Këshillë vëllezërve të cilët shikojnë futboll në këtë muaj të bekuar të Ramazanit!

Këshillë vëllezërve të cilët shikojnë futboll në këtë muaj të bekuar të Ramazanit!

Hoxhë Lulzim Perçuku: Shejkh Abbadi ka thënë: “Futbolli është bërë sprovë dhe fitne për myslimanët në përgjithësi.” Edhe sikur asgjë të keqe të mos kishte futbolli, vetëm humbja e kohës gjatë të shikuarit të tij, mjafton. Ato minuta të shumtë duke e shikuar, të shkojnë kot. Madje ka mundësi që t’i bësh mëkat Allahut, shembull: nervozohesh se të humb ekipi i preferuar, e ngrit zërin, mund të ndjesh urrejtje ndaj tjetrit që e përkrah ekipin tjetër, duke e lidhur kështu dashurinë dhe urrejtjen jo për Allahun, por për dikë tjetër (e kjo lidhje pa dyshim është prej mëkateve të mëdha). Kjo sidomos kur personi e përkrah një ekip të jobesimtarëve, ku shumica apo të gjithë lojtarët e atij ekipi janë jobesimtarë. Është e ndaluar që myslimani të ketë dashuri ndaj një ekipi që janë jobesimtarë.

E keqja shtohet kur njerëzit shikojnë futboll në muajin e Ramazanit, në të cilin veçse jemi. I tilli do të japë llogari të dyfishtë, e para: që nuk e ka shfrytëzuar muajin e Ramazanit në adhurime, lutje, bindje, dhikër, lexim të Kuranit etj., e dyta: që e ka kaluar kohën kotë, madje dhe në mëkate. Në këtë pikë, mëkati është i dyfishtë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë se është poshtëruar ai person që ka hyrë koha e Ramazanit dhe nuk i janë falur mëkatet. E si pret një person të dalë me rezultate të kënaqshme (me faljen e Allahut) nga Ramazani kur ai e çon kohën me të tilla gjëra dhe nuk e mbush atë me adhurime ndaj Allahut?!

Veprimi i kësaj vepre është si pasojë e bindjes dhe besimit të dobët të tyre. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim (bindje të plotë) dhe duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, do t’i falen mëkatet.” Buhariu dhe Muslimi. Nëse e vepron të kundërtën, është rrezik për të që të mos e arrijë faljen e Allahut dhe Kënaqësinë e Tij.

Muslimani duhet të ketë kujdes ta ruajë kohën e tij, sidomos në këtë muaj të Ramazanit. Dijetarët kanë thënë që kur të agjërosh Ramazanin, agjëro sikur të ishte Ramazani i fundit për ty, ngase nuk e di ti se a do ta arrish Ramazanin tjetër.

Ne njerëzit shpresojmë për jetë të gjatë. Kjo është prej kurtheve të shejtanit. Secili nga njerëzit, që nuk e ka kuptuar realitetin e kësaj bote dhe botës tjetër, shpreson për një jetë të gjatë, deri në pleqëri, duke i pritur nipat e madje dhe stërnipat. Ne e dimë, se ka shumë njerëz, jo vetëm prej të moshuarve, por edhe prej të rinjve, të cilët në vitin e kaluar kanë qenë të gjallë në Ramazan, e sot nuk janë. Prej tyre ke mundur të jesh edhe ti. Pse ti të jesh më i veçantë që mos të të vijë vdekja? Pse të jesh i sigurt se gjithsesi do ta arrish Ramazanin e vitit të ardhshëm?

Kur njeriu e di realitetin e kësaj jete dhe se shumë shpejtë do të vdesë, atëherë e kursen kohën e tij. Të parët tanë në fe kanë treguar për sahabët se ata e kanë ruajtur kohën e tyre më shumë sesa që ju e kurseni dhe e ruani pasurinë tuaj. Për ta ka qenë koha më e vlefshme sesa pasuria dhe depozitimi i saj dhe kanë qenë xhelozë për të duke mos lejuar t’iu ikë kotë.

Andaj, ai që e kalon kohën (në veçanti Ramazanin) në gjëra të kota, siç është të shikuarit e futbollit,  nuk e ka kuptuar ende rëndësinë e kohës dhe realitetin e kësaj bote. Shumë shpejt mund ta befasojë vdekja, e si do ta takojë Allahun?! Secili nga njerëzit duhet t’ia bëjë këtë pyetje vetes: Nëse tash më vije engjëlli i vdekjes, si po ia dorëzoj shpirtin Allahut, në çfarë vepra? Në mëkate apo në vepra të mira?

Askush prej nesh nuk e di se a do ta arrijë të nesërmen. Qëllimi i vetëm për të cilin jemi krijuar dhe që jetojmë në këtë botë, është adhurimi vetëm ndaj Allahut. Çdo gjë që të pengon drejt këtij qëllimi, është e ndaluar. Në disa raste këto pengesa konsiderohen harame të mëdha e në disa raste gjëra të papëlqyeshme. Kjo varësisht se sa e pengojnë njeriun nga adhurimi ndaj Allahut. Gjërat e kësaj bote njeriu duhet t’i shfrytëzojë në mënyrë që të arrijë atë qëllim të madh për të cilin është krijuar.

Kjo ishte vetëm një këshillë e shkurt për ata të cilët janë mashtruar apo i ka mashtruar shejtani!

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit