Faktorët përmirësues të shoqërisë

Ligjëratë e mbajtur nga shejh AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)
www.binbaz.org.sa
Përktheu: Petrit Perçuku

Të gjitha lavd-falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve, dhe përfundimi i lumtur është për të devotshmit. Salati dhe selami më i përsosur e më i plotë qoftë për robin dhe të Dërguarin e Tij, Profetin dhe imamin tonë, Muhamedin, për familjen dhe shokët e tij, si dhe për gjithë ata që ecin shtegut të tij dhe udhëzohen me udhëzimin e tij, deri në Ditën e Gjykimit.

Më tej:
Shoqëria, qoftë islamike apo joislamike, ka nevojë të domosdoshme për përmirësim. Mirëpo, veçanërisht shoqërisë islamike patjetër i nevojitet të ecën shtegut të drejtë dhe t’i marrë parasysh faktorët, shkaqet e metodat përmes të cilave përmirësohet. Të ecën shtegut nëpër të cilin eci njeriu më i mirë, miku i ngushtë i të Gjithëmëshirshmit dhe robi më i zgjedhur i Tij, zotëria ynë Muhamedi (alejhis-salatu ues-selam).

Dihet se faktorët përmes të cilëve përmirësohet shoqëria islamike dhe joislamike janë ata faktorë të cilët i ndërmori imami i të Dërguarve, vula e profetëve Muhamedi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe shokët e tij të ndershëm me në krye katër kalifët e drejtë e të udhëzuar: Ebu Bekër Es-Siddik, Umer El Faruk, Uthman Dhun-Nurejn dhe Ebul Hasen, Alij El Murteda, pastaj të tjerët që ishin me ta prej shokëve të Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), Allahu qoftë i kënaqur ndaj të
gjithëve dhe na bëftë prej atyre që i pasojnë në të mira.

Gjithashtu, është e ditur se Profeti ynë (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) këta faktorë së pari i ndërmori në Mekë e pastaj në Medine, dhe nuk do ta përmirësojë fundin e këtij ummeti veçse ajo që e ka përmirësuar fillimin e tij. Këtë e thanë poseduesit e dijes dhe imanit, në mesin e të cilëve njëri ndër katër imamët, fekihu dhe imami i njohur e më i shquar i Medinës në kohën e tij, Malik bin Enes. Pastaj, dijetarët bashkëkohës të imamit dhe ata pas tij e morën (përcjellën) këtë fjalë nga ai dhe që të gjithë u pajtuan rreth saj (se): “Nuk do ta përmirësojë fundin e këtij ummeti veçse
ajo që e ka përmirësuar fillimin e tij.”

Kuptimi i kësaj thënieje është: ajo që e përmirësoi fillimin e ummetit e që është pasimi i Librit të Allahut dhe i sunetit të të Dërguarit të Tij fisnik (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) është (pikërisht) ajo që e përmirëson fundin e tij, deri në Ditën e Kiametit.

Ai i cili dëshiron përmirësimin e shoqërisë islamike apo përmirësimin e shoqërive tjera në këtë botë me mënyra, metoda dhe faktorë tjerë veç atyre me të cilët u përmirësua fillimi i ummetit, bën gabim dhe thotë diç të pavërtetë. Nuk ka shteg tjetër përveç atij me të cilën u përmirësua fillimi i ummetit. Shtegu i vetëm për përmirësimin e njerëzve dhe drejtimin e tyre në rrugë të drejtë është ai nëpër të cilin eci Profeti ynë (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), shokët e tij të ndershëm dhe pasuesit e tyre në të mirë, deri në ditët tona. Kjo rrugë është përkujdesja ndaj Kuranit madhështor dhe sunetit të të Dërguarit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), thirrja e njerëzve në to, të mësuarit (kuptuarit) e tyre, përhapja e tyre mes njerëzve me dije e largpamësi, dhe qartësimi i asaj në të cilën aludojnë këto dy baza (Kurani dhe suneti) prej dispozitave të akides themelore e të vërtetë (saktë).

Ummeti islamik e ka obligim t’i dijë gjërat e ndaluara dhe kufijtë të cilët i ka caktuar Allahu dhe i Dërguari i Tij, në mënyrë që të ketë kujdes prej tyre dhe të ndalet tek to, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar:

“Këta janë kufijtë e Allahut, prandaj mos iu afroni atyre!” (El Bekareh: 187).

Kufijtë (e Allahut) janë haramet të cilave jemi të ndaluar (nga Allahu) t’u afrohemi përmes kryerjes së mëkateve. Allahu, gjithashtu, ndaloi nga tejkalimi i kufijve të cilët i caktoi për robërit e Tij. Ato janë gjërat prej adhurimeve dhe dispozitave që Ai ua bëri obligim dhe i detyroi me to. Puna e parë të cilën Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) e bëri dhe themeli i parë të cilin e vuri është thirrja e njerëzve në njësimin e Allahut (teuhid) dhe në kryerjen e adhurimit sinqerisht vetëm për Të.

Kjo është puna dhe baza e parë me të cilën foli, thirri dhe eci në të, e që është thirrja e njerëzve në njësimin e Allahut dhe orientimi i tyre drejt detajeve të tij (teuhidit). Fjala e cila aludon në këtë domethënie është la ilahe il-lAll-llah. Kjo (fjalë) është baza e fortë dhe së bashku me të është edhe dëshmia Muhammedun resulull-llah. Këto dy baza dhe themele të rëndësishme janë baza e Islamit dhe e përmirësimit të këtij ummeti. Kush kapet dhe qëndron paluhatshëm në to në vepër, dije, thirrje dhe durim, do t’i përmirësohet gjendja dhe përmes tij Allahu do ta përmirësojë ummetin aq sa janë përpjekja, mundi dhe shkaqet që ai i ndërmerr. Ndërsa, ai i cili i braktis ata (Kuranin dhe sunetin), do të humbasë dhe do të shkatërrohet. Kur Allahu e dërgoi Profetin e Tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe e zbriti Kuranin, gjëja e parë që ia shpalli ishte (kaptina El ‘Alek) “Lexo”, pastaj kaptina El Muddeththir. Atëherë, Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) filloi t’ua tërhiqte vërejtjen njerëzve, t’i thërriste në njësimin e Allahut (teuhid) dhe t’i paralajmëronte nga zemërimi i Tij. Ai u thoshte:
“O populli im, thoni: ‘la ilahe il-lAll-llah’ që të shpëtoni.”

Me të dëgjuar këtë fjalë, idhujtarët u treguan mendjemëdhenj dhe e kundërshtuan, sepse ishte një gjë e pazakontë për ta dhe një gjë që nuk e kishin gjetur tek pararendësit e tyre. Për këtë ata e kundërshtuan dhe, kur u urdhëruan për të, thanë:

“A mos kërkon ai (Muhamedi) që të gjithë të adhuruarit t’i bëjë një të adhuruar të Vetëm? Vërtet që kjo është një gjë e çuditshme!” (Sad: 5).

Po ashtu, thanë:
“Dhe thoshin: “Vallë, a t’i braktisim hyjnitë tona për shkak të një poeti të marrë?” (Es-Saffat: 36).

Dhe, para këtyre, fjala e Më të Lartit:
“Kur u thuhej atyre: “Nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Allahut (la ilahe illAll-llah)!”, ata tregoheshin mendjemëdhenj.” (Es-Saffat: 35).

Atëherë, Allahu iu kundërpërgjigj atyre me fjalën e Tij:

“Nuk është ashtu (siç thonë ata), por ai (Muhamedi) ka sjellë të vërtetën dhe ka pohuar atë që thoshin të Dërguarit e mëparshëm.” (Es-Saffat: 37).

Për shkak të shkujdesjes së shumicës së dijetarëve, nxënësve të dijes dhe të shquarve nga ithtarët e Islamit, të cilët e mësuan (kuptuan) njësimin e Allahut (teuhidin), pra, për shkak të shkujdesjes së tyre ndaj kësaj baze të rëndësishme, në shumë vende u përhap shirku, u adhuruan varrezat dhe banorët e tyre krahas Allahut, dhe për to u kryen shumë prej adhurimeve që duhen të jenë vetëm për Të. Kështu, sheh njeri duke iu lutur banorit të varrit, tjetri kërkon shpëtim prej tij, një tjetër i zotohet atij, dikush tjetër kërkon ndihmë prej tij. Kjo është e njëjtë me atë që bënin Kurejshët dhe të tjerët në kohën e injorancës me Uzzën, dhe të tjerët pos tyre me Latën, me Menatën dhe me idhujt e tjerë. E njëjtë me atë që bëjnë idhujtarët e çdo kohe me idhujt e tyre në përnderim, lutje, kërkim shpëtimi, bekimi, ndihme dhe në fërkim për to.

Kjo është prej intrigave dhe kurtheve të shejtanit. Vërtet, ai është më i përkushtuari nga të gjithë që t’ua prishë njerëzve akiden dhe fenë e tyre dhe t’i largojë nga to me çfarëdo lloj metode.

Andaj është obligim mbi nxënësit e dijes, të cilët, pas Allahut të Madhërishëm, janë shpresa e ummetit në udhëheqjen e së ardhmes dhe burrat e së nesërmes, pavarësisht se nga cili universitet kanë diplomuar, që të drejtojnë gjërat me urtësi, me sinqeritet e vërtetësi, që të kujdesen për bazën (e fesë) dhe të njohin faktorin e vetëm madhështor, i cili është boshti i gjërave dhe të cilin e pason çdo gjë tjetër, e që është përkujdesja ndaj njësimit të Allahut (teuhidit), sinqeritetit ndaj Tij dhe përkujdesja ndaj besimit në Muhamedin (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, që domethënë) se ai është i Dërguar i vërtetë nga Allahu, se është obligim ndjekja e tij dhe ecja sipas metodologjisë së tij. Gjithashtu, (përkujdesja ndaj asaj) se shokët e tij janë pjesëtarët më të mirë dhe më me vlerë të ummetit, andaj patjetër duhet të kemi mendim të mirë për ta, të besojmë në drejtësinë (besnikërinë) e tyre, në atë se ata janë më të mirët e ummetit pas të Dërguarit të Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sellem) dhe janë bartësit e Kuranit dhe të sunetit. Për këtë, duhet të ecim metodologjisë së tyre, të lusim Allahun që të jetë i kënaqur me të gjithë ata dhe të besojmë se sahabët janë njerëzit më të mirë dhe më me vlerë pas profetëve, ashtu siç është saktësuar në dy Sahihat nga Abdullah bin Mes’udi (radijAll-llahu anhu) se Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Njerëzit më të mirë janë shekulli im, pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre.”

Ka edhe hadithe tjera të cilat aludojnë për një gjë të tillë. Pra, shokët e Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) janë njerëzit më të mirë, njerëzit më me vlerë pas profetëve dhe në tërë këtë (mirësi/vlerë) janë në nivele.

Më të mirët ndër ta janë (katër) kalifët e drejtë, pastaj pjesa tjetër e të dhjetëve, për të cilët është dëshmuar (nga Profeti) se do të jenë prej banorëve të Xhenetit. Pastaj vijnë të tjerët sipas gradave, dijës dhe vlerës së tyre.

Pra, duhet të kujdesemi për këtë bazë (parim), t’i thërrasim njerëzit drejt teuhidit të Allahut, drejt kryerjes së adhurimit sinqerisht vetëm për Të dhe t’u tregojmë që të mos tejkalojnë kufijtë ndaj varreve, profetëve, evliave, të mos adhurojnë krahas Allahut dhe të mos bëjnë për ta ndonjë prej adhurimeve si: lutja, frika, shpresa apo të ngjashme me këto.

Gjithashtu, është obligim mbi nxënësin e dijes përnderimi i urdhrit dhe ndalimit të Allahut dhe që frika ndaj Tij t’i zërë vend në zemër mbi çdo gjë tjetër, dhe të mos mbajë gajle për atë që përhapin shpifarakët kundër të vërtetës dhe pasuesve të saj. Pastaj, në tërë këtë të ketë besim të paluhatshëm në Allahun dhe të jetë i bindur në premtimin e Allahut dhënë të Dërguarit të Tij, Muhamedit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) si dhe gjithë profetëve të tjerë, ashtu siç thotë në fjalën e Tij:

“Mohuesit u thanë të dërguarve të tyre: “Ne do t’ju dëbojmë nga vendi ynë ose do të ktheheni në fenë tonë!” Atëherë, Zoti u shpalli (të dërguarve të Vet): “Ne do t’i zhdukim keqbërësit e, pas tyre, do t’ju vendosim në tokën e tyre. Kjo është për ata që kanë frikë nga qëndrimi para Meje (për gjykim) dhe i tremben premtimit (dënimit) Tim.” (Ibrahim: 13-14).

Andaj, nxënësi i dijes, dijetari dhe çdo udhëheqës largpamës nuk merakoset për shpifjet e adhuruesve të varrezave, as për shpifjet e heretikëve dhe as për shpifjet e atyre që e armiqësojnë Islamin nga cilido lloj qofshin, por qëndron i paluhatshëm në mejdan, duron, e lidh zemrën e tij tek Allahu, frikohet nga Ai dhe shpreson në ndihmën e Tij, sepse padyshim që Ai është Ndihmuesi dhe Mbrojtësi. Allahu ka premtuar se do t’i ndihmojë ata që e ndihmojnë Atë dhe ka thënë:

“O besimtarë, nëse e ndihmoni Allahun (çështjen e Tij), edhe Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja.” (Muhammed: 7).

Dhe Allahu i Patëmeta thotë:
“Është detyra Jonë që t’i ndihmojmë besimtarët.” (Er-Rum: 47).

Mirëpo, (ndihma e Allahut vjen) me kusht që të kapemi fort për fenë e Allahut, për besimin në Të dhe në të Dërguarin (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) si dhe të qëndrojmë paluhatshëm në fenë e Tij. Ky është shkaku dhe kushti për ndihmën e Allahut ndaj nesh, ashtu siç thotë i Madhërishmi:

“Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm. Ata të cilëve, nëse u japim pushtet në tokë, kryejnë faljet, japin zeqatin, urdhërojnë kryerjen e veprave të mira dhe pengojnë atë që është e mbrapshtë…” (El Haxhxh: 40-41).

Ndërsa, në një varg tjetër, i Lartësuari thotë:

“Allahu u ka premtuar atyre prej jush që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe do t’ua sigurojë fuqinë për të zbatuar e përmbushur fenë e tyre, të cilën Ai e ka zgjedhur për ta (Islamin), dhe padyshim që frikën do t’ua shndërrojë në siguri, (me kusht që) këta besimtarë të më adhurojnë vetëm Mua dhe të mos
më shoqërojnë asgjë…” (En- Nur: 55).

Pra, ky është premtimi i Allahut për këdo që qëndron paluhatshëm në besim, udhëzim dhe në vepër të mirë: Allahu do ta bëjë mëkëmbës në Tokë, do t’ia japë fuqinë për të zbatuar e përmbushur fenë e tij, do ta sigurojë dhe ruaj nga e keqja e armiqve, nga kurthet e tyre dhe do ta ndihmojë kundër tyre. Prej realizimit të dëshmisë “Muhammedun resulull-llah” është përnderimi i sunetit të Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), thirrja tek ai, zbatimi i objektivave të tij, paralajmërimi nga e kundërta e tij dhe shpjegimi i vargjeve të Kuranit fisnik, të cilat mund të jenë të paqarta përmes tij (sunetit). Sepse Kurani shpjegohet dhe qartësohet me anë të sunetit. Pra, suneti e qartëson dhe e sqaron Kuranin, aludon në të dhe shprehet për të, ashtu siç thotë Allahu i Madhërishëm:

“Ty (o Muhamed) të zbritëm Përkujtesën (Kuranin/sunetin), me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë.” (En-Nahl: 44).

Prej kësaj baze madhështore duhet të jetë pikënisja e thirrësve të sinqertë e përmirësues në Tokë, të cilët dëshirojnë të marrin përsipër përmirësimin e shoqërisë dhe dëshirojnë dërgimin e saj në barkën e shpëtimit, drejt bregut të sigurt, në mënyrë që ky përmirësim të jetë i bazuar në faktorin më madhor: sinqeritetin ndaj Allahut në adhurim dhe besimin në të Dërguarin (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), përnderimin e urdhrit dhe ndalimit të tij përmes ndjekjes së sheriatit me të cilin ka ardhur ai dhe kujdesit ndaj çdo gjëje që e kundërshton atë. Pastaj, (thirrësi) shikon faktorët tjerë, të cilët e pasojnë këtë bazë. Kështu, ai thërret drejt zbatimit të obligimeve, si: namazi, zekati, agjërimi, haxhi etj., dhe ndalon nga haramet, si: shirku dhe mëkatet e mosbindjet më të vogla se ai. Thërret tek Allahu dhe nxiton në përmirësimin midis njerëzve përmes urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e mbrapshta.

Pra, ai përpiqet skajshmërisht të përhapë (vendos) fenë e Allahut në tokën e Tij dhe që njerëzit t’i braktisin haramet, të ndalën tek kufijtë e Tij dhe të kenë kujdes nga bidatet në fe. Kështu duhet të jetë përmirësuesi i suksesshëm. Ai i ndërmerr faktorët (përmirësues) një nga një, duke i kushtuar vëmendje themelit të fortë e që është realizimi i dëshmisë la ilahe il-lAll-llah, Muhammedun resulull-llah në dije dhe në vepër. Ai ua mëson atë njerëzve dhe vepron me të në vetën e tij. Kështu, ai e njëson Allahun, e veçon Atë me adhurim dhe i dorëzohet sheriatit të Tij duke e pasuar të Dërguarin, Muhamedin (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem); e pranon sunetin dhe përnderon atë ashtu siç e përnderonin sahabët; ecë shtegut dhe kërkesave të tij së bashku me Librin e Allahut, ashtu siç ecën sahabët. Vërtet që sahabët e kishin marrë dijen e tyre nga Libri i Allahut dhe nga suneti i të Dërguarit të Tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Ata nuk kishin libra tjerë. Librat kanë ardhur pas tyre.

Sa i përket mënyrës së jetës dhe veprave të sahabëve e tabi’inëve, ato ishin të nxjerra nga Kurani madhështor dhe gjithashtu nga suneti. Ata përsiatnin mbi të dhe e lexonin duke pasur qëllim të mirën: dijen, dobinë dhe të vepruarit. Gjithashtu, e studionin dhe e mësonin përmendsh sunetin dhe prej tij merrnin dije dhe vepër. Kështu ishin sahabët e të Dërguarit të Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe tabi’inët (pasuesit) e tyre në të mira, para se të ekzistonin librat e Hadithit apo librat e tjerë.

Andaj, mundohu ta gjesh veten në mesin e tyre dhe nxirr nga libri i Allahut, nga suneti i të Dërguarit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe nga fjalët e dijetarëve atë që të ndihmon në kuptimin e librit të Allahut dhe të sunetit. Përkushtohu në mësimin dhe kuptimin e fesë, në mënyrë që të mundesh të drejtosh shoqërinë në rrugën e drejtë dhe në mënyrë që të dish se si të duhet të veprosh. Andaj, së pari fillon me veten tënde dhe përpiqesh në përmirësimin e sjelljes dhe garës sate drejt çdo të mire. Kështu, ji së bashku me të parët në namaz dhe në çdo të mirë.

Gjithashtu, ji prej me të largëtëve nga çdo e keqe. Zbatoje Librin e Allahut dhe sunetin e të Dërguarit të Tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) në punët dhe në fjalët e tua, së bashku me shokët, vëllezërit dhe përkrahësit tu. Kështu duhet të jetë besimtari. Kështu ishin sahabët (radijAll-llahu anhum), tabi’inët, etbau’t-tabi’inët, përmirësuesit dhe imamët e udhëzimit. Ata e studionin Librin e Allahut, punonin me të, ua lexonin e mësonin atë njerëzve dhe i orientonin ata drejt kuptimeve të tij. Njëkohësisht ua mësonin sunetin dhe i nxisnin që të kapeshin për të dhe ta mësonin mirë. I porositnin për përnderimin e urdhrave, ndalimeve, për ndaljen tek kufijtë e caktuar nga Allahu dhe i Dërguari i Tij (sal-All-llahu alejhi ue sel-lem) sa të ishin gjallë në këtë botë.

Çdo faktor prej faktorëve përmirësues kërkon sinqeritet dhe vërtetësi. Kështu, thirrja në njësimin e Allahut (teuhid) ka nevojë për sinqeritet, për vërtetësi dhe (ka nevojë) për qartësimin e la ilahe il-lAll-llah dhe se kuptimi i saj është: nuk ka të adhuruar me të drejtë, përveç Allahut, dhe se patjetër duhet të kihet kujdes nga shirku në tërësi, i madhu e i vogli dhe të paralajmërohen njerëzit prej tij, ashtu siç bëri i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe shokët e tij
(radijAllahu anhum ue erdahum). Përmes përsiatjes mbi Kuranin madhështor, bëhet shumë e qartë kjo çështje (që u cek deri më tani).

Gjithashtu, duhet të përnderohet suneti dhe të thirren njerëzit drejt tij, pas besimit se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, t’u tregohet atyre se është obligim pasimi i tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe se Allahu e dërgoi për të gjithë njerëzit, arabët dhe joarabët, xhinët dhe njerëzit, meshkujt dhe femrat, andaj që të gjithë banorët e Tokës duhet patjetër ta pasojnë atë, ashtu siç thotë Allahu i Patëmeta:

“Thuaj (o Muhamed): “O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju, i Atij që i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Atij; Ai jep jetë dhe vdekje, prandaj besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, Profetin që nuk di shkrim e lexim e që beson në Allahun dhe Fjalët e Tij! Shkoni pas Tij, që të jeni në rrugën e drejtë!” (El A’raf: 158).

Ndërsa, para këtij vargu Allahu tha:

“Prandaj, ata që do ta besojnë (Muhamedin), përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.” (El A’raf: 157).

Andaj, ai që e ndjek atë, e përnderon urdhrin dhe ndalimin e tij, është i fituar, ndërsa kush ia kthen kurrizin dhe e pason epshin e shejtanin, është i humbur dhe i shkatërruar – ue la haule ue la kuwwete il-la bil-lah -.

Faktorët (përmirësues) shtohen sipas asaj drejt secilës thërret apo asaj nga e cila ndalon. Kështu, përpiqu në zgjedhjen e faktorit përmes të cilit qëndron faktori sheriatik, bazën e të cilit e ke të njohur dhe gjithashtu e ke të njohur mënyrën e nxjerrjes së tij nga Libri i Allahut dhe nga suneti i të Dërguarit të Tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Pra, ti i thërret njerëzit drejt fesë së Allahut, drejt zbatimit të obligimeve dhe lënies së mëkateve sipas metodës të cilën e praktikoi i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem).

Faktorët dhe shoqëritë ndryshojnë, prandaj shoqëria e cila e lufton fenë dhe në të cilën s’ka udhëheqës që do të të ndihmonte për përmirësimin dhe orientimin e njerëzve, aty (në atë shoqëri) vepron ashtu siç veproi i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) në Mekë. (Pra) thërret për tek Allahu me metodë të mirë, me fjalët të buta e të këndshme, derisa ajo që predikon të hyjë në zemra dhe të ndikohen njerëzit përmes saj, e në këtë mënyrë zemrat të joshen drejt bindjes ndaj Allahut dhe njësimit (teuhidit) të Tij. Ndihmohu me vëllezërit e tu dhe me ata që ecin shtegut tënd në thirrjen e njerëzve dhe udhëzimin e tyre me metoda të buta në vendet ku mund të prezantosh, ashtu që ky besim (islam) të zërë vend në zemra dhe të përhapet mes njerëzve përmes argumenteve të tij të qarta.

Në tërë këtë duhet të ecësh rrugës së drejtë duke përdorur butësinë, urtësinë dhe durimin, ashti siç thotë i Madhërishmi:
“Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.” (El ‘Asr: 1-3).

Patjetër duhet të ketë durim, këshillim të ndërsjellë për të vërtetën dhe thirrje tek ajo, në mënyrë që të kesh sukses në detyrën tënde. Gjithashtu, përgjegjësit dhe njerëzit me pozitë nga sherri i të cilëve frikohemi për davetin, këshillohen me metodë të mirë, u tregohet rruga e drejtë dhe thirren drejt saj përmes shkrimit apo gojarisht nga dijetarët e shquar, burrat, udhëheqësit dhe prijësit e ummetit. Ashtu siç thotë Allahu:

“Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje.” (Al ‘Imran: 159).

Dhe ashtu siç i tha Allahu Musës dhe Harunit (alejhimes-selam) kur i dërgoi tek Faraoni:

“Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet!” (TÂ HÂ: 44).

Andaj, është obligim mbi përmirësuesit dhe thirrësit që të ecin kësaj rruge, t’i trajtojnë problemet e shoqërisë me urtësi e këshillë të bukur dhe t’i flasin çdo njeriu me metodën e duhur për të, në mënyrë që të kenë sukses thirrja dhe të arrijnë synimin e tyre.

Gjithashtu, thirrësi për tek Allahu dhe ai që lakmon në përmirësimin e të tjerëve, përveç dy faktorëve të parë (që u cekën), duhet t’u kushtojë vëmendje edhe dy faktorëve të tjerë: këshillimit dhe porosisë së ndërsjellë për të vërtetën, me vëllezërit dhe shokët e tij si dhe me njerëzit autoritar të shoqërisë dhe udhëheqësit e saj. Po ashtu, duhet t’i kushtojë vëmendje faktorit tjetër: durimit ndaj shqetësimeve (fyerjeve/dëmeve) të shkaktuara, qoftë nga ai me pozitë apo dikush tjetër, gjithmonë duke e zbatuar atë në të cilën aludon kaptina e lartcekur (El ‘Asr) dhe duke e ndjekur shembullin e profetëve fisnik (alejhimus-salatu ues-selam), siç i thotë Allahu i Lartësuar Profetit të Tij, Muhamedit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) në fund të kaptinës El Ahkaf, e cila ka zbritur në Mekë:

“Prandaj, ti bëhu i durueshëm (o Muhamed) ashtu siç kanë duruar me këmbëngulje të Dërguarit e vendosur dhe mos kërko shpejtimin e dënimit për ata!” (El Ahkaf: 35).

Dhe thotë në kaptinën Al ‘Imran, e cila ka zbritur në Medine:

“Ju, me siguri, do të sprovoheni në pasurinë e në jetën tuaj dhe do të dëgjoni shumë fyerje nga popujt që u është dhënë Libri para jush, si dhe nga paganët. Por, nëse ju duroni dhe ruheni (nga të këqijat), atëherë kjo vërtet është përcaktuese e çështjeve.” (Al ‘Imran: 186).

Gjithashtu, pasi që Allahu në këtë kaptinë ndaloi të merren idhujtarët për miq dhe këshilltarë të afërt, tha:

“…por, nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak. Vërtet, Allahu është Rrethues për çdo gjë që punojnë ata.” (Al ‘Imran: 120).

Allahu i Patëmeta, në fund të kapinës En-Nahl, e cila po ashtu ka zbritur në Medine, thotë:

“Prandaj duro! Durimi yt është vetëm me ndihmën e Allahut. Dhe mos u pikëllo për ta e mos u ngushto, për shkak të dredhive të tyre! Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë bamirës.” (En-Nahl: 127-128).

Janë të shumta vargjet që flasin rreth kësaj tematike. Çdo thirrës dhe përmirësues që ecë rrugës së profetëve, do të ketë sukses në thirrjen (davetin) e tij, do të ngadhënjejë me përfundim të lavdishëm dhe me ndihmë ndaj kundërshtarëve. Kushdo që gjurmon rreth kësaj dhe studion jetëshkrimin e përmirësuesve, do të dijë një gjë të tillë dhe se ajo patjetër do të realizohet. Andaj, e lus Allahun me Emrat e Tij të Bukur dhe Cilësitë e Tij të larta, që t’i përmirësojë gjendjet e myslimanëve, t’u dhurojë të kuptuarit e fesë, t’u japë sukses udhëheqëseve të tyre drejt çdo të mire dhe t’ua përmirësojë këshilltarët e afërt. E lus Allahun t’i ruajë të gjithë myslimanët, kudo qofshin ata, nga sprovat lajthitëse dhe nga bindja ndaj epshit e shejtanit. Vërtet, Ai është Poseduesi i një gjëje të tillë dhe ka fuqinë për të bërë atë!

O Allah, dërgo salate dhe selame mbi Profetin tonë, Muhamedin, mbi familjen dhe mbarë shokët e tij!

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit