» Aspekti i gjuhës
-Të heshtësh ndaj të metave dhe gabimeve të vëllait musliman, qoftë në prani apo në mosprani. Duhet të behësh sikur nuk i di ato.
-Të mos e përgojosh. Nga gjërat që ndihmojnë të mos e përgojosh vëllain musliman, është që të shikosh të metat e gabimet e tua dhe të dish se nuk mund të gjesh një vëlla pa të meta e pa gabime. Çdo njeri ka të meta. Nëse të mirat e vëllait tënd musliman janë më të shumta sesa të këqijat, kjo është ajo që synohet. Besimtari duhet gjithmonë të kujtojë të mirat që ka vëllai i tij dhe të harrojë të metat e gabimet e tij, sepse kjo bën që zemra e tij ta respektojë dhe ta dojë më shumë. Ndërsa, një njeri i cili nuk ka edukatë, përmend të metat dhe gabimet e të tjerëve. Abdullah ibën Mubareku ka thënë: “Besimtari gjithmonë kërkon arsyetime për vëllain e tij musliman, kurse hipokriti kërkon rrëshqitjet dhe gabimet.” Fudajl ibën Ijadi ka thënë: “Burrëri dhe fisnikëri është të falësh gabimet dhe të metat vëllezërve muslimanë.”
-Të mos përhapësh sekretet e tij (edhe nëse ndonjëherë ndodh të prishet raporti me të).
-Të mos polemizosh apo debatosh me të (me polemika të zjarrta). Ata që polemizojnë me polemika të zjarrta kanë për qëllim të shfaqin veten se janë të mençur dhe që kanë vlera dhe të nënçmojnë palën tjetër duke e nxjerr në pah injorancën e tij. Kjo është e keqja e madhe e polemikave që ndodhin mes vëllezërve muslimanë. Polemikat fitnosin zemrat e muslimanëve dhe bëjnë që të mbijë zilia e urrejtja dhe i ngurtësojnë ato.
-Të flasësh fjalë të cilat shtojnë afërsinë dhe dashurinë.
-Të flasësh fjalë të mira të cilat e gëzojnë vëllain musliman (lidhur me gjendjen apo situatën nëpër të cilën po kalon). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është pyetur: “Cila është vepra më e mira?” Ndër të tjera, ai salAllahu alejhi ue selem ka përmendur: “Të futësh gëzim e lumturi në zemrën e vëllait tënd musliman.”
-T’i tregosh se e do atë për hir të Allahut. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur dikush e do vëllain e tij, le ta njoftojë se e do.” Kjo patjetër do të ketë për rezultat shtimin e dashurisë.
-Ta thërrasësh me emrat më të dashur të cilët i pëlqen. Umeri radijAllahu anhu ka thënë: “Janë tri gjëra të cilat e kullojnë dashurinë vëllazërore: 1. T’i japësh selam i pari. 2. T’i bësh vend në mexhlise. 3. Ta thërrasësh me emrat më të dashur që pëlqen.”
-Ta lavdërosh për tiparet e mira që ka, pa e tepruar dhe pa e gënjyer. Më e konfirmuar sesa kjo është t’ia përcjellësh lëvdatat që të tjerët i bëjnë për të. Kjo gjë shton dashurinë. Nëse i mban fshehtë këto dy gjëra, kjo është shenjë e zilisë.
-Ta mbrosh vëllain tënd kur nuk është prezent, nëse dikush flet keq për të, apo e përmend me fjalë të këqija, apo e përgojon etj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi, nuk e tradhton dhe nuk e nënçmon.” Nëse preket nderi i tij nuk e lë në baltë, por e mbron atë.
-T’ia mësosh atë dije që posedon dhe ta këshillosh (fshehtas[1]) siç është më së miri, sidomos atëherë kur të kërkon këshillë. Pastaj, këshilla konfirmohet edhe më shumë kur shohim se vëllai ynë ka filluar të veprojë mëkate apo të braktisë veprat e mira. Ebu Derda ka thënë: “Kur sheh se gjendja e vëllait tënd ka ndërruar, mos e braktis për këtë, ngase ai nganjëherë e shtrembëron rrugën e nganjëherë drejtohet.” Transmetohet nga selefi se kur njëri prej dy vëllezërve që janë dashur për hir të Allahut ka filluar të lëshojë rrugën e drejtë, atëherë i kanë thënë tjetrit: “Pse nuk e bojkoton dhe të shkëputësh lidhjet me të?” Mirëpo, ai ka thënë: “Në këtë gjendje ai ka nevojë për mua më shumë sesa kur kemi qenë të dytë bashkë në rrugën e drejtë, ka nevojë ta kapi për dore që të mos devijojë më shumë dhe ka nevojë të tregohem i butë kur e thërras t’i kthehet rrugës së drejtë.” Nga të drejtat e vëllait musliman, është që të mos e braktisësh kur ka nevojë për ty, por t’i gjendesh në fatkeqësi e sidomos kur fatkeqësia ka të bëjë me fenë e tij.
-Të lutesh për të, sa është gjallë dhe pasi të vdesë.
[1] Këshilla e dhënë fshehtas tregon se ke dhembshuri dhe mëshirë për vëllain musliman.
Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim



