Kapitull: Kush e realizon teuhidin, do të hyjë në Xhenet pa dhënë llogari

Burimi: “Et-temhid lisherhi kitabit-teuhid el-ledhi huwe hakkull-llahi alel abid”

Autor: Shejh Salih bin AbdulAziz Alu Esh-Shejh (Allahu e ruajt).

Kapitull: Kush e realizon teuhidin, do të hyjë në Xhenet pa dhënë llogari

Dhe fjala e Allahut të Lartësuar: “Me të vërtetë, Ibrahimi ishte ummet (shembull i besimit, prijës shembullor me të gjitha virtytet e mira), i përulur para Allahut, hanif (me besim monoteist, që adhuronte vetëm Allahun Një e të Vetëm) dhe nuk ishte nga idhujtarët.” (En- Nahl: 120).

Dhe tha: “Dhe ata që nuk i shoqërojnë asgjë (në adhurim) Zotit të tyre.” (El- Mu’minun: 59).

Transmetohet nga Husajn bin AbduRrahman të ketë thënë: “Isha tek Se’id bin Xhubejri, kur tha: “Cili prej jush e ka parë yllin që u këput mbrëmë?” “Unë”- u përgjigja. Pastaj, thash: “Edhe pse nuk isha duke u falur, sepse u pickova (nga akrepi apo të ngjashme me të sh.p.).” “E çfarë bëre?” – tha ai. “Kërkova të më bëhej rukje” – thash unë. “Ç’të shtyu të bëje një gjë të tillë?” – më pyeti ai. “Hadithi të cilin na e ka treguar Esh-Sha’bijj” – ia ktheva unë. “Ç’ju ka treguar ai?”– pyeti përsëri. “Ai na ka treguar nga Burejdetu bin El Husajb se ka thënë: “S’ka rukje[1], veçse për mësysh apo helmim (thumbim)” – thash unë. “Sa mirë që vepron ai, i cili ndalet tek ajo që ka dëgjuar” – tha ai. (Pastaj vazhdoi) “Mirëpo, neve na ka treguar ibën Abbasi nga Profeti (sallAll- llahu alejhi ue sel-lem) se ka thënë: “Mu ekspozuan popujt. Shikova një profet dhe së bashku me të ishte një grup i vogël (nga ata që e kanë pasuar). Pastaj, shikova një tjetër dhe së bashku me të ishin një apo dy vetë. Gjithashtu, shikova një profet që s’kishte askënd me vete. Kur mu shfaq një turmë e madhe njerëzish, unë mendova se ata janë ummeti im. “Ky është Musai dhe populli i tij” – më thanë. Pastaj shikova (prapë), kur ja një turmë e madhe njerëzish. “Këta janë ummeti yt. Ndër radhët e tyre janë shtatëdhjetëmijë që do të hyjnë në Xhenet pa dhënë llogari dhe pa u dënuar” – më thanë. Pastaj (Profeti) u ngrit dhe hyri në shtëpinë e tij. Njerëzit filluan të diskutonin rreth atyre shtatëdhjetëmijë se kush mund të ishin ata. Disa prej tyre thanë: ndoshta janë ata të cilët e kanë shoqëruar Profetin (sal-lAll-llahu lejhi ue sel-lem). Disa tjerë thanë: Ndoshta janë ata që kanë lindur në Islam dhe (kurrë) nuk i shoqëruan Allahut asgjë. Gjithashtu, përmendën gjëra tjera. Pastaj u doli Profeti (sallAll- llahu lejhi ue sel-lem) dhe i treguan se për çfarë po bisedonin. Ai tha: “Ata janë të cilët nuk kërkojnë t’u bëhet rukje, nuk mjekohen përmes djegies, nuk u besojnë ogureve dhe vetëm në Zotin e tyre mbështeten”. U ngrit Ukkashetu bin Mihsan dhe tha: “O i Dërguar i Allahut, lute Allahun që të më bëjë prej tyre!” “Ti je prej tyre” – tha ai. Pastaj u ngrit një tjetër dhe tha: “Lute Allahun që të më bëjë prej tyre!” “Të parapriu me të Ukkasheja” – ia ktheu ai.[2]

Në këtë kapitull shqyrtohen disa çështje:

1- Njohja e niveleve të njerëzve në teuhid.

2- Ç’do të thotë realizimi i tij (teuhidit)?

3- Lavdërimi i Allahut ndaj Ibrahimit – alejhis-selam – për atë se nuk ishte nga idhujtarët.

4- Lavdërimi i Tij ndaj prijatarëve të besimtarëve të devotshëm për atë se e ruajtën besimin e tyre nga shirku.

5- Lënia e rukjes dhe kejj’it (shërimit me djegie) është prej realizimit të teuhidit.

6- Përmbledhësi i tërë atyre virtyteve (të përmendura në hadith) është mbështetja në Allahun.

7- Dija e thellë e sahabëve për shkak të kuptimit të tyre se nuk mund të arrinin një gjë të tillë, veçse përmes veprës.

8- Përkushtimi i tyre në vepra të mira.

9- Vlera e këtij ummeti si në sasi e, po ashtu, edhe në cilësi.

10- Vlera e popullit të Musait – alejhis-selam -.

11- Të shfaqurit e popujve para Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem).

12- Çdo popull do të ringjallet veçmas me profetin e tij.

13- Të pakët ishin ata që iu përgjigjen thirrjes së profetëve.

14- Ai profet të cilit nuk iu përgjigj askush, (në Ditën e Gjykimit) do të vjen vetëm.

15- Dobia e diturisë rreth kësaj çështjeje: të mos mashtrohesh me numrin e madh dhe të mos heqësh dorë nga pakica.

16- Lejueshmëria e rukjes për mësysh dhe helmim (thumbim).

17- Dija e thellë e selefëve, për shkak të fjalës së Se’id bin Xhubejrit: “Sa mirë që vepron ai, i cili ndalet tek ajo që ka dëgjuar, mirëpo…” Prej kësaj kuptohet se hadithi i parë nuk e kundërshton të dytin.

18- Selefët ishin larg asaj që ta lëvdonin njeriun me diç që nuk ishte në të.

19- Fjala e Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “Ti je prej tyre” është shenjë prej shenjave të profecisë.

20- Vlera e Ukkashes.

21- Përdorimi i alternativave.

22- Morali i mirë i Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem).

Komenti:

Ky është kapitulli “Kush e realizon teuhidin, do të hyjë në Xhenet pa dhënë llogari”. Në kapitullin para tij është përmendur vlera e teuhidit dhe cilat prej mëkateve i shlyen ai. Ndërsa, ky kapitull është në një nivel më të lartë se sqarimi i vlerës së teuhidit, sepse në vlerën (mirësinë) e teuhidit marrin pjesë të gjithë ithtarët e tij, dhe ithtarët e teuhidit janë ithtarët e Islamit. Pa dyshim se çdo myslimani i takon një hise prej teuhidit, andaj – si rrjedhim i kësaj – atij i takon edhe një hise prej mirësisë së teuhidit dhe shlyerjes së mëkateve. E, sa u përket njerëzve të spikatur të këtij ummeti, janë pikërisht ata të cilët e kanë realizuar teuhidin. Për këtë, nky kapitull i është bashkuar kapitullit para tij, sepse është më i posaçëm (specifik).

Realizimi i teuhidit është tema e këtij kapitulli; dhe realizimi i tij do të thotë realizimi i dy dëshmive (la ilahe il-lAll-llah, Muhammedun resulull-llah), ndërsa realizimi i dy dëshmive nënkupton dëlirjen e fesë nga njollat e shirkut, të bidateve (risive) dhe të mëkateve.

Pra, realizimi i teuhidit kthehet tek tri gjëra:

• Braktisja e shirkut me të gjitha llojet e tij: të madh, të vogël dhe të fshehtë.

• Braktisja e bidateve me të gjitha llojet e tyre.

• Braktisja e mëkateve me të gjitha llojet e tyre.

Andaj, realizimi i teuhidit, sipas kësaj (që u cek), ka dy nivele:

 Nivelin e obligueshëm.

 Nivelin e pëlqyeshëm.

Dhe, gjithashtu, sipas kësaj (ndarjeje), ithtarët e teuhidit janë në dy nivele. Niveli i obligueshëm (i lartcekur) është që njeriu të braktisë ato tri gjëra që u cekën më lart, braktisjen e të cilave e ka për detyrë. Pra, ai e braktis shirkun (në tërësi), të fshehtin dhe të hapurin, të voglin dhe të madhin. Gjithashtu, i braktis bidatet dhe mëkatet. Ky nivel është i obligueshëm.

Niveli i pëlqyeshëm në realizimin e teuhidit – në të cilin ata që e zbatojnë, kanë dallime prej më të mëdhave – është që të mos ketë në zemrën e njeriut asgjë nga të drejtuarit apo nga qëllimi (i veprës/fjalës) për dikë tjetër përveç Allahut të Lartësuar. D.m.th. që zemra tërësisht të jetë e drejtuar nga Allahu, pa pasur në të kthim drejt dikujt tjetër përveç Tij. Kështu, të folurit, vepra dhe puna e tij janë (vetëm) për Allahun. Bile edhe lëvizjet e zemrës së tij janë për Allahun e Madhërishëm. Disa prej dijetarëve për këtë – kam për qëllim nivelin e pëlqyeshëm – janë shprehur (kështu): që njeriu t’i braktisë gjërat e lejueshme nga droja (kujdesi) e rënies së tij në ato të palejueshmet. D.m.th. në sferën e veprave të zemrës, të gjuhës dhe të gjymtyrëve.

Atëherë, realizimi i teuhidit vlera (mirësia) e të cilit është se ithtarët e tij do të hyjnë në Xhenet pa dhënë llogari dhe pa u dënuar, kthehet tek këto dy nivele. Dhe realizimi i tij është realizimi i dy dëshmive (la ilahe il-lAll-llah, Muhammedun resulull-llah); sepse në thënien e tij “la ilahe il-lAll-llah” ka teuhid dhe largim nga shirku me çfarëdo lloji të tij, ndërsa në “Muhammedun resulull-llah” ka largim nga mëkatet dhe bidatet. Sepse ajo çfarë kërkon dëshmia “Muhammedun resulull-llah” është: bindja ndaj urdhrave të tij (Profetit), vërtetimi i thënieve të tij, shmangia nga ndalimet e qortimet e tij, dhe adhurimi i Allahut vetëm nëpërmjet mënyrës së ligjësuar nga ai (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem).

Andaj, ai i cili ka kryer disa prej mosbindjeve, mëkateve apo (disa prej) bidateve, pastaj nuk është penduar nga to apo nuk i janë shlyer, ai (njeri) nuk e ka realizuar teuhidin e obligueshëm. E, nëse ai nuk ka vepruar asgjë prej bidateve, mirëpo me zemrën e tij i bën të mira ato apo thotë: “S’ka gjë në veprimin e tyre”, atëherë, pasi që aktiviteti i zemrës së personit në këtë gjendje s’ishte në realizim të teuhidit dhe në realizim të dëshmisë “Muhammedun resulull-llah”, sigurisht që ai nuk është prej ithtarëve të realizimit të teuhidit. Ngjashëm më këtë janë edhe ithtarët e shirkut me të gjitha llojet e tij; ata nuk janë prej ithtarëve të realizimit të teuhidit. E, sa i përket nivelit të posaçëm që u përmend (niveli i pëlqyeshëm), ky është ai në të cilin bëjnë gara (përpiqen fort) garuesit dhe aty (në atë nivel) s’ka gjë tjetër veçse ndjesë nga Allahu, falje dhe kënaqësi prej Tij.

Shejhu – Allahu e mëshiroftë – në këtë kapitull (që është): “Kush e realizon teuhidin, do të hyjë në Xhenet pa dhënë llogari”, argumentoi me dy vargje (nga Kurani) dhe me një hadith. Vargu i parë është fjala e Allahut të Lartësuar: “Me të vërtetë, Ibrahimi ishte ummet, i përulur para Allahut, hanif dhe nuk ishte nga idhujtarët.” (En-Nahl: 120). Ky varg aludon në atë se Ibrahimi – alejhis-selam – ishte realizues i teuhidit.

Mënyra e argumentimit nga ky varg është se Allahu i Madhërishëm e përshkroi atë me disa cilësi:

1. (E përshkroi me atë se) Ai ishte ummet. Ummeti është prijësi i cili ka mbledhur në vete të gjitha cilësitë e përsosmërisë njerëzore dhe cilësitë e mirësisë. Kjo nënkupton se ai nuk la mangët asnjë prej cilësive të mirësisë. E kjo është domethënia e realizimit të teuhidit. Në Kuran, fjala ummet vjen me disa kuptime të pacaktuara. Prej këtyre kuptimeve është se ajo (fjalë) do të thotë: prijësi që pasohet (nga të tjerët) në mirësi. Dhe është quajtur ummet, sepse ai zë vendin e një populli (ummeti) të tërë në pasim. Sepse ai i cili ndjek shtegun e tij (ummetit), nuk ndihet i vetmuar dhe s’është në mëdyshje (pavendosmëri). Kjo sepse me të nuk është vetëm një njeri, por një ummet (popull) i tërë.

2. Përshkrimi i dytë, ku ceket realizimi i teuhidit (nga ana e Ibrahimit alejhis-selam), është në fjalën e Allahut: “…i përulur para Allahut, hanif…”. Këto dy përshkrime: “i përulur” dhe “elhanif” janë të lidhura reciprokisht, sepse përulja para Allahut do të thotë vazhdimësi në bindjen ndaj Allahut dhe pandashmëri nga ajo. Pra, ai ishte i pandashëm nga bindja ndaj Allahut të Madhërishëm. Gjithashtu, sepse el hanif – siç thonë dijetarët – është poseduesi i el hanf , që ka kuptimin e lakimit (shtrembërimit) nga rruga e idhujtarëve. Pra, ai i ishte shmangur rrugës së idhujtarëve, udhëzimit dhe mënyrave të tyre. Kështu, tek ai kishte vazhdimësi (në vepra të mira), përulje, konsekuencë ndaj bindjes dhe shmangie nga rruga (mënyra) e idhujtarëve. Dihet se rruga e idhujtarëve, ndaj së cilës Ibrahimi alejhis-selam ishte hanif, d.m.th i shmangur dhe i largët, përmban shirk, bidat dhe mosbindje, pa kurrfarë pendimi e as kërkimi të faljes.

“…dhe nuk ishte nga idhujtarët.” Fjala e Tij: “dhe nuk ishte”/ “ue lem jeku”, në origjinën e saj ishte “jekun”. Lejohet në el xhezm – me kushte – heqja e shkronjës “N”, siç qëndron në vargun paraprak. Njësoj me këtë është fjala e më të Lartit në kaptinën En-Nahl: “…dhe mos u pikëllo për ta ‘e mos’ (ue la teku) u ngushto për shkak të dredhive të tyre!” (En-Nahl: 127). Gjithashtu, lejohet mbajtja e saj (shkronjës “n”), siç qëndron në fjalën e më të Lartit: “…dhe ‘mos’ (ue la tekun) u ngushto për kurthet e tyre!” (En-Neml: 70).Pra, mbajtja dhe heqja e shkronjës “N”, janë dy mënyra të lejueshme në gjuhën arabe, nëse plotësohen kushtet e njohura të saj.

Fjala e Allahut: “…nga idhujtarët.” “Idhujtarët” është shumës i rregullt i fjalës “idhujtar”. Ndërsa, el mushrik/idhujtari është emër i vepruesit të shirkut. Nyja shquese “El” – siç dihet në gjuhën arabe –, kur t’i paraprijë (ngjitas) emrit aktiv apo atij pasiv, është lidhore, siç thotë dhe ibën Maliku në “Elfijjen” e tij.

Përemri lidhor tek usulijintë (dijetarët e bazave të fikhut – jurisprudencës) aludon në përgjithësim. Atëherë, fjala e Allahut: “…dhe nuk ishte nga idhujtarët” ka kuptimin se ai nuk e vepronte asnjërin prej llojeve të shirkut dhe se nuk ishte nga ta (idhujtarët).

Gjithashtu, fjala e Allahut: “…dhe nuk ishte nga idhujtarët” aludon në atë se ai u largua prej tyre. Sepse parafjala “nga”/“min” mund të jetë pjesore (teb’idijjeh), andaj largimi (ndarja e tij) ishte me trup. Po ashtu, (parafjala nga) mund të jetë qartësuese (bejanijjeh) dhe, në këtë rast, largimi (ndarja) ka kuptimin e largimit nga shirku. Qëllimi është se shejhu – Allahu e mëshiroftë – i solli ndërmend këto kuptime të vargut dhe ato e orientuan në atë se vargu ka të bëjë me realizimin e teuhidit.

Allahu i Madhërishëm tha: “Me të vërtetë, Ibrahimi ishte ummet, i përulur para Allahut, hanif dhe nuk ka qenë nga idhujtarët.” Kjo sepse ai i cili i mbledh në vete këto virtyte, e realizon teuhidin. Ndërsa, ai i cili e realizon teuhidin, do të hyjë në Xhenet pa dhënë llogari.

Imami i kësaj thirrjeje (drejt teuhidit) – autori – shejhu Muhamed bin AbdulUehhab – Allahu e mëshiroftë -, duke e shpjeguar këtë varg, që është prej vargjeve të fundit të kaptinës En-Nahl, thotë:

“Me të vërtetë, Ibrahimi ishte ummet…”, në mënyrë që të mos ndihet i vetmuar ai i cili ecën rrugës (së tij), për shkak të numrit të pakët të atyre që ecin. “…i përulur para Allahut…”, jo para mbretërve e as para tregtarëve të harlisur. “… hanif…”, nuk anonte as djathtas e as majtas, siç është gjendja e dijetarëve të sprovuar. “… dhe nuk ishte nga idhujtarët”, ndryshe nga ai që e rritë turmën e tyre (duke iu bashkangjitur asaj) dhe pretendon se është prej myslimanëve.”

Ky është prej shpjegimeve të mprehta, të jashtëzakonshme e me kuptim të thellë, dhe “Ky virtyt u dhurohet vetëm atyre që durojnë dhe vetëm atyre që kanë një fat të madh.” (Fussilet: 35).

Më tej ai tha: dhe fjala e Tij: “Dhe ata që nuk i shoqërojnë asgjë (në adhurim) Zotit të tyre.” (El-Mu’minun: 59). Këto vargje janë në kaptinën El- Mu’minun dhe i lavdërojnë të veçantët në radhët e besimtarëve.

Mënyra e argumentimit nga vargu për kapitullin është se Allahu tha: “Dhe ata që nuk i shoqërojnë asgjë (në adhurim) Zotit të tyre.” Pra, fjala e Tij: “…nuk i shoqërojnë” është mohim i shirkut. E kemi cekur më herët se, kur mohimi të dominojë mbi foljen e kohës së tashme, ai jep kuptimin e përgjithësimit të paskajores në të cilën aludon folja; sikur të thoshte Allahu i Lartësuar: “Dhe ata që nuk i bëjnë shirk Zotit të tyre apo që nuk bëjnë as shirk të madh, as të vogël dhe as të fshehtë.”

Ai i cili nuk bën shirk, është njësues (i Allahut). Këtu kemi një pashmangshmëri dhe ajo është se ai i cili nuk i shoqëron Allahut me asnjërin prej llojeve të shirkut, sigurisht që nuk e ka braktisur shirkun ndryshe veçse nëpërmjet njësimit (teuhidit) të Tij. Dijetarët thanë: Allahu i Lartësuar në vargun (është fjala për vargun në gjuhën arabe, sh.p.): “Dhe ata që nuk i shoqërojnë asgjë (në adhurim) Zotit të tyre”, fjalën e Tij: “… Zotit të tyre” e ka përmendur përpara, sepse errrrububijjeh (zotërimi i Allahut) detyrimisht e kërkon el ubudijjen (robërimin ndaj Tij). Kështu, shirk në err rrububijjeh do të thotë mosbërje e shirkut në bindje (ndaj Allahut) dhe në robërimin ndaj Tij. E kjo është cilësia e atyre që e kanë realizuar teuhidin. Sepse ajo çfarë kërkohet nga mosbërja e shirkut është që njeriu të mos e bëjë pjesëmarrës epshin e tij (në bindjen ndaj Allahut); nëse ai do ta bënte një gjë të tillë, (gjithsesi) do të kryente bidate dhe mëkate. Pra, sipas kësaj, mohimi i shirkut do të thotë mohim i të gjitha llojeve të tij, mohim i bidateve dhe mohim i mëkateve. E pikërisht ky është realizimi i njësimit (teuhidit) të Allahut të Madhërishëm.

Atëherë, vargu aludon në kapitullin të cilin Imami e formuloi me fjalët e tij: “Kapitull: Kush e realizon teuhidin, do të hyjë në Xhenet pa dhënë llogari”.

Sa i përket hadithit, ai është i gjatë, dhe pjesa argumentuese nga ai është fjala e Profetit (sal-lAllllahu alejhi ue sel-lem): “…Pastaj shikova (prapë), kur ja një turmë e madhe njerëzish. “Këta janë ummeti yt. Ndër radhët e tyre janë shtatëdhjetëmijë që do të hyjnë në Xhenet pa dhënë llogari dhe pa u dënuar” – më thanë. Pastaj (Profeti) u ngrit dhe hyri në shtëpinë e tij. Njerëzit filluan të diskutonin rreth atyre shtatëdhjetëmijë se kush mund të ishin ata. Disa prej tyre thanë: Ndoshta janë ata të cilët e kanë shoqëruar Profetin (sal-lAll-llahu alejhi ue sellem). Disa tjerë thanë: Ndoshta janë ata që kanë lindur në Islam dhe (kurrë) nuk i shoqëruan Allahut asgjë. Gjithashtu, përmendën gjëra tjera. Pastaj u doli Profeti (sal-lAll-llahu lejhi ue sel-lem) dhe i treguan se për çfarë po bisedonin. Ai tha: “Ata janë të cilët nuk kërkojnë t’u bëhet rukje, nuk mjekohen përmes djegies, nuk u besojnë ogureve dhe vetëm në Zotin e tyre mbështeten…”. Ky hadith flet rreth cilësisë së atyre që do të hyjnë në Xhenet pa dhënë llogari e pa u dënuar, dhe kjo (që u cek në hadith) është njëra prej cilësive të tyre. Ajo cilësi është vetëm e tyrja dhe ata nuk ngatërrohen me tjetërkënd, sepse është si një nishan përmes të cilit njihen.

Atëherë, kush janë ata që e kanë realizuar teuhidin? Përgjigjja është në fjalën e tij (alejhis-salatu ues-selam): “Ata janë të cilët nuk kërkojnë t’u bëhet rukje, nuk mjekohen përmes djegies, nuk u besojnë ogureve dhe vetëm në Zotin e tyre mbështeten…”

Profeti (alejhis-salatu uesselam) përmendi katër cilësi:

I. Ata “nuk kërkojnë t’u bëhet rukje”. Kuptimi i “jesterkûne” është se ata nuk kërkojnë t’u bëhet rukje, sepse kushdo që kërkon një gjë të tillë, në zemrën e tij do të ketë anim nga ai që ia bën atë (rukjen), derisa, nga aspekti i shkakut, t’ia largojë atë që e ndjen (i sëmuri).

Ka ardhur ky mohim në fjalën e tij: “Nuk kërkojnë t’u bëhet rukje”, sepse në çështjen e rukjes zemrat e njerëzve lidhen shumë më shumë për të sesa për mjekësinë e të ngjashme me atë. Arabët në kohën e injorancës pagane – po ashtu, kjo është gjendja e shumicës së njerëzve – ishin të lidhur (fort) për rukjen. Pra, zemra lidhet për personin që bën rukje dhe, gjithashtu, lidhet për rukjen. E, kjo është në kundërshti me përsosmërinë e mbështetjes në Allahun e Madhërishëm. Sa i përket asaj që ka ardhur në disa versione (tjera) të hadithit se: “(ata janë të cilët) nuk bëjnë rukje”, kjo është gabim dhe fjalë e çrregullt (shadhdh), sepse ai që bën rukje, është bamirës ndaj të tjerëve. E sakta është ajo që ka ardhur në këtë version se: “Ata janë të cilët nuk kërkojnë t’u bëhet rukje”. Kjo sepse në zemrën e kërkuesit të rukjes ka anim nga ai i cili ia bën rukjen dhe, gjithashtu, ka anim nga rukja. Po ashtu, në zemrën e tij ka një lloj mbështetjeje dhe një lloj prehjeje ndaj atij që ia bën rukjen apo ndaj rukjes.

II. Pastaj tha: “Nuk mjekohen përmes djegies”. Mjekimi përmes djegies (el kejju) në esencën e tij është i papëlqyeshëm, sepse në të ka mundim (torturë) me zjarr, edhe pse fetarisht lejohet, mirëpo nuk pëlqehet. Arabët besonin se, përmes mjekimit me zjarr, gjithmonë arrihet qëllimi (shërimi), dhe për këtë zemrat e tyre ishin të lidhura për të.

Kështu, të lidhurit e zemrës për këtë mënyrë të shërimit ishte nga aspekti se ai është një shkak që gjithmonë ndikon (ka sukses). Siç dihet, shërimi përmes djegies, me lejen e Allahut të Madhërishëm, ndikon, nëse mblidhen shkaqet dhe largohen pengesat. Pra, mohimi (i ardhur në hadith) është për arsye se në kejjin e posaçëm (bindja se ai ndikon gjithsesi, sh.p) ka lidhje të njerëzve me të për shkak të tij.

III. Më tej tha: “Nuk u besojnë ogureve”. Et-tijereh është një gjë që i shfaqet zemrës në sajë të diçkaje që ndodh para saj. Dhe kështu e shtyn atë të ecën përpara në kryerjen e ndonjë çështjeje apo të zmbrapset nga ajo. Kjo është veti e njeriut në zemrën e të cilit mbështetja në Allahun nuk është e madhe.

IV. Pas kësaj tha: “dhe vetëm në Zotin e tyre mbështeten”. Kjo është përmbledhësja e cilësive të mëparshme. Me këto cilësi s’është qëllimi se, ata që e kanë realizuar teuhidin, nuk i marrin shkaqet, siç e kanë kuptuar disa, dhe se (sipas tyre) përsosmëria është që njeriu kurrë të mos marrë ndonjë shkak apo kurrë të mos mjekohet! Kjo është gabim, sepse Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) i qe bërë rukje[3], mjekohej dhe i urdhëronte njerëzit të mjekoheshin[4]. Gjithashtu, ai (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) i urdhëroi disa prej sahabëve që të mjekoheshin me kejj 5(përmes djegies) e të ngjashme me këto. Andaj, hadithi nuk thotë se ata (realizuesit e teuhidit) asnjëherë nuk i marrin shkaqet apo nuk i marrin shkaqet e shërimit. Mirëpo, në të përmenden këto tri çështje në veçanti, për shkak se është e shpeshtë lidhja dhe kthimi i zemrës nga ai që bën rukje, apo nga kejji, apo nga ai që bën kejj, apo nga besimi në ogure. Pra, në to ka ulje të pozitës së mbështetjes në Allahun.

Sa i përket mjekimit, ai është i ligjësuar. Ai ose është i obligueshëm, ose i pëlqyeshëm, dhe ndodh që, në disa rrethana, të jetë i lejueshëm. Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “O robër të Allahut, mjekohuni, por mos u mjekoni me gjëra të palejueshme!”[6] Qëllimi më këtë është se mjekimi nuk e prish realizimin e teuhidit. Mirëpo, cilësi e realizuesve të teuhidit është se ata nuk kërkojnë t’u bëhet rukje me rukjen e veçantë, nuk mjekohen përmes djegies së veçantë dhe nuk u besojnë ogureve. Ndërsa, përveç këtyre prej gjërave që janë të lejueshme, ato nuk hyjnë në atë me të cilën veçohen ithtarët e realizimit të teuhidit.

Ajo çfarë mua më duket më me vend është se fjala e tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) në këtë hadith: “nuk kërkojnë t’u bëhet rukje, nuk mjekohen përmes djegies, nuk u besojnë ogureve” është e veçantë vetëm për këto tria.

Ai (transmetuesi) tha: “U ngrit Ukkashetu bin Mihsan dhe tha: “O i Dërguar i Allahut, lute Allahun që të më bëjë prej tyre!” “Ti je prej tyre” – tha ai. Pastaj u ngrit një tjetër dhe tha: “Lute Allahun që të më bëjë prej tyre!” “Të parapriu me të Ukkasheja” – i ktheu ai.” Në këtë ka argument se ithtarët e realizimit të teuhidit janë të pakët e jo të shumtë. Për këtë, në hadith ka ardhur se ata janë shtatëdhjetëmijë. Ka ardhur në disa versione tek imam Ahmedi dhe të tjerë se Allahu i Madhërishëm ia ka dhënë Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) në çdo njëmijë prej tyre shtatëdhjetëmijë të tjerë.[7] Atëherë, numri i tyre është afro pesë milionë nga ithtarët e këtij ummeti. Nëse ky hadith është i vërtetë – dhe disa nga dijetarët e kanë saktësuar zinxhirin e tij – atëherë, me numrin e ardhur në këtë hadith (të kapitullit), nuk nënkuptohet ndonjë gjë (e caktuar). Apo ai (numër) ishte para kërkesë së Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) që të shtohej numri i atyre, të cilët e kanë realizuar teuhidin. E, nëse thuhet: çdo të thotë shtimi i numrit të tyre? Përgjigjja është se Allahu i Lartësuar u jep mirësi disa pjesëtarëve të këtij ummeti që nuk janë prej këtyre shtatëdhjetëmijë, por prej atyre që do të vijnë më pas, dhe u dhuron sukses në punën (e tyre) drejt realizimit të teuhidit. Pra, Allahu i Patëmeta është Ai, i Cili jep sukses; është Ai, i Cili udhëzon, dhe është Ai, i Cili (në fund) shpërblen. Eh, sa Bamirës, Dhurues, Bujar e Mëshirëplotë i mrekullueshëm që është Ai.

Vijon inshaAllah!

Përktheu: Petrit Perçuku

____________________________________

[1] Këndim i pjesëve të Kuranit apo i lutjeve të ligjësuara në sunet mbi të sëmurin apo të prekurin nga xhinët. (sh.p.).

[2] E shënojnë Buhariu (3410), (5705), (5752), (6472), (6541) dhe Muslimi (220).

[3] I qe bërë rukje nga Xhibrili alejhis-selam me fjalët: “Me emrin e Allahut të bëjë rukje nga çdo gjë që të shqetëson dhe nga e keqja e çdo shpirti apo syri ziliqar. Allahu të shëroftë.” (sh.p.). Muslimi (2186) dhe Et-Tirmidhij (972).

[4] Ahmedi (4/278) dhe Et-Tirmidhij (2039).

[5] Buhariu (5680) dhe (5681).

[6] Ebu Daudi (3874) dhe Et-Tirmidhij (2045).

[7] Ahmedi në Musned (2/359) dhe El Bejheki në Shu’ab (416).

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit