A prishet agjërimi nga dalja e gjakut?

A prishet agjërimi nga dalja e gjakut?

Hoxhë Lulzim Perçuku: Këtu ka mospajtime mes dijetarëve. Disa kanë thënë se kush jep gjak apo bën hixhame, i prishet agjërimi ngase i Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që bën hixhame e ka prishur agjërimin.” Ndërsa, në një hadith tjetër ka ardhur se vetë ai salAllahu alejhi ue selem ka bërë hixhamen duke qenë agjërueshëm.

Ka ardhur në tjetër hadith se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka lehtësuar për agjëruesin bërjen e hixhames dhe puthjen e gruas. Kështu që, mendimi më i saktë është se dalja e gjakut nuk e prish agjërimin e agjëruesit, ngase këtu ai salAllahu alejhi ue selem ka lehtësuar. Kështu, në origjinë ka qenë e ndaluar bërja e hixhames dhe puthja e gruas, pastaj ka ardhur lehtësimi prej tij salAllahu alejhi ue selem.

Nëse nuk është një gjë e domosdoshme për të dhënë gjak, atëherë agjëruesi ta bëjë këtë pasi të bëjë iftar. E nëse është diçka urgjente (p.sh.: rasti kur duhet për t’i dhënë gjak një pacienti aty për aty), atëherë nuk prish punë të japë edhe gjatë agjërimit.

Shejkh Sulejman er Ruhjeli thotë se nëse vjen dikush që është agjërueshëm dhe pyet “A të jap gjak?”, i themi mos jep, lëre pasi të bësh iftar. E nëse dikush tjetër thotë: “Jam agjërueshëm dhe kam dhënë gjak, a më është prishur agjërimi?”, i themi se jo nuk e ke prishur.

Ka mendim të dijetarëve se nëse del shumë gjak, p.sh.: personi është aksidentuar dhe derdh shumë gjak, atëherë thonë se i është prishur agjërimi.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit