Këshilla bashkëshortore (1)

 

-Bashkëshortët përfundojnë në gjendje të problemeve ndërmjet vete gradualisht, jo menjëherë.

-Duhet të kthehen tek Allahu me pendim.

-Duhet të jenë të durueshëm.

-Duhet të plotësojnë të drejtat karshi njëri-tjetrit. Të gjitha kacafytjet e mosmarrëveshjet mes burrit dhe gruas janë për shkakun se njëri apo të dytë nuk i plotësojnë të drejtat e caktuara nga Allahu ndaj njëri-tjetrit. Këtu është defekti. Sikur të mundohen në plotësimin e tyre, atëherë problemet do të minimizohen ose do të largohen fare. Imam Ahmedi ka treguar se nuk ka pasur kurrë një fjalë mes tij dhe gruas së tij për tridhjetë vite martesë. Kjo është kur njeriu ka dije dhe e di se cila është e drejta e gruas ndaj tij dhe ajo e di se cila është e drejta e tij ndaj saj.

-Duhet kthyer te leximi i librave me tematikë të drejtat ndërmjet bashkëshortëve, apo te dëgjimi i derseve.

-Duhet lutur Allahun që Ai të përmirësojë raportet mes tyre. Kjo është një gjë që e neglizhojnë bashkëshortët. Prej gjërave më të rëndësishme për të cilat duhet të lutet besimtari e besimtarja është përmirësimi i raporteve bashkëshortore. Këtë lutje e bëjnë besimtarët e devotshëm, “رَبَّنَا هَبۡ لَنَا مِنۡ أَزۡوَ ٰ⁠جِنَا وَذُرِّیَّـٰتِنَا قُرَّةَ أَعۡیُنࣲ – O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë…” Furkan 74. (Këtë lutje mund ta bëjë dhe gruaja për burrin e saj dhe fëmijët).

-Duhet ndërmarrë shkaqet që dërgojnë në përmirësim. Nëse është një lidhje për të cilën duhet kontribuar e përpjekur shumë që të përmirësohet, atëherë ajo është lidhja mes burrit e gruas, dhe në këtë duhet të punojnë të dytë. Ata duhet të shohin se ku janë pengesat dhe shkaqet që po e prishin raportin mes tyre, dhe t’i largojnë. Siç është një shprehje arabe: “Atë derë nga e cila të hyn era mbylle dhe pastaj je rahat!” Aty ku ka defekt e çarje, rregulloje.

-Qëllimi kryesor i shejtanit është ndarja mes burrit dhe gruas. Ata së bashku duhet të punojnë në të kundërtën e këtij qëllimi. Përderisa shejtani mundohet të prishë raportin mes tyre, bashkëshortët duhet të punojnë në përmirësimin e raportit mes tyre, e jo duke shkuar në përkeqësim të gjendjes, duke shtuar fjalët apo duke e rënduar njëri tjetrin.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit