A i lejohet udhëtarit ta prishë agjërimin nëse udhëton për të bërë harame?

A i lejohet udhëtarit ta prishë agjërimin nëse udhëton për të bërë harame?

Përgjigje nga hoxhë Lulzim Perçuku: Dijetarët kanë përmendur se udhëtarit i lejohet ta prishë agjërimin nëse me udhëtimin e tij nuk i bën haram Allahut. E nëse i bën haram, atëherë nuk i lejohet ta prishë atë, p.sh.: shkon në një tjetër vend për të pirë alkool (nuk mundet të pijë në vendin e tij), ose të bëjë imoralitet, ose të shkojë në plazh, ose aty ku ka përzierje etj. Dijetarët thonë se nuk është e arsyeshme që njeriu t’i marrë lehtësimet e Allahut duke i bërë haram Atij. Kjo është në kundërshtim me fenë dhe me logjikën e shëndoshë. Si i merr njeriu lehtësimet e Allahut për të shkuar t’i bëjë haram Atij?! Kjo nuk lejohet kurrsesi.

Madje ka mendim të dijetarëve që thonë se edhe nëse udhëtimi është udhëtim mubah (në të cilin nuk ka mëkat, por as nuk është udhëtim i adhurimit, si: shëtitje, piknik), agjëruesi nuk e prish agjërimin sepse i tilli nuk llogaritet udhëtim, edhe pse mendimi më i saktë është se i lejohet. Ka mendim të dijetarëve që thonë se agjërimi prishet veç atëherë kur udhëtimi është adhurim, si: haxh, umre. Në këto raste e prish agjërimin, në të tjera jo, sipas këtij mendimi.

Mendimi më i saktë është se agjëruesit i lejohet ta prishë agjërimin për çfarëdo udhëtimi, përveç atij udhëtimi me të cilin i bëhet haram Allahut.

Vërejtje: Udhëtarit nuk i lejohet të hajë publikisht në vendin në të cilin ka udhëtuar nëse është vend mysliman, por ha brenda mureve.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit