Devotshmëria- një urtësi e Ramazanit

Devotshmëria- një urtësi e Ramazanit

Devotshmëria është urtësi e qëllim, e ardhur qartazi në Kuran e sunet. Allahu thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të bëheni të devotshëm.” Bekare 183. Njeriu përmes agjërimit (urisë, etjes, dobësisë fizike) të mundohet të zvogëlojë aktivitetet e përditshme që rrallë herë dinë të jenë edhe të gabuara e mëkate dhe të përkushtohet e harmonizohet me atmosferën e Ramazanit dhe të agjërimit. A ka më lehtë sesa falja në Ramazan edhe nëse është namaz i gjatë?! A ka më lehtë sesa në Ramazan të përjetohet shpirtërisht agjërimi duke qenë bujar e solidar me të tjerët e t’ua shtrijë dorën nevojtarëve?! A ka më lehtë sesa në Ramazan të derdhë lot?!

Ramazani është një mundësi e artë. Agjërimi të bën njeri më të mirë, më të devotshëm. E devotshmëria siç përkufizohet nga dijetarët është bërja e veprave të mira duke e ditur se ato janë vepra të mira dhe duke shpresuar në shpërblimin e Allahut si dhe largimi nga mëkatet duke e ditur se ato janë mëkate dhe duke pasur frikë dënimin e Allahut për to. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kur ka folur për rëndësinë e agjërimit ka thënë: “Agjërimi është mburojë“, është mburojë nga zjarri i xhehenemit dhe është mburojë në këtë dunja nga mëkatet e çdo gjë e lig.

Kur kanë folur sahabët dhe dijetarët për rolin e agjërimit, kanë thënë që kur njeriu të agjërojë të mos privohet vetëm nga ushqimi, pija e marrëdhëniet intime, porse kur të agjërojë, të agjërojë syri i tij, veshi i tij, gjuha e tij, nga mëkatet, të braktisë shqetësimin që mund t’ua shkaktojë punëtorëve apo fqinjëve, të ketë qetësi, të reflektojë pozitivisht, të dallojë dita e agjërimit të tij prej ditës kur nuk është agjërueshëm.

Njeriu rreth kësaj vepre të mirë- agjërimit, është mirë të dijë se si përsoset, por edhe se çfarë e zbehë atë e çfarë e prishë. Pejgamberi salAllahu alrjhi ue selem ka thënë: “Ka mundësi që agjëruesi të mos përfitojë asgjë nga agjërimi i tij përveç urisë dhe etjes dhe ka mundësi që një njeri të falet natën e të mos përfitojë veçse lodhje e pagjumësi.”

Ka gjëra (konkrete) të cilat në mënyrë direkte e prishin agjërimin, si: ngrënia, pirja, marrëdhënia intime, vjellja e qëllimshme e për të cilat ka pajtueshmëri te dijetarët se e prishin agjërimin. Mirëpo, krahas tyre, janë dhe disa gjëra abstrakte, mëkate, të cilat e zbehin dhe ia humbasin efektin agjërimit, siç janë: mëkatet e shikimit, dëgjimit, të folurit dhe gjymtyrëve të tjera në përgjithësi, p.sh.: gënjeshtra, përgojimi, bartja e fjalëve, përleshja me të tjerët, fjalët e ndyra etj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur është ditë e agjërimit te ndokush prej jush, të mos flasë fjalë të ndyta e të mos bërtasë. Nëse e fyen apo e ofendon dikush le të thotë “Unë jam agjërueshëm!” Qoftë nëse e thotë me vete duke ia kujtuar vetes që të mos ulet në nivelin e tjetrit, edhe nëse tjetri e provokon, apo e nxitë, mirëpo t’ia përkujtojë vetes se është agjërueshëm dhe nuk më takon të veprojë ashtu (kjo vlen tërë jetën e sidomos në ditët e agjërimit), apo qoftë nëse ia thotë hapur tjetrit duke ia kujtuar se nuk po ta kthej njëjtë ngaqë nuk kam mundësi apo se nuk e meriton apo se nuk kam argumente, mirëpo po i iku polemikës me ty, ballafaqimit me ty, ngase jam agjërueshëm dhe agjërimi më pengon, më bën më të mirë, më fisnikëron, që të mos bie në nivelin tënd.

Mendimi më i saktë është se agjërimi i rrethuar me mëkate, qoftë të gjuhës apo të gjymtyrëve të tjera, nuk zhvlerësohet, por i zbehet, dhe se agjëruesi ka rrezikuar (për veten e tij) shpërblimin të cilin Allahu ka përgatitur për agjëruesit. Shpërblimi që ka mundësi të arrijë prej agjërimit nuk i reziston mëkateve dhe peshës së tyre, që njeriu i bën gjatë agjërimit. Në hadith kudsij tregohet se Allahu ka thënë: “Të gjitha veprat e birit të Ademit janë për të përveç agjërimit. Ai është i Imi dhe Unë shpërblej për të.” Një prej komentimeve se pse agjërimi është i veçantë thotë se për shumicën e veprave të mira sillen prej 10 deri 700 shpërblime, përveç agjërimit të cilin Allahu e ka marrë përsipër dhe nuk ka treguar se çfarë shpërblimi ka përgatitur për të. Mirëpo, kuptohet se Bujari, Allahu, kur merr diçka përsipër për të shpërblyer atëherë ai shpërblim nuk është i vogël.

Agjërimi ka mundësi të jetë shkallë-shkallë, p.sh.:

-agjërimi i atyre të cilët largohen vetëm nga ushqimi e pirja dhe marrëdhëniet intime,

-agjërimi i atyre që mundohen ta ruajnë atë me ruajtjen e gjuhës, shikimit, dëgjimit, veprimit (keq) me duar, këmbë etj., duke e mos përkryer me mëkate dhe duke mos u ngarkuar me padrejtësi ndaj të tjerëve,

-agjërimi i atyre që (përveç që plotësojnë dy shkallët e para) përkushtohen në agjërim, që vetmohen me Allahun, që largohen nga bukuritë e kënaqësitë e kësaj bote, që orientohen vetëm tek kënaqësia e Allahut.

Agjërimi duhet shoqërohet me devotshmëri dhe të rezultojë me devotshmëri. Nuk ka vend për mëkate në agjërim. Në agjërim veprat e mira shumëfishohen. Agjërimi është një shans për faljen e mëkateve, “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë (në shpërblimin e Allahut), Allahu ia fal mëkatet.” Është shans për kthim tek Allahu, për pendim, për falje të mëkateve. E çfarë urtësie është që në vend se njeriu ta shfrytëzojë këtë shans për përmirësim, për pendim e për falje të mëkateve, të ngarkohet me mëkate të reja (që i bën gjatë agjërimit)?!

 

Dr. Gazmend Mehmeti  – Dersi “Ruajtja e shpërblimit të agjërimit” – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit