Kremtimi i ditës së të dashuruarve

Komisioni i përhershëm për hulumtime akademike dhe fetua

Pyetje: Disa njerëz për çdo vit me katërmbëdhjetë shkurt e kremtojnë ditën e të dashuruarve, apo siç njihet ndryshe “dita e shën valentinit”. Me këtë rast ata i dhurojnë njëri-tjetrit trëndafila të kuqe, veshin rroba me ngjyrë të kuqe, si dhe e urojnë njëri-tjetrin. Po ashtu disa ëmbëltore përgatisin ëmbëlsira me ngjyrë të kuqe dhe vizatojnë zemra mbi to. Ndërsa, disa dyqane tjera vendosin shpallje për produktet e tyre që janë të veçanta për këtë ditë. Cili është mendimi i juaj rreth:

1. Kremtimit të kësaj dite?

2. Blerjes nga këto dyqane në këtë ditë?

3. Shitjes së gjërave që dhurohen në këtë ditë, për ata që e kremtojnë atë, nga pronarët e dyqaneve të cilët vetë nuk e kremtojnë? Allahu ju shpërbleftë me të mira!

Përgjigje: Argumentet e qarta nga Kurani dhe Suneti, si dhe ixhma’-i (konsensusi) i të gjithë dijetarëve të selefit (myslimanëve të parë), tregojnë se festat në Islam janë vetëm dy: Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami. Të gjitha festat tjera, pavarësisht a janë të lidhura për ndonjë person, apo grup, apo ngjarje, apo ndonjë domethënie tjetër, janë bidate (risi), dhe si të tilla nuk iu lejohet myslimanëve t’i veprojnë dhe miratojnë ato, si dhe ta shfaqin gëzimin dhe të dhënë ndonjë ndihmë rreth tyre. Sepse, kjo është prej tejkalimit të kufijve të Allahut, dhe kush i tejkalon kufijtë e Allahut ai i ka bërë padrejtësi të madhe vetes së tij.

Nëse kësaj i shtohet që festa e shpikur të jetë prej festave të jobesimtarëve, atëherë kjo është mëkat mbi mëkat. Sepse, në të ka imitimin të tyre dhe një lloj miqësie ndaj tyre. Allahu i Lartësuar ua ka ndaluar besimtarëve imitimin dhe miqësimin e tyre në Librin e Tij madhështor (Kuran).

Ndërsa, Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kush e imiton një popull (fe), është prej tyre.”

Festa e të dashuruarve është prej këtij lloji të festave; sepse, ajo është prej festave pagane-krishtere. Prandaj, nuk i lejohet myslimanit që beson në Allahun dhe Ditën e Fundit (Kiametit), ta festojë, miratojë, apo urojë këtë festë. Madje, është obligim për të largimi dhe braktisja e saj, si përgjigje ndaj urdhrit të Allahut dhe të Dërguarit të tij, dhe si largim nga shkaqet e zemërimit dhe ndëshkimit të Tij. Po ashtu, është e ndaluar për myslimanin ta ndihmojë këtë festë, si dhe festat e tjera, me diç nga ushqimet dhe pijet, apo me shitblerje, prodhim, shkëmbim letrash (mesazhesh) apo dhuratash, shpallje, etj. Ngase, e gjithë kjo është prej të ndihmuarit e njëri-tjetrit në gjynahe, armiqësi, dhe mosbindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të tij. Allahu i Lartësuar thotë:

“Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër.” (El Maide, 2).

Është obligim për myslimanin të kapet/mbahet për Kuranin dhe Sunetin në të gjitha gjendjet/çështjet e tij, sidomos në kohët e fitneve dhe trazirave të shumta. Ai duhet të jetë i mençur dhe i kujdesshëm nga rënia në devijimet e atyre që kanë shkaktuar zemërimin e Allahut, të atyre që janë të humbur, dhe të shthururve të cilët nuk e madhërojnë Allahun duke e pasur frikë Atë dhe nuk e lartësojnë e nderojnë Islamin. Myslimani e ka obligim që t’i drejtohet Allahut të Lartësuar në kërkimin e udhëzimit dhe qëndrueshmërisë në të, sepse vetëm Ai është udhëzues dhe përforcues.

Vetëm Allahu e sjell suksesin. Saleuatet dhe selamet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamed, dhe mbi familjen e shokët e tij.

Fetuaja me nr. 21203. Vëllimi nr. 2, faqe: 263.
Kryetar: AbdulAziz bin Abdilah Alu Shejh.
Anëtar: Abdullah bin Gudejan.
Anëtar: Salih El Feuzan.
Anëtar: Bekr Ebu Zejd.

Përktheu: Lulzim Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit