Çka pas Ramazanit?

Çdo lavdërim i përket Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë e falje kërkojmë. Kë u udhëzon Allahu në rrugën e drejtë, s’ka kush që e lajthit, dhe kë e lë Ai në humbje, s’ka kush që e përudh. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë, përveç Allahut, i Cili është Një dhe i pashoq, dhe dëshmoj se Muhamedi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) është rob e i dërguar i Tij. Salati dhe selami i Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët ecin rrugës së tyre, deri në Ditën e gjykimit.

Ju këshilloj juve dhe veten time me frikë ndaj Allahut! Kijeni frikë Allahun, Zotin tuaj, dhe përmirësoni nijetet! Dijeni se jeni nën Mbikëqyrjen e Atij i Cili i di hollësisht fshehtësitë tuaja. Allahu thotë: “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe mos vdisni ndryshe vetëm se duke qenë myslimanë”. (Al ‘Imran: 102).

Ka vendosur Allahu për çdo gjë kohë të limituar e afatizuar dhe për çdo fjalë e vepër llogari. Ditët e njerëzve, nuk janë asgjë tjetër veçse faza të jetës, të cilat dalëngadalë shuhen e veniten, ndërsa përfundimi i bamirësive dhe keqbërësve gjatë tyre është tek Ai që filloi çdo gjë dhe tek i Cili kthehen të gjitha çështjet.

Kaluan ditë dhe net të përnderuara e të vlefshme, plot mirësi e begati. Muaji juaj i ndershëm u tha lamtumirë, mirëpo me shpresë se do ta takoni përsëri. E përcollëm e i thamë lamtumirë me zemra të pikëlluara. Falënderoni Allahun për plotësimin e numrit të ditëve të agjërimit dhe plotësimin e bindjes ndaj Tij, sepse sa prej atyre që e mirëpritën këtë muaj nuk e përcollën, dhe sa prej atyre që shpresuan në ardhjen e tij nuk e pritën!

Vërtetë që kalimi i ditëve na përkujton se jetëve tona po u vjen fundi dhe se dalëngadalë po afrohet koha kur do të dalim para Allahut. Andaj, njeriu i mençur nuk mbështetet në rehatinë dhe qetësinë e jetës së tij, nuk mashtrohet me të mirat e shumta në veten, në pasurinë dhe në familjen e tij, por vazhdimisht nxitë ambiciet dhe shton veprat e mira, qan për gjynahet dhe moskryerjen e detyrimeve ndaj Allahut.

Pa dyshim se prej falënderimit dhe mirënjohjes së plotë ndaj mirësive të Allahut është që myslimani ta shtyjë veten e tij në kryerjen e sa më shumë bindjeve dhe veprave të mira, siç janë: kryerja e pesë kohëve të namazit, ashtu siç ka urdhëruar Allahu, mirësjellja ndaj prindërve, mbajtja dhe ruajtja e lidhjeve farefisnore, pastrimi i pasurisë nga haramet e gjërat e dyshimta dhe ruajtja e gjuhës nga çdo gjë e ndaluar. Ibën Hibbani (Allahu e mëshiroftë) thotë: “I mençuri me pozitën më të lartë është ai, që vazhdimisht llogarit vetveten. I lumtur është ai, që depoziton punë të mira. I mjerë është ai, që gjymtyrët e tij dëshmojnë për shëmtinë e veprave të tij të liga”.

Agjërimi juaj ishte portë prej nga ju jepej falja e Allahut. Lum për atë që gjatë këtij muaji i janë falur gjynahet e lëshimet dhe të cilit i janë pranuar pendimi e veprat e mira. Kush shpreson të jetë meritor për një gjë të tillë, atëherë le ta falënderojë Allahun që ia mundësoi agjërimin e këtij muaji dhe faljen gjatë tij. Allahu i Lartësuar thotë: “…Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë, me qëllim që ju të jeni shumë mirënjohës dhe falënderues ndaj Tij”. (El Bekareh: 185).

Ta dini se kërkimi i faljes duhet të jetë në përfundim të çdo pune të mirë, sepse përmes tij largohet nga shpirti ndjenja e mendjemadhësisë dhe mburrjes me vetveten.

Për pranimin e veprës së mirë ka shenja dhe, gjithashtu, për refuzimin e saj – Allahu na ruajt – ka shenja e tregues. Shenja e pranimit është kryerja e veprës tjetër të mirë pas saj, ndërsa shenja e refuzimit është kryerja e veprës së keqe pas saj. Kështu, përcillni veprat e mira me vepra tjera të mira, se do t’u zbukurohen, dhe përcillni të këqijat me të mira, se do t’i shlyejnë. Allahu thotë: “ …vërtet, veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.” (Hud: 114).

Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Ki frikë Allahun, kudo që të jesh. Të keqen përcille me të mirë, se ajo do ta shlyejë të keqen, dhe me njerëzit bëhu i moralshëm”.

Pastaj, çka pas Ramazanit? Ku janë gjurmët e Ramazanit në shpirtrat tanë? A ka ndikuar devotshmëria e shumëkërkuar gjatë Ramazanit në veprat, moralet, sjelljet e qëndrimet tona? Apo mos i kemi lënë pas veprat e mira, me shkuarjen e Ramazanit?! Apo mos jemi mashtruar me veprat tona të mira gjatë këtij muaji?!

Vërtetë se nuk është prej cilësive të myslimanëve braktisja e veprave të mira me perëndimin e diellit të Ramazanit. Përkundrazi, besimtarët e vërtetë e të sinqertë, pas Ramazanit, janë në dy gjendje: gjendjen e frikës se mos veprat e tyre të mira u refuzohen dhe nuk u pranohen. Kështu, shpresojnë për shpërblimin e Allahut dhe e lusin që t’ua pranojë veprat, siç ka ardhur në hadithin e Aishes, e cila e pyeti të Dërguarin rreth vargut të Kuranit: “Dhe ata që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë te Zoti i tyre do të kthehen” (El Mu’minun: 60), dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, të përmendurit në këtë varg a janë ata që bëjnë kurvëri, pinë alkool dhe vjedhin? Ai tha: “ Jo, oj bija e siddikut! Janë ata që falen, agjërojnë, japin lëmoshë dhe prapë frikohen se nuk do tu pranohen”.

Allahu ekber!!! Sa madhështore është gjendja e besimtarëve!!! Kryejnë bindje të njëpasnjëshme ndaj Allahut dhe frikohen nga refuzimi dhe mospranimi i tyre. Dhe për këtë arsye, tregohet se disa prej selefit, luteshin gjashtë muaj pas Ramazanit që Allahu t’ua pranonte agjërimin dhe veprat e mira.

Thotë Aliu (radijAll-llahu anhu): “Bëhuni më të kujdesshëm e më të vëmendshëm ndaj pranimit të veprës sesa ndaj kryerjes së saj! A nuk po e dëgjoni fjalën e Allahut: “Vërtetë, Allahu pranon vetëm prej të devotshmëve.” (El Maideh: 27).

Njëri nga dijetarët thotë: “ Sikur të dija që Allahu ka pranuar prej meje një vepër të mirë, qoftë ajo sa grimca, do të ishte më e dashur te unë se e gjithë bota”.

Ndërsa gjendja e dytë e besimtarëve të vërtetë e të sinqertë pas Ramazanit është: vazhdimi i kryerjes së veprave të mira, leximit të Kuranit dhe qëndrueshmëria në to. Pse? Sepse ata nuk ishin duke e adhuruar Ramazanin, por ishin duke adhuruar Zotin e Ramazanit dhe Zotin e të gjithë muajve të tjerë. Atëherë, ç’është me ne që, gjatë Ramazanit, kthehemi te Allahu, ia kemi frikën dhe jemi të përulur ndaj Tij, falemi shumë, lexojmë Kuran, kurse menjëherë pas Ramazanit, zhytemi në gjynahe dhe shkatërrojmë çdo gjë të bukur që kemi ndërtuar gjatë Ramazanit?

Allahu i Madhërishëm thotë: “Mos u bëni si ajo gruaja që e shprish dhe e bën fije-fije atë që e ka tjerrë fort…” (En-Nahl: 92).

Kishte prej nesh që e përfundonin leximin e Kuranit disa herë, hatme pas hatmeje. A nuk medituam rreth vargjeve të Kuranit gjersa i lexuam?!

Allahu i Lartësuar thotë: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat e kyçura?!” (Muhammed: 24).

A nuk e lexuam fjalën e Allahut: “Unë nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit për tjetër vetëm që të Më adhurojnë”. (Edh-Dharijjat: 56).

A nuk medituam rreth fjalës së Allahut kur thotë: “Thuaj: ‘Në të vërtetë, namazi, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime i përkasin Allahut, Zotit të botëve.” (El En’am: 161).

A nuk dëgjuam gjatë derseve që u mbajtën nëpër xhamia përshkrimin e adhurimit të Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) nga Aisha (radijAll-llahu anha), kur thotë: “Veprat më të dashura për Pejgamberin ishin ato që kryheshin vazhdimisht, edhe nëse ishin të pakta”

A nuk po ndalemi të mendojmë rreth fjalës së asketit të Basrës, Hasen el-Basriut, kur thotë: “Vepra e besimtarit nuk ka kohë përfundimi, përveç vdekjes”, pastaj lexoi fjalën e Allahut: “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!” (El Hixhr: 99).

Ndërsa Bishr el-Hafi tha, pasi që u pyet për disa njerëz të cilët gjatë Ramazanit kryejnë adhurime të shumta dhe përpiqen shumë në to dhe, kur të kalojë Ramazani, e braktisin adhurimin e bërë: “Sa njerëz të këqij janë ata që nuk e njohin Allahun vetëm se në Ramazan!”.

Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ia tërhoqi vërejtjen Abdullah Ibn Umerit që mos ta braktisë namazin e natës, faljen e të cilit e kryente vazhdimisht, duke i thënë: “O Abdullah! Mos u bëj si filani, i cili falej natën, pastaj e braktisi faljen gjatë natës!”. E, nëse kjo është për namazin e natës që është prej suneteve dhe veprave të preferuara, çfarë mendoni për atë që braktis namazin pas Ramazanit? Apo braktisë xhamitë dhe xhematet? Apo për atë që thellohet në gjynahe të mëdha dhe vepra të shëmtuara, dhe harron bindjen ndaj Allahut pas Ramazanit?!

Allahu thotë: “…të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” (En-Nur: 31).

Dhe thotë: “ O besimtarë! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e së cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato!” (Et-Tahrim: 6).

Kujdestarët e familjeve e kanë obligim ashtu si kanë qenë të kujdesshëm gjatë Ramazanit me familjet dhe fëmijët e tyre në agjërim, adhurim, dhe largim nga gjynahet, të kenë frikë Allahun në atë që u ka dhënë përgjegjësi edhe pas Ramazanit dhe të jenë të kujdesshëm në edukimin e tyre. Le të jetë Ramazani, pikënisje në përmirësimin e edukimit dhe udhëzimit të fëmijëve të tyre. Le t’i inkurajojnë në leximin e sa me shumtë të Kuranit dhe mësimin e tij përmendsh.

Një thirrje dhembshurie e mëshire drejtuar atyre që kanë vendosur t’u kthehen gjynaheve pas Ramazanit! Kini frikë Allahun, sepse jeta është e shkurtër dhe e limituar! I mjafton shpirtit si mashtrim ecja pas rrugëve të humnerës, devijimit dhe mosseriozitetit ndaj fesë Islame. Deri kur fundosja në shkujdesje e mospërfillje? Le të pendohemi njëherë e përgjithmonë me një pendim të sinqertë e të vërtetë, në të cilin nuk ka kurrë kthim prapa në gjynahe, dhe kjo inshaAllah është shenjë për pranimin e veprave tona të mira.

Prej veprave të mira pas Ramazanit është edhe agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheual. Muslimi transmeton nga Ebu Ejjub el-Ensarijj se Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin pastaj e përcjellë atë me gjashtë ditë nga Sheuali, do të jetë sikur ka agjëruar tërë vitin.”

Përshtati: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit