Kategoritë e njerëzve në agjërim (2)

2. I vogli, fëmija.

Fëmija nuk e ka obligim agjërimin e Ramazanit derisa të hyjë në moshën madhore. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Lapsi nuk shkruan për tre persona: për atë që është në gjumë derisa të zgjohet, për të voglin derisa të rritet (të hyjë në moshën madhore) dhe për të çmendurin derisa t’i kalojë (të zgjohet). Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe ibn Maxheh. Mirëpo, kujdestari i fëmijës duhet ta urdhërojë atë të fillojë me agjërim, nëse ai mund ta përballojë dhe ka forcë, në mënyrë që të stërvitet me agjërim dhe që të familjarizohet me të, e pastaj kur të hyjë në moshën madhore mos ta ketë të vështirë atë. Kështu kanë vepruar selefi, gjeneratat e para të muslimanëve, Allahu i mëshiroftë. Sahabët i kanë shtyrë fëmijët e tyre të agjërojnë, edhe pse kanë qenë të vegjël. Ata u bënin atyre lodra prej pambukut. Kur shkonin në xhami, nëse fëmijët fillonin të qanin për shkak të urisë, ata ua jepnin ato që të luajnë e mashtrohen me to duke mos iu bie ndërmend ushqimi deri në iftar.

Shumë prej prindërve e kujdestarëve janë të pavëmendshëm e të pakujdesshëm në këtë çështje. Madje, disa prej tyre edhe pse fëmija i tyre ka dëshirë të madhe të agjërojë ata ia ndalojnë këtë me pretendimin se kanë mëshirë ndaj tyre, mirëpo në realitet mëshira që duhet ta tregojë prindi ndaj fëmijës është rritja dhe edukimi i tij në Islam, këtë e ka obligim dhe kjo është mëshira që ai duhet ta tregojë për të. Ai që e ndalon fëmijën për të agjëruar apo ai që nuk tregohet i kujdesshëm ta mësojë në këtë, ai i ka bërë keq atij dhe vetes së tij. Nëse fëmija është i dobët, i pafuqishëm për ta përballuar agjërimin dhe e dëmton atë, nuk ka të keqe që prindi ta pengojë nga agjërimi, mirëpo jo nëse ai është i aftë dhe ka mundësi  e shëndet të mirë të agjërojë, në këtë rast madje duhet ta urdhërojë për agjërim.

  • Shenjat që tregojnë se djali ka hyrë në moshën madhore janë tri:

– Ejakulimi i spermës në gjumë apo gjendje tjetër. Allahu thotë: “Kur fëmijët tuaj të arrijnë moshën e pubertetit (ٱلۡحُلُم ), le të kërkojnë leje, ashtu siç kanë kërkuar leje ata para këtyre.” Nur 58. ٱلۡحُلُم – el hulum ka për qëllim këtu: ejakulimin e spermës. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Larja në ditën e xhumah është obligim për çdokënd i cili ejakulon spermë (ﺘﻠﻢ).” Buhariu dhe Muslimi. Qëllimi këtu me muhtelim – ﺘﻠﻢ është: për çdokush i cili ka hyr në moshën madhore.

Dalja e qimeve (të trasha e të forta) rreth organit gjenital. Ndodh që të mos i ejakulojë ende sperma, porse e ka këtë shenjën e dytë. Kur i dalin këto qime, fëmija ka hyrë në moshën madhore, e nuk ka nevojë të presë ejakulimin e spermës.

Hyrja në moshën 15 vjeçare. Ka mundësi që personi të mos e ketë as shenjën e parë e as të dytën derisa t’i mbushë 15 vjet. Mirëpo, posa ta arrijë këtë moshë ai llogaritet se ka hyrë në moshën madhore, edhe nëse nuk ka ejakuluar spermë apo nuk i kanë dal qimet rreth organit gjenital (siç u përmend). Ibn Umeri radijAllahu anhu ka thënë: “Kam dal para Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem në ditën e Uhudit kur kam pasur 14 vjet dhe nuk më ka dhënë leje të marrë pjesë (në këtë betejë).” Buhariu dhe Muslimi. Në një transmetim tjetër thotë: “Nuk më ka llogaritur se kam hyrë në moshën madhore.” Bejhekiu e ibn Hibani. Dhe thotë: “Pas një viti ka ndodhur beteja e Hendekut. Kam dashur të marrë pjesë duke qenë se kisha 15 vjet. Dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem më dha leje (të marr pjesë).” Muslimi. Bejhekiu dhe ibn Hibani sjellin një shtojcë të rëndësishme: “Më ka llogaritur se kam hyrë në moshën madhore (në këtë moshë).” Nafi rahimehullah tregon se ka shkuar te udhëheqësi Umer ibn AbdulAziz rahimehullah dhe ia ka treguar këtë hadith. Ai ka thënë: “Ky është kufiri që e dallon të madhin nga i vogli.” Dhe u ka shkuar vartësve të tij: “Atij që i mbush 15 vjet, t’ia ndani një pjesë prej pasurisë së shtetit (pra konsiderohet i madh).”

Sa i përket femrave, të tri këto shenja që u përmenden vlejnë edhe për të, mirëpo tek to shtohet shenja e katërt: cikli menstrual. Kur vajzës i vijnë të përmuajshmet, llogaritet se ka hyrë në moshën madhore dhe për të vlejnë të gjitha obliglimet e ndalesat. Edhe nëse të përmuajshmet i kanë ardhur duke qenë në moshën 10 vjeçare, ajo llogaritet e rritur dhe detyrohet me obligime e ndalesa.

Nëse vajza dhe djali hyjnë në moshën madhore gjatë ditës së Ramazanit, atëherë: nëse kanë qenë duke agjëruar qysh prej fillimit të ditës, i themi ta plotësojnë agjërimin (deri në iftar) dhe nuk kanë për obligim asgjë tjetër; e nëse nuk kanë qenë agjërueshëm, u themi se e kanë për obligim të mos hanë e pinë deri në fund, ngase qysh nga ai moment (që hynë në moshën madhore) mbi ta vlen plotësimi i obligimeve dhe i urdhrave të Allahut, gjithashtu u themi se këtë ditë nuk e kanë obligim ta bëjnë kaza ngase në kohën kur ka filluar agjërimi në fillim të ditës nuk kanë qenë prej atyre që kanë obligim agjërimin e asaj dite, andaj nuk e kanë për obligim ta bëjnë kaza, mirëpo nuk duhet të hanë e pinë deri në aksham.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Ndejat e Ramazanit – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit