Dispozita e zotimit (nedhrit)

Dispozita e zotimit (nedhrit)1

Fetaua Nurun ala Derb
Shejh Abdulaziz ibën Baz
Përktheu: J.B

Pyetje: A lejohet që njeriu të zotohet se do të falë dhjetë apo njëzet rekate namaz, nëse do t’i realizohej kjo apo ajo dëshirë?

Përgjigje: Zotimi për veprimin e ndonjë vepre është i ndaluar, por nëse Allahu e furnizon dikë me ndonjë mirësi, atëherë le ta falënderojë Allahun pa u zotuar, qoftë me falje të namazit apo me ibadete tjera, ndërsa të zotohet për atë vepër është e ndaluar, sepse është transmetuar nga Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) të ketë thënë: “Mos u zotoni, sepse ai nuk e ndryshon aspak kaderin e Allahut, dhe se me të vetëm koprracit i merret diçka”2.

Pra, besimtari duhet ta braktisë zotimin, por nëse është zotuar për të kryer ndonjë vepër të mirë, atëherë duhet ta kryej atë, sepse Allahu i lavdëron besimtarët që kryejnë zotimet e tyre, ku thotë: “Ata e zbatojnë zotimin dhe i frikësohen Ditës (së Kiametit), tmerri i së cilës përhapet gjithkund” (El insan/7).

Ndërsa Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Ai që i është zotuar Allahut se do ta bëjë një punë të mirë, le ta kryej, ndërsa ai që i është zotuar të bëjë mëkat, mos ta bëjë atë”3.

Pra, nëse besimtari i është zotuar Allahut se do të falë disa rekate namaz, apo të agjëroj çdo ditë të hënë dhe të enjte, apo nëse Allahu i jep fëmijë do të jep sadaka, apo nëse martohet do të jepë një shumë sadaka, atëherë duhet ta kryejë këtë zotim. Por, nëse është zotuar për ndonjë mëkat, atëherë nuk i lejohet ta realizoj atë, si psh të thotë: ia obligoj vetes se do të pij alkool, apo do të bëj zina, apo të vjedh, i gjithë ky zotim është vepër e urryer dhe nuk lejohet të kryhet, për këtë Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Ndërsa ai që është zotuar të bëjë mëkat, mos ta bëjë atë”, dhe ky person duhet të bëjë shpagim për këtë zotim (që është i njëjtë me shpagimin për betim) sipas mendimit më të saktë të dijetarëve4.

Kurse sa i përket zotimit për një vepër të lejuar, ai mund të zgjedhë: ta kryej atë, apo ta bëjë shpagimin dhe të mos e kryej. Nëse thotë: I zotohem Allahut se do të ha nga ky ushqim, apo zotohem së do të fle në këtë shtëpi, apo i zotohem se do të udhëtoj sot, ai është i lirë dhe mund të zgjedhë kryerjen e këtij zotimi, apo të bëj shpagimin dhe të mos e kryej, duke u bazuar në fjalën e Pejgamberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), ku thotë: “Shpagimi për zotim është sikurse shpagimi për betim”.

1 . Nedhr (zotim) në terminologjinë e shriatit është: Kur njeriu ia obligon vetes një vepër, e cila në parim nuk është obligim, si p.sh. të thotë: “I zotohem Allahut se do të agjëroj pesë ditë në këtë muaj” ose të thotë: “Nëse më shëron Allahu, i zotohem se do t’i agjëroj pesë ditë” (Sh.p.)

2 . Muttefekun alejhi.

3 . Buhariu.

4 . Shpagimi për këtë është sikurse na tregon ajeti në vijim: “Larja e gjynahut për thyerjen e betimit është: ushqyerja e dhjetë të varfërve me mesataren e ushqimit të familjes suaj ose t’i vishni ata, ose të lironi një skllav. Ai që nuk gjen mundësi për këto, le të agjërojë tri ditë. Kjo është shlyerja për thyerjen e betimeve tuaja, nëse betoheni. Mbani betimet tuaja! Kështu jua shpjegon Allahu Fjalët dhe ligjet e Veta, që të jeni mirënjohës” (El Maide: 89)

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit