Detyrat e muajit të ramazanit (pjesa e parë)

Mexhlisi i parë [1]

Vlera e agjërimit

Në dy Sahīh-ët është vërtetuar nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) ka thënë: “Çdo vepër e njeriut është për vetë atë. Çdo e mirë shpërblehet dhjetë deri në shtatëqind fish. Allahu i Madhërishëm thotë: “Përveç agjërimit, i cili është për Mua dhe Unë e shpërblej për të; sepse vërtet ai ka braktisur për Mua kënaqësitë (marrëdhëniet me gruan), ushqimin edhe pijen. Për agjëruesin ka dy çaste të gëzueshme: kur ha iftarin dhe kur të takojë Zotin e vet. Për Allahun aroma e gojës së agjëruesit është më e këndshme se ajo e miskut”.” [2]

Arsyeja e shumëfishimit të veprave

Duhet të dish se shumëfishimi i veprave bëhet për disa arsye, ku ndër to mund të përmendim:

• Për shkak të pozitës që gëzon vendi ku kryhet një vepër e caktuar, si, për shembull, haremi. Për shkak të pozitës që gëzojnë Meka dhe Medina, namazi në to shumëfishohet; siç është vërtetuar kjo në një hadith sahīh të Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem!): “Një namaz këtu, në xhaminë time, është më i vlefshëm se një mijë namaze në xhamitë e tjera; përveç Xhamisë së Shenjtë (Qabeja).”[3]

• Për shkak të pozitës që gëzon një kohë e caktuar, si, për shembull, muaji i ramazianit, dhjetë ditët e dhulhixhes.

Në dy Sahīh¬-ët përcillet se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) ka thënë: “Një umre e kryer në ramazan vlen sa një haxh.” Apo, siç është shënuar në një përcjellje tjetër: “Vlen sa një haxh i kryer bashkë me mua.”[4]

Duke qenë se vetë shpërblimi i agjërimit shumëfishohet në krahasim me të gjitha veprat e tjera, shpërblimi i agjërimit të ramazanit shumëfishohet më shumë se çdo agjërim tjetër, për shkak të vlerës dhe pozitës që gëzon koha e këtij muaji; por edhe për faktin se agjërimin e këtij muaji Allahu e ka bërë detyrim për robërit e Tij dhe një nga shtyllat e Islamit.

Shpërblimi mund të shumëfishohet edhe për arsye të tjera; për shembull, për shkak të pozitës së gëzon te Zoti personi që kryen veprën; për shkak të afërsisë së tij me Zotin dhe devotshmërisë; sikurse është shumëfishuar shpërblimi i këtij umeti, i cili ka shpërblim të dyfishtë në krahasim me umetet e tjera të mëhershme.

Arsyeja se pse Allahu i Lartësuar thotë “agjërimi është për Mua”

Fjalët e Allahut të Madhërishëm: “Përveç agjërimit, i cili është për Mua.” Nga të gjitha adhurimet, Allahu i Lartësuar vetëm agjërimin ia ka dedikuar (adresuar) Vetes. Është folur shumë për këtë nga fukahatë, sufinjtë etj., dhe kanë dhënë shumë interpretime.

Prej të gjitha interpretimeve dy janë më të goditurat:

I pari: Gjatë agjërimit, për hir të Allahut braktisen ato hise dhe dëshira thelbësore të nefsit, drejt të cilave priret të anojë njeriu. Këtë nuk e hasim te ndonjë adhurim tjetër përveçse te agjërimi. Kur njeriu hyn në ihrām (gjatë haxhit apo umres) i largohet marrëdhënieve intime me gruan dhe disa gjërave të tjera, si, për shemebull, parfumit; por, jo se i braktis të gjitha dëshirat dhe kënaqësitë e tjera, si, fjala vjen, ushqimin e pijen. Po kështu edhe gjatë ʿitikāf-it, ndonëse ky lidhet me agjërimin.

Për sa i takon namazit, personi që fal namazin, edhe në qoftë se u largohet të gjitha kënaqësive e dëshirave, këtë e bën për një kohë të shkurtër. Namazfalësi nuk e ndien mungesën e ushqimit dhe pijes në namaz; për më tepër që është ndaluar të falet ndërkohë që ndien shumë uri dhe ushqimi është gati (i shtruar). Kështu që, fillimisht duhet të hajë, në mënyrë që të shuajë urinë dhe ta qetësojë veten. Për këtë arsye, kur thirret ezani për namaz (akshami) dhe darka është shtruar, urdhërohemi t’i japim përparësi darkës.

Kjo gjë ndryshon gjatë agjërimit; sepse agjërimi zgjat përgjatë gjithë ditës dhe, për tërë këtë kohë agjëruesi ndien mungesën e këtyre kënaqësive; nefsin e merr malli për to, sidomos gjatë ditëve të verës, për shkak të vapës së madhe dhe ditës së gjatë. Dhe kur dëshira e nefsit rritet për gjërat që do, si: ushqimi, pija e me radhë, duke qenë se ka mundësi t’i konsumojë, por, i braktis për hir të Allahut në një vend ku nuk e pikas askush tjetër përveç Tij, atëherë kjo është një provë për vërtetësinë e besimit të tij. Agjëruesi e di se Zoti i tij, i Cili e sheh kur është vetëm, ia ka ndaluar t’i shfrytëzojë ato kënaqësi drejt të cilave është brumosur të anojë. Por, ai i bindet Zotit të vet, i përmbahet urdhrit dhe i shmanget ndalesës së Tij duke pasur frikë ndëshkimin e Tij dhe duke synuar shpërblimin e Tij. Allahu i Lartësuar e vlerëson për këtë, dhe veprën e tij e ka veçuar për Veten; ndryshe nga veprat e tjera. Për këtë arsye (në vijim të hadithit) lexojmë: “…sepse vërtet ai ka braktisur për Mua kënaqësitë (marrëdhëniet intime me gruan), ushqimin dhe pijen.” Disa prej të parëve tanë kanë thënë: “Përgëzimi është për atë që lë një kënaqësi të pranishme për shkak të një takimi që nuk është i pranishëm dhe nuk e ka parë.”

Për këtë arsye, vlen të theksohet se shumica e muslimanëve, nëse do të rriheshin për ta prishur agjërimin e muajit të ramazanit pa ndonjë arsye, nuk do ta bënin; për faktin se besimtari e di se Allahu e urren ngrënien në këtë muaj. Një ndër shenjat e imanit është kur njeriu i qorton dëshirat/epshet[5] e veta kur e kupton se Allahu i urren ato. Ai gjen kënaqësi te ato gjëra të cilat kënaqin Zotin, edhe nëse janë në kundërti me dëshirat e tij. Njëherësh ndien dhimbje te ato gjëra që Zoti i tij i urren dhe nëse janë në pajtim me dëshirat e tij. Nëse këto bëjnë pjesë te gjërat e ndaluara për shkak të agjërimit, siç është rasti me ushqimin, pijen dhe marrëdhëniet intime me gruan, atëherë, për sa i përket atyre ndalesave që shtrihen në çdo kohë, si: zinā-ja, pirja e alkoolit, rrëmbimi i pasurisë ose i nderit të tjetrit, vrasja etj., atëherë ndalesa si e tillë është edhe më e ashpër. Rënia në këto gjynahe e hidhëron Allahun në çdo gjendje, në çdo kohë e në çdo vend. Kur imani i besimtarit plotësohet, ai i urren këto veprime më shumë se vrasjen dhe rrahjen. Nisur prej kësaj, i Dërguari i Zotit (salallahu alejhi ue selem!) e konsideroi shenjë të ëmbëlsisë së besimit gjendjen “kur njeriu urren të kthehet në mosbesim (kufr) – pasi Zoti e ka shpëtuar – ashtu siç do ta urrente rënien në zjarr.”[6] Jusufi (alejhis-selam!) ka thënë: “O Zoti im, më shumë dua burgun se atë drejt së cilës më shtyjnë ato.” (Jūsuf, 33)

I dyti: Agjërimi është një sekret midis robit dhe Zotit të tij, dhe nuk mund të zbulohet prej dikujt tjetër; sepse është i lidhur/kombinuar me nijet (qëllim) të brendshëm, i cili dihet vetëm nga Allahu. Këtu bën pjesë edhe lënia e disa kënaqësive, që zakonisht konsumohen jashtë vëmendjes/syve të njerëzve, veprimi i të cilave konsiderohet diçka e lehtë tek të tjerët. Për sa më lart, është thënë se këtë adhurim nuk e shënojnë as engjëjt që regjistrojnë veprat e njeriut. Po ashtu, është thënë se te ky adhurim nuk ka hipokrizi – kësisoj është shprehur imam Ahmedi dhe disa të tjerë.

Allahu i Lartësuar do nga robërit e Tij që këtë fshehtësi midis tyre dhe Atij ta trajtojnë siç duhet. Në këtë mënyrë, edhe ata që e duan Allahun dëshirojnë që këtë fshehtësi midis tyre dhe Allahut ta trajtojnë në atë formë që në këtë adhurim të mos ndërhyjë dikush tjetër përveç Allahut; aq sa, disa prej tyre do dëshironin të kryenin një adhurim të cilin nuk do e merrnin vesh as engjëjt që regjistrojnë veprat e njeriut. Braktisja e këtyre kënaqësive gjatë agjërimit ka disa dobi, si:

1. Zbutja e nefsit; meqë ngopja, pirja, marrëdhëniet intime me gratë e kështu me radhë, e shtyjnë nefsin drejt kryelartësisë, mburrjes dhe përhumbjes.

2. Lirimin e zemrës për meditim dhe dhikr; meqë dhënia pas kënaqësive e ashpërson dhe e verbon zemrën, dhe ndërhynë midis njeriut dhe dhikrit e meditimit duke e çuar kështu drejt përhumbjes (gafle). Çlirimi (zbrazja) i brendësisë nga ushqimi dhe pija ndriçon zemrën, e zbut atë; largon ashpërsinë prej saj dhe i hapet udha dhikr-it dhe meditimit.

3. I pasuri vlerëson begatinë që i ka dhuruar Allahu, prej së cilës ka privuar shumë të varfër, të cilët nuk kanë më shumë se sa duhet nga ushqimi, pija apo martesa.

4. Agjërimi i ngushton rrugët e qarkullimit të gjakut, nëpër të cilat lëviz shejtani brenda birit të Ademit; dhe për rrjedhojë fashiten vesveset e shejtanit dhe thyhet/zbutet epshi dhe zemërimi.

Detyrimi për të braktisur mëkatet

Duhet të dish se afrimi te Allahu përmes braktisjes së këtyre kënaqësive të lejuara nuk është i plotë në kohën kur njeriu nuk është agjërueshëm pa braktisjen e të gjitha ndalesave të vendosura nga Allahu në çdo kohë, siç është rasti me gënjeshtrën, padrejtësinë, cenimin e jetës, pasurisë, nderit të tjetrit etj. Për këtë i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) ka thënë: “Çdokush që nuk braktis gënjeshtrën dhe të vepruarit sipas saj, ndërkohë që ka lënë ushqimin dhe pijen, te Allahu kjo është e panevojshme.”[7]

Në një hadith tjetër thuhet: “Agjërimi nuk është vetëm privim nga të ngrënit e të pirit, por, agjërimi i vërtetë është privim prej fjalëve të kota dhe të ndyta.”[8] Hafidh Ebu Musa El-Medini thotë: “Ky hadith përmbush kriteret e Muslimit.”

Disa nga selefët kanë thënë: “Agjërimi më i lehtë është ai që bëhet duke lënë vetëm pijen dhe ushqimin.”

I Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) thotë: “Disa agjërues nuk kanë ndonjë hise tjetër nga agjërimi përveç urisë dhe etjes. Kësisoj edhe disa që ngrihen natën për namaz, nuk përfitojnë gjë tjetër veç pagjumësisë.”[9]

Dy gëzimet e agjëruesit

Pjesa e hadithit: “Për agjëruesin ka dy çaste të gëzueshme: kur ha iftarin dhe kur të takojë Zotin e vet.” Për sa i takon gëzimit të agjëruesit kur ha iftarin, kjo ka të bëjë me faktin se shpirtrat për nga natyra anojnë kah ato ushqime, pije ose marrëdhënie intime që shkojnë me natyrën e tyre dhe, kur ndalohet prej tyre në një kohë të caktuar dhe i lejohen në një kohë tjetër, ai gëzohet për lejimin e asaj që i qe ndaluar, sidomos kur rritet nevoja për to. Pra, shpirti i gëzohet natyrshëm kësaj.

Ndërsa për sa i përket gëzimit kur të takojë Zotin e vet, kjo ndodh ngaqë te Allahu gjen të ruajtur shpërblimin për agjërimin e tij; dhe e gjithë kjo vjen në çastet kur ka më shumë nevojë, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer.” (El-Muzzemmil, 20) “Ditën kur çdokujt do t’i vihen përpara të gjitha mirësitë që ka bërë…” (Āl ʿImrān, 30) “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Ez-Zelzele, 7)

Dy kategoritë e agjëruesve

E para: Ata që braktisin ushqimin, pijen dhe kënaqësitë për hir të Allahut duke shpresuar se Ai do t’ua kompensojë këto në Xhenet. Një i tillë konsiderohet si emigrues, që ka bërë tregti dhe marrëveshje me Allahun. Ndërkaq, Allahu nuk ua humb shpërblimin punëmirëve; assesi nuk e zhgënjen dikë që bën marrëveshje me Të; përkundrazi, e nxjerr me fitimin më të madh. I Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) iu drejtua njërit kështu: “Nëse ti lë diçka nga droja prej Allahut, është e pamundur që Ai të të mos shpërblejë me diçka edhe më të mirë se ajo që ke lënë.”[10]

Për këtë arsye, në Xhenet, agjëruesi shpërblehet me ushqime, pije dhe vasha, pikërisht me atë shpërblim që do Zoti për të. Ja sesi i drejtohet Zoti kësaj kategorie njerëzish: “Ju bëftë mirë! Hani e pini në shenjë të asaj që keni bërë në ditët e kaluara!” (El-Hākkah, 24) Muxhahidi dhe të tjerë kanë thënë: “Ky ajet ka zbritur për agjëruesit.”

Te dy Sahīh-ët shënohet hadithi i Profetit (salallahu alejhi ue selem!): “Në Xhenet ndodhet një portë që quhet Rejjān, nga e cila do hyjnë agjëruesit; dhe askush tjetër nuk do të hyjë prej saj përveç tyre.”[11] Në një përcjellje tjetër qëndron: “Kur ata të kenë hyrë ajo mbyllet.”[12]

E dyta: Te kjo kategori bëjnë pjesë ata agjërues që abstenojnë në këtë botë nga çdo gjë tjetër përveç Allahut. Agjëruesi i kësaj kategorie ruan kokën dhe ato që janë pjesë e saj (syri, veshi dhe gjuha); ruan barkun (nga harami; por edhe brendësinë në përgjithësi) dhe ato që lidhen me të, si: organi gjenital, duart, këmbët dhe zemrën; kujton vdekjen dhe sprovat e saj dhe synon ahiretin duke braktisur bukuritë/kënaqësitë e dynjasë. Për këtë kategori agjëruesish agjërimi i tyre mbaron ditën që takojnë Zotin e tyre dhe ngazëllehen me shikimin e Fytyrës së Tij.

Pjesa e hadithit: “Aroma e gojës së agjëruesit për Allahun është më e këndshme se ajo e miskut.” Këtu bëhet fjalë për erërat që dalin për shkak të zbrazëtisë së lukthit si rezultat i agjërimit. Kjo erë mund të jetë jo e këndshme për njerëzit, mirëpo për Allahun është një aromë e këndshme, ngaqë vjen si pasojë e bindjes ndaj Allahut; njësoj si gjaku i dëshmorit, i cili ka ngjyrën e gjakut në Ditën e Kiametit, por aroma e tij është misk.

Përktheu: Blerim Krasniqi

_________________________________________

[1] Ky tekst është marrë nga varianti i shkurtuar i librit “Letaiful mearif”, me autor Ibn Rexhebin. Përkthimi i këtij varianti të shkurtuar është në përfundim dhe, me lejen e Allahut, pa kaluar shumë kohë do të botohet.

[2] Buhariu (1904) dhe Muslimi (1151).

[3] Buhariu (1190) dhe Muslimi (1394).

[4] Buhariu (1863) dhe Muslimi (1256).

[5] Natyrisht ato dëshira që nuk është e lejuar të përmbushen.

[6] Buhariu, nr. 21; Muslimi, nr. 43.

[7] Buhariu, 1903.

[8] El Mustedrak, 1/595.

[9] Ahmedi (2/373) dhe Ibn Maxhe (169). Imam Albani e ka vlerësuar për të sahīh te Sahīh El-Xhāmiʿu (3488).

[10] Ahmedi, 5/79. Shuajb Arnauti e ka vlerësuar për sahīh te Musned-i, 34/342.

[11] Buhariu (1896) dhe Muslimi (1152).

[12] Buhariu, nr. 1896.

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva