Dyshimi i shtatë – Keshfush shubuhat

Dyshimi i shtatë: “Shirk është vetëm adhurimi ndaj idhujve (imazheve)”

Nëse të thotë: “Unë nuk i shoqëroj Allahut asgjë në adhurim (nuk i bëj shirk), jam larg kësaj (Allahu na ruajttë!), mirëpo kërkimi i strehës dhe mbrojtjes që bëj ndaj njerëzve të mirë, kjo nuk është shirk.” Atëherë thuaji: “Nëse ti e pranon se Allahu e ka ndaluar shirkun më shumë sesa që e ka ndaluar imoralitetin dhe se Ai nuk e fal kurrë atë, atëherë më trego se çfarë është ai- kjo gjë që e ka ndaluar Ai dhe që nuk e fal. Dhe do të shohësh se nuk do të arrijë ta definojë shirkun. Thuaji: “Si ka mundësi që e distancon veten prej shirkut e nuk e di se çfarë është ai?! Si ka mundësi që edhe pse Allahu e ka bërë të ndaluar atë dhe se nuk e fal kurse ti nuk pyet se çfarë është dhe nuk e njeh atë? A mendon se Allahu na ka ndaluar një gjë pa na sqaruar atë në Kuran?” Nëse përgjigjet: “Shirk është vetëm adhurimi i idhujve, i statujave, kurse ne nuk i adhurojmë ato.” Atëherë pyete: “Cili është kuptimi i adhurimit të idhujve? A mendon se ata të cilët kanë adhuruar gurët e drunjtë, kanë besuar se ata krijojnë dhe furnizojnë krahas Allahut, apo se kanë në dorë çështjen e adhuruesve të tyre dhe se i rregullojnë gjërat për ta? Këtë e përgënjeshtron Kurani, nuk e pranon.” Nëse thotë: “Adhurimi i idhujve është kur dikush synon një dru, apo gurë, apo ndërtesë mbi varr, duke i lutur, duke therë kurban për ta dhe thonë: “Na afrojnë tek Allahu dhe ndërmjetësojnë për neve, dhe Allahu përmes bereqetit të tyre na largon të këqijat apo na sjell të mirat.” Thuaji: “E vërtetë, por pikërisht të njëjtën gjë jeni duke e vepruar ju me gurët apo ndërtesat mbi varre e vende të tjera.” Ai e pranon me fjalët e tij se veprat që bëjnë janë njëjtë si adhurimi i idhujve që ka ndodhur në të kaluarën. Kjo kërkohet (t’i nxirret ky pranim/pohim).

Thuaji gjithashtu: “Me fjalën tënde: “Shirku është vetëm në adhurimin e idhujve” a ke për qëllim se shirku veçohet vetëm në këtë, kurse mbështetja e lutja ndaj tyre nuk hyn në këtë?” Nëse thotë: “Shirku kufizohet vetëm në adhurimin e idhujve”, atëherë kësaj i kundërpërgjigjet vetë Allahu në Kuran, i Cili i ka llogaritur për jobesimtarë ata që u janë lutur engjëjve, u janë mbështetur e kanë kërkuar ndërmjetësim prej tyre, apo e kanë lutur Isain apo njerëzit e mirë. Andaj, kur ja sjell këto argumente, do ta pranojë atë (se çdo gjë që adhurohet është shirk). Çdokush i cili ia shoqëron Allahut në adhurim dikë prej njerëzve të devotshëm, ky është shirk të cilin e ka pasur për qëllim Allahu kur e ka përmendur në Kuran. Kjo është ajo që e kërkojmë ne. Sekreti i krejt çështjes është se nëse thotë: “Unë nuk i bëj shirk Allahut”, atëherë pyete: “Çfarë është shirku? Ma shpjego!” Nëse thotë: “Shirku është adhurimi i idhujve”, atëherë thuaji: “Më trego se çfarë është adhurimi i idhujve, statujave?” Nëse thotë: “Nuk e adhuroj askënd përveç Allahut të Vetmit.” Atëherë pyete: “Çfarë do të thotë të adhurosh Allahun të Vetëm, pa i shoqëruar asgjë në adhurim? Ma shpjego!” Nëse e shpjegon siç thuhet në Kuran, atëherë kjo kërkohet nga pyetjet që po ia parashtrojmë. Nëse nuk e di, atëherë pyete: “Si pretendon një gjë kur nuk ke njohuri për të?!” Nëse e shpjegon jo me kuptimin e vërtetë, atëherë ia shpjegon ajetet e qarta në këtë temë. Atëherë do t’i bëhet e qartë se shirku që bëjnë ata është i njëjti shirk që e kanë bërë edhe mushkrikët e parë, pa dallim, kurse adhurimi ndaj Allahut pa i shoqëruar asgjë, është ajo për të cilën ata na kundërshtojnë dhe bërtasin rreth kësaj, njëjtë siç kanë bërtitur vëllezërit e tyre (në kohën e të Dërguarit) të cilëve kur u është thënë: “Thoni La ilahe ilAllah që të shpëtoni!” kanë thënë: “A mos kërkon ai, që të gjithë të adhuruarit t’i bëjë një të adhuruar të Vetëm? Vërtet që kjo është një gjë e çuditshme!” Sad 5.

Nëse thotë: “Allahu nuk i ka llogaritur për jobesimtarë ngase u janë lutur engjëjve e Pejgamberëve, por për diçka tjetër: ata kanë mohuar kur kanë thënë se engjëjt janë vajzat e Allahut. Ndërsa ne nuk themi se Abdulkadiri dhe të tjerët të cilët i lusim janë bij të Allahut. Allahu thotë: “Allahu nuk ka zgjedhur për Vete ndonjë bir dhe përveç Atij s’ka asnjë të adhuruar tjetër…!” Muminun 91. Ai bën dallim mes këtyre dy llojeve të kufrit dhe se janë të veçantë secili. Allahu thotë gjithashtu: “Idhujtarët i shohin xhindet si ortakë të Allahut, ndërkohë që Ai i ka krijuar ata. Me padituri, i kanë veshur Atij djem e vajza. I lavdëruar qoftë Ai dhe i lartësuar mbi gjithçka që ia veshin ata.” Enam 100. Edhe në këtë ajet Allahu bën dallim mes këtyre dy llojeve të mohimit. Argumenti për këtë është se Allahu i ka llogaritur për jobesimtarë ata që e kanë adhuruar dhe e kanë lutur Latin[1], edhe pse ka qenë njeri i mirë i devotshëm, ata nuk e kanë konsideruar (besuar) se është bir i Allahut, por e kanë lutur në vend të Tij, gjithashtu Allahu i ka llogaritur për jobesimtarë ata që kanë lutur xhindët, edhe këta nuk kanë besuar se xhindët janë bij të Allahut. Të gjithë dijetarët e medhhebeve, kur përmendin kapitullin “Gjykimi për murtedin” thonë: “Nëse muslimani pretendon se Allahu ka zgjedhur dikë për bir, ai është i dalë nga feja, gjithashtu edhe nëse i bën shirk Allahut është i dalë nga feja (edhe pse nuk beson se dikush është bir i Allahut). Të gjithë ata bëjnë dallim mes këtyre dy llojeve të mohimit. Kjo është e qartë plotësisht.

Këtë dyshim e kanë sjellë adhuruesit e varreve dhe të njerëzve të devotshëm. Ata që adhurojnë dikë tjetër përveç Allahut nuk e dinë domethënien e shirkut, nuk e dinë as domethënien e fjalës adhurim, apo kuptimin e teuhidit. Ata mohojnë një gjë që e veprojnë ndërkohë që në realitet kanë rënë vetë në të.

-“Unë nuk i shoqëroj Allahut asgjë në adhurim (nuk i bëj shirk), jam larg kësaj (Allahu na ruajttë!), mirëpo kërkimi i strehës dhe mbrojtjes që bëj ndaj njerëzve të mirë, kjo nuk është shirk”- distancohen prej një vepre në të cilën në realitet kanë rënë. Ata e veprojnë shirkun, mirëpo nuk e njohin domethënien e tij. Andaj, duhet t’i sillen argumentet sqaruese patjetër, për t’i treguar se kjo vepër që bën është prej shirkut edhe pse po e mohon atë.

Nga kundërpërgjigja që ka bërë autori, vërejmë se është e ngritur në tri nivele:

►Kërkesa ndaj tij se çfarë është shirku.

►Shpjegimi prej tij se çfarë është adhurimi i idhujve.

►A kufizohet shirku vetëm në adhurimin e idhujve apo më shumë?

Sa i përket të parës: Nuk bëhesh polemizues, por ia mëson e ia sqaron se çfarë është shirku dhe teuhidi. Kjo i sjell dobi atij.

Sa i përket të dytës: Ia sqaron se çfarë është adhurimi i idhujve. Nëse ai mendon se adhurimi i idhujve është ajo që kanë bërë mushrikët e parë, që i janë drejtuar gurit apo druri, me besimin se kanë në dorë diçka prej drejtimit të universit, atëherë thuaji: “A mendon se ata të cilët kanë adhuruar gurët e drunjtë, kanë besuar se ata krijojnë dhe furnizojnë krahas Allahut, apo se kanë në dorë çështjen e adhuruesve të tyre dhe se i rregullojnë gjërat për ta? Këtë e përgënjeshtron Kurani, nuk e pranon.” Nëse ai mendon se ata janë quajtur adhurues të idhujve sepse kanë besuar se idhujt e tyre krijojnë, furnizojnë, japin jetë e vdekje, sjellin dëm e dobi, zbresin shiun etj., këtë e përgënjeshtron Kurani, Thuaj: “Kush ju ushqen nga qielli dhe Toka? Kush mundëson të dëgjuarit dhe të parit? Kush mund të nxjerrë të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush i drejton gjërat?” Ata do të thonë “Allahu”. E ti (o Muhamed) thuaj: “Atëherë, përse nuk e keni frikë Atë?” Junus 31. Pra, mushrikët e parë nuk kanë besuar se idhujt e tyre kanë diçka në dorë prej këtyre që janë përmendur në ajet, por kanë thënë se këto i takojnë Allahut.

Nëse ai mendon se “Adhurimi i idhujve është kur dikush synon një dru, apo gurë, apo ndërtesë mbi varr, duke i lutur, duke therë kurban për ta”, për këtë Allahu ka treguar në Kuran, “Kur hipin në anije, ata i luten Allahut me devotshmëri të sinqertë, por kur Ai i sjell në tokë shëndoshë e mirë, menjëherë ata i veshin Atij ortakë (në adhurim)…” Ankebut 65. Këtu po kuptojmë se ata i kanë bërë shirk Allahut në lutje, pra mushrikët e parë kanë lutur idhujt e tyre në vend të Allahut, ndërsa kur kanë hipur në anije i janë drejtuar vetëm Allahut dhe kur janë kthyer në tokë kanë filluar t’iu luten idhujve të tyre përsëri. Pra, kur ata kanë synuar një idhull dhe e kanë lutur, këtë e kanë bërë me një besim, që ka qenë: shpirti i idhullit, i drurit (me imazh të caktuar), zbret aty kur e lusin atë. Ndonjëherë i kanë dhënë imazhin (formën) e yllit, apo planetit, apo të engjëllit, apo të një Pejgamberi, apo të xhindit, apo të një njeriu të devotshëm e të tjerë. Kanë besuar se shpirti i kësaj statuje zbret në momentet e lutjes, e dëgjon atë dhe pastaj ia drejton atë Allahu. Nganjëherë këta idhuj, statuja, kanë folur, mirëpo në realitet ka folur shejtani,[2] dhe ata kanë menduar se po u flet statuja apo idhulli, andaj kanë besuar se kur e lusin shpirti i tij zbret e u flet, dhe se kjo tregon -sipas tyre- se ai u përgjigjet lutjeve të tyre.

-“…pikërisht të njëjtën gjë jeni duke e vepruar ju me gurët apo ndërtesat mbi varre e vende të tjera”- kur shkojnë te ato ndërtesa mbi varre, nuk kanë qasje te varri për shkak të tyre, mirëpo u luten atyre ndërtesave dhe kanë besimin se aty është bereqeti, andaj shkojnë të fërkohen për to dhe kërkojnë bereqetin, edhe pse me zemër synojnë personin e varrosur aty. Njëjtë sikur mushrikët e Mekës, të cilët u luteshin idhujve dhe ndërtesave mbi varre.

Por, nëse tregohet mendjemadh e thotë se nuk besojmë se këta idhuj na furnizojnë, apo na falin mëkatet, apo na shërojnë, apo na largojnë të këqijat, në mënyrë të pavarur prej Allahut, por besojmë se janë vetëm shkaqe për arritjen e këtyre, atëherë i themi se edhe mushrikët e Mekës kanë besuar kështu dhe për këtë janë quajtur jobesimtarë prej Allahut, kanë thënë: “Ne u lutemi atyre vetëm që të na afrojnë tek Allahu”. Zumer 3. Përmes tyre kanë kërkuar afrim dhe ndërmjetësim tek Allahu.

Sa i përket të tretës:

-“ Nëse thotë: “Shirku kufizohet vetëm në adhurimin e idhujve”, atëherë kësaj i kundërpërgjigjet vetë Allahu në Kuran, i Cili i ka llogaritur jobesimtarë ata që u janë lutur engjëjve, u janë mbështetur e kanë kërkuar ndërmjetësim prej tyre, apo e kanë lutur Isain apo njerëzit e mirë”. Nga kjo kuptojmë se shirku nuk qenka i kufizuar vetëm te adhurimi i idhujve. Njerëzit e injorancës para islame nuk kanë adhuruar vetëm një lloj të gjërave, por kanë adhuruar shumë lloje, prej tyre kanë qenë statujat e imazhet, apo varri, gurët e drunjtë, një vend i caktuar, idhuj të gdhendur etj. Atij që thotë se shirku është vetëm në adhurimin e idhujve, e pyesim: “A është adhuruar Isai në vend të Allahut apo jo?” Nëse thotë “Jo”, i themi se në Kuran Allahu na tregon se Isai është adhuruar në vend të Tij, “Pastaj Allahu do të thotë (në Ditën e Gjykimit): “O Isa, i biri i Merjemes! Ti ishe ai që u the njerëzve: “Adhuromëni mua dhe nënën time si zota krahas Allahut?!” Maide 116. Dhe: “Në vend të Allahut, ata kanë zgjedhur për zot rabinët dhe murgjit e tyre, si dhe Mesinë, të birin e Merjemes, ndërkohë që janë urdhëruar të adhurojnë vetëm një Zot, përveç të Cilit nuk ka tjetër që meriton të adhurohet. I lartësuar qoftë Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë (në adhurim)”. Teube 31. Nëse thotë “Po”, atëherë ia kemi arritur qëllimin me pyetjen që ia kemi bërë. Kushdo që thotë se shirku është i kufizuar vetëm në adhurimin ndaj idhujve e statujave, ky është gabim, sepse shirku është më i gjerë.

Autori na mëson se largimi i këtij dyshimi duhet të bëhet me nivele, së pari nëse thotë: “Nuk i bëj shirk Allahut” atëherë ta pyetesh se çfarë është ai. Nëse përgjigjet: “Shirku është adhurimi i idhujve, i statujave”, atëherë ta pyetesh se çfarë është kuptimi i kësaj. Nuk do ta dijë dhe do ta shfajësojë veten me fjalët: “Nuk e adhuroj askënd përveç Allahut të Vetmit”, atëherë ta pyetesh se çfarë është kuptimi i kësaj. Ose, do ta dijë ta shpjegojë sipas Kuranit, mirëpo prapë ka paqartësi. Ai mendon se adhurimi ndaj dikujt tjetër që bëhet tani nuk është i njëjtë që është bërë në kohën e mushkrikëve. Andaj ia sqaron kuptimin e adhurimit ndaj dikujt tjetër, që përmendet në Kuran, dhe në këtë mënyrë i tregon se është i njëjti shirk. Ose, e shpjegon jashtë kuptimit të dhënë në Kuran. Të tillët i atribuohen dijes (edhe pse dija e tyre nuk është e dobishme) dhe sjellin këto dyshime. Andaj, duhet t’ia sjellësh ajetet e qarta për shirkun e kuptimin e tij dhe se ai nuk është vetëm një lloj (këto lloje të shirkut janë përmendur në librin Kitabu teuhid).

-“Allahu nuk i ka llogaritur jobesimtarë ngase u janë lutur engjëjve e Pejgamberëve, por për diçka tjetër: ata kanë mohuar kur kanë thënë se engjëjt janë vajzat e Allahut. Ndërsa ne nuk themi se Abdulkadiri dhe të tjerët të cilët i lusim janë bij të Allahut” – këtu sillet një dyshim tjetër. Këtë e thonë dervishët, sufitë. Abdulkadri el Xheljani është njeriu që ata e madhërojnë, e hyjnizojnë, e adhurojnë në vend të Allahut (në Irak, Pakistan, Indi etj.). Ata thonë se ne nuk besojmë se i Dërguari është bir i Allahut, apo Isa, apo Aliu, apo Bedeviu e AbdulKadiri, por thjeshtë i lusim që ata të ndërmjetësojnë për ne tek Allahu. Por, shirku në Kuran nuk është vetëm nëse beson se dikush është bir i Allahut, apo vajzë e Tij. Shirku i mushrikëve të të gjitha kohërave nuk ka qenë i kufizuar vetëm në këtë. Por, ata kanë besuar se ata të cilët i adhurojnë e meritojnë adhurimin, kanë besuar se dikush tjetër përveç Allahut e meriton adhurimin, është ortak me Atë në adhurim.

-“Allahu nuk ka zgjedhur për Vete ndonjë bir…”- as para e as pas krijimit të krijesave. Allahu thotë: “Thuaju (o Muhamed): “Sikur i Gjithëmëshirshmi të kishte bir, Unë do të isha i pari që do ta adhuroja atë!” Zuhruf 81. Dhe: “Ai as nuk lind, as nuk është i lindur.” Ikhlas 3. Dhe: “Sikur të donte Allahu të merrte një bir, Ai do të zgjidhte kë të pëlqente prej krijesave të Veta. Qoftë i lartësuar Ai nga kjo gjë! Ai është Allahu, i Vetmi dhe Ngadhënjimtari!” Zumer 4.

-“Idhujtarët i shohin xhindet si ortakë të Allahut” – ky është një lloj tjetër i mohimit. Xhindët i kanë adhuruar krahas Allahut, kurse Allahu i ka krijuar xhindët dhe njerëzit.

-“Me padituri, i kanë veshur Atij djem e vajza” – ky lloj tjetër i mohimit gjithashtu.

Si arabët, të krishterët, hebrenjtë dhe të tjerët, nuk janë llogaritur për jobesimtarë vetëm për shkak se kanë besuar se dikush tjetër është bir i Allahut. Të gjithë dijetarët e imamët e fesë islame kanë pajtueshmëri se dalja prej fesë nuk kufizohet vetëm me besimin se Allahu ka djalë apo vajzë.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Keshfu shubuhat.

[1] Ai ka qenë një njeri i mirë, i devotshëm, i cili u ka dhënë ushqim haxhilerëve. Pas vdekjes së tij njerëzit kanë filluar të qëndrojnë me madhërim te varri i tij dhe pastaj e kanë adhuruar në vend të Allahut.

[2] Shejtani imiton zërin e personit, kanë fuqi të shndërrohen në forma të ndryshme, të imitojnë zërin e dikujt, të sjellin gjëra, të ndryshojnë gjëra etj. Këtë ua ka lënë Allahu në mundësinë e tyre dhe me këtë ka dashur t’i sprovojë njerëzit se kush po i pason ata.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit