Kundërpërgjigjet e Kuranit ndaj akuzuesve (kritikuesve)

Shkëputur nga punimi: “Reddu shubuhatin haulel-Kuran”

Kurani ka folur për shumicën e akuzuesve (të tij) dhe i ka përmendur akuzat e tyre.Pastaj, (atyre akuzave) iu dha kundërpërgjigje të qartë, të padyshimtë, të fortë dhe bindëse;

1- Idhujtarët dhe çifutët akuzuan vërtetësinë e atribuimit të Kuranit Allahut të Lartësuar. Ata i thanë Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), siç na tregonAllahu për ta në fjalën e Tij:

“Kur Ne zëvendësojmë një varg me një varg tjetër – e Allahu di më së mirise çfarë shpall –, ata thonë: “Ti je vetëm trillues!” Nuk është ashtu, porshumica e tyre nuk dinë.” (En-Nahl: 101).

D.m.th. ti (o Muhamed) në mënyrë të rreme je duke i veshur Allahut të Lartësuar fjalë, pasi që urdhëron për një gjë e pastaj e kundërshton atë.[1]

Gjithashtu, vargu:

“Ata thonë: “Këto janë vetëm ëndrra të turbullta! Ose ai (Muhamedi) i ka trilluar ato…” (El-Enbija: 5).

Dhe:

“Jobesimtarët thonë: “Ky (Kuran) është vetëm gënjeshtër të cilën e ka trilluar ai (Muhamedi)…” (El-Furkan: 4).

Allahu iu kundërpërgjigj atyre nga disa aspekte[2]:

 Në fjalën e Tij: “…e Allahu di më së miri se çfarë shpall…”, d.m.th. e di më së miri se çfarë shpall prej dobive (të mirave, interesave që janë nëdobi të njerëzve), sepse ka mundësi që diçka e dobishme në një kohë të bëhet e dëmshme më vonë, andaj (kjo e fundit) e abrogon (të parën). Apo, ajo që nuk ishte e dobishme në atë kohë, mund të bëhet e dobishme tani, andaj Allahu e zëvendëson atë (të parën me të fundit).

 Pastaj, më i Larti tha:

“Thuaj: “Atë (Kuranin) e ka zbritur Shpirti i Shenjtërisë nga Zoti yt me të vërtetën, për t’i forcuar ata që besojnë dhe për të qenë udhërrëfyes dhe lajm i mirë për ata që i dorëzohen Allahut (që janë mysliman)” (En-Nahl: 102).

Fjala “nez-zelehu”/ “e ka zbritur” është njoftim se zbritja graduale e tij (Kuranit) ishte në bazë të dobive (interesave të njerëzve), sipas asaj që kërkonte zëvendësimin.

“…nga Zoti yt me të vërtetën…” d.m.th. të mbushur me urtësi.

“…për t’i forcuar ata që besojnë…” d.m.th. për t’i forcuar ata që besojnë në besimin (e tyre) se ai (Kurani) është Fjala e Tij.

Dhe, kur ata të dëgjojnë vargun zëvendësues dhe të përsiatin mbi atë që përmban ai, si përkujdesja ndaj përmirësimit (dobive) dhe urtësisë, rrënjosen besimet e tyre dhe u qetësohen zemrat.

“…dhe për të qenë udhërrëfyes dhe lajm i mirë për ata që i dorëzohen Allahut”.

D.m.th. për ata që i dorëzohen gjykimit (vendimit) të Tij.


Më tej, Allahu i Lartësuar, pak mbas këtij vargu, tha:

“Me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë.” (En-Nahl: 116)

Realiteti dëshmon se Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka pasur sukses në të gjitha veprat, në thirrjen dhe në luftërat e tij dhe se Allahu i Madhërishëm i dha pushtet atij mbi vendet dhe njerëzit. Ai (alejhis-salatu ues-selam) nuk vdiq, derisa iu nënshtrua e tërë Siujdhesa arabike me Islam (dorëzim) ndaj Allahut dhe me adhurim vetëm ndaj Tij. E, sikur të ishte trillues ndaj Allahut, Ai nuk do t’ia jepte këtë pushtet (autoritet) që ia dha.


S’ka mundësi që një njeri të trillojë ndonjë fjalë e pastaj t’ia atribuojë atë Allahut dhe, përmes saj, të devijojë miliona njerëz e që Allahu të mos e trajtojë atë (njeri) me ndëshkim.

Allahu thotë:

“Ky Kuran nuk është i tillë që të mund të jetë nga dikush tjetër veç Allahut. Përkundrazi, ai është vërtetues i shpalljeve të mëparshme dhe shpjegues i Ligjit (për njerëzit), dhe, pa dyshim, është zbritur nga Zoti i botëve!” (Junus: 37).

Dhe:

“Sikur ai (Muhamedi) të Na kishte veshur ndonjë fjalë në mënyrë të rreme, Ne do ta kapnim atë për dorën e djathtë dhe me siguri që do t’ia prisnim damarin e qafës (aortën e zemrës). E askush prej jush nuk do të mund ta mbronte.” (El-Hakkatu: 44-47).

Dhe fjala e Tij:

“Ose ata thonë: “Ai (Muhamedi) e ka trilluar vetë atë (Kuranin).” Thuaju: “Por, nëse unë e trilloj atë, ju nuk do të mund të më mbroni nga dënimi i Allahut. Ai i di më së miri të gjitha shpifjet tuaja për të (Kuranin). Mjafton Ai si dëshmitar ndërmjet meje dhe jush. Ai është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë”. (El-Ahkaf: 8).

D.m.th. nëse jam gënjeshtar, Allahu e di atë më mirë se ju dhe askush nuk mund të më mbrojë nga dënimi i Allahut, i cili gjithsesi e godet gënjeshtarin. Pra, pasi që Allahu e di për mua (gjendjen time) dhe nuk më ka dënuar, kjo është dëshmi prej Tij për vërtetësinë time. (Andaj)

“Mjafton Ai si dëshmitar ndërmjet meje dhe jush…”.

2- Disa prej tyre (jobesimtarëve) pretenduan se mund të nxirrnin diçka të ngjashme me Kuranin.

Allahu thotë:

“Kur atyre u lexohen shpalljet Tona, ata thonë: “Ne i kemi dëgjuar. Po të donim, edhe ne do të thoshim diçka të ngjashme…” (El-Enfal: 31).

Atëherë, Allahu i sfidoi të nxirrnin të ngjashmen me të (Kuranin), por nuk mundën. Atëherë, i sfidoi të nxirrnin dhjetë kaptina si ato të tijat, por nuk mundën. Atëherë, i sfidoi të nxirrnin një kaptinë si të tijën, por nuk mundën.

3- Disa prej tyre pretenduan se ky Kuran është prej tregimeve dhe përrallave të popujve të lashtë.

Allahu thotë:

“Kur atyre u thuhet: “Çfarë ka shpallur Zoti juaj?”, ata thonë: “Përrallat e popujve të lashtë”! (En-Nahl: 24).

Dhe:

“Dhe ata thonë: “Këto janë përralla të popujve të lashtë, të cilat i ka vënë t’i shkruhen e t’i diktohen atij në mëngjes e mbrëmje.” (El-Furkan: 5).

Allahu i Patëmeta iu kundërpërgjigj atyre me atë se ai (Profeti) nuk di të lexojë e as të shkruajë. Atëherë, si ka mundësi t’i ketë përcjellë (prej tyre) me shkrim apo t’i ketë lexuar?

Më i Larti thotë:

“Para këtij (Kuranit), ti (Muhamed) nuk kishe lexuar kurrfarë libri e as që kishe shkruar gjë me dorën tënde. Përndryshe, ndjekësit e së pavërtetës do të dyshonin.” (El-Ankebut: 48).

Andaj, s’mund të ndodhë që një njeri analfabet, i cili nuk lexon dhe nuk shkruan, të vjen me kësi lloj fjale (Kuranin) nga vetja e tij dhe t’i sfidojë me të xhinët dhe njerëzit, pastaj askush të mos mundet ta kundërshtojë dhe t’i përgjigjet kësaj sfide.

4- Disa prej tyre thanë: sigurisht që ai (Muhamedi) e ka mësuar atë (Kuranin) prej një djaloshi (skllavi) të krishterë.

Atëherë, Allahu i Lartësuar tha:

“Ne e dimë mirë që ata thonë: “Atë (Muhamedin) e mëson një njeri”! Por, ai për të cilin flasin, flet në gjuhën e të huajve, kurse ky (Kurani) është në gjuhën e qartë (kulluar) arabe.” (En-Nahl: 103).

Dhe:

“Jobesimtarët thonë: “Ky (Kuran) është vetëm gënjeshtër, të cilën e ka trilluar ai (Muhamedi) me ndihmën e njerëzve të tjerë.” Kjo që thonë ata është e padrejtë dhe shpifje.” (El-Furkan: 4).

Me këto fjalë të tyre kanë për qëllim Xhebër Er-Rumij (romakun), skllavin e Amir bin El-Hadramij. Gjithashtu, është thënë: Xhebri dhe Jesari ishin dy vetë që punonin shpata në Mekë dhe e lexonin Teuratin dhe Inxhilin. Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) kalonte pranë tyre dhe dëgjonte çfarë lexonin. Gjithashtu, është thënë (jobesimtarët pretendonin se ai njeri ishte): Aishi, skllavi i Huvejtib bin Abduluzza, kishte hyrë në Islam dhe posedonte libra të mëparshëm (të feve
të mëparshme). Dhe është thënë: Selman El-Farisiu (persi) -radijAllahu anhu-.

“Por ai për të cilin flasin, flet në gjuhën e të huajve…”, d.m.th. gjuha e njeriut nga i cili me fjalët e tyre anojnë (”julhidune ilejhi”, marrë nga “lahdulkabri”/“ana e varrit”) është e huaj, jo e qartë (jo arabe, d.m.th ju nuk e kuptoni), ndërsa ky Kuran është në gjuhën e qartë (kulluar) arabe dhe është në shkallën më të lartë të qartësimit dhe elokuencës.

Dy fjalitë (në këtë varg) janë të filluara asisoj që ta asgjësojnë akuzën e tyre. Ky asgjësim (i akuzës së tyre) përmban dy aspekte:

- Ato që i ka dëgjuar prej tij, janë fjalë të një gjuhe të huaj, të cilën nuk e kupton as ai e as ju. Ndërsa, Kurani është në gjuhën arabe dhe e kuptoni me sado pak meditim. Atëherë, si ka mundësi që ajo të cilën e ka marrë, të jetë prej tij?!


– Supozojmë se ai (Profeti) e ka mësuar (marr Kuranin) nga kuptimi i fjalëve të dëgjuara prej tij (skllavit), mirëpo ai (assesi) nuk i ka marrë fjalët prej tij, sepse ato ishin në gjuhë të huaj (joarabe), ndërsa këto (të Kuranit) janë në gjuhë arabe. Dhe Kurani, ashtu siç është mrekulli nga aspekti i domethënies (së tij), ai, po ashtu, është mrekulli nga aspekti i fjalëve.

Krahas kësaj, shkencat e shumta që gjenden në Kuran, nuk mund të mësohen, veçse me shoqërim të pandashëm e me interval kohor të gjatë ndaj ndonjë mësuesi, i cili ka arritur kulmin në ato shkenca. Andaj, si ka mundësi (Muhamedi) t’i ketë mësuar tërë ato nga një djalosh (skllav) që sillej tregjeve, kur kalonte pranë tij kohë pas kohe e dëgjonte fjalë të huaja (joarabe), të cilat ndoshta edhe si kuptonte?! Akuzat e tyre ndaj Kuranit me këso lloj fjalë boshe janë argument për skajshmërinë e pamundësisë (dobësisë) së tyre (përballë Kuranit).

El-Kadi ibnu Et-Tajjib tha:

“Ne e dimë se nuk ka shteg drejt kësaj (që u cekë më lart) veçse përmes mësimit. E, nëse ai (Profeti) njihej si i atillë që nuk përzihej me poseduesit e gjurmëve dhe përcjellësit e thënieve (të feve të mëparshme), nuk vijonte mësimet tek ndonjë mësues nga radhët e tyre (jobesimtarëve) dhe nuk ishte prej atyre që dinin të lexonin e kështu t’i binte në dorë ndonjë libër dhe të merrte prej saj, atëherë (medoemos) vihet në përfundim se ai nuk arriti t’i dinte tërë ato gjëra veçse nëpërmjet përkrahjes nga ana e shpalljes.”[3]

5- Pretendimi i tyre se ai (Kurani) është nga vetë Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sellem) dhe jo nga Allahu.

Allahu i Madhërishëm thotë:

“E, kur u lexohen shpalljet Tona të qarta, ata që nuk shpresojnë se do të dalin para Nesh thonë: “Na sill ndonjë Kuran tjetër ose ndërroje atë!” Thuaj (o Muhamed): “Është e pamundur që unë ta ndërroj atë. Unë shkoj vetëm pas asaj që më është shpallur. Unë i druhem dënimit të Ditës së Madhe, nëse e kundërshtoj Zotin tim. Thuaj: “Sikur të kishte dashur Allahu, unë nuk do t’jua kisha lexuar dhe as që do të bënte Ai që ta mësoni ju atë. Unë kam jetuar një kohë (të gjatë) në mesin tuaj para profetësisë (Kuranit). A nuk po mendoni?” (Junus: 15-16).

Ibën Kethiri – Allahu e mëshiroftë – thotë:

“Këtu Allahu po tregon për kryeneçësinë e jobesimtarëve nga radhët e idhujtarëve kurejshitëve mohues (të Kuranit) e të shmangur nga ai se, kur Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ua lexonte atyre Librin e Allahut dhe argumentet e Tij të qarta, ata i thoshin atij: “Na sill ndonjë Kuran tjetër…”. D.m.th. ktheje këtë (Kuran) dhe na sill një tjetër që është i një modeli (stili) tjetër, “… ose ndërroje atë” në një konstruksion (ndërthurje) tjetër. Allahu i tha Profetit të Tij: “Thuaj (o Muhamed): “Është e pamundur që unë ta ndërroj atë.” D.m.th. kjo nuk më përket mua. Unë jam vetëm një rob i urdhëruar (nga Allahu) dhe një i dërguar që kumton prej Allahut. (Andaj) “Unë shkoj vetëm pas asaj që më është shpallur. Unë i druhem dënimit të Ditës së Madhe, nëse e kundërshtoj Zotin tim”.

Pastaj, duke argumentuar kundër tyre për vërtetësinë e asaj me të cilën u erdhi ai (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), Allahu tha: “Thuaj: “Sikur të kishte dashur Allahu, unë nuk do t’jua kisha lexuar dhe as që do të bënte Ai që ta mësoni ju atë.” D.m.th. unë u kam ardhur me atë (Kuranin) me lejen e Allahut dhënë mua për këtë dhe me dëshirën e vullnetin e Tij. Dhe argument se unë nuk e kam thënë atë në mënyrë të rreme nga vetja ime dhe nuk e kam trilluar është se ju nuk po mundeni (assesi) t’i kundërviheni atij. Dhe ju e dini vërtetësinë dhe besueshmërinë time prej kur kam filluar të jetoj në mesin tuaj deri kur Allahu i Madhërishëm më dërgoi. (Gjatë gjithë kësaj kohe) Ju nuk më kritikuat me asgjë me të cilën do të mund të më njollosnit. Për këtë, Allahu tha: “(Thuaju) unë kam jetuar një kohë (të gjatë) në mesin tuaj para profetësisë (Kuranit)? A nuk po mendoni?”, d.m.th a nuk keni mend që ta dalloni të vërtetën nga e kota?

Për këtë, ndër pyetjet që Herakliu (Cezari), mbreti i romakëve, ia drejtoi Ebu Sufjanit dhe atyre që ishin me të për cilësitë e Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-elm) ishte: “A e keni akuzuar atë me gënjeshtër para se ta thotë këtë që e ka thënë?” Ebu Sufjani tha: “Unë i thash: “Jo.” Asokohe Ebu Sufjani ishte koka e mosbesimtarëve dhe udhëheqësi i idhujtarëve, e, megjithëkëtë, ai e pohoi të vërtetën. Dhe vlera është ajo për të cilën dëshmojnë armiqtë. Atëherë, Herakliu i tha atij: “(Nga kjo që e ceke) e kuptova se ai më parë nuk i ka rrejtur njerëzit që pastaj të ketë filluar të rrente ndaj Allahut.” Xha’fer bin Abdullah i tha Nexhashiut, mbretit të Etiopisë: “Allahu e dërgoi tek ne një Profet, të cilit ia dimë vërtetësinë, prejardhjen dhe besueshmërinë e tij. Dhe koha e qëndrimit të tij në mesin tonë para profetësisë, ishte dyzet vite.”[4]

6- Akuzimi i Profetit se ai është poet, i magjepsur, magjistar ose falltar që e merr atë (Kuranin) nga shejtanët, ose i marrë, apo se, ato që po i vijnë, janë ëndrra të turbullta.

Allahu thotë:

“Ata thonë: “Këto janë vetëm ëndrra të turbullta! Ose ai i ka trilluar ato. Madje, ai është poet. Le të na sjellë një mrekulli ashtu si i kanë sjellë të dërguarit e parë!” (El-Enbija: 5)

Dhe:

“Se ky (Kuran) vërtet është fjalë e (kumtuar prej) një të Dërguari të nderuar (Muhamedit) e nuk është fjalë poeti. Sa pak po besoni! Dhe nuk është as fjalë e ndonjë falltari. Sa pak po përkujtoni! Ai është shpallje e zbritur nga Zoti i botëve!” (El-Hakkatu: 40-43).

Gjithashtu thotë:

“Ky (Kuran) nuk është fjalë e djallit të mallkuar.” (Et-Tekuir: 25).

Dhe thotë:

“E mohuesit thonë: “Ju nuk pasoni tjetër veçse një njeri të magjepsur”. (El-Isra: 47).

Dhe fjala e Tij:

“Vallë, pse çuditen njerëzit që Ne i shpallëm njërit prej tyre (duke i thënë): “Paralajmëroji njerëzit dhe jepu lajmin e mire atyre që besojnë se, me të vërtetë, për ata ka shpërblim të mrekullueshëm te Zoti i tyre!” Mohuesit thanë: “Ky njëmend është magjistar i madh!” (Junus: 2).

Gjithashtu fjala e Tij:

“Ata (idhujtarët) thonë: “O ti që të është shpallur Këshilla (Kurani), ti vërtet je i marrë!” (El-Hixhër: 6).

Në këto akuza vërehet një luhatje (lëkundje) e çuditshme dhe një kontradiktë e pazakontë (paparë). Ata herë e akuzonin atë (Profetin) se ai është magjistar, herë se është i magjepsur. Ndërkaq, kur e panë elokuencën e Kuranit, thanë: “Kjo është poezi”. E, kur iu kundërvu atyre me faktin se notat e poezisë (arabe) janë të nnjohura dhe ky (Kurani) nuk është në asnjërën prej tyre, ata thanë: “Atëherë, ai është falltar”, d.m.th. i rimon fjalët ashtu siç bëjnë ata. E, kur iu kundërvu atyre me atë se, sikur të ishte ai (Kurani) poezi apo të kishte në të asonancë, njerëzit do të mund ta imitonin atë, mirëpo realiteti dëshmon se askush nuk ka mundur të bëjë një gjë të tillë, aq më tepër kur sfida e tij (Kuranit) ndaj tyre vazhdoi në çdo rrethanë (rast). Atëherë thanë: “Këto (që gjenden në Kuran) janë ëndrra të turbullta.” Mirëpo, ëndrrat e turbullta nuk vijnë me kësi lloj përpikërie (saktësie), renditje (rreshtimi), mrekullie dhe elokuence. Ata thanë: “Atëherë, e merr nga shejtanët.” Por, si ka mundësi ta marrë nga shejtanët, kur ai i mallkon shejtanët ditë e natë dhe nuk e fillon leximin e librit të tij, veçse me kërkim të mbrojtjes prej tyre? Dhe prej cilësive të shejtanëve është devijimi i njerëzve, ndërsa ky libër udhëzon në rrugën më të drejtë dhe më të mirë. Dhe dihet se ka prej magjistarëve dhe falltarëve që kanë shejtanë dhe kryeneçë (nga radhët e shejtanëve). Përse, pra, ata nuk sjellin të ngjashmen e asaj me të cilin erdhi ai? Ata thanë: Atëherë, ato (që gjenden në Kuran) janë përralla dhe tregime (legjenda) të popujve të lashtë, të cilat i ka vënë t’i shkruhen e t’i diktohen[5]. Mirëpo, si ka mundësi të thuhet kjo, kur Muhamedi nuk di të lexojë e as të shkruajë, bile ai është analfabet? Ata thanë: “Atëherë, e ka mësuar prej çifutëve dhe të krishterëve.” Iu tha atyre: Si ka mundësi, kur ata janë joarabë, ndërsa kjo është gjuhë e qartë (pastër) arabe dhe fjalë e rrjedhshme e elokuente, që gojëtarët më të mëdhenj nuk mundën të arrinin shkallën e saj në elokuencë. E, si ka mundësi që një joarab të sillte fjalë të tilla? Pastaj, a i bëjnë çifutët dhe të krishterët vetët e tyre jobesimtarë (duke qenë se në Kuran cilësohen si të tillë)? E, mbas gjithë këtyre, ata i kaploi konfuzioni, mbetën të hutuar, u mbyllën gojët e tyre dhe nuk mund të kthenin ndonjë përgjigje.

Për vërtetësinë e Kuranit kanë dëshmuar vetë ithtarët e librit.

Allahu thotë:

“Thuaj: “Vallë, a të kërkoj tjetër gjykatës përveç Allahut, kur është Ai që ju ka zbritur këtë Libër të hollësishëm?!” Ata të cilëve Ne u kemi dhënë Shkrimet e shenjta, e dinë se Kurani me të vërtetë është i zbritur nga Zoti yt. Prandaj, kurrsesi mos u bëj nga ata që dyshojnë!” (El-En’am: 114).

Dhe thotë:

“Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është Shpallja e Zotit të botëve. Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhebraili) në zemrën tënde (o Muhamed) që të jesh nga ata që paralajmërojnë. E zbriti në gjuhën e qartë arabe. Vërtet, ai është përmendur në Shkrimet e të parëve. Vallë, a nuk është provë për ata (mekasit) se atë (Muhamedin) e kanë njohur dijetarët e bijve të Izraelit?” (Esh-Shu’ara: 192-197).

Gjithashtu fjala e Tij:

“…dhe se miqtë më të afërt të tyre (besimtarëve) janë ata që thonë: “Ne jemi të krishterë”. Kjo për shkak se ndër ta ka priftërinj (të dhënë mbas dijes) e murgj (të përkushtuar ndaj adhurimit) dhe se ata nuk janë kryelartë (ndaj së vërtetës). Kur dëgjojnë për atë (Kuranin) që i është zbritur të Dërguarit, i sheh se si u rrjedhin lotët nga sytë, për shkak të së vërtetës që kuptuan. Ata thonë: “O Zoti ynë! Ne besojmë, prandaj na llogarit ndër dëshmitarët Tu!” (El-Maidetu: 82-83).

E ne – nga aspekti i uljes – i themi atij që mohon se Kurani është fjala e Allahut: supozo se ky libër vërtet është prej Allahut dhe se ti je në gabim, atëherë çfarë do të bësh?

Allahu thotë:

“Thuaju, (o Muhamed): “Më thoni! Nëse ky Kuran vërtet është prej Allahut dhe ju e mohoni atë, atëherë kush është në humbje më të madhe se ai që është në kundërshtim të hapur me Të?!” (Fussilet: 52).

Përktheu: Petrit Perçuku

_______________________________________________

[1] Shih: Tefsirin e Kurtubiut (10/176).

[2] Shih: Tefsirin e Bejdauit (3/420) dhe Tefsirin e ibën Kethirit (2/156).

[3] E përcjellë këtë thënie të tij Kurtubiu në Tefsir (1/54).

[4] Shih Tefsirin e Ibën Kethirit (2/411).

[5] Këto ishin akuza të idhujtarit En-Nadr bin El-Harith, i cili, përmes tyre, dëshironte ta mbulonte shpifjen e tij, sepse e dinte që rrena (se gjoja Muhamedi e ka marr Kuranin nga librat e mëparshëm) është e zbuluar dhe mund të mos e pranonin njerëzit , sepse ata e dinin se Profeti ishte analfabet. Atëherë, si ka mundësi t’i ketë marrë nga librat e mëparshëm? Në këtë rast, ai përgatiti terrenin për pranimin e rrenës së tij duke thënë se ato i janë shkruar atij dhe pastaj ai i ka marrë për vete. Kështu, ai ia jep atij që di të lexojë, pastaj ai ia dikton ato që po i tregon Kurani. (sh.p).

Madhësia e tekstit