gjërat që përdoren për të bërë dhikër se a janë bidat apo jo, si tespihet, numëruesit digjital. Mendimi më i saktë është se përdorimi i tespiheve dhe të tjerave është një gjë e lejuar, dhe jo një gjë e preferuar. Mirëpo, gjëja  e preferuar në këtë rast është bërja e dhikrit me gishta, sepse kështu është transmetuar në sunetin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem.  Ai që përdor tespihe dhe mjete digjitale për të bërë dhikër, e humbet shpërblimin e praktikimit të sunetit (që është dhikri me gishta) dhe e privon veten që gishtat të dëshmojnë për të në Ditën e Gjykimit (se ka bërë dhikër). Pra, kjo gjë nuk është mirë, mirëpo lejohet. Mirëpo, nuk lejohet të besohet se mbajtja e rrotullimi i tespiheve është adhurim. Nëse dikush ngatërrohet në numrin e dhikreve kur e bën me gishta dhe nuk mund të jetë i fokusuar, për shkak të pleqërisë apo të angazhimeve, dhe do që ta bëjë me numër të saktë apo që ta shtojë dhikrin, atëherë nuk ka të keqe të përdorë tespihe apo mjete të tjera. Porse, nëse i përdor tespihet si mjet për të bërë dhikër, atëherë le t’i përdorë kur është në shtëpi (jo në publik).

 

» Kush mendon dhe pretendon të kënaqet në këtë dunja dhe të gjejë rehati e lumturi, e ka gënjyer veten dhe shumë shpejt do të zhgënjehet. Nuk ka lumturi të plotë sa jemi në këtë jetë. Lumturia e vërtetë dhe e përhershme është në botën tjetër.

» Nga dobitë e sprovës është dhe ajo se Allahu ia dërgon sprovën besimtarit që të mos lidhet për jetën e kësaj bote. Njeriu kur të sprovohet me një gjë, duhet të shikojë ata që janë të sprovuar më shumë e më rëndë sesa ai. Kështu do t’i lehtësohet sprova. Besimtari gjithmonë duhet të ketë mendim të mirë për Allahun se do t’ia largojë sprovën që ka. Është e pamundur që një gjendje të vazhdojë gjithmonë. Patjetër se do të ndryshojë.

» Gjyshërit tanë (gjeneratat para neve) kanë pas dije të paktë, por kanë pasur sinqeritet, për të cilin do të shpërblehen. Ata e kanë dashur fenë dhe na kanë nxitur drejt saj.

» Kush e pi verën në këtë dunja nuk do ta pijë në botën tjetër, për këtë ka hadith, gjithashtu kush e vesh mëndafshin në këtë dunja (për burrat) nuk do ta veshë në botën tjetër. Pra, ai që e ka ditur se ndalohet dhe i ka bërë këto gjëra dhe ka vdekur pa u penduar për këtë. Ka mendime të ndryshme të dijetarëve se si të kuptohen këto dy hadithe. Disa dijetarë thonë se personit të tillë do t’i hiqet dëshira për to në jetën tjetër. Disa thonë se do të privohet nga to fillimisht, kjo si dënim për të, pastaj i jepet mundësia t’i përjetojë.

» Nëse burri vepron mëkate, gruaja le të vazhdojë me këshilla ndaj tij. Është mirë që të zgjedhë momentet kur ai e pranon këshillën më shumë, kjo sepse ka raste që nëse i flet tjetrit e acaron dhe ai refuzon këshillën; rasteve të tilla duhet t’i shmanget. Gjithashtu le të bëjë lutje tek Allahu që t’ia pastrojë zemrën prej mëkateve dhe ta bëjë të devotshëm. Nëse ne vazhdimisht lutemi tek Allahu për të afërmit (familjarët) tanë, atëherë do të shohim çudira tek ta (për të mirë). Kurrë nuk duhet të heqim dorë nga lutja për familjarët që Allahu t’i udhëzojë nëse ndodh të devijojnë, qoftë prindërit, fëmijët, bashkëshorti/ja.

Hoxhë Lulzim Perçuku
🪶Transkriptim

Madhësia e tekstit