Ejubi alejhsselam

Ejubi alejhi ue selem

 

Allahu e përmend Ejubin aljehi ue selem në mesin e Pejgamberëve, si pasardhës të Ibrahimit alejhis selam. Ai ka ardhur pas Jusufit alejhis selam.

Ejubi ka qenë Pejgamber i begatuar me të mira të shumta, si: me një bashkëshorte besimtare të mirë, të ndershme, me numër të madh të fëmijëve, me pasuri të madhe, me shërbëtorë e punëtorë. Porse Allahu, pas këtyre mirësive, e sprovon; e sprovon në shëndet saqë sëmundja s’lë pa i prekur vend, përveç zemrës dhe gjuhës së tij (për ta përkujtuar e përmendur Allahun), e sprovon me vdekjen e të gjithë fëmijëve, e sprovon me humbjen e pasurisë, i largohen njerëzit, vetëm gruaja është ajo që i ka qëndruar afër duke u kujdesur për të, ndonëse dhe ajo ka qenë njëjtë e sprovuar me humbjen e fëmijëve, madje dhe i vije puna të dalë të trokasë nëpër dyer për të gjetur punë në mënyrë që të fitojë diçka për ta ushqyer burrin e saj (Ejubin). Kur e kuptojnë se është gruaja e Ejubit, nuk lejojnë t’iu afrohet fëmijëve e shtëpive të tyre nga frika se mund t’iu sjellë ndonjë dëm a sëmundje. Duke qenë në këtë gjendje, i tregon Ejubit. Dhe pas disa dite ajo bie ushqim në shtëpi dhe e pyet Ejubi se prej nga ky ushqim, por ajo nuk flet derisa ai zotohet se nuk do të hajë pa i treguar. Atëherë ajo i tregon se i ka shitur gërshetat e saj për të fituar një kafshatë buke. Kjo dhe e prek shumë Ejubin.

Është transmetuar se Allahu e ka sprovuar Ejubin alejhis selam për tetëmbëdhjetë vjet. Përmendet në histori se pas një kohe të gjatë të sprovës, i lutet bashkëshortja e tij e i thotë: “O Ejub! (Ti je i Dërguar i Allahut) Po t’i luteshe Zotit tënd, Ai do ta pranojë lutjen, dhe na largon këtë sprovë (vuajtje).” Ai i thotë: “Kam jetuar shtatëdhjetë vjet në shëndet e begati, andaj është pak që të duroj për Allahun shtatë vjet.” Siç ka ardhur në hadith, atij i janë larguar edhe të afërmit edhe të largëtit, të gjithë, përveç dy vëllezër më të afërt e të sinqertë, të cilët e kanë vizituar mëngjes e mbrëmje. Por, njëri nga ta i thotë tjetrit: “Me të vërtet, Ejubi ka bërë ndonjë gjynah aq të madh e që nuk e ka bërë askush në botë.” -“Pse ashtu?” -“(Sepse) Qe tetëmbëdhjetë vjet është në këtë gjendje dhe Zoti nuk po ia largon këtë fatkeqësi.” Pasi i tregojnë Ejubit për këtë, ai u thotë: “Unë nuk e di se për çfarë po flisni ju. Nuk di të kem bërë diçka (të tillë). Madje, nuk ka ndodhur që të kaloj pranë dy njerëzve të cilët në grindje mes veti e kanë përmendur Allahun me betim, veçse jam kthyer në shtëpi dhe kam bërë shpagim, për ta nga frika se u përmend Allahu pa të drejtë (kur ka grindje mund të ketë betim rrejshëm e pa vend etj.).” Me këtë ka dashur të thotë se për punë të tij jo se jo që ka bërë gjynah, por edhe kur të tjerët kanë bërë diçka, ai nga dashuria për Allahun ka bërë shpagim për ta.

Te ky transmetim, vazhdon hadithi të tregojë se sa herë Ejubi ka dal për të kryer nevojat e tij (fiziologjike) e ka ndihmuar gruaja e tij që të kthehet në të shtëpi. Një ditë kur ka dal me të është vonuar të shkojë ta marrë dhe ai është frikësuar se çfarë u bë me të. Në këtë gjendje, Allahu e urdhëron që të godasë tokën (t’i bjerë) me këmbë dhe kështu nën këmbën e tij fillon të burojë ujë i ftoftë, me të cilin urdhërohet të pastrohet dhe ta pijë. Nuk ka vend që ka prekur ai ujë në trupin e tij veçse Ejubi është shëruar aty, duke iu kthyer pamja e bukuria; e kur e ka pirë është shëruar prej sëmundjeve e dhimbjeve të brendshme që ka pasur. Kur gruaja e tij kthehet e nuk e sheh ku e ka lënë, pyet një njeri aty pari: “A e ke parë Pejgamberin të cilin Allahu e ka sprovuar? Nuk ka njeri që kam parë t’i përngjajë atij kur ka qenë shëndoshë e i ri më shumë sesa ti.” Atëherë ai i thotë: “Unë jam (Ejubi).”

Allahu thotë: “(Kujtoje) Ejubin, kur iu lut Zotit të vet: “Mua më ka goditur fatkeqësia e Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve!” Ne iu përgjigjëm atij, ia larguam mjerimin që kishte dhe ia kthyem familjen të dyfishuar në numër. (Këtë e bëmë) nga mëshira Jonë dhe që të jetë përkujtesë për ata që Na adhurojnë.” Enbija 83-84. Dijetarët përmendin se jo vetëm që ia ka kthyer atij shëndetin e rininë, por edhe bashkëshortes së tij. Siç tregohet pastaj në hadith, Ejubi ka pasur dy hambarë, njërin e ka përdor për ta mbushur me grurë e tjetrin me elb, dhe vijnë dy re e njëra lëshon ar derisa është mbushur hambari plotë dhe tjetra lëshon argjend derisa është mbushur hambari tjetër plotë; Allahu ia kthen atij edhe pasurinë.

Allahu thotë: “Kujtoje robin Tonë Ejubin, kur iu lut Zotit të vet: “Me të vërtetë, më ka goditur djalli me mundim dhe vuajtje!” (Ne iu përgjigjëm): “Bjeri me këmbë tokës dhe aty do të dalë një burim me ujë të ftohtë për larje dhe pirje!” Ne ia kthyem atij familjen dhe dy herë më tepër, si mëshirë prej Nesh dhe këshillim për mendarët.” Sad 41-43. Dijetarët kanë dy interpretime për fjalën “më ka goditur djalli“: 1. Me vesvese, për shkak të sëmundjes e vuajtjeve. 2. Me dyshime te njerëzit se a është ai Pejgamber apo jo.

Allahu thotë: (“Ne i thamë atij): “Merr me dorën tënde një tufë thuprash e bjeri lehtë me to (gruas tënde) dhe mos e shkel betimin tënd!” Ne e gjetëm atë të durueshëm, rob të mrekullueshëm. Ai kthehej vazhdimisht me pendesë tek Zoti!” Sad 44.  Këtu flitet për një betim që e ka bërë Ejubi kur ka qenë i sëmurë, se nëse (d.m.th. pasi që) Allahu ia kthen shëndetin, do ta godasë gruan e tij me njëqind thupra. Prej arsyeve që përmendin dijetarët është për shkak se i ka shitur gërshetat. E tash që është i shëndoshë, do që ta realizojë zotimin, dhe Allahu i thotë “merr me dorën tënde një tufë thuprash (të vogla) e bjeri lehtë me to dhe mos e shkel betimin“, pra një realizim i betimit në formë simbolike, por pa e shkelur. E si të mos jetë diçka simbolike ndaj një gruaje me aq durim të madh që kishte, përkushtim e përkujdesje ndaj burrit të saj, e që nuk ishte dhe gjë e lehtë me të gjitha ato vuajtje e vështirësi me vite në shërbim të tij. Ejubi alejhis selam në Kuran përmendet si shembull për durimin e tij, durim në varfëri (prej një kapitali të madh të pasurisë duke rënë në një varfëri të skajshme), në humbjen e familjes (një nga një), në sëmundje njëra pas tjetrës duke përfunduar vetëm gjuha e zemra pa u prekur, e megjithatë ka treguar durim të jashtëzakonshëm.

 

Bazuar te “Kisasul enbija”, me autori Ibn Kethirin, rahimehullah.

Hoxhë Bajram Sefedini – Transkriptim – Derset “Biografi të Pejgamberëve).

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit