Kuptimi i emrave El Haliku, El Bariu, El Musauiru

Shejh AbduRrezak bin AbdulMuhsin El Bedr, Allahu e ruajt!

Allahu i Lartësuar ka bashkuar mes këtyre tre emrave në Fjalët e Tij: “Ai është Allahu, El Haliku (Krijuesi), El Bariu (Zanafillësi), El Musauriu (Formëdhënësi, Ai që çdo gjëje i jep trajtë). Atij i përkasin emrat më të bukur” (El Hashr, 24), domethënë, Ai është i Cili veçohet me paracaktimin e çdo gjëje që ekziston; Ai me urtësinë e Tij i krijoi të gjitha krijesat, dhe me përpikërinë e Tij u dha formë dhe e përsosi krijimin e të gjitha qenieve të gjalla. Pra, Ai është që i krijoi, shpiku, dhe iu dha ekzistencë të gjitha atyre në kohën e përshtatshme për to. E paracaktoi krijimin e tyre dhe i bëri ato në formën më të përsosur dhe mënyrën më të përkryer, si dhe i orientoi drejt interesave të tyre. Çdo gjëje i dha krijimin që i përshtatet, pastaj çdo krijese ia rrëfeu rrugën drejt qëllimit për të cilin është përgatitur dhe krijuar.

El Haliku është Ai që i paracaktoi të gjitha gjërat sipas asaj që e kërkon urtësia e Tij. Kurse, El Bariu është Ai që u dha ekzistencë pas inekzistencës së tyre. Ndërsa, El Musauiru është Ai që u dha formë/trajtë të gjitha krijesave dhe qenieve të gjalla, ashtu siç dëshiroi Ai. Pra, emrat El Bariu, El Musauiru, ashtu siç thotë Ibnul-Kajimi[1] , janë shtjellim i hollësishëm i emrit El Haliku. Sepse, Allahu i Madhërishëm kur dëshiron të krijojë diç, së pari e paracakton sipas dijes dhe urtësisë së Tij, pastaj e bën ber’un, domethënë e krijon në pajtueshmëri të plotë me atë që ka paracaktuar, si dhe në formën të cilën e do dhe e dëshiron Ai.

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: ‘El halku është paracaktimi, kurse el ber’u është el ferju (sajimi), e që është realizimi dhe nxjerrja në ekzistencë të asaj që e ka paracaktuar dhe miratuar. Prandaj, nuk do të thotë që çdokush i cili paracakton dhe rregullon ndonjë gjë, ka mundësi ta realizojë atë dhe t’i japë ekzistencë asaj, përveç Allahut të Madhërishëm. Fjalët e të Lartësuarit: “Ai është Allahu, El Haliku (Krijuesi), El Bariu (Zanafillësi), El Musauriu (Formëdhënësi, Ai që çdo gjëje i jep trajtë)” kanë kuptimin: Ai i cili kur dëshiron ndonjë gjë vetëm i thotë ‘bëhu’ dhe ajo menjëherë bëhet sipas formës të cilën Ai e dëshiron dhe e përzgjedhë. Ashtu siç tha: “Dhe, që të ka mbrujtur në çfarëdo forme që ka dashur?!” (El Infitar, 8). Për këtë edhe e quajti Veten e Tij: El Musauir, domethënë Ai i cili ka mundësi ta realizojë/përmbushë dëshirën e Tij në dhënien ekzistencë një gjëje, sipas formës/trajtës të cilën e dëshiron.'[2]

Interpretimi i halkut (krijimit) me paracaktimin, përshtatet vetëm atëherë kur këta tre emra përmenden sipas renditjes që ka ardhur në ajetin e lartcekur; pra, së pari el halku e që është paracaktimi i ekzistimit të krijesës, pastaj el berju, e që është dhënia e ekzistencës pas inekzistencën, dhe në fund bërja e saj (krijesës) sipas formës të cilën e dëshiron Allahu i Patëmeta.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ne ju krijuam e pastaj ju dhamë formën” (El A’raf, 11), pra, së pari krijimi, pastaj dhënia e formës. Ashtu siç është paracaktimi (el halku) së pari, pastaj dhënia e ekzistencës (el berju); Allahu i Lartësuar thotë: “S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë!” (El Hadid, 22).

El berijje janë krijesat (njerëzit dhe xhinët). Allahu i krijoi ata dhe bëri prej tyre besimtarë dhe jobesimtarë, siç thotë i Lartësuari: “Është Ai që ju krijoi juve, e megjithatë, disa prej jush janë mohues e disa besimtarë. Por Allahu e sheh mirë çdo gjë që bëni.” (Et-Tegabun, 2). Kush prej tyre është besimtar dhe tregon bindje ndaj Allahut, ata janë krijesat më të mira, ndërsa kush prej tyre është jobesimtar dhe idhujtar, ata janë krijesat më të këqija. Siç thotë Allahu i Lartësuar: “Në të vërtetë, ata që nuk besojnë prej ithtarëve të Librit dhe idhujtarëve, do të hyjnë në zjarrin e Xhehenemit, në të cilin do të mbeten përgjithmonë. Ata janë krijesat (el berijje) më të këqija. Pa dyshim, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira – pikërisht ata janë krijesat (el berijje) më të mira. Shpërblimi i tyre është te Zoti i tyre: kopshtet e Adnit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të banojnë përherë. Allahu është i kënaqur me ata, por dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është dhurata për ata që e kanë frikë Zotin e vet.” (El Bejjine, 6-8).

Patjetër që këtu duhet të tërheqim vërejtjen, se shirku i atyre që sajuan të barabartë dhe ortakë krahas Allahut në adhurimet e tyre, megjithëqë Ai i Cili i krijoi është Allahu i Vetmi, tregon për mendjelehtësinë e tyre të skajshme dhe për humbjen e tyre të plotë. Madje, kjo është padrejtësia më e madhe dhe krimi më i rëndë. Për këtë, Allahu i nënçmoi bijtë e Israilit (hebrenjtë) kur ata e adhuruan viçin dhe e bën atë ortak me Allahun, përderisa viçi është një kafshë shtëpiake e cila nuk posedon për veten e saj as dobi e as dëm, e aq më pak të posedojë diç të tillë për të tjerët, dhe tregoi se nuk ka padrejtësi më të madhe përtej asaj që ata e vepruan. Allahu i Patëmeta thotë: “Dhe, kur ai (Musai) i tha popullit të vet: “O populli im, ju vetëm vetes i bëtë keq, kur e adhuruat viçin si zot! Prandaj kthehuni të penduar te Krijuesi (El Bariu) juaj dhe vritni njëri-tjetrin! Kjo është më mirë për ju në sy të Krijuesit (El Bariu) tuaj. Ai jua fali gabimin, sepse Ai i pranon shumë pendimet dhe është Mëshirëploti” (El Bekare, 54), kurse dy ajete para këtij tha: “e pastaj ju adhuruat viçin, duke vepruar padrejtësisht!” (El Bekare, 51). Pra, shirku është padrejtësia më e neveritshme dhe më e rëndë, sepse si ka mundësi të barazohet krijesa e cila është e mangët (në çdo aspekt) me Atë që iu dha ekzistencë krijesave dhe i krijoi gjallesat. I Lartë është Allahu mbi ata që ia shoqërojnë Atij.

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Në Fjalët e Tij: ‘Prandaj kthehuni të penduar te Krijuesi (El Bari) juaj’, Allahu ua sjellë ndërmend krimin e madh të cilin ata e vepruan. Domethënë: pendohuni te Ai i Cili megjithëqë iu krijoi, ju adhuruat të tjerë krahas Tij.”

Pra, fakti që Allahu i Patëmeta është Krijuesi (El Bariu) i Vetëm, është provë e qartë për obligueshmërinë e njësimit dhe veçimit të Tij me adhurim. Po ashtu, fakti që Allahu i Patëmeta është Formëdhënësi (El Musauir) i Vetëm, është provë për obligueshmërinë e njësimit të Tij me adhurim dhe me përkushtim të sinqertë.

Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu është Ai që jua ka bërë Tokën vendbanim e qiellin kulm, ju ka dhënë formë e jua ka përsosur atë dhe ju ka furnizuar me ushqime të mira. Ja, ky është Allahu, Zoti juaj. Qoftë i lartësuar Allahu, Zoti i botëve! Ai është i Përjetshmi, s’ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Tij. Prandaj lutjuni vetëm Atij, duke iu drejtuar me adhurim të sinqertë. Qoftë i lavdëruar Allahu, Zoti i botëve!” (Gafir, 64-65).

“Ai ju formon në mitër, ashtu siç dëshiron Vetë; s’ka të adhuruar tjetër që meriton të adhurohet, përveç Tij, të Plotfuqishmit, të Urtit!” (Alu Imran, 6).

Për këtë, Allahu i Patëmeta ndaloi robërve të Tij që të pikturojnë/skulpturojnë gjërat që kanë shpirt, për arsye se me këtë rivalizojnë krijimin e Allahut, dhe për arsye se kjo i hapë dyert e shirkut dhe humbjes.

Në dy Sahihat përcillet se Abdullah bin Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë: ‘E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), të ketë thënë: “Vërtetë, njerëzit që më së shumti do të ndëshkohen në Ditën e Kiametit janë ata që pikturojnë/skulpturojnë.”[3]

Po aty, përcillet nga Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), ka thënë: “Njerëzit që më së shumti do të ndëshkohen në Ditën e Kiametit janë ata të cilët e rivalizojnë Allahun në krijim.”[4]

Po aty, përcillet hadithi i Ebu Hurajras, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Allahu i Patëmeta thotë: ‘A ka më zullumqar se ai që imiton krijimin Tim? Atëherë, le të krijojnë një grimcë, apo një kokrrizë, apo një kokërr elbi’.”[5]

Po aty, përcillet hadithi i Abdullah bin Umerit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), ka thënë: “Vërtetë ata të cilët i bëjnë këto piktura/skulptura do të ndëshkohen në Ditën e Kiametit. Atyre do tu thuhet: ‘Jepuni shpirt gjërave që i krijuat!’.”[6]

Në hadithin e fundit sqarohet mënyra e ndëshkimit, në Ditën e Kiametit, për atë që pikturon/skulpturon. Ai do të ngarkohet që t’i japë shpirt pikturës/skulpturës të cilën e ka formësuar. Ai nuk do të ketë mundësi ta bëjë një gjë të këtillë, kështu që ndëshkimi ndaj tij do të jetë i vazhdueshëm.

Pastaj, këta tre emra ndahen në dy grupe:

1) El Bariu është emër me të cilin duhet të veçohet Allahu i Madhërishëm. Prandaj, në asnjë rast nuk lejohet që me këtë emër ta quajmë dikë tjetër. Sepse, el ber’u, e që është dhënia ekzistencë pas inekzistencës, është çështje e veçantë vetëm për Allahun e Patëmeta. Ai është që i krijoi dhe iu dha ekzistencë pas inekzistencës të gjitha krijesave.

2) Ndërsa, El Haliku dhe El Musauiru nëse përdoren në mënyrë të pakufizuar, atëherë, nuk lejohet të quhet me ta askush tjetër përveç Zotit, siç thotë i Lartësuari: “El Haliku (Krijuesi), El Bariu (Zanafillësi), El Musauriu (Formëdhënësi, Ai që çdo gjëje i jep trajtë)”. Kurse, si të kufizuar lejohet të quhet edhe dikush prej njerëzve, siç thuhet për atë që paracakton diçka, se ai e ka krijuar (haleka) atë. Poeti thotë:

Vërtetë, që ti e vepron atë që e krijon
Kurse, disa të tjerë krijojnë, por nuk e veprojnë

Domethënë, ti ke mundësi ta zbatosh dhe ta realizosh atë që e ke paracaktuar, kurse të tjerët paracaktojnë gjëra, por janë të pafuqishëm në zbatimin dhe realizimin e tyre. Nisur nga kjo konsideratë, ka qenë e saktë/ligjshme që njeriu të quhet halik (krijues) në Fjalët e Allahut të Lartësuar: “Qoftë Lartësuar/Bekuar Allahu, më i përsosuri i krijuesve!” (El Mu’minun, 14), domethënë, më i përsosuri i formëdhënësve dhe i atyre që paracaktojnë. Ai i cili nuk arrin ta perceptojë këtë shtjellim, do të gabojë rëndë në këtë çështje; ose duke mohuar të quajturit e njeriut si halik (krijues) dhe musauir (formëdhënës), sipas konsideratës së lartpërmendur, ose duke e pohuar për krijesën atë që është e veçantë vetëm për Krijuesin, e që është të veçuarit e Tij me krijimin dhe dhënien ekzistencë të gjitha krijesave, sa do të imta apo të mëdha qofshin ato. Allahu i Lartësuar thotë: “A mos vallë ata i veshin Atij si ortakë të tjerë që nuk mund të krijojnë asgjë, ndërkohë që vetë janë të krijuar?! Që nuk mund t’u japin ndonjë ndihmë atyre e as veten nuk mund ta ndihmojnë?!” (El A’raf, 191-192).

Marrë nga: “Fikhu el esmai el husna”

Përktheu: Lulzim Perçuku

______________________________________

[1] “Shifaul-alil” (1/366).
[2] “Tefsir Ibën Kethir” (8/106).
[3] Sahihu i Buhariut, nr. 5606, dhe Sahihu i Muslimit, nr. 2109.
[4] Sahihu i Buhariut, nr. 5610, dhe Sahihu i Muslimit, nr. 2107.
[5] Sahihu i Buhariut, nr. 5609, dhe Sahihu i Muslimit, nr. 2111.
[6] Sahihu i Buhariut, nr. 5607, dhe Sahihu i Muslimit, nr. 2108.

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva