Dallimi mes termeve mysliman (muslim) dhe besimtar (mu'min)

Shejh: Muhamed bin Salih El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)

http://www.ibnothaimeen.com/all/noor/article_677.shtml

Pyetje: “Cili është dallimi midis termeve mysliman (muslim) dhe besimtar (mu’min)?

Përgjigje: Islami dhe Imani janë dy fjalë të një kuptimi, nëse nuk përmenden së bashku. Domethënë, nëse vetëm njëri nga ta përmendet diku, atëherë ai e përfshinë edhe tjetrin. Ndërkaq, nëse përmenden së bashku, në të njëjtin kontekst, atëherë, secili prej tyre ka kuptim në vete. Kështu, kur përmendet vetëm Islami, ai e përfshinë tërë fenë islame: legjislacionet, besimet, normat dhe sjelljet (moralet) e saj. Ashtu siç thotë Allahu i Madhërishëm: “Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami.” (Al ‘Imran, 19). Po kështu edhe kur të përmendet emri mysliman në mënyrë të pakufizuar, atëherë ai përfshinë këdo që zbaton Islamin në besimet, veprat, rregullat e tij, etj. Po ashtu edhe Imani; besimtari (mu’min) përmendet kundrejt jobesimtarit (kafir). Andaj, nëse thuhet Iman dhe mu’min, pa ua bashkangjitur fjalën Islam, atëherë (edhe kjo) e përfshinë fenë në tërësi. Ndërsa, nëse thuhet Islam dhe Iman, në të njëjtin kontekst, atëherë, Imani shpjegohet (ka të bëjë) me veprat e zemrave dhe besimet e tyre, ndërkaq Islami me veprat e gjymtyrëve. Për këtë arsye, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Islami është të dëshmosh se la ilahe il-lAllah (s’ka të adhuruar të vërtetë veç Allahut) dhe se Muhammedun resulullah (Muhammedi është i Dërguar i Tij)…” e deri në fund të shtyllave tjera të Islamit. Ndërsa, për Imanin tha: “Të besosh Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij…” si dhe shtyllat e tjera të mirënjohura të Imanit që përmenden në këtë hadith.

Për këtë ndarje (dallim) aludon edhe fjala e Allahut të Lartësuar: “Arabët e shkretëtirës deklarojnë: “Ne besojmë”. Thuaju: “Ju nuk keni besuar! Por më mirë thoni: ‘Ne përulemi (në Islam – eslemnâ)’, pasi besimi ende nuk ka hyrë (si duhet) në zemrat tuaja.” (El-Huxhurat, 14).

Ky varg aludon për dallimin mes Islamit dhe Imanit; pra, Imani është në zemër dhe nga ekzistenca e tij në zemër, patjetër lypet përmirësimi i gjymtyrëve, për shkak të fjalës së Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Vërtet, në trup është një copë mishi, e cila, nëse është e shëndoshë, edhe trupi tërësisht do të jetë i shëndoshë; nëse prishet, edhe trupi tërësisht do të prishet. Ajo (copë mishi) është zemra.” Ndryshe nga Islami, vendi i të cilit është në gjymtyrë, dhe ndodh që ai rrjedhë nga besimtari (mu’min) i vërtetë, apo edhe nga ai që ka besim të dobët.

Ky është dallimi midis tyre, ndërkohë që u sqarua se nuk ka dallim mes tyre, përveç nëse bashkohen, në të njëjtin kontekst. E, nëse përmenden ndaras, atëherë aty hyn edhe tjetri.

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit