“A ka kush që më lutet Mua, e t’i përgjigjem?”

Nga Enes bin Maliku (radijAllahu anhu) përcillet të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush të lutet, atëherë le të jetë i vendosur në lutje, dhe të mos thotë: “O Allah, më jep nëse do”, sepse Allahun nuk ka kush që e detyron.” (Ibën Ebi Shejbe, 6/21, Ahmedi, 3/101, Buhariu, 5/2334, Muslimi, 4/3063, Nesaiu në El-Kubra, 6/151 dhe të tjerë). Imam Neveviu, në komentarin e Sahih-ut të Muslimit tha: “Dijetarët kanë thënë se, të qenët i vendosur në lutje do të thotë bërja e saj me ngulm.”

Nga Ubade bin Es-Samit (radijAllahu anhu) përcillet se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “S’ka mysliman mbi faqen e dheut që lutet me ndonjë lutje, e që Allahu të mos ia jap atë, apo t’ia largojë ndonjë të keqe në sasi të saj, përderisa ai nuk lutet për ndonjë mëkat, apo ndërprerje të lidhjeve farefisnore.” Dikush nga të pranishmit tha: “Atëherë t’i shpeshtojmë (lutjet)”. Profeti tha: “Allahu edhe më shumë.” (Tirmidhiu, 5/566 dhe të tjerë. Albani e ka vlerësuar si Hasen në Sahih El-Xhami’, nr. 5636). Alamet dijetari El-Mubarekfurij, në komentarin e sunenit të Tirmidhiut, të quajtur “Tuhfetul-ahuedhij”, shënon: “Lidhur me pasazhin “Allahu edhe më shumë”, Et-Tibij, tha: “Domethënë: Allahu ju përgjigjet me më shumë sesa që ju luteni. Po ashtu është thënë: Allahu jep më shumë sevape dhe dhurata sesa ato që gjenden (i kërkoni) në shpirtrat tuaj, andaj shpeshtojini sa të doni, ngaqë për lutjet që ju i bëni, Allahu u jep atë që është më shumtë e më e madhe sesa ato.”

Nga Ebu Hurejre (radijAllahu anhu) përcillet se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Zoti ynë zbret në qiellin e kësaj bote çdo natë, atëherë kur mbetet një e treta e fundit e saj dhe thotë: “A ka kush që më lutet, e t’i përgjigjem? A ka kush që kërkon prej Meje, e t’ia jap? A ka kush që kërkon falje nga Unë, e ta falë?”. (Imam Maliku, 1/214, imam Ahmedi, 2/487, Buhariu, 1/384, Muslimi, 1/521, Ebu Daudi, 2/34, Tirmidhiu, 5/526, ibën Maxhe, 1/435 dhe të tjerë).

Imam ibën El-Kajjim tha: “Abbad bin El-Auam tha: “Erdhi Sheriku tek ne në Uasit dhe i thamë: “Në këtë vend tonin ka njerëz që i mohojnë disa hadithe, si për shembull hadithin: “Vërtet, Allahu zbret në qiellin e kësaj bote”. Atëherë, Sheriku tha: “Këto hadithe na i përcollën po ata njerëz që na i përcollën edhe sunetet (traditat) e tjera të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), si: namazin, agjërimin, zekatin dhe haxhin. Ndërkohë që ne e njohëm Allahun e Madhërishëm pikërisht përmes këtyre haditheve.” Imam Shafiu tha: “Sa shteg tjetër karshi sunetit të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) përveç pasimit të tij, ashtu siç edhe Allahu i Lartësuar e bëri obligim. Ndërsa të pyesësh “si?” rreth ndonjë suneti të saktësuar, është një çështje që njeriut të ditur nuk i takon (lejohet) ta bëjë atë.”

Për këtë arsye, ne i besojmë cilësitë e Allahut të Lartësuar, ngaqë ato janë përmendur në ajete dhe hadithe, dhe nuk pyesim për formën/mënyrën e tyre, sepse ato janë në dijen e Allahut. Mirëpo, ne i besojmë ato pa u dhënë formë apo mënyrë, pa i ngjasuar me cilësitë e krijesave (për shembull të thuash: dora e Allahut i ngjason duarve tona), pa i mohuar dhe pa i shtrembëruar e interpretuar (domethënë: të shpjegohen me gjëra për të cilat nuk ka treguar Profeti. Për shembull të thuash: dora e Allahut ka kuptimin e fuqisë së Tij. Sikur ky shpjegim të ishte i saktë, atëherë do të na tregonte për të i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe shokët e tij, të cilët na e përcollën fenë, si dhe pasuesit e tyre, Allahu qoftë i kënaqur ndaj të gjithëve). Atëherë, themi: Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka, mirëpo dëgjimi dhe shikimi i Tij nuk i ngjasojnë dëgjimit dhe shikimit tonë, përkundrazi, ata janë ashtu siç i takojnë madhërisë dhe madhështisë së Tij. Allahu thotë: “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha.” (Esh-Shura, 11). Dhe thotë: “Hebrenjtë thanë: “Dora e Allahut është e shtrënguar.” Iu lidhshin duart atyre dhe qofshin të mallkuar për atë që thonë! Përkundrazi, të dyja Duart e Tij janë të hapura (shtrira).” (El-Maide, 64).

Marr nga: www.balligho.com

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit