Domethënia e agjërimit dhe vendimi për të

Domethënia e agjërimit dhe vendimi për të[1]

1) Është pyetur shejh Muhamed Es-Salih El Uthejmini, Allahu e mëshiroftë[2]:

Çfarë është qëllimi me agjërim (Es Sijam) në aspektin gjuhësor (etimologjik) dhe atë fetar (terminologjik)?

Ai u përgjigj:

Es Sijam (agjërim) gjuhësisht do të thotë: mbajtje/frenim. Në këtë kuptim janë Fjalët e Allahut të Lartësuar:

“Ha, pi dhe qetësohu. Nëse vëren ndonjë njeri, i thuaj: “Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të mbahem, prandaj sot nuk do të flas me askënd.” (Merjem: 26).

Pra, jam betuar/zotuar të mbahem nga të folurit, prandaj sot nuk do të flas me askënd.

Në këtë kuptim janë edhe fjalët e poetit:

Kuaj ‘sijam’ (të frenuar) dhe kuaj ‘gajru saime’ (të pafrenuar)
nën pluhur, dhe të tjerë që kafshojnë frerët

Ndërsa, fetarisht do të thotë: Adhurimi ndaj Allahut të Lartësuar duke u përmbajtur nga gjërat ushqyese nga agimi deri në perëndimin e diellit.

2) Është pyetur shejhu Abdullah bin AbduRrahman bin Xhibrini, Allahu e mëshiroftë[3]:

Çfarë domethënie ka sijami (agjërimi) gjuhësisht dhe fetarisht?

Ai u përgjigj:

Es sijam gjuhësisht është: mbajtja/frenimi. Arabët çdo mbajtje e quajnë Saum/Sijam. Madje, edhe të mbajturit nga të folurit quhet saum. Allahu i Lartësuar thotë:

“Ha, pi dhe qetësohu. Nëse vëren ndonjë njeri, i thuaj: “Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të mbahem, prandaj sot nuk do të flas me askënd.” (Merjem: 26).

Gjithashtu, mbajtja nga të lëvizurit quhet sijam, siç e gjejmë tek fjalët e poetit:

Kuaj ‘sijam’ (të frenuar) dhe kuaj ‘gajru saime’ (të pafrenuar)
nën pluhur, dhe të tjerë që kafshojnë frerët

Fetarisht është: Vetëpërmbajta me nijet (qëllim adhurimi) nga gjërat ushqyese prej agimit deri në perëndimin e diellit.
Disa të tjerë e definuan si: Mbajtje e veçantë, në kohë të veçantë dhe nga një njeri i veçantë, nga gjërat e veçanta.

3) Është pyetur shejh Muhamed Es-Salih El Uthejmini, Allahu e mëshiroftë[4]:

Cili është vendimi për agjërimin e muajit të Ramazanit?

Ai u përgjigj:

Agjërimi i muajit të Ramazanit është obligim me tekst prej Kuranit, Sunetit, dhe Ixhma-së (konsensusit) të gjithë myslimanëve.

Allahu i Lartësuar thotë:

“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat. Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini. Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!” (El Bekare: 183 – 185).

Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) thotë:

“Islami është i ndërtuar mbi pesë (shtylla): Shehadetin (dëshminë) se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut (La ilahe il-lAll-llah) dhe se Muhamedi është i dërguari i Allahut (Muhamedun Resulull-llah), faljen e namazit, dhënien e zekatit, agjërimin e Ramazanit, dhe Haxhin (vizitën) e Shtëpisë së Shenjtë të Allahut (Qabenë).”

Gjithashtu, thotë:

“Nëse e shihni hënën e re të Ramazanit, atëherë agjëroni atë.”

Kurse, të gjithë myslimanët janë të pajtimit se: agjërimi i Ramazanit është farz (obligim), dhe se ai është një prej shtyllave (pjesëve përbërëse) të Islamit. Ai që e mohon obligueshmërinë e tij ka bërë kufr (ka dal nga feja), përveç nëse jeton në vende të largëta, në të cilat nuk njihen dispozitat (vendimet) e Islamit. Në këtë rast ai duhet të njoftohet/mësohet më këtë, pastaj, pasi që t’i tregohen argumentet, vazhdon (me mohim) bën kufr (del nga feja).

Ai i cili e braktisë agjërimin nga dembelia, duke e pranuar obligueshmërinë e tij, është në rrezik, sepse disa dijetarë e kanë mendimin që personi i këtillë është kafir (jobesimtar) murted (renegat).

Edhe pse mendimi më i peshuar me argumente është se: personi i këtillë nuk është kafir-murted, mirëpo është fasik (i shthurur), dhe është në rrezik të madh (nga devijimi).

4) Është pyetur shejh Abdullah bin AbduRrahman bin Xhibrini, Allahu e mëshiroftë[5]:

Cili është vendimi për agjërimin e muajit të Ramazanit?

Ai u përgjigj:

Agjërimi i muajit të Ramazanit është obligim për çdo mukel-lef (personi për të cilin bëhen obligim kërkesat e fesë), të moshës së rritur dhe me mendje të shëndoshë (jo i çmendur). Obligueshmëria e tij, domosdoshmërish është e njohur që është prej fesë. Nuk mospajtim mes myslimanëve rreth saj. Ai i cili e mohon obligueshmërinë e tij bën kufr (del prej fesë). Allahu i Lartësuar thotë:

“O besimtarë! Ju është shkruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (El Bekare: 183). ‘Ju është shkruar’ do të thotë: Ju është bërë obligim. Gjithashtu, thotë: “Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!” (El Bekare: 185).

Fjala e Tij: “le të agjërojë!” është urdhër, dhe urdhri tregon obligueshmëri.

Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) na ka njoftuar në hadith se: Islami është i ndërtuar mbi pesë shtylla, dhe prej tyre përmendi agjërimin e Ramazanit.

5) Është pyetur shejh Abdullah bin AbduRrahman bin Xhibrini, Allahu e mëshiroftë[6]:

A është agjërimi farz (obligim) mbi të gjithë njerëzit?

Ai u përgjigj: Agjërimi është obligim, mirëpo jo mbi çdo kënd. Obligueshmëria e tij bie nga fëmija, i çmenduri dhe të tjerë.

6) Është pyetur shejh Muhamed Es-Salih El Uthejmini, Allahu e mëshiroftë[7]:

Cilat janë shtyllat e agjërimit?

Ai u përgjigj:

Agjërimi ka vetëm një shtyllë, e që është: adhurimi ndaj Allahut të Madhërishëm, duke u përmbajtur nga gjërat ushqyese prej agimit e deri në perëndimin e diellit. Qëllimi me agim këtu është agimi i dytë, jo i pari.

*Agimi i dytë dallon nga agimi i parë me tri gjëra:

E para: Agimi i dytë është i shtrirë (horizontalisht) në horizont, kurse, agimi i parë është i zgjatur (vertikalisht). Pra, agimi i parë shtrihet prej lindjes për në perëndim, kurse, i dyti prej veriut për në jug.

E dyta: Pas agimit të dytë nuk ka më errësirë, mirëpo drita vazhdon të shtohet deri në lindjen e diellit. Kurse, agimi i parë, pasi që i ka disa rreze, errësohet (horizonti).

E treta: Bardhësia (ndriçimi) i agimit të dytë është i lidhur (pashkëputur) me horizontin. Ndërsa, mes agimit të parë dhe horizontit ka errësirë.

Me agimin e parë nuk lidhet ndonjë dispozitë në sheriat (fe). Prandaj, as nuk e bën të lejuar faljen e sabahut dhe as nuk e ndalon ngrënien për agjëruesin. E kundërta është për agimin e dytë.

Përktheu: Lulzim Perçuku

___________________________________________

[1] Kjo temë është shkëputur nga libri “Fetaua Ramadan” (Fetva rreth Ramazanit nga një grup dijetarësh).

[2] “Fikhul-ibadatat” i Ibën Uthejminit, faqe: 169.

[3] “Fetaua es sijam” i Ibën Xhibrinit, faqe: 13.

[4] “Fikhul-ibadatat” i Ibën Uthejminit, faqe: 170.

[5] “Fetaua es sijam” i Ibën Xhibrinit, faqe: 13.

[6] “Fetaua es sijam” i Ibën Xhibrinit, faqe: 33.

[7] “Fikhul-ibadatat” i Ibën Uthejminit, faqe: 172, 173.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit