A duhet agjëruar ajo ditë që nuk e kemi bërë nijet për agjërim në Ramazan?

A duhet agjëruar ajo ditë që nuk e kemi bërë nijet për agjërim në Ramazan?

Hoxhë Lulzim Perçuku: Duhet kuptuar se çfarë është nijeti për agjërimin e Ramazanit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka agjërim ai që nuk e bën nijetin gjatë natës.” Mirëpo, a është obligim që në çdo natë të bëhet nijeti për agjërimin e së nesërmes? Këtu ka mospajtime mes dijetarëve. Mirëpo, mendimi më i saktë është se ky hadith vlen për natën e parë të Ramazanit. Në vendet ku shihet hëna (tek ne nuk praktikohet), dhe personi pas jacisë ka fjetur, e nuk e di a është parë hëna (që tregon hyrjen e Ramazanit) apo jo, dhe thotë: “Nëse shihet hëna, do të agjëroj të nesërmen e nëse jo, nuk do të agjëroj.” Këtij nuk i ka dal gjumi deri në kohën e namazit të sabahut. Kur është ngritur, ka kuptuar se njerëzit janë agjërueshëm. Ky person nuk ka nijet dhe nuk ka agjërim sepse nuk ka vendosur me bindje se do të agjërojë të nesërmen, porse e ka kushtëzuar “Nëse shihet hëna, do të agjëroj të nesërmen e nëse jo, nuk do të agjëroj”. Nuk i pranohet agjërimi i kësaj dite. Në atë ditë këtij nuk i lejohet të hajë e pijë, deri në iftar. Këtë ditë e bën kaza.

A duhet të bëhet nijeti në çdo natë të Ramazanit? Jo, por kjo është e preferuar. Mirëpo, myslimani në natën e parë të Ramazanit, e bën nijetin se do ta agjërojë të gjithë Ramazanit. Ky nijeti i parë është obligim dhe i mjafton. Nuk është kusht ta përsërisë për çdo natë. Por, është e preferuar të bëhet nijeti për çdo natë dhe i cili bëhet në këtë mënyrë:

-duke u zgjuar në syfyr,

-ose duke e shtyrë iftarin kur është dita shkurt, në dimër, kështu ha rreth orës 00:00, që të mos zgjohet në kohën e syfyrit për të ngrënë dhe fle deri për sabah. Ky veçse e ka bërë nijetin për agjërimin e së nesërmes, darka që e ha para se të flejë është nijeti për të agjëruar të nesërmen.

Nuk është kusht gjithsesi që të zgjohesh në syfyr për të bërë nijetin.

Nuk lejohet që nijeti të bëhet me gojë (fjalë), kjo është prej bidateve. Nijeti është në zemër. Nëse ke vepruar një vepër që tregon se do të agjërosh të nesërmen, kjo është nijeti për ty.

Andaj, nëse pyetësi nuk është zgjuar në syfyr për të bërë nijet të agjërojë të nesërmen, por e ka bërë nijetin e përgjithshëm në natën e parë të Ramazanit se do të agjërojë të gjithë këtë muaj, atëherë mjafton ky nijet dhe nuk është e nevojshme të kompensojë atë ditë pastaj.

Nijeti i parë i Ramazanit (i përgjithshmi) mund të ndërpritet. Shembull:

-dikush udhëton jashtë shtetit disa ditë dhe nuk e ka obligim të agjërojë, me ç’rast ha e pi. Kur të kthehet duhet ta ripërtërijë nijetin. Tash e ka obligim ta ripërtërijë nijetin që të agjërojë pjesën tjetër të Ramazanit;

-dikush ka agjëruar disa ditë dhe është sëmurë (duke iu lejuar mosagjërimi) dhe duke mos mundur të vazhdojë me agjërim e ka prishur, kur të shërohet pas dita ditëve e ka obligim ta ripërtërijë nijetin për pjesën tjetër të Ramazanit;

-femra e cila e ka ndërprerë agjërimin për shkak të ardhjes së menstruacioneve, kur e rifillon agjërimin pasi i kryen ato, e ka obligim ta ripërtërijë nijetin për të agjëruar pjesën tjetër të Ramazanit.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit