A bën që myslimani t’i braktisë fraksionet e fitnet e kohës sonë dhe të merret vetëm me veten e tij?

Shejh: Muhamed Nasirud-din El-Albani (Allahu e mëshiroftë)

Pyetësi: Nuk janë të panjohura për ju fitnet e kësaj kohe – pastaj i numëroi ato – dhe tha: “A bën që myslimani të izolohet? Çfarë mendoni për fjalën e më të Lartit: “O besimtarë, ruajeni veten tuaj!” (El-Maide, 105). Dhe a është e tillë edhe fjala e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) drejtuar Hudhejfes: “Braktisi të gjitha ato fraksione…”?

Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë): Kjo pyetje përmban disa pyetje, kështu që po filloj me të parën. Cila ishte ajo?

Pyetësi: “A bën që myslimani të izolohet…?”

Shejhu: Pikë së pari myslimani ndryshon sipas imanit të tij, pastaj kohës dhe vendit ku ai jeton. Kështu, ai që ka besim të fortë dhe nuk frikohet për veten se do të devijoj në akiden apo sjelljen e tij, atëherë më mirë për të është që të përzihet me myslimanët dhe të mos i braktisë ata. Fjala e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), të cilën e përcjellin Tirmidhiu dhe të tjerët, është tekst i prerë rreth kësaj meseleje. Nga Abdullah bin Umeri (radijAllahu anhuma) përcillet se, i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Besimtari që përzihet me njerëz dhe duron ndaj lëndimeve të tyre është më i mirë se ai që nuk përzihet me ta dhe nuk duron ndaj lëndimeve të tyre.”

Ajo që e plotëson përgjigjen paraprake, ku thamë se çështja ndryshon sipas besimit të myslimanit, pastaj kohës dhe vendit ku ai jeton, është se në Sahih-un e Buhariut, Muslimit dhe në libra të tjerë, shënohen hadithe në të cilat tregohet se njeriu më i mirë në kohën e fitneve është ai që ka një tufë dhenë dhe largohet nga njerëzit në ndonjë grykë mali. Hanë e pinë nga to, i ruan njerëzit nga sherri i tij dhe ruhet nga sherri i tyre. Kjo është gjatë kohës së fitneve.

S’ka dyshim se koha e fitneve ndryshon për nga numri i madh apo i pakët i tyre (fitneve), andaj meseleja kthehet tek këqyrja e imanit të besimtarit. Andaj, siç edhe thamë më lartë, ai që ka besim të fortë dhe nuk frikohet se do të devijojë në akiden, adhurimin dhe sjelljen e tij, atëherë më mirë për të është që të rrijë me njerëz. S’do mend se kur ai rri me ta, do t’i urdhërojë për kryerjen e veprave të mira, do t’i ndalojë nga të këqijat, do t’i këshillojë, e gjëra të tjera të kësaj natyre. Kjo do të jetë më e mirë për të sesa të izolohet nga njerëzit dhe ta shpëtojë vetëm veten e tij.

Kjo sa i përket pyetje së parë. Pyetja e dytë?

Pyetësi: Rreth fjalës së Allahut të Lartësuar: “O besimtarë, ruajeni veten tuaj! Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse jeni në rrugë të drejtë.” (El-Maide, 105).

Shejhu: Shpjegimin e këtij ajeti e gjejmë po ashtu në koleksionet e sunetit, si dhe në Musnedin e imam Ahmedit, ku shënohet se një ditë Ebu Bekri (radijAllahu anhu) u mbajti fjalim njerëzve dhe u tha: “O njerëz! Ju nuk po e shpjegoni këtë ajet ashtu si duhet. E kam dëgjuar Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) duke thënë: “O njerëz! Urdhëroni për kryerjen e veprave të mira dhe ndaloni nga veprat e liga, e, kur veproni kësisoj, atëherë ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse jeni në rrugë të drejtë.”

Pra, kuptimi i ajetit nuk është: braktisni njerëzit e “futni këmbët në ujë të freskët” (apo siç thuhet tek ne “rri nën hije”, sh.p.) dhe as mos urdhëroni për të mirë e mos ndaloni nga e keqja! Jo, kur të urdhëroni për të mirë dhe kur të ndaloni nga e keqja dhe njerëzit nuk u përgjigjen, atëherë ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse jeni në rrugë të drejtë. Dhe prej udhëzimit tuaj të plotë është që kur ju të shihni ndonjë të keqe e pengoni atë dhe kur të shihni ndonjë gjë që kërkon urdhër (për të vepruar), ju urdhëroni për të mirë, e kështu radhazi. Kjo ishte sa i përket pyetjes së dytë.

Pyetësi: Pyetja e tretë ndërlidhet me hadithin e Hudhejfes (radijAllahu anhu): “Braktisi të gjitha ato fraksione…”?

Shejhu: Ky hadith ndërlidhet plotësisht me realitetin tonë sot. Domethënë: kur myslimanët të përçahen në grupe, parti e fraksione dhe secili të kapet me fanatizëm pas xhematit dhe partisë së tij, atëherë, duke qenë se kjo është gjendja, myslimanit nuk i lejohet të përfshihet në asnjërën prej këtyre grupimeve, përpos një grupi të vetëm, nëse gjendet, grup ky që ka imam (udhëheqës), të cilit myslimanët ia kanë dhënë besën. Kështu, ai duhet të jetë me këtë grup dhe me këtë palë. Ndërsa, nëse nuk ekziston xhemat që ka imam dhe të cilit myslimanët ia kanë dhënë besën, atëherë ai i braktis të gjitha ato grupime. Mirëpo kjo s’do të thotë që ai të izolohet në maje të malit; jo, por ka kuptimin që të mos ketë partishmëri ndaj ndonjë pale kundër tjetrës. Ky është qëllimi i hadithit të Hudhejfes (radijAllahu anhu).

“Silsiletul-huda uen-nur” (kaseta nr. 760)

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit