Dobitë e Teuhidit

Shejh Muhammed bin Xhemil Zejno

www.salafipublications.com

Kur teuhidi i pastër realizohet në jetën e individit apo të shoqërisë, ai jep rezultate prej më të mirave. Nga rezultatet e tij janë si vijon:

1 ) Çlirimi i njerëzimit nga adhurimi dhe nënshtrimi ndaj tjetër kujt pos Allahut. Krijesat nuk mund të krijojnë asgjë, por në fakt ato vetë janë të krijuara. Ato nuk kanë aftësi për t’i bërë dëm as dobi vetes së tyre. Ato nuk kanë mundësi ta shkaktojnë vdekjen, as të japin jetë, e as nuk janë në gjendje të ringjallin të vdekurit. Kështu që teuhidi liron njeriun nga çdo adhurim, përveç ndaj Zotit të tij, Atij që e krijoi atë dhe pastaj e bëri të përsosur. Ai (Teuhidi) çliron mendjen e tij nga devijimi dhe iluzionet.

Ai çliron mendjen e tij nga bindja, përulësia dhe nënshtrimi ndaj tjetër kujt përveç Allahut. Ai çliron jetën e tij nga zotërimi i sundimtarëve, nga fallxhorë dhe nga ata që e konsiderojnë veten e tyre të emërtuar si të shenjtë mbi robërit e Allahut.

Për shkak të kësaj, udhëheqësit e shirkut dhe shtypjes në kohërat e injorancës u ngritën kundër thirrjes së pejgamberëve në përgjithësi dhe në veçanti kundër thirrjes së të Dërguarit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), për faktin që ata e kuptuan domethënien e “La ilahe il-lAll-llah” si një deklarim universal për çlirimin e njerëzimit, përmbysjen e tiranëve nga fronet e tyre të rreme, dhe lartësimin e fytyrave të besimtarëve, atyre që nuk përulen përveç ndaj Allahut, Zotit të botëve.

2) Personaliteti mbetet i balancuar. Teuhidi ndihmon formimin e personalitetit të balancuar, synimin që preferohet dhe drejtimin e kësaj jete. Ai bashkon dhe konsolidon qëllimin e tij. Pra, personaliteti nuk kthehet përveçse te i Vetmi që meriton të adhurohet, të Cilin e thirr fshehtazi dhe haptazi, në lehtësi dhe vështirësi. Përkundër mushrikut (paganit), i cili e ndan zemrën e tij në mes të atyre të cilët adhurohen përveç Allahut, nganjëherë i kthehet të gjallëve, e nganjëherë të vdekurve. Jusufi ka thënë :

“O shokët e mi të burgut ! A janë më të mirë një mori zotash të ndryshëm apo Allahu, i Vetmi, Ngadhënjimtari ?” [12 : 39]

Pra, besimtari adhuron Një Zot, e di se çfarë e kënaq dhe çfarë nuk e kënaq Atë, prandaj ndalet në çfarëdo që e kënaq Atë dhe zemra e tij qetësohet. Sa i përket mushrikut, ai i përulet në adhurim disa zotëve, një e merr nga këtu dhe tjetrin nga atje, ai është i shpërndarë në mes tyre dhe nuk gjen rehati.

3) Teuhidi është burim i sigurisë për njerëzit, sepse ai e mbush shpirtin e njeriut me paqe dhe kënaqësi. Ai (njeriu) nuk i frikësohet askujt tjetër përveç Allahut. Teuhidi mbyllë rrugët e frikës nga humbja e furnizimit, shpirtit dhe familjes, si dhe frikës ndaj njerëzve, vdekjes dhe gjërave tjera prej të cilave njeriu ka frikë.

Besimtari i cili e adhuron Allahun të vetëm, nuk i frikësohet askujt përveç Tij, dhe për shkak të kësaj, ai ndjehet i sigurt përderisa pjesa tjetër e njerëzimit frikësohen; ndjen kënaqësi përderisa të tjerët janë të shqetësuar. Ky është kuptimi që tregohet në Fjalët e Allahut:

“Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” [Kuran, 6:82]

Kjo siguri del nga thellësia më e madhe e shpirtit dhe jo nga roja e policisë e cila është siguri e kësaj bote. Sa për sigurinë e botës tjetër, atëherë ajo është më e madhe dhe më e qëndrueshme për ata që janë të sinqertë ndaj Allahut dhe nuk e përziejnë teuhidin e tyre me shirk, sepse shirku është një dhulm i madh (padrejtësi).

4) Teuhidi është burim i forcës së shpirtit, sepse ai i jep individit një qëndrim të fortë dhe të shkëlqyer mendor, me të cilën ai e mbush shpirtin e tij me shpresë në Allahun, besim në Të, mbështetje te Ai, kënaqësi në Vendimin e Tij, durim në sprovat e Tij dhe liri nga mbështetja në krijesat. Ky njeri formësohet vendosmërisht, si malet, dhe kur e godet një fatkeqësi, ai i kërkon Allahut t’ia largojë atë dhe jo të vdekurit. Pejgamberi (sal-lA-llahu alejhi ue sel-lem) e tregoi këtë në thënien e tij:

“Kur të lutesh (kërkosh), atëherë lute vetëm Allahun, dhe kur ju të kërkoni ndihmë, atëherë kërkoni ndihmë vetëm nga Allahu.” [Hasen Sahih – Tirmidhi] .

“Nëse nga Allahu të godet ndonjë fatkeqësi, atëherë askush përveç Tij nuk mund të të shpëtojë.” [6 :17]

5) Teuhidi është themeli i vëllazërisë dhe barazisë, sepse ai nuk lejon pasimin e atyre që marrin zota tjerë përveç Allahut, meqë i gjithë adhurimi duhet të jetë vetëm për Allahun, dhe atë nga i gjithë njerëzimi, ku i pari i tyre është Muhamedi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) i dërguari i Tij dhe i zgjedhuri i Tij.

Përktheu nga gjuha angleze: Ummu Musab
Kontrolloi: Lulzim Perçuku

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva