Kuptimi i emrave El Haliku, El Hal-laku

Shejh AbduRrezak bin AbdulMuhsin El Bedr (Allahu e ruajt)

Emri i Allahut El Haliku është përmendur në disa vende në Kuranin Fisnik.

Prej tyre:

Fjalët e Allahut të Lartësuar:

“Ai është Allahu, El Haliku (Krijuesi), Zanafillësi, Formëdhënësi (Ai që çdo gjëje i jep formë)” (El Hashr, 24).

“Allahu është El Haliku (Krijuesi) i çdo gjëje dhe Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje)” (Ez-Zumer, 62).

Kurse, emri El Hal-laku është përmendur vetëm në dy vende në Kuran, në Fjalët e Allahut të Lartësuar:

“Vërtet Zoti yt është El Hal-laku (Krijuesi Madhështor), i Gjithëdijshmi” (El Hixhr, 86)

Dhe në Fjalët e Tij:

“Po! Ai është El Hal-laku (Krijuesi i çdo gjëje), i Gjithëdijshmi” (Ja Sin, 81).

Me fjalën el halku (krijimi) kihen për qëllim dy gjëra:

E para: Shpikja dhe dhënia ekzistencë një gjëje pa ndonjë model/shembull të mëparshëm. Në këtë kuptim janë Fjalët e Allahut të Lartësuar:

“Vallë, a nuk shohin ata se, ndër gjërat që Duart Tona kanë krijuar për ta, janë bagëtitë që ata zotërojnë?!” (Ja Sin, 71).

“Vërtetë, Ne çdo gjë e kemi krijuar me masë të paracaktuar.” (El Kamer, 49).

“I Cili ka krijuar gjithçka dhe e ka përpjesëtuar drejtë; që ka caktuar fatin e çdo gjëje dhe ia ka rrëfyer rrugën.” (El A’la, 2-3).

“I Cili ka krijuar çdo gjë dhe e ka paracaktuar me paracaktim.” (El Furkan, 2).

“Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë.” (El Enbija, 4).

E dyta: Përdoret në kuptimin e paracaktimit (formimit, hartimit, përpilimit, shpifjes). Në këtë kuptim janë edhe fjalët e arabëve: e krijoi lëkurën (e kafshës), domethënë i paracaktoi masat e saj (për ta prerë). Po ashtu, në këtë kuptim janë edhe fjalët e poetit:

Vërtetë, që ti e vepron atë që e krijon
Kurse, disa të tjerë krijojnë, por nuk e veprojnë

Domethënë, ti nëse e paracakton një çështje, e realizon atë, kurse të tjerët paracaktojnë, mirëpo nuk e realizojnë atë çështje.

Në këtë kuptim janë edhe Fjalët e Allahut:

“Ju krijoni gënjeshtra.” (El Ankebut, 17), domethënë, i paracaktoni dhe i përgatitni (shpifni) ato.

Po ashtu, edhe Fjalët e Tij:

“Qoftë lartësuar Allahu, më i miri/përsosuri i krijuesve.” (El Mu’minun, 14).

Pra, krijimi si atribut i krijesave e ka kuptimin e paracaktimit/formimit. Kurse, krijimi që është shpikja dhe dhënia ekzistencë një gjëje pa ndonjë shembull të mëparshëm, është cilësi me të cilën veçohet Zoti i botëve.

Siç thotë Allahu i Lartësuar:

“A ka ndonjë krijues, veç Allahut, i cili ju furnizon nga qielli dhe Toka?” (Fatir, 3).

“Ky është krijim i Allahut! Më tregoni çfarë kanë krijuar të tjerët pos Tij? Asgjë, por keqbërësit janë vërtetë në humbje të plotë.” (Lukman, 11).

Ky ajet i sfidon të gjitha krijesat (njerëzit dhe xhinët). Madje, Allahu i Patëmeta e pohoi pamundësinë e njerëzve në tërësi, edhe sikur ata të bashkoheshin deri te i fundit prej tyre, për krijimin e një mize të vetme, e cila është prej gjallesave më të dobëta dhe më të përbuzura.

Allahu i Lartësuar thotë:

“O njerëz, është sjellë një shembull, andaj dëgjojeni atë: “Ata (idhujt) që ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, edhe nëse bashkohen të gjithë për këtë. E, nëse miza u merr atyre diçka, ata nuk do të mund t’ia marrin. I dobët është përgjëruesi (adhuruesi), por edhe ai të cilit i përgjërohen (idhulli).” Ata nuk e çmojnë Allahun me vlerën e Tij të vërtetë. Vërtet, Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” (El Haxhxh, 73-74).

Pastaj, Allahu nuk i krijoi këto krijesa si lojë dhe dëfrim, dhe kot së koti, i Pastër dhe i Patëmeta është Allahu që t’i atribuohet diçka e këtillë.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Ne nuk e kemi krijuar qiellin dhe Tokën e ç’gjendet në mes tyre, për të luajtur (pa qëllim). Sikur të donim argëtim, Ne do ta bënim me gjërat pranë Nesh (si engjëjt, hyrijet etj.), nëse do të bënim diçka të tillë. Por Ne e godasim të pavërtetën, me të vërtetën, e cila e shkatërron atë dhe ajo zhduket. Dhe, mjerë për ju, për atë që i vishni (Allahut!)” (El Enbija, 16-18).

“Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!” I lartësuar është Allahu, Sundimtari i Vërtetë! S’ka të adhuruar tjetër të vërtetë (me të drejtë), përveç Atij, Zotit të Fronit Madhështor!” (El Mu’minun, 115-116).

Përkundrazi, Allahu i Patëmeta i krijoi krijesat për ta njohur Atë, si dhe për ta adhuruar vetëm Atë.

Argument për të parën janë Fjalët e Allahut të Lartësuar:

“Allahu është Ai, që ka krijuar shtatë qiej dhe po aq toka. Urdhrat e Tij zbresin përmes tyre, që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij.” (Et-Talak, 12).

Kurse, argument për të dytën janë Fjalët e Tij:

“Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Edh-Dharijat, 56).

Shumica e njerëzve kanë devijuar në këtë pikë. Pra, ata e dinë se Ai i cili i ka krijuar është Allahu i Vetmi, i Cili nuk ka ortakë, se Ai është që veçohet me krijimin e tyre, qiellit, tokës, kodrave, drunjve, dhe krijesave të tjera, dhe me gjithë këtë miratim, adhurimet e tyre ia kushtojnë dikujt tjetër veç Tij.

Kjo është domethënia e Fjalëve të Allahut të Lartësuar:

“Shumica e tyre nuk besojnë në Allahun, pa i shoqëruar Atij njëkohësisht (të tjerë) në adhurim.” (Jusuf, 106).

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë:

‘Prej besimit të tyre ishte se kur iu thuhej atyre: kush i ka krijuar qiejt, Tokën, dhe kodrat? Ata përgjigjeshin: Allahu, dhe megjithëkëtë i shoqëronin të tjerë në adhurim.’

Ikrime thotë:

‘Nëse i pyet: kush i krijoi qiejt dhe Tokën? Ata thonë: Allahu, ky është besimi i tyre në Allahun, mirëpo, megjithëkëtë, ata adhurojnë të tjerë veç Tij.’

Allahu i Lartësuar thotë:

“Qoftë lavdëruar Allahu që krijoi qiejt dhe Tokën dhe bëri errësirën dhe dritën. E megjithatë, ata që nuk besojnë, sajojnë zota të tjerë si të barabartë me Zotin e tyre.” (El En’am, 1).

Ibën Abasi thotë:

‘Këtu Allahu ka për qëllim: Edhe pse ata i pohojnë/miratojnë mirësitë e Mia dhe rububijen (Zotërimin) Time, prapëseprapë sajojnë gurë dhe idhuj, që janë prej krijesave të Mia, si të barabartë me Mua.’ [1]

Në Kuranin Fisnik shpesh përmendet të argumentuarit kundër jobesimtarëve me faktin se ata e pranojnë/miratojnë që vetëm Allahu është Krijues, Furnizues, Bamirës, dhe Rregullues (i këtij universi), për t’i detyruar që vetëm Atë ta njësojnë me adhurim dhe vetëm Atij t’ia kushtojnë gjithë fenë.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Nëse ti (Muhamed) i pyet ata se kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe kush i ka nënshtruar (të rrotullohen) Diellin e Hënën, – me siguri që ata do të të thonë ‘Allahu!’”

Pra, pasi që e përmendi miratimin e tyre për këtë, i qortoi duke e refuzuar/mohuar shirkun e tyre me Fjalët e Tij:

“Atëherë, si po largohen (nga adhurimi i Tij të Vetmit)?” (El Ankebut, 61).

Po ashtu, i Lartësuari thotë:

“Nëse ti i pyet ata se kush e zbret ujin nga qielli dhe nëpërmjet tij e gjallëron tokën pas vdekjes së saj, – me siguri që ata do të të thonë ‘Allahu!’”

Pasi që e përmendi miratimin e tyre për këtë, i qortoi duke e refuzuar/mohuar shirkun e tyre me Fjalët e Tij:

“Thuaj: “Qoftë lëvduar Allahu!” Por, shumica e tyre nuk mendojnë.” (El Ankebut, 63).

Allahu i Lartësuar thotë:

“Allahu është Ai që ju ka krijuar e ju ka dhënë ushqim; pastaj ju sjell vdekjen e pastaj ju ringjall. A ka ndonjë nga idhujt (të adhuruarit) tuaj që bën diçka të tillë?”

Padyshim që përgjigjja e tyre, pas së cilës nuk ka përgjigje tjetër, është: jo; domethënë nuk ka asnjë prej të adhuruarve tonë (krahas Allahut) që ka mundësi të veprojë diç nga krijimi, furnizimi, dhënia e jetës dhe vdekjes. Prandaj, pasi që patjetër ky është miratimi i tyre që do të specifikohej në këtë rast, Allahu i Patëmeta i qortoi duke iu thënë:

“Ai qoftë i lavdëruar dhe i lartësuar mbi gjithçka, që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!” (Err-Rrum, 40).

Allahu i Lartësuar thotë:

“Thuaj: “E kujt është Toka dhe gjithçka që gjendet në të, nëse e dini?” Ata do të thonë: “Të Allahut!” E ti thuaju: “Vallë, a nuk po ia vini veshin?” Thuaj: “Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zoti i Fronit Madhështor?” Ata do të thonë: “Allahu!” E ti thuaju: “Vallë, a nuk keni frikë ju?” Thuaj: “Kush është Ai që ka në dorë pushtetin mbi çdo gjë, i Cili mbron, por prej Tij nuk mund të mbrohet askush, nëse e dini?” Ata thonë: “Allahu.” E ti thuaju: “Atëherë, përse magjepseni (nga besimet e juaja të kota)”?” (El Mu’minun, 84-89).

Allahu i Lartësuar thotë:

“Thuaj (o Muhamed): “Lëvduar e falënderuar qoftë Allahu dhe shpëtimi qoftë për robërit e Tij të zgjedhur. Kush është më i mirë, Allahu apo ata që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)?! A ka më të mirë se Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe lëshon për ju nga qielli ujë, me të cilin krijon kopshte të mrekullueshme?! Ju nuk mund t’i bëni pemët të rriten (pa këtë ujë). Vallë, a ka krahas Allahut zot (të adhuruar) tjetër?! Jo, por ata janë njerëz që i veshin (Allahut) të barabartë me Atë!” (En-Neml, 59-60).

“Qoftë lavdëruar Allahu që krijoi qiejt dhe Tokën dhe bëri errësirën dhe dritën. E megjithatë, ata që nuk besojnë, sajojnë zota (të adhuruar) të tjerë si të barabartë me Zotin e tyre.” (El En’am, 1).

Këtu i mençuri habitet pa masë me mendjet e idhujtarëve, se si i barazuan ata që nuk posedojnë për veten e tyre, e as për të tjerët që janë në qiej apo në Tokë, (dëm e dobi) as sa grimca më e vogël, me Atë që i krijoi qiejt dhe Tokën, dhe bëri errësirën dhe dritën.

I Lartësuari thotë:

“A mos vallë ata i veshin Atij si ortakë të tjerë që nuk mund të krijojnë asgjë, ndërkohë që vetë janë të krijuar?! Të tjerë, që nuk mund t’u japin ndonjë ndihmë atyre e as veten nuk mund ta ndihmojnë?!” (El A’raf, 191-192).

Prandaj, si ka mundësi që dheun[2] e barazuan me Zotin e “zotave”?! Si ka mundësi që robërit (e Allahut) i barazuan me Atë që i posedon (i ka në Dorë) qafat e tyre?! Si ka mundësi që robërit që janë të ngjashëm me ta, i barazuan me Zotin e Madh dhe Krijuesin Madhështorë?!

I Lartësuari më tej thotë:

“Në të vërtetë, ata që iu luteni ju, në vend të Allahut, janë robër si ju. Thirrini ata dhe le t’ju përgjigjen, nëse thoni të vërtetën!” (El A’raf, 194).

I Pastër është Allahu nga ajo çfarë ata i veshin, dhe i Lartësuar mbi gjithçka që ia shoqërojnë atij në adhurim.

Marrë nga “Fikh el esmai el husna” – Kuptimi i emrave të bukur të Allahut

Përktheu: Lulzim Perçuku

_________________________________________________

[1] E përcjellë Ibnul-Kajimi në librin e tij “Igathetul-lehfan” (2/226).

[2] Këtu autori ka për qëllim varret, të vdekurit, tyrbet, etj. Sh.p.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit