Biografia e dijetarit të madh Abdulmuhsin el Abbad

Biografia e dijetarit të madh Abdulmuhsin el Abbad
(Ligjëruesi i parë në Universitetin Islamik të Medines)

Abdulmuhsin bin Hamed bin Abdulmuhsin bin Abdilah bin Hamed bin Uthman Alu Bedër është një dijetar i madh në shkencën e hadithit dhe të fikhut. Vlerësohet prej dijetarëve të mëdhenj selefi e të devotshëm. Familja e tij, Alu Bedër, rrjedh nga një familje e madhe e quajtur Alu Xhelas që vjen nga fisi Aneze, i cili konsiderohet prej fiseve të Adanit. Gjyshi i tij i dytë, Abdullahu, mori llagapin Abbad, me të cilin njihet shehu.

Abdulmuhsini lindi në Zulfi në ditën e martë pas namazit të jacisë të muajit Ramazan në vitin 1353h/1935. Në Zulfi u rrit dhe i mori mësimet e para. Ndër mësuesit e tij në Zulfi ishin edhe këta dijetarë: Abdullah bin Ahmed el Muni, Zejd bin Muhamed el MUnifi, Abdullah bin Abdurrahman el Gajth (tek i cili përfundoi leximin e Kuranit), Falih bin Muhamed Rrumi etj.

Ndërsa ndër mësuesit e tij të mëvonshëm ishin edhe këta dijetar:

• Muhammed bin Ibrahim, mufti i atëhershëm i Arabisë Saudite.
• Abulaziz bin Baz.
• Muhammed el Emin Shenkiti.
• Abdurrahman el Efriki.
• Abdurrezak Afifi.

Në vitin 1368h/1949 u hap shkolla e parë fillore në Zulfi, ku shehu u regjistrua në klasën e tretë fillore, ndërsa e përfundoi në vitin 1371h/1952.

Me transferimin e tij në Rijad, nisi të ndjek mësimet në kolegjin e porsa hapur, ku ndër mësuesit e tij rastisi të ishte edhe Shejh bin Bazi, i cili ishte sjellë nga qyteza Harxh si mësimdhënës në këtë kolegj. Dhe ky ishte viti i parë i këtij kolegji.

Pasi u diplomua në kolegj, studimet i vazhdoi në Fakultetin e Sheriatit në Rijad. Në vitin e fundit të studimeve, më 1379h/1960, u emërua mësues në kolegjin e Burejdes. Në fund të këtij viti shkollor u kthye në Rijad për t’iu nënshtruar provimit përfundimtar në fakultet, dhe Allahu e nderoi që në listën prej tetëdhjetë të diplomuarish atë vit, shejhu të ishte i pari. Po ashtu shejhu ishte i pari edhe në vitet paraprake në kolegj dhe fakultet. Kjo ishte gjenerata e katërt e Fakultetit të Sheriatit në Rijad.

Në vitin 1380h/1961 kaloi si mësimdhënës në kolegjin e Rijadit, kurse me rastin e themelimit të Universitetit Islamik në Medine, fakulteti i parë i të cilit ishte Fakulteti i Sheriatit, myftiu i atëhershëm Muhamed bin Ibrahimi e përzgjodhi si mësimdhënës në këtë fakultet. Univeristeti i Medinës filloi nga puna ditën e hënë, më 03/06/1381h – 24/12/1961 dhe shej Abadi mbajti ligjëratën e parë në të. Titullin ‘Magjistër’ e mori në Egjipt.

Shejhu edhe në ditët e sotme vazhdon të ligjërojë në këtë Universitet, shto kësaj edhe ligjëratat e përditshme në Xhaminë e Pejgamberit në Medinë.

Me datën 30/07/1393h – 29/08/1973 u emërua zëvendës rektor i Universitetit Islamik. Për këtë post e përzgjodhi mbreti Fejsal nga tre të propozuarit nga Shejh Bin Bazi, i cili aso kohe ishte rektor Universitetit.

Këtë post e mbajti deri në vitin 1399h/1979 kur me kërkesë të tij u lirua nga ky post. Në dy vitet e para ishte numri dy i këtij Universiteti, ndërsa me kalimin e shejh Bin Bazit në postin e kryetarit të Akademisë për Studime dhe Fetva në Rijad, shejh Abdulmuhsini u bë udhëheqës kryesor i Universitetit. Gjatë viteve sa qëndroi në këtë post, asnjëherë nuk mungoi në ligjëratat javore që mbante në Fakultetin e Sheriatit.

Me këtë rast po përmendim një ngjarje që i kishte ndodhur shehut para se të emërohej në krye të këtij Universiteti. Shejhu thotë: “Çdo ditë, para se të shkoja në Universitet e vizitoja shejh Bin Bazin dhe qëndroja me të për pak kohë pas namazit të sabahut derisa lindte dielli. Një ditë
shej Bin Bazi më tha: “Mbrëmë pashë në ëndërr sikur unë po tërhiqja për litari një deve të bukur, kurse ti e ngisje nga prapa”. Shejhu thotë: “Ëndrrën e tij e interpretova me Universitetin Islamik të Medinës, dhe në realitet ashtu ngjau – duke e falënderuar Allahun – ku dy vite isha së bashku me të si zëvendës, kurse pas tij isha rektor për katër vite”

Gjatë kohës sa ishte në krye të Universitetit të Medinës, bibliotekës iu shtuan shumë dorëshkrime numri i të cilave arrin në pesë mijë. Shej Hamad el Ensarij ishte i deleguari i tij nëpër biblioteka të ndryshme të botës për të sjellë dorëshkrime.

Ai thotë: “Shumica e trashëgimisë së selefit, e cila është fotokopjuar për Uniersitetin Islamik është sjellë në kohën sa ishte shejh Abdulmuhsin el Abbadi në krye të këtij Universiteti.

Ai gjithashtu thotë: “Gjatë udhëtimeve të mia nëpër botë kamë sjell pesë mijë dorëshkrime për Universitetin Islamik, ku shumicën e udhëtimeve për këtë qëllim i kam bërë gjatë kohës sa shejh Abdulmuhsini ishte rektor i këtij Universiteti. Shumica e këtyre dorëshkrimeve ishin libra të hadithit dhe akides selefite”.

Shejh Hammad el Ensari duke përshkruar shërbimin që shejh Abdulmuhsini i ka bërë dijes dhe arsimit thotë: “Për Shejh Abdulmuhsin el Abbadin duhet të shkruajë historia. Ai ka bërë shumë punë të mëdha në Universitetin e Medines, saqë do të doja t’i shkruaja apo t’i regjistroja diku. Ai punonte në Universitet në të dy ndërrimet, në atë të paradites dhe pasdites. Një ditë pas namazit të ikindisë shkova në zyrën e tij në rektorat dhe duke ndenjur i thash: ‘O shejh! Ku është kafeja?’ Ai
më tha: ‘Tani pasdite s’ka kush të na shërbej’. Ai vinte gjithherë i pari në Universitet dhe një ditë vendosa të prezantoja para tij. Hipa në veturë dhe kur mbërrita, shejhu ishte duke e hapur derën.’

Shejh Hammadi po ashtu thotë: “Për zellin e tij në punë mund të flasësh sa të duash”.

Ai po ashtu thotë: “Universiteti Islamik është universiteti i Abbadit, Zajidit dhe shejh bin Bazit.

Udhëtimet e para të tij:

Udhëtimin e parë që shejhu ndërmori jashtë qytetit të Zulfit ishte për në Mekë në vitin1370h/1951 për të kryer haxhin. Ndërsa në fund të vitit 1371h/1952 shejhu udhëtoi për në Rijad për kërkimin e dijes në kolegjin e Rijadit. Po ashtu shejhu ka udhëtuar edhe në Marok.

Disa gjëra të këndshme të rrëfyera nga fjalët e shejhut:

Ai thotë: Akoma i kam të ruajtura fletoret e mia nga të gjitha etapat e shkollimit duke filluar nga klasa e tretë fillore dhe, për mua këto janë gjërat më të çmuara që kam arritur t’i ruaj.

Po ashtu thotë: “Ndër veprat më të dashura për mua dhe që më së shumti më japin shpresë tek Allahu është dashuria e madhe që kam për sahabet e të Dërguarit të Allahut si dhe urrejtja e madhe që kam ndaj atyre që i urrejnë sahabet e të Dërguarit të Allahut. Allahu më ka furnizuar me disa djem dhe vajza, katër prej djemve i kam emërtuar me emrat e katër halifve rashidin, ndërsa të parin me emrin e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem). Kurse disa nga vajzat i kam emërtuar me emrat e disa nga nënat e besimtarëve, ndërsa të parën e pata emërtuar me emrin e
zonjës së grave të besimtarëve. Lus Allahun e madhërishëm që për shkak të dashurisë sime që kam për sahabet e Pejgamberit dhe për shkak të urrejtjes që kam ndaj atyre qe i urrejnë sahabet, të më ringjallë me grupin e sahabeve dhe t’ju shtojë atyre mirësi dhe shpërblime.

Ndër dijetarët dhe nxënësit që kanë marrë mësime tek shejhu janë:

Dijetari i madh Ihsan Ilahi Dhahir
Dr. Ali Nasir el Fekihi
Shejh Jusuf bin Abdirrahman el Berkavi
Dr. Salih es Suhejmi
Dr. Vesijullah Abbas
Dr. Abdurrahman el Feriavi
Shejh Hafith Thenaullah el Medeni
Dr. Basim el Xhevabireh
Dr. Nasir Shejh
Dr. Salih Ferai
Dr. Asim Karjuti.

Dr. Abdurrahman Rushejdan.

Dr. Ibrahim Ruhejli.

I biri i tij Dr. Abdurrezak el Bedër

Dhe një numër i madh studentësh të Universitetit Islamik dhe Xhamisë së Pejgamberit.

Botimet e tij:

1. Shpjegimi i njëzet haditheve nga Sahihu i Buhariut.
2. Shpjegimi i njëzet haditheve nga Sahihu i Muslimit.
3. Disa nga moralet e Pejgamberit të Ndershëm.
4. Akideja e Ehli Sunnetit rreth sahabeve të ndershëm.
5. Vlera e Familjes së Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) dhe pozita e lartë e tyre tek Ehli Sunneti.
6. Akideja e Ehli Sunnetit rreth Mehdiut (Libërth i nxjerrur nga një ligjëratë e shejhut).

Rreth kësaj ligjërate shejh Bin Bazi pati thënë: ‘Lavdërimi i takon Allahut, kurse salavatet dhe selamet i takojnë Pejgamberit dhe atyre që ndjekin rrugën e tij. Efalënderojmë ligjëruesin dhe profesorin e nderuar, shejh Abdulmuhsin el Abbadin për këtë ligjëratë të vlefshme dhe përfshirëse. Ishte një ligjëratë e shkëlqyer, shumë e dobishme dhe që përmban njohuri të mjaftueshme për Mehdiun e vërtetë. Nuk kemi nevojë për fjalë të tjera shtesë sa i takon kësaj teme. Ai përmendi dhe shtjelloi me sukses hadithet dhe fjalët e dijetarëve. Allahu e shpërbleftë për këtë
ligjëratë dhe për zellin e tij. Allahu ia shumëfishoftë sevapet dhe i ndihmoftë ta plotësojë dhe përfundojë librin e tij në këtë temë, të cilin do ta botojmë për hir të dobive dhe nevojës për të’.

7. Reagim ndaj Rifait dhe Butit.
8. Mbrojtje ndaj Sahabeve në reagimin ndaj gënjeshtrave të Hasen el Malikit.
9. Shejh Bin Bazi një shembull ndër gjeneratat e hershme.
10. Shejh Omer Felate, si e njoha atë?
11. Sinqeriteti në të përmbajturit sheriatit.
12. Vlera e Medines, edukata e vizitës dhe qëndrimit në të.
13. Spjegim i Akides së Ibën Ebi Zejd el Kajravanit (ishte ndër dijetarët e parë selefi që e ka shpjeguar këtë libër).
14. Fjalët e të paanshmëve rreth halifes Muavije.

15. Ehli sunet! Silluni butësisht me ehli sunetin.

16. Spjegimi i hadithit të Xhibrilit [1]

Ndërsa ligjëratat e tij në Xhaminë e Pejgamberit janë të shumta, të cilat janë të incizuara në audiotekën e Xhamisë së Pejgamberit, ndër to janë:

1. Spjegim i Elfijes së Sujutit (Mustalah Hadith) 57 kaseta.
2. Spjegim i Akides Kajravanije, 14 kaseta.
3. Spjegimi i Sahihul Buhariut, 623 kaseta.
4. Spjegim i Nesaiut, 414 kaseta.
5. Spjegim i Ebu Davudit.
6. Lu’lu vel Merxhan.
7. Adabul meshji ila salat.
8. Spjegim i Tirmidhiut.
9. Spjegim i ibën Maxhes.
10. Spjegim i dyzet Haditheve. [2]

Dashuria e tij ndaj dijetarëve selefij:

Shejhu është ndër ata që i do shumë selefijtë dhe pasuest e hadithi. Ai kishte lidhje të veçanta me dijetarët selefi nga të gjitha vendet. Kishte lidhje të ngushta me shejh Hammad el Ensarin, Omer Felaten e po ashtu edhe me shejh Nasirudin Albanin, rahimehullah, për të cilin ka shumë lëvdata të mira. Në lidhje me shejh Albanin ai thotë: “Në këtë kohë nuk e njoh dikë tjetër të jetë aq kontribues në studimin e hadithit dhe të ketë hulumtime aq të thella. Unë kam nevojë për librat e tij dhe konsideroj se edhe të tjerët kanë nevojë për librat e tij dhe përfitojnë prej tyre”.

Edukata e tij dhe lëvdatat e dijetarve për të:

Për edukatën e tij të lartë dhe mëshirën që kishte për njerëzit mund të përmendim faktin se edhe pse ishte rektor universiteti, ai asnjëherë nuk e përdorte këtë pozitë për t’i keqpërdorur punëtorët që punonin me të, bile gjatë pushimit as që i shqetësonte fare. Dijetari i madh, Hammad el Ensari tregon: ‘Gjatë kohës sa shejh Abadi ishte rektor, një ditë shkova në universitet pas namazit të ikindisë dhe nuk ndodhej askush veç meje dhe shejhut, kështu që unë i thashë: përse nuk e dërgon
dikë të na e hapë derën e universitetit para se të vish? Ai më tha: ‘Asnjë punëtor nuk e përdor gjatë kohës sa është kohë pushimi!’

Po ashtu dijetari i madh i hadithit, Hammad el Ensari thotë: “Sytë e mi nuk kanë parë më të devotshëm se ky njeri.”

Allahu e ruajtë këtë dijetar të madh dhe me të e ndihmoftë tevhidin dhe sunnetin, amin.

Përktheu: Jeton Bozhlani

———————————————————–

[1] Ky libër është botuar në gjuhën shqipe nga Qendra Imam Albani-Prishtinë
[2] Po ashtu është botuar në gjuhën shqipe nga Qendra Imam Albani- Prishtinë

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva