Krahasimi midis sheriatit dhe ligjeve njerëzore

Shejh: AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

http://binbaz.org.sa/mat/30

Pyetje: A konsiderohet krahasimi midis sheriatit dhe ligjeve (njerëzore) si nënçmim i sheriatit?

Përgjigje: Nëse krahasimi bëhet për ndonjë qëllim të mirë, siç është sqarimi i plotësisë së sheriatit, i pozitës së lartë të tij dhe epërsisë që e ka ndaj ligjeve të vendosura nga njerëzit, pastaj (sqarimi) i faktit se ai përmban çdo interes publik, atëherë s’ka gjë të keqe në këtë. Sepse në këtë ka shpalosje të së vërtetës, mbushje të mendjes së thirrësve drejt të kotës (që ta pranojnë të vërtetën) dhe qartësim të falsitetit të thënieve të tyre kur thërrasin drejt ligjeve njerëzore apo se sheriati nuk është i përshtatshëm për kohën në të cilën jetojmë dhe se koha e tij ka kaluar. Pra, s’ka gjë të keqe nëse krahasimi bëhet për këtë qëllim të mirë dhe, po ashtu, (nëse bëhet) për t’iu kundërvënë atyre, apo për të sqaruar kotësinë e thënieve të tyre, si dhe për t’i qetësuar e forcuar zemrat e besimtarëve në të vërtetën. Pra, për këto qëllime që u përmenden, s’ka ndalesë për të krahasuar midis sheriatit dhe ligjeve njerëzore, mirëpo me kusht që një gjë e tillë të bëhet nëpërmjet dijetarëve largpamës, të cilët njihen me besim e sjellje të mirë dhe me diapazon të gjerë rreth shkencave fetare dhe objektivave madhështorë të tyre.

 

Përktheu: Petrit Perçuku

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit