Detyrat e muajit të ramazanit (pjesa e pestë)

Mexhlisi i pestë

Shtatë netët e fundit të ramazanit

Te dy Sahīh-ët përcillet nga Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se disa burrave, shokë të Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem!), iu shfaq në ëndërr se Nata e Kadrit është në shtatë netët e fundit të ramazanit. Nisur nga kjo, i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) tha: “Duket se ëndrrat tuaja përputhen që ajo është në shtatë netët e fundit. Kështu që, kush dëshiron ta kërkojë atë, le ta kërkojë në shtatë netët e fundit të ramazanit.”[1] Te Muslimi (1165), po nga Ibn Umeri, lexojmë këtë tekst: “Kërkojeni atë në dhjetë netët e fundit; por, nëse ndonjëri ndihet i lodhur, ose nuk mundet, të mos dorëzohet (të paktën) në shtatë netët e mbetura.” Siç e përmendëm edhe më parë, i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) përpiqej që të gjente Natën e Kadrit gjatë muajit të ramazanit. Për këtë arsye, njëherë, ai bëriʿitikāf në dhjetë netët e para; pastaj, prapë në kërkim të saj e bëri në dhjetë netët e mesit, dhe, këtë e përsëriti disa herë. Më pas, përfundimisht u vendos që ʿitikāf të bëhet në dhjetë netët e fundit, dhe urdhëroi që ajo të kërkohet në këto dhjetë net. Te dy Sahīh-ët përcillet nga Ajshja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetë netët e fundit të ramazanit.”[2]

Në një tjetër përcjellje të Buhariut lexojmë: “Kërkojeni në netët teke të dhjetë netëve të fundit të ramazanit.”[3]

Ai urdhëronte që ajo të kërkohej në netët teke të dhjetëditëshit të fundit. Te Sahīh-u i Buhariut përcillet nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetë netët e fundit të ramazanit; në natën kur kanë mbetur edhe nëntë, edhe shtatë, edhe pesë net.”[4]

Imam Ahmedi, Nesaiu dhe Tirmidhiu kanë shënuar hadithin e Ebu Bekretes, i cili thotë: “Duke u nisur nga ajo që kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut (rreth kësaj nate), do e kërkoj atë vetëm në dhjetë netët e fundit, meqë e kam dëgjuar Profetin (salallahu alejhi ue selem!) duke thënë: “Kërkojeni atë në nëntë netët e mbetura, ose në shtatë netët e mbetura, ose në pesë netët e mbetura, ose në tri netët e mbetura, ose në natën e fundit.”[5] Ebu Bekrete, në njëzetë netët e para falej ashtu siç falej zakonisht gjatë vitit, ndërsa kur hynin dhjetë netët e fundit ai i shtonte përpjekjet.

Ka pasur shumë mospajtime rreth Natës së Kadrit. Shumica mendojnë se ajo është e kufizuar brenda dhjetë netëve të fundit; por, kanë mospërputhje se në cilën natë të dhjetënetëshit duhet të shpresohet më shumë. Nga Hasani dhe Maliku është përcjellë se ajo duhet të kërkohet në të gjitha dhjetë netët, çift dhe tek. Edhe disa prej dijetarëve të medhhebit tonë e kanë mbështetur këtë mendim. Ata shprehen se, nëse fjalët[6] e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem!) i interpretojmë duke e llogaritur muajin të plotë, ajo është në netët çift; ndërsa nëse i interpretojmë sipas asaj që realisht ka mbetur nga muaji, çështja mbetet në varësi të plotësisë së muajit; kështu që nuk dihet paraprakisht. Nëse muaji është i plotë, netët në të cilat duhet ta kërkojmë janë çift, ndërsa nëse muaji nuk është i plotë, janë tek. Prandaj, kjo na obligon ta kërkojmë atë në netët çift dhe tek.

Shumica thonë: “Përkundrazi, te disa net duhet të shpresohet më shumë se te disa të tjera; përgjithësisht, më shumë pritet të jetë në netët tek.”

Llojet e adhurimeve në Natën e Kadrit

Për sa i takon veprave në Natën e Kadrit, është vërtetuar se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) ka thënë: “Ai që fal namazin e natës në Natën e Kadrit me besim dhe shpresë për shpërblimin (nga Allahu), i falen të gjitha gjynahet që ka bërë.”[7]

Pra, këtu kemi të bëjmë me gjallërimin e natës me namaz, gjë për të cilën Profeti (salallahu alejhi ue selem!) e kishte urdhëruar vetë Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që atë natë të bënte dua.
Sufjan Eth-Theuri thotë: “Për mua lutjet gjatë asaj nate janë më të dashura se namazi. Nëse lexon Kuran dhe gjatë leximit lutesh duke synuar kënaqësitë e Allahut nëpërmjet adhurimit dhe lutjes, shpresoj të pranohet dhe të ketë sukses.” Fjala është se lutjet e shumta janë më të dobishme se ai namaz në të cilin nuk bëhet shumë dua. Por, nëse lexon Kuran dhe lutesh është një gjë e mirë.

I Dërguari (salallahu alejhi ue selem!), gjatë netëve të ramazanit falej dhe lexonte ngadalë dhe qartë. Ai nuk e kalonte asnjë ajet ku përmendej mëshira e të mos lutej për mëshirë; sikurse nuk kalonte asnjë ajet ku përmendej ndëshkimi e të mos kërkonte mbrojtje. Pra, njëkohësisht falej, lexonte, lutej dhe meditonte. Kjo është vepra më e pëlqyer dhe më e përkryer në ato dhjetë net, por edhe në netët e tjera. Allahu e di më mirë!

Për Natën e Kadrit Shabiju ka thënë këto fjalë: “Nata e saj është e njëjtë me ditën e saj.” Kësisoj shprehet edhe Shafiu: “Pëlqej që angazhimi në adhurim gjatë ditës së saj të jetë i njëjtë me angazhimin gjatë natës.” Sipas kësaj preferohet që angazhimi të jetë i vazhdueshëm gjithë kohës së këtyre dhjetë netëve të fundit. Allahu e di më mirë!

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tha të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem!): “Çfarë duhet të them nëse e arrij Natën e Kadrit?” Ai i tha: “O Allah! Ti je Falës dhe e do faljen; prandaj, më fal!”[8] El-Afuw (Falës) është një prej emrave të Allahut, dhe quhet Ai që i fal mëkatet e robërve të Tij dhe i shlyen gjurmët e tyre. Allahu e do faljen dhe dëshiron t’i falë robërit e Vet. Po ashtu, Ai dëshiron që robërit e tij ta falin njëri-tjetrin dhe, kur ata e falin njëri-tjetrin, Ai i fal ata. Për Të falja është më e dashur se ndëshkimi.

Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem!) lexonte këtë lutje: “Të lutem me anë të kënaqësisë Tënde të më mbrosh nga hidhërimi Yt dhe me faljen Tënde nga dënimi Yt.”[9] Pas gjithë atyre përpjekjeve për vepra të mira në Natën e Kadrit dhe në dhjetë netët e fundit, e porositi të kërkonte falje në Natën e Kadrit, sepse të diturit përpiqen të kryejnë sa më shumë vepra të mira, dhe pastaj nuk shohin te vetja se kanë ndonjë vepër të mirë; kështu që i kthehen kërkimit të faljes, si puna e një mëkatari që ka mangësi. Jahja ibn Muadhi thotë: “Nuk mund të konsiderohet i ditur ai që nuk ka si objektiv të optimizmit të tij faljen nga ana e Allahut.”

Përktheu: Blerim Krasniqi

_____________________________________________________

[1] Buhariu (2015) dhe Muslimi (1165).
[2] Buhariu, nr. 2017.
[3] Buhariu, nr. 2021.
[4] Buhariu, nr. 2021. Domethënë, të 21-tën, 23-tën, 25-tën, të 27-tën dhe të 29-tën.
[5] Ahmedi (5/36) dhe Tirmidhiu (794). Imam Albani e ka klasifikuar për të saktë (sahīh) te libri Sahīh El-Xhāmiʿ, 1243).
[6] “Kërkojeni atë në natën kur kanë mbetur edhe nëntë, ose edhe shtatë, ose edhe pesë net.”
[7] Buhariu, nr. 1901; Muslimi, nr. 760.
[8] Tirmidhiu, nr. 3513.
[9] Muslimi, nr. 486.

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva