Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës

Ibn Kajim el Xheuzije

Allahu i lartësuar e ka quajtur Vetën Dritë. Librin e Tij e bëri dritë, Pejgamberin e Tij e bëri dritë, Fenë e Tij e bëri dritë. Është mbuluar nga krijesa e Tij me mbulesën nga drita. Po ashtu dhe banesën e miqve të Tij e bëri dritë që shkëlqen.

Allahu i lartësuar thotë: “Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës. Shembulli i Dritës së Tijshëmbëllen me atë të një kamareje, në të cilën ndodhet një llambë. Llamba është në një kristal, kurse kristali është si një yll i shndritshëm. Ajo (llamba) ndizet nga druri i bekuar i ullirit, as lindor, as perëndimor, ndërsa vaji i saj shkëlqen edhe pa e prekur zjarri. Dritë sipër dritës. Allahu udhëzon drejt dritës së Tij kë të dojë dhe paraqet shembujt për njerëzit. Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.” (Kurani, 24:35)

Fjalët e Tij ‘Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës’ janë komentuar se, Allahu është ndriçuesi i qiejve dhe Tokës; se Allahu është udhëzues i banorëve të qiejve dhe Tokës, d.m.th. me dritën e Tij janë udhëzuar banorët e qiejve dhe Tokës. Dhe ky (udhëzimi) është vepër e Tij, përndryshe, Drita e cila është prej cilësive të Tij, është pjesë e Qenies së Tij dhe prej kësaj cilësie është përftuar emri Dritë, që është njëri ndër emrat e bukur të Allahut.

Drita i pohohet Atij në njërën nga dy mënyrat: 1) siç i pohohet cilësia të cilësuarit dhe, 2) siç i adresohet vepra vepruesit.

Për të parën, kemi shembull fjalët e Allahut: ‘Dhe Toka do të shndrisë me dritën e Zotit të vet’ (Kurani, 39:69). Kjo shndritje me Dritën e Tij, do të ndodhë Ditën e Kiametit, kur Ai vjen për të ndarë drejtësinë. Këtë domethënie kanë edhe fjalët e Pejgamberit në një hadith të afirmuar: ‘Kërkoj mbrojtje me anë të Fytyrës Tënde Fisnike, të më ruash nga devijimi; S’ka të adhuruar tjetër meritor veç Teje.’[1] Në një transmetim tjetër: ‘Kërkoj mbrojtje me Dritën e Fytyrës Tënde, e cila bën të shndrisin errësirat.’[2]

Pra njoftoi se errësirat shndrisin prej dritës së Fytyrës së Tij. Dhe siç njoftoi Allahu ilartësuar, toka do të shndrisë Ditën e Kiametit prej dritës së Tij.

Transmeton Tabaraniu në ‘Mua’xhem’ dhe në ‘Es-Shuneh’ dhe Uthman bin Seid Ed-Darimiu dhe të tjerë, nga Abdullah bin Mesudi të ketë thënë: ‘Te Zoti juaj nuk ka as ditë, as natë. Drita e qiejve dhe Tokës është prej dritës së Fytyrës së Tij.’

Kjo që tha Ibn Mesudi është më afër komentit të ajetit se pohimi i atyre që e komentuan se Ai është udhëzues i qiejve dhe Tokës, ndërsa sa u takon atyre që e komentuan se Ai është ndriçues i qiejve dhe Tokës, pohimi i tyre, nuk bie ndesh me thënien e Abdullah bin Mesudit.

Dhe në të vërtetë, marrë në konsideratë të gjitha këto pohime, Ai është Drita e qiejve dheTokës.

Imam Muslimi (nr. 179) në sahihun e tij dhe të tjerë, kanë shënuar hadithin e Ebu Musa el Eshariut, i cili thotë: Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) doli para nesh dhe na këshilloi me pesë gjëra, ai tha: ‘Vërtet që Allahu nuk fle dhe nuk ka nevojë të fle; Ai (me raste) e ulë drejtësinë[3] e (me raste) e ngre atë (dhe pasuesit e saj). Te Ai ngrihen punët e natës para atyre të ditës, dhe punët e ditës ngrihen para atyre të natës. Mbulesë e Tij është drita. Sikur ta hiqte mbulesën e Tij, shkëlqimi i Fytyrës së Tij do të digjte çdo krijesë që arrin shikimi i Tij (d.m.th. çdo gjë, meqë Ai sheh çdo gjë).’

Në sahihun e imam Muslimit (nr. 178) transmetohet hadithi i Ebu Dherrit, i cili thotë: E pyeta Pejgamberin (salallahu alejhi ue selem): a e ke parë Zotin tënd? Tha: ‘Ishte dritë, si mund ta shihja’.

E kam dëgjuar Shejhul Islam (ibn Tejmije) Allahu e mëshiroftë dhe qoftë i kënaqur me të, duke thënë: D.m.th. atje kishte dritë dhe drita më pengoi ta shihja. Pra si mund ta shihja. Kjo mbështet edhe nga disa transmetime të tjera të sakta: ‘A e ke parë Zotin tënd? Tha: Pashë dritë.’

Interpretimi i këtij hadithi, u krijoi vështirësi të shumta shumë njerëzve, saqë disa prej tyre ia shtrembëruar kuptimin. Ata thanë: E shoh Atë, është nga drita. Këtë interpretim e bazuan në faktin se j-ja është jau-neseb (që tregon përkatësi), dhe se ato (dy) fjalë janë një fjalë e vetme.

Mirëpo ky është gabim tekstual dhe kuptimor.[4] Në këtë ngatërrim e gabim, i çoi fakti se ata kishin krijuar bindjen se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) e sheh Zotin e Tij vazhdimisht, dhe meqë fjalët e tij: ‘Si mund ta shihja’ mohojnë shikimin, të ndodhur në vështirësi, disa prej tyre e refuzuan me faktin se në tekstin e hadithit ka idtirab[5] (kundërthënie që as nuk mund të përputhen, as ta sqarojnë njëra-tjetrën). Të gjitha këto janë shmangie nga ajo çfarë në të vërtetë pohon argumenti.

Uthman bin Seid Ed-Darimiu në librin ‘Kitabu Er-Red’ ka përmendur ixhmain (konsensusin) e sahabëve se Pejgabmeri, në natën e miraxhit nuk e kishte parë Zotin e tij. Disa e kanë përjashtuar Ibn Abasin nga ky konsensus, megjithëse mësuesi im (Ibn Tejmije) thotë: Në realitet këtu nuk kemi mospërputhje mendimesh. Ibn Abasi nuk kishte thënë se ai e kishte parë me dy sytë e ballit. Dhe në këtë është bazuar imam Ahmedi, në njërin nga dy transmetimet, kur kishte thënë: ‘Pejgamberi e kishte parë Zotin e Gjithmadhërishëm, por nuk tha që e kishte parë me sytë e ballit.’ Kështu, fjalët e imam Ahmedit janë të njëjta me ato të Ibn Abasit. Fakt tjetër që dëshmon se fjalët e mësuesit tim (Ibn Tejmijes) janë të sakta sa i takon interpretimit të hadithit të Ebu Dherrit, janë fjalët e tij (salallahu alejhi ue selem) në një hadith tjetër: ‘Drita është mbulesa e Tij’. Dhe kjo dritë – megjithëse Allahu e di më së miri – është drita e përmendur në hadithin e Ebu Dherrit: ‘Pashë dritë’.[6]

vazhdon…

——————————————————————–

[1] Buhariu (nr. 7383).

[2] Albani e ka konsideruar të dobët në librin e tij ‘Xhamia Es-Sagir’ (nr. 1280).

[3] Dhe kështu u mundëson zullumqarëve të dalin në krye si sprovë për robërit e Tij, në mënyrë që të dallohet falënderuesi i mirësive të Allahut nga mohuesi i tyre.

[4] Gabimi tekstual është i qartë, meqë shprehja (që ata përftuan) kundërshton hadithin e saktë. Në sahihun e Muslimit transmetohet me elif të shkurtër. Ndërsa gabim kuptimor është fakti se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) se kishte parë dritë e cila e kishte penguar ta shihte Zotin e Tij – jo diçka tjetër. Neveviu, në komentin e Sahihut të Muslimit, kur e sqaron domethënien e fjalëve të Pejgamberit (salallahua lejhi ue selem): ‘Pash dritë’, thotë: “Do të thotë: Kam parë vetëm dritë dhe asgjë tjetër.” (3/12). (Recnezuesi i librit në arab. A. M.)

[5] Hadithi mudtarib apo hadithi që në tekstin e tij ka idtirab është prej llojeve të hadithit daif (të dobët, të papranueshëm).

[6] Burimi: Ixhtima el Xhujush el Islamije… – përktheu: B. K.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit