Fikh i fitneve (sprovave) – pjesa e tretë

Ligjëratë e mbajtur nga shejh Sulejman Er-Ruhajlij (Allahu e ruajt)

 

Parimi i parë: Frika ndaj Allahut.

La ilahe il-lAllah. Sa madhështore që është kjo fjali! Është e pakët në fjalë, mirëpo me kuptim madhështor. S’ka të mirë të kësaj apo botës tjetër veçse është nën flamurin e frikës ndaj Allahut. Mirëpo, o vëllezër, qëllimi im këtu është të flas rreth lidhjes midis frikës ndaj Allahut dhe shpëtimit nga fitnet.

Allahu i Lartësuar thotë: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi).” (Et-Talak, 2). Ibën Abbasi (radijAllahu anhuma), duke e shpjeguar këtë ajet, thotë: “Do t’i gjejë rrugëdalje nga çdo vështirësi në dynja dhe në Ahiret.” Pra, atij që i frikësohet Allahut në mënyrë të mirëfilltë, Ai do t’i gjejë rrugëdalje nga vështirësitë, dhe këtu hyjnë edhe vështirësitë e fitneve.

Frika ndaj Allahut (të ruajturit nga Allahu) është të punosh me bindje ndaj Allahut sipas dritës së Allahut, duke shpresuar shpërblimin e Allahut. Dhe të largohesh nga mosbindja ndaj Allahut sipas dritës së Allahut, duke u frikuar nga ndëshkimi i Allahut.

Po jua sjell një shembull të vetëm, përmes të cilit do të sqaroj sesi frika ndaj Allahut të Madhërishëm e nxjerrë njeriun nga fitnet. Të marrim si shembull fitnen e tekfir-it dhe lëshimin e gjuhës në bërjen e myslimanëve jobesimtarë, qofshin ata elitë, si udhëheqësit e dijetarët, qofshin njerëz të rëndomtë.

Kur myslimani të ketë frikë Allahun lidhur me vëllezërit e tij dhe të ketë frikë Atë lidhur me gjuhën e tij, atëherë kjo, me lejen e Allahut, e ndihmon atë të shpëtojë nga kjo fitne e madhe. Kur myslimani të dëgjojë se vëllai i tij, qoftë udhëheqës apo një individ nga shoqëria, ka folur fjalë kufri apo ka bërë kufër me vepër, ai nuk gëzohet me këtë fjalë e ta përhapë e shfaqë atë; përkundrazi, ai i frikësohet Allahut lidhur me vëllanë e tij. Kështu, së pari, ai sigurohet mirë se a ka dalë njëmend prej atij njeriu kjo vepër apo thënie? Në këtë çështje janë tri gjendje:

– Të vërtetohet se vepra/fjala nuk kanë rrjedhur prej tij.

– Të ketë vend për dyshime.

– Të vërtetohet se vepra/fjala kanë rrjedhur prej tij.

Nëse vërtetohet se vepra/fjala nuk kanë rrjedhur prej tij, atëherë ai thotë: “Falënderimi qoftë për Allahun, i Cili e shpëtoi vëllanë tim nga kjo çështje e rrezikshme!”, dhe njëkohësisht i gëzohet kësaj.

E, nëse dyshon, atëherë, sipas parimit bazë, myslimani është në Islam dhe, kur të vijë dyshimi, çështja kthehet në origjinë, dhe thuhet: “Origjina e tij tregon se ai nuk e ka thënë këtë fjalë apo bërë këtë vepër.”

Mirë, nëse vërtetohet se ai e ka thënë atë fjalë apo bërë atë vepër, a duhet të nxitohet në bërjen e tij jobesimtar? Përgjigja është: jo. Përkundrazi, ai i frikësohet Allahut lidhur me vëllanë e tij dhe fenë e tij. Kështu, ai këqyr se kjo fjalë apo vepër a konsiderohet tek dijetarët si një gjë që e nxjerrë njeriun nga feja? Sepse jo çdo gjë për të cilën njerëzit thonë se nxjerrë nga feja njëmend është e tillë. Por, patjetër duhet t’u kthehemi fjalëve të dijetarëve rreth kësaj çështjeje. E, nëse dijetarët thonë se kjo vepër/fjalë nuk e nxjerrë njeriun nga feja, atëherë ai thotë: “Falënderimi qoftë për Allahun, i Cili nuk bëri që vëllai im të binte në kufër.” E, nëse vërtetohet (nga fjalët e dijetarëve) se ajo vepër/fjalë e nxjerrë nga feja, a duhet të nxitojë në bërjen e vëllait të tij jobesimtar? Jo, por kapet pas frikës ndaj Allahut lidhur me vëllanë e tij dhe fenë e tij, dhe këqyr se a mblidhen kushtet dhe a largohen pengesat tek vëllai i tij që e bën këtë vepër apo thotë këtë fjalë që nxjerrë nga feja? Nëse vëren se kushtet nuk përmbushen tek ai dhe se, po ashtu, ekzistojnë edhe pengesa, atëherë ai duhet të ketë frikë Allahun dhe të mos e bëjë atë jobesimtar. Përse? Sepse dijetarët thonë: “Ka dallim mes cilësimit të veprës si kufër dhe cilësimit të vepruesit (të saj) si jobesimtar.” Pra, ndodh që vepra të cilësohet si kufër, mirëpo vepruesi i saj nuk cilësohet si jobesimtar, dhe atë për shkak të ekzistimit të ndonjë pengese.

Kjo ka shembuj të shumtë, por ne do të përmendim një apo dy sosh. Për shembull, ngjarja e atij që kishte jetuar tek popujt para nesh dhe i cili i kishte bërë padrejtësi vetes dhe i kishte kaluar kufijtë në bërjen e mëkateve. Kur i erdhi vdekja, çfarë tha? Ai u tha bijve të vet: “Kur të vdes, më digjni, pastaj më bëni pluhur, pastaj më shpërndani në ajër.” Përse? Ai tha: “Se, pasha Allahun, nëse Allahu më kap, do të më dënojë ashtu siç nuk ka dënuar askënd në këtë botë.” Ai po thotë se i kam bërë padrejtësi vetes, andaj, kur të vdes, më digjni, e çfarë të më ketë mbetur nga trupi, prapë mos e lini, por bëjeni pluhur dhe shpërndajeni në ajër. “Se, pasha Allahun, nëse Allahu më kap – mendonte se Allahu s’ka mundësi ta ringjallë, nëse veprohet me të në atë mënyrë – do të më dënojë ashtu siç nuk ka dënuar askënd në këtë botë.” Allahu i Madhërishëm e ringjalli dhe e pyeti se çfarë e shtyu të vepronte asisoj? Ai i tha: “Frika nga Ti, o Zoti im.” Pra, ai ishte i shokuar nga frika, andaj Allahu e futi në Xhenet. Sikur të ishte jobesimtar, kurrë s’do ta shihte Xhenetin me sy. Dhe sa i përket këtij rasti, dijetarët thanë: “Frika ia mundi logjikës së tij, andaj nuk e dinte realitetin e fjalëve që i thoshte.”

Për këtë arsye, po jua përmendi shembullin e dytë. Para ndalimit të alkoolit, Hamzaja (radijAllahu anhu), së bashku me disa shokë të tij, ishin ndalur për të qëndruar tek një shtëpi dhe kishin pirë verë. Aliu (radijAllahu anhu) i kishte jashtë dy kafshë shale ndërkohë që në atë shtëpi nuk kishte gjë tjetër përveç hurmave e gjërave të ngjashme me to, por nuk kishte mish. Njëri nga të pranishmit i tha Hamzait: “A të hamë nga ky ushqim, kur kafshët tuaja janë tek dera?” Hamzeja u ngrit, e theri njërën kafshë dhe u dha ushqim të pranishmëve. Aliu (radijAllahu anhu) shkoi t’i ankohej Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) erdhi tek Hamzaja, i cili tashmë ishte dehur, dhe i foli rreth çështjes. Çfarë tha Hamzaja? Tha: “A mos jeni ju gjë tjetër veçse robër të babait tim?” Po i drejtohet Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe po i thotë: “Kush je ti të më flasësh? A mos je ti gjë tjetër veçse rob i babait tim?” Kjo është fyerje ndaj Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Transmetuesi i hadithit tha: “Profeti e vërejti se ai ishte i dehur, andaj e la dhe doli.” Pra, nuk ndërmori asgjë kundër tij.

Të marrim me mend se tek një mysliman është vërtetuar se një mysliman tjetër ka bërë ndonjë vepër apo ka thënë ndonjë fjalë dhe ajo është e tillë që e nxjerrë atë nga feja. Po ashtu, atij personalisht i është bërë e qartë se të gjitha kushtet (për bërjen e tij jobesimtar) janë mbledhur dhe të gjitha pengesat janë larguar. A ta bëjë atë menjëherë jobesimtar? Themi: Jo, dhe nga një gjë e këtillë duhet ta pengojë frika ndaj Allahut. Kështu, ai ua drejton këtë çështje atyre që janë të denjë të merren me të, pra, dijetarëve, dhe pastaj merr vendim sipas mendimit të dijetarëve. Nuk i përqesh dijetarët, nuk i akuzon ata dhe nuk tallet me ta; përkundrazi, çështjen e drejton tek ata që janë të denjë për të, ngase një punë e rëndësishme si kjo duhet t’u referohet dijetarëve.

Pra, ky ishte një shembull për atë sesi frika ndaj Allahut të Lartësuar e shpëton njeriun nga fitnet. Kështu, kur besimtari e ka frikë Allahun, nuk gjykon me epshin apo emocionet e tij, por me çfarë? Gjykon në bazë të asaj që e kërkon vendimi fetar.

Vijon…

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit