Komentim mbi ajetin

Komentim mbi ajetin

Allahu thotë: “Për natën që mbulon (me terr), për ditën që agon dhe për Atë që ka krijuar mashkullin dhe femrën! Vërtet, veprat tuaja janë të ndryshme. Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai) dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimit), Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit.” Lejl 1-7.

-Dhënia- (“Sa për atë që jep”).
Allahu këtu nuk ka treguar se çfarë jep ai, e ka lënë këtë gjë të hapur, që të tregojë se ajo që duhet ta japë besimtari nuk është vetëm nga pasuria e tij, por shumë gjëra. Prej këtyre gjërave është dhe pasuria (duke dhënë lëmoshë), e gjithashtu duhet të japë edhe vepra të mira, si: namaz, agjërim, zekat, haxh (i vepron) etj. Përderisa Allahu e ka lënë të hapur çështjen e dhënies, kjo tregon se është e përgjithshme. Allahu na tregon këtu se nefsi i besimtarit duhet të jetë fisnik, bujar, i cili është i lehtë, e dëshiron të mirën e kthehet kah ajo dhe vazhdimisht jep, pra i bindet Allahut, kryen urdhrat e Tij dhe largohet nga ndalesat e Tij, e gjithashtu jep edhe gjëra të tjera, jo vetëm ato vepra që janë prej shtyllave apo obligimeve të Islamit, p.sh.: jep prej kohës së Tij, kështu qëndron zgjuar natën për namaz nate, lexim të Kuranit, dhikër e lutje, po ashtu gjatë ditës agjëron, jep prej pendimit (sa më shumë pendohet tek Allahu), prej falënderimit, prej pozitës dhe fuqisë që ka (duke i shfrytëzuar në dobi e ndihmë ndaj të tjerëve), prej sinqeritetit (duke qenë i sinqertë në adhurimin ndaj Allahut) etj. Dhe në këtë mënyrë kanë ardhur komentime të ndryshme prej selefit mbi këtë ajet.

-“…ka frikë (nga Allahu)…” Pra, ai është ruajtur nga mëkatet dhe nga gjërat që e zemërojnë dhe e hidhërojnë Allahun, është larguar prej të gjitha shkaqeve që dërgojnë te zemërimi i Tij. Kjo gjë kërkon angazhim të vetës, që të largohet prej mëkateve, të ruhet prej tyre. Njeriu nëse largohet prej tyre arrin ta realizojë devotshmërinë, të pasurit frikë ndaj Allahut. Kjo është prej shkaqeve më madhore të arritjes së lehtësimit të çështjeve të tij. Pastaj pasi arrin këtë (largimin prej mëkateve) ngritët në nivel edhe më të lartë, pra largohet edhe prej gjërave të papëlqyera, mekruhate, që janë të urryera në Islam. Pastaj largohet prej gjërave të dyshimta, se a janë të lejuara a të ndaluara. Dhe së fundi ka prej besimtarëve që largohen edhe prej gjërave të lejuara – mubah, ngase në këtë mënyrë e dinë se veprat e mira do të qëndrojnë të pranuara tek Allahu. Kjo sepse shumë herë njeriu ka mundësi që përmes teprimit në gjëra të lejuara (mubahate) të shkatërrojë disa prej veprave të mira që ka bërë. Sufjan eth Theuri rahimehullah ka thënë: “Janë quajtur muttekiinë – të ruajtur, ngase janë ruajtur edhe prej gjërave të cilat nuk janë gjëra që duhet ruajtur prej tyre (prej gjërave të lejuara).”

-“…dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës…” E më të bukurës është komentuar nga disa se është për qëllim fjala La ilahe ilAllah. Disa të tjerë kanë thënë se janë gjërat që i kërkon fjala La ilahe ilAllah, andaj kanë përmendur: namazin, agjërimin, zekatin, haxhin etj. Disa kanë thënë se është shpërblimi i madh dhe i bukur: xheneti, të cilin Allahu e ka përgatitur për besimtarët, që është pëfundimi i mirë. Për të arritur lehtësimin, njeriu duhet të ketë besim të saktë, të vërtetë, besim të paluhatshëm dhe bindje. Kjo pa dyshim që do të jetë prej shkaqeve kryesore për arritjen e lehtësimit dhe suksesit

Hoxhë Lulzim Perçuku – Dersi) Shkaqet për arritjen e të mirave në këtë botë dhe në ahiret.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit