Aureti i mashkullit

Komisioni i përhershëm për kërkime dhe fetua

Fetuaja nr. (2252):

Pyetje:

A është kofsha (e mashkullit) auret (pjesë e turpshme që duhet të mbulohet)?

Përgjigje:

Pjesa më e madhe e fukahave janë të mendimit se kofsha e mashkullit është auret. Këtë mendim e mbështesin në disa hadithe, mirëpo për zinxhirin e secilit prej tyre nuk munguan fjalët (e dijetarëve): ose se ai është i shkëputur ose se disa prej transmetuesve janë të dobët. Megjithatë, këto hadithe e forcojnë njëra tjetrën dhe të gjitha së bashku e arrijnë shkallën e argumentimit për atë që kërkohet. Prej këtyre haditheve janë: transmeton Ebu Daudi dhe ibën Maxheh nga Aliu (radijAll-llahu anhu) i cili tha: “I Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

‘Mos e zbulo (shfaq) kofshën tënde dhe mos e shiko kofshën e të gjallit e as të të vdekurit.’

Transmeton Ahmedi dhe Buhariu në Et-Tarih nga Muhamed bin Xhahsh të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) kaloi pranë Ma’mer bin Abdullahit, i cili i kishte kofshët e zbuluara dhe i tha:

‘O Ma’mer, mbuloji kofshët e tua, sepse kofshët janë auret!’

Transmeton Maliku në El Muvetta, Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu nga Xherhed El Eslemij të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) kaloi pranë meje dhe unë kisha të veshur një xhybe, ndërkohë që kofsha më ishte zbuluar. Më tha:

‘Mbuloje kofshën tënde, sepse kofsha është auret!’

Tirmidhiu për këtë hadith thotë se është i mirë.

Ndërsa, një grup prej dijetarëve mendojnë se kofsha e mashkullit nuk është auret dhe argumentojnë me hadithin e Enesit:

“se Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sellem) e ngriti rrobën (izarin) që ia mbulonte kofshën dhe shikova bardhësinë e kofshës së tij.”

Këtë hadith e transmeton Ahmedi dhe Buhariu, ndërkohë që ky i fundit thotë se: “Hadithi i Enesit është më i saktë në zinxhir, ndërsa hadithi i Xherhedit është më i sigurt (që të veprohet me të).”

Mendimi i pjesës më të madhe të dijetarëve (xhumhurit) është më i sigurt për shkak të asaj që e përmendi Buhariu dhe për shkak se hadithet e lartcekura (të cilat e ndalojnë zbulimin e kofshës) aludojnë direkt në temë, ndërsa hadithi i Enesit mund të interpretohet ndryshe (si p.sh. që një gjë e tillë të jetë e veçantë për Profetin sh.p.).

Fetuaja nr. (11776):

Pyetje:

A i lejohet njeriut të luajë çfarëdo lloj loje së bashku me dikë që bart pantallona të shkurtra (që nuk ia mbulojnë kofshët)?

Përgjigje:

Nuk të lejohet të luash me atë njeri që e përmende, për shkak të zbulimit të auretit dhe frikës nga sprovimi. Aureti i mashkullit është pjesa në mes të kërthizës dhe gjurit.

Komisioni në përbërje të:

AbdulAziz bin Baz, AbduRrezak Afifij, Abdullah bin Gudejjan, Abdullah bin Ku’ud.

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit