Fikh i fitneve (sprovave) – pjesa e dytë

Ligjëratë e mbajtur nga shejh Sulejman Er-Ruhajlij (Allahu e ruajt)

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), së bashku me sqarimin e numrit të madh të fitneve që do të ndodhin, sqaroi edhe rrugën e qartë dhe shtegun e sigurt në të cilin, kushdo që ecë, do të jetë i shpëtuar dhe në gjendjen më të mirë.

Selefët (gjeneratat e para të myslimanëve) i kushtuan rëndësi të veçantë përcaktimit dhe sqarimit të kësaj rruge dhe qartësuan se, nuk ka shpëtim për ummetin e as për besimtarin si dhe dalje nga fitnet veçse përmes ecjes përgjatë saj me mirësinë e Allahut të Lartësuar. Njohja e kësaj rruge ishte ajo çfarë kishim për qëllim me (temën): “Fikh i fitneve (sprovave)”.

Kushdo që e bart këtë fikh (dije), punon me të dhe e mëson atë, me lejen e Allahut, shpëton nga të qenët shkak në përhapjen e fitnes apo në bërjen e të tjerëve të bien në të. Po ashtu, shpëton që të jetë vetë prej pjesëmarrësve në të apo që, Allahu na ruajt, t’i errësohet zemra me fitne dhe në fitne dhe kështu të mos e dijë të vërtetën. Përkundrazi, ai që e mëson këtë dije, është i bindur rreth të vërtetës dhe i jepet sukses drejt njohjes së saj; është me zemër të ndriçuar dhe në rrugë të drejtë. Kjo ngaqë ai ka ecur rrugës të cilën e sqaroi Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Për këtë arsye, dijetarët kanë thënë se: prej dijeve më fisnike është që njeriu të mësojë fikhun e fitneve; pra, si t’i trajtojë ato.

Dihet fare mirë se ne jetojmë në një kohë në të cilën janë shpeshtuar fitnet dhe është rritur injoranca e njerëzve lidhur me fikhun e fitneve. Kjo ka bërë që shumë ndër të rinjtë dhe vëllezërit tanë të bien në fitne dhe të jenë ndezës të tyre. Ndërsa, disa të rinj, në të cilët shpresohet hajri, u bënë udhëheqës të fitneve dhe i udhëzuan të tjerët drejt tyre. Kështu, shumë nga të rinjtë tanë nuk e dinë se ku është shpëtimi dhe nga t’ia mbajnë, derisa të bëhen prej atyre që janë fundosur në fitne, dhe, edhe nëse shpëtojnë prej tyre, prapëseprapë, do të jenë të prekur nga to.

Për këtë arsye, o vëllezër, dija rreth fitneve është një dije fisnike, ngaqë myslimanit ia sqaron rrugën e shpëtimit para se të bie në fitne.

Disa prej selefëve kanë thënë: “Kur të vijë fitneja, atë e njohin dijetarët ndërsa në të zhyten njerëzit e rëndomtë, dhe nuk e njohin atë vetëm se pasi të ikën.” Përse? Sepse, kur fitneja të vijë, zbukurohet. Ajo zbukurohet me xhelozi ndaj fesë dhe me urdhërim për të mirë, dhe njerëzit mendojnë se ky njeri nuk i trembet askujt për çështjen e Allahut. Kështu, fitneja zbukurohet dhe mashtron, mirëpo, në momentin kur dështon, zbulohet dhe pikërisht atëherë e njohin njerëzit e rëndomtë. Ky është shpjegimi i Mutarrif bin Abdullah, i cili kishte thënë: “Vërtet, kur fitneja vjen, është e paqartë; kur të largohet, bëhet e qartë.” Ndërsa, Hasen El-Basriu kishte thënë: “Kur fitneja të vijë, atë e njeh çdo dijetar, ndërsa, kur të largohet, atë e njeh çdo injorant.”

Sa e bukur dhe sa madhështore në aludimin e saj është një fjali e shkurtër e dijetarëve të cilët, kur shprehen rreth fitnes, thonë: “Në fillim fitneja mashtron dhe ndodh që edhe gëzon. Mirëpo, fundi i saj është i hidhët.” Në fillim, fitneja e mashtron atë që nuk ka fikh (njohuri) rreth saj dhe ndodh që edhe e gëzon. Mirëpo, përfundimi i saj për të, për shoqërinë dhe për popullin ku jeton patjetër se do të jetë e hidhët dhe assesi s’ka mundësi të dalë diçka e mirë prej saj.

Çështja më e rrezikshme në këtë është kur fitneja u bëhet e paqartë nxënësve të dijes, të cilët i mësojnë njerëzit dhe mbajnë hutbe dhe nga të cilët pritet të jenë pishtarë ndriçues për ummetin dhe të jenë prej atyre që myslimanëve ua tregojnë të mirën.

Ka nxënës dije që e kanë të paqartë çështjen e fitneve dhe atë për shkak të paqëndrueshmërisë (papjekurisë) së tyre në dije. Kështu, ata flasin rreth fitneve dhe nuk ndreqin asgjë; përkundrazi, vetëm prishin. Ata nuk kapen pas fikhut të fitneve dhe nuk u referohen dijetarëve, gjë që shumicën e masës së rëndomtë të njerëzve, edhe nëse nuk i hedh në fitne dhe në zjarrin e përflakur të saj, prapëseprapë, i lë në mëdyshje.

Është e ditur se dy lloje njerëzish e përhapin fitnen në masën e gjerë të njerëzve:

  1. Ai që ka qëllim të mirë, mirëpo nuk ka njohuri dhe është i paqëndrueshëm në dije. Pra, ai qëllimin dhe zemrën e ka të mirë, por është i paqëndrueshëm në dije.

  2. Ai që e ka qëllimin e keq dhe që nuk ua do të mirën muslimanëve.

Ndodh që i dyti ta shfrytëzojë të parin për të arritur synimin e tij. Për këtë shkak, armiqtë e Islamit i shfrytëzojnë disa nga të rinjtë e tij për të prishur fenë, gjithmonë në emër të fesë dhe të kapjes pas saj.

Sa e sa të rinj tanë kemi parë që janë futur në fitne dhe ata që i kurthuan në to ishin njerëz të këqij. Unë personalisht, kur i kam këshilluar disa të rinj me mendime të devijuara, gjeta se, në fillim të rrëshqitjes së tyre drejt fitnes, ata ishin mbështetur në disa vendime të dyshimta që disa vende joislame kishin përmendur për disa vende islame. Ata thoshin: “Filan shteti (jobesimtar) ka përmendur vendimin e filan shtetit (mysliman) se ai (shtet) ka kërkuar ndihmë kundër myslimanëve në këtë e në atë çështje.” Pa dyshim se këto gjëra u futen tinëzisht të rinjve, në mënyrë që t’i hedhin në fitne.

Për këtë arsye, o vëllezër, desha të përmend diçka nga fikhu i fitneve dhe maturinë në këtë.

Në një porosi të tijën, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i ka përmbledhur parimet më madhështore të fitneve. Sa madhështore është porosia, kur vjen nga dikush që e do! E, si qëndron puna, kur porosia të jetë nga njeriu që e do më së shumti, kur porosia të jetë nga njeriu që e do më shumë se veten tënde dhe të gjithë njerëzit tjerë, kur të jetë nga ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) për të cilin e di së është i butë e plot mëshirë?

Cilat ishin fjalët e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), kur ai u mbajti shokëve të tij një këshillë të përkryer nga e cila u drodhën zemrat dhe lotuan sytë, e ata i thanë: “O i Dërguar i Allahut! Duket se kjo është një këshillë e atij që do të largohet (nga kjo botë), andaj porositna!”. Çfarë u tha? Ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) u tha: “Ju porosis me frikë ndaj Allahut, me dëgjim e bindje, edhe nëse udhëhiqeni nga një rob. Sepse, ai që do të jetojë më gjatë prej jush, do të shohë kundërshti të shumta. Mirëpo, ju ndiqeni sunetin tim si dhe sunetin e kalifëve të drejtë e të udhëzuar. Kapuni fort për të dhe kafshojeni atë me dhëmballë. Dhe kini kujdes nga gjërat e shpikura, sepse, çdo gjë e shpikur, është bidat; çdo bidat është humbje, dhe çdo humbje është në zjarr.”

Pra, këto tri parime janë bazat më të mëdha të fikhut të fitneve.

  1. Frika ndaj Allahut.

  2. Dëgjimi dhe bindja ndaj atyre që Allahu u ka dhënë pushtet mbi ne dhe qëndrimi pas xhematit të myslimanëve dhe imamit të tyre.

  3. Të kapurit pas sunetit dhe kujdesi nga bidatet.

Vijon…

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit