Kategoritë e njerëzve në agjërim (10)

  1. Ai që ka nevojë ta prishë agjërimin për shkak të një domosdoshmërie.

Dijetarët sjellin shembull:

  • Kur dikujt i duhet ta prishë agërimin për të shpëtuar dikë, si: e shpëton prej mbytjes në ujë, apo prej zjarrit, apo prej shembjes së ndërtesës a dheut etj. Nëse ai nuk mund ta shpëtojë ndryshe përveçse duke e prishur agjërimin, pra i duhet të hajë e pijë për t’u forcuar, atëherë e ka të lejuar ta prishë atë, madje i obligohet ta prishë atë, ngase shpëtimi i njeriut prej vdekjes dhe shkatërrimit është obligim, e nëse një gjë obligative nuk arrihet ndryshe veçse përmes një gjëje, mënyre a rruge, atëherë edhe ajo bëhet obligim. Si rrjedhojë, është obligim në këto raste prishja e agjërimit për ta shpëtuar dikë tjetër. Kjo ditë bëhet kaza.
  • Ai që ka nevojë të hajë e pijë për t’u forcuar kur i duhet që ta luftojë armikun. Këtij i lejohet ta prishë agjërimin dhe i bën kaza ditët e pa agjëruara. Kjo pavarësisht nëse e prish atë duke qenë në rrugë të largët për t’u takuar me armikun apo duke qenë në vendbanimin e tij. I lejohet ta prishë agjërimin ngase në këtë mënyrë ai i ruan muslimanët dhe vendin e tyre prej armikut dhe e ngritë lartë Fjalën e Allahut. Ebu Seid el Hudriu radijAllahu anhu ka thënë: “Kemi udhëtuar me Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem për në Meke (për ta çliruar) duke qenë agjërueshëm. Kur kemi zbritur për të pushuar në një vend, ai ka thënë: “U jeni afruar armikut, andaj prishja e agjërimit ju forcon më shumë (sesa të vazhdoni me agjërim).” Nga këto fjalë kemi kuptuar se ai po na lehtëson (nëse doni e prishni, nëse doni agjëroni, duke mos ua bërë obligim prishjen). Andaj, disa nga ne e prishën e disa jo. Pastaj iu afruam edhe më shumë Mekës dhe ndaluam të pushonim në një tjetër vend. Ai salAllahu alejhi ue selem tha: “Vërtetë, nesër në mëngjes do ta takoni armikun tuaj, nëse hani do të forcoheni, andaj prisheni agjërimin.” Nga këto fjalë kuptuam se ky ishte urdhër prej tij, andaj e prishëm agjërimin.” Muslimi dhe Ebu Daudi. Në këtë hadith jepet shenjë se shkak i veçantë i prishjes së agjërimit (jashtë të qenit udhëtarë), është arritja e forcës për ta luftuar armikun. Ata ishin udhëtarë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk i urdhëroi ta prishin agjërimin për shkakun se ishin udhëtarë, por për shkak se nesër do ta takonin armikun (do të përballeshin me të). Kjo është arsyeja pse i urdhëroi, pra që të forcohen për këtë takim. Në pushimin e parë, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk i urdhëroi për prishje të agjërimit (edhe pse ishin udhëtarë), porse e la këtë nën zgjedhjen e tyre, nëse dëshironi prisheni agjërimin e forcohuni, nëse doni mos e prishni. Mirëpo, kur u tregoi se nesër gjithsesi do ta takoni armikun, i urdhëroi ta prishin atë.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Ndejat e Ramazanit – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit