Durimi dhe Ramazani

– Nëse do të të dojë Allahu, atëherë tregohu i durueshëm.

– Nëse do që Allahu të të ndihmojë në çdo gjendje në të cilën je, atëherë tregohu i durueshëm.

– Përgëzim i madh u takon durimtarëve. Të tillët janë në rrugën e drejtë. Durimi sjell fryte dhe rezultate të dobishme e të mëdha.

– Nuk ka gjë më të dobishme dhe madhështore sesa kur njeriu arrin të jetë prej durimtarëve.

-Durimi është tre lloje:
1. Durimi në kryerjen e adhurimeve (farze e nafile),
2. Durimi në frenimin ndaj ndalesave e harameve,
3. Durimi në Caktim (duke u përballur denjësisht ndaj fatkeqësive e sprovave).

– Besimtari nuk ka mundësi të kryejë adhurimet, apo t’i shtojë veprat e mira, apo të ndalohet prej ndalesave, apo të përballojë fatkeqësitë, lëndimet e sprovat, përveçse me durim. Nevoja e tij për durim është shumë e madhe.

– Rreth durimit në fatkeqësi: Një përkufizim që i është bërë nga dijetarët: “Durimi është frenim e vetevetes nga dëshpërimi për shkak të fatkeqësive e sprovave, është frenim i gjuhës nga moshfaqja e zemërimit, është frenim i dorës duke mos bërë veprime që tregojnë mosdurim (si: shqyerja rrobave, goditja e kokës apo e faqeve, hedhja e thyerja e ndonjë gjëje etj.).

– Ramazani është muaji i durimit, siç e ka quajtur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem. Allahu e ka ligjëruar agjërimin për shumë dobi. E prej tyre është stërvitja e shpirtit në arritjen e durimit me llojet e tij. Andaj ne duhet ta konsiderojmë agjërimin si ndihmës për të kryer adhurimet dhe për t’u larguar nga ndalesat.

– Agjërimi të mëson dhe të edukon të jesh i durueshëm. Allahu thotë: “Kërkoni ndihmë përmes durimit dhe namazit.” Surja Bekare. Muxhahidi ka thënë: “Qëllimi me durimin në këtë ajet është agjërimi.” (Një prej komentimeve).

– Veprat e mira që i bën njeriu (të cilat Allahu dhe i Dërguari i Tij i kanë llogaritur si të mira) janë shkak për mbrojtjen nga vdekja e keqe.

– E kemi për detyrë të përfitojmë mësime dhe edukatë nga muaji i bekur i Ramazanit. Dhe të dalim nga ai duke qenë të përgatitur që gjatë jetës sonë të vazhdojmë me ato përfitime.

– Ta lusim Allahun të na bekojë dhe begatojë me durim. Gjithashtu të na ndihmojë për çdo të mirë dhe mos të na lërë të mbështetemi në vetet tona.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit