A doni t’ju tregoj …?

A doni t’ju tregoj …?

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “A doni t’ju tregoj se kush është besimtar i vërtetë? Ai të cilit njerëzit ia besojnë jetën dhe pasurinë. Musliman i vërtetë është ai prej gjuhës dhe dorës të së cilit njerëzit janë të shpëtuar. Luftëtar i vërtetë është ai i cili e lufton veten e tij në bindjen ndaj Allahut. Kurse, emigrues i vërtetë është ai i cili i braktisë mëkatet.” Imam Ahmedi në Musned.

Emri i parë (që përmendet në hadith) është: Mu’min – besimtar.

Emri i dytë është: Muslim – musliman.

Në këtë hadith janë përmendur Islami dhe imani së bashku dhe se janë dy gjëra të cilat dallojnë ndërmjet vete (këtu në hadith janë përmendur së bashku). Këtu kur përmendet imani është fjala për diçka që ndërlidhet me zemrën (me veprat e brendshme), ndërsa kur përmendet Islami është fjala për diçka që ndërlidhet me veprat e jashtme. “Besimtar i vërtetë është ai të cilit njerëzit ia besojnë jetën dhe pasurinë”– siguria dhe besueshmëria ndërlidhet me zemrën, ndërsa te fjala  “Musliman i vërtetë është ai prej gjuhës dhe dorës të së cilët njerëzit janë të shpëtuar”- përmenden gjëra që ndërlidhen me veprimet. Islami qenka diçka që ka të bëjë me shpëtimin dhe mirëqenien, kurse imani qenka diçka që ka të bëjë me sigurinë dhe qetësinë.

 

Emri i tretë është: Muxhahid – luftëtar. Nëse nuk e lufton veten vazhdimisht në bindjen ndaj Allahut derisa të drejtohet në rrugën e drejtë, atëherë do të ikë dhe pastaj do ta kesh shumë të vështirë ta trajtosh atë. Dijetarët kanë përmendur se lufta ndaj vetes ka katër faza:

-luftimi i vetes duke e detyruar për t’u pajisur me dije fetare (më e larta).

-luftimi i vetes që të punojë me atë dije.

-luftimi i vetes që atë dije ta përcjellë tek të tjerët (të këshillojë me të).

-luftimi i vetes që të durojë ndaj lëndimeve e ofendimeve (kur i fton të tjerët në fe).

Emri i katërt është: Muhaxhir – emigrues. Emigrues i vërtetë është ai i cili i braktisë mëkatet. Njeriu duhet të largohet prej mëkateve e veprave të cilat e zemërojnë Allahun për te pendimi i sinqertë dhe bindja ndaj Tij. Kur njeriu largohet dhe i braktisë mëkatet, vërtetë arrin ta dëlirë nefsin e tij. Ky është një nderë i madh, një pozitë e lartë, të cilën Allahu ia jep njeriut.

 

Nëse besimtari arrin që këto katër gjëra t’i bëjë bashkë dhe t’i plotësojë në mënyrën më të plotë, atëherë nuk ka mirësi e cila kërkohet prej tij veçse ai e ka realizuar atë. Nëse i realizon këto, ai është në shpëtim dhe mirëqenie. Ky hadith ka bërë bashkë përmirësimin dhe dëlirjen me të gjitha kuptimet e tyre. Njëkohësisht përfshin dhe shpëtimin prej çdo të keqe, dëmi dhe pasoje. Ky hadith përmbledh të gjitha gjërat që na sjellin dobi në të dy botët.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit