Kuptimi i emrave Err-Rrezzaku, Err-Rraziku

(الرزّاق, الرازق)

Emri i Allahut Err-Rrezzaku (Shumëfurnizuesi), është përmendur në disa vende në Kuranin Fisnik. Allahu i Lartësuar thotë:

“Vërtet, Allahu është Err-Rrezzaku (Shumëfurnizuesi), i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi.” (Edh-Dharijat, 58).

“Allahu është Err-Rraziku (Furnizuesi) më bujar.” (El-Xhumua, 11).

“Pa dyshim, Allahu është Err-Rraziku (Furnizuesi) më i mirë.” (El-Haxhxh, 58).

“Dhe na jep mirësi, se Ti je Err-Rraziku (Furnizuesi) më i mirë!” (El-Maide, 114).

Po ashtu, emri Err-Rrazik është përmendur në sunetin profetik. Në Sunen-e dhe Musned-in e Imam Ahmedit përcillet nga Enes bin Maliku të ketë thënë: ‘U ngritën çmimet në kohën e të Dërguarit të Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), kështu që njerëzit i thanë: O i Dërguar i Allahut!, sikur t’i caktoje (kufizoje) çmimet! Ai u përgjigj: “Vërtetë, vetëm Allahu është Krijuesi, Shtrënguesi / Ngushtuesi – Liruesi / Zgjeruesi (i furnizimit), Furnizuesi (Err-Rraziku), Çmimvënësi, kurse unë shpresoj që ta takoj Allahun dhe askush prej jush të mos më kërkojë kompensim për ndonjë padrejtësi ndaj tij, qoftë në gjak (jetë) apo pasuri.” [1]

Pra, Allahu i Patëmeta është Err-Rrezzak, domethënë: Ai që ka marrë përsipër furnizimin e robërve dhe i Cili çdo shpirti i jep ushqim (furnizim) që të mbahet (në jetë).

Allahu i Lartësuar thotë:

“S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës (furnizimin) prej Tij.” (Hud, 6).

Sa krijesa ka që nuk e mbajnë dot veten me ushqim (furnizim)! Allahu u jep (furnizim) atyre dhe juve!” (Ankebut, 60).

“Allahu furnizon pa kufi kë të dojë.” (El-Bekara, 212).

“Me të vërtetë, Zoti yt i jep me bollëk (ia zgjeron) e ia kufizon (riskun/furnizimin) kujt të dëshirojë.” (El-Isra, 30).

Kjo është kështu; kurse Allahu i Patëmeta dhe i Lartësuar i kujton robërit e Tij, në shumë vende në Kuranin Fisnik, se Ai është i Furnizuesi i tyre i Vetëm, i Cili ka marrë përsipër ushqimet dhe furnizimet e tyre.

Kjo në Kuran vjen në dy nivele:

1) Nivelin e kujtimit të mirësive dhe dhuntive (të Allahut).
2) Nivelin e thirrjes drejt bindjes (adhurimit të Allahut), veprave të mira dhe bamirësisë.

Prej shembujve për të parin janë Fjalët e të Lartësuarit:

“Allahu i ka krijuar për ju gratë nga lloji juaj e nga gratë tuaja ju jep djemtë e nipat dhe ju furnizon me ushqime të mira. A mos vallë, ata besojnë në gënjeshtra dhe mohojnë dhuntitë e Allahut?!” (En-Nahl, 72).

“Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë (i kemi furnizuar me) ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar.” (El-Isra, 70).

“Allahu është Ai që jua ka bërë Tokën vendbanim e qiellin kulm, ju ka dhënë formë e jua ka përsosur atë dhe ju ka furnizuar me ushqime të mira. Ja, ky është Allahu, Zoti juaj. Qoftë i lartësuar Allahu, Zoti i botëve!” (Gafir, 64).

Ndërsa, sa i përket shembujve për të dytin, atëherë themi se në Kuranin Fisnik janë të shumta rastet ku Allahu i kujton robërit e Vet me këtë (furnizimin e Tij) në nivelin e urdhërimit të tyre me adhurim (ndaj Tij) dhe kryerjen e llojeve të ndryshme të adhurimeve. Prej tyre janë Fjalët e të Lartësuarit përmes të Cilave i urdhëron ata me teuhid (njësim të Tij):

“O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat); i Cili e ka bërë për ju tokën shtresë dhe qiellin ndërtesë; i Cili prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun.” (El-Bekara, 21 – 22).

Gjithashtu, Fjalët e Tij rreth asgjësimit të shirkut:

“Allahu është Ai që ju ka krijuar e ju ka dhënë ushqim; pastaj ju sjell vdekjen e pastaj ju ringjall. A ka ndonjë nga idhujt (të adhuruarit) tuaj që bën diçka të tillë? Ai qoftë i lavdëruar dhe i lartësuar mbi gjithçka, që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!” (Err-Rrum, 40).

“O njerëz! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju! A ka ndonjë krijues, veç Allahut, i cili ju furnizon nga qielli dhe Toka? S’ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Tij. Atëherë, si po largoheni ju?” (Fatir, 3).

Po ashtu, Fjalët e Tij rreth urdhërimit për të dhënë në rrugën e Tij:

“O besimtarë! Jepni pa u kursyer nga të mirat që ju kemi dhënë (furnizuar) Ne, para se të vijë Dita (e Gjykimit) në të cilën nuk ka shit-blerje, as miqësi, as ndërmjetësi! Jobesimtarët janë keqbërësit e vërtetë.” (El-Bekara, 254).

Fjalët e Tij rreth urdhërimit për falënderim ndaj Tij:

“O besimtarë! Hani nga ushqimet e lejuara që ju kemi dhënë (furnizuar) dhe, nëse jeni adhurues të Allahut, falënderojeni Atë!” (El-Bekara, 172).

Fjalët e Tij rreth ndalimit të vrasjes së fëmijëve nga frika e varfërisë:

Mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë! Ne u sigurojmë ushqim (furnizim) atyre dhe juve. Vërtet, vrasja e tyre është gjynah i madh.” (El-Isra, 31).

Fjalët e Tij rreth sqarimit të efektit që lë devotshmëria ndaj Tij tek ai që i përmbahet asaj:

“Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret. Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë.” (Et-Talak, 2 – 3).

Fjalët e Tij rreth shpërblimit për imanin (besimin) dhe veprat e mira:

“Për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, ka falje dhe dhunti (furnizime) fisnike.” (El-Haxhxh, 50).

Fjalët e Tij rreth nënçmimit të atyre që flasin për Të pa dije në çështjet e hallallit dhe haramit:

“Thuaj: “Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme (riskun/furnizimin), të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?” (El-A’raf, 32).

Thuaj: “Çfarë mendoni ju për ushqimin (furnizimin) që jua ka zbritur Allahu, një pjesë të të cilit e bëni të ndaluar e një pjesë tjetër të lejuar?” Thuaj: “A ju ka lejuar Allahu për këtë apo po shpifni gënjeshtra për Allahun?” (Junus, 59).

Fjalët e Tij rreth inkurajimit për t’u përpjekur në kërkimin e furnizimit të lejuar:

“Ai jua ka bërë Tokën të përdorshme, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë, që ju ka dhënë (furnizuar) Ai.” (El-Mulk, 15).

– Furnizimi i Allahut për robërit e Tij është dy lloje:

1) Furnizimi i përgjithshëm që përfshinë si të devotshmin ashtu edhe të prishurin, besimtarin dhe jobesimtarit, të parët dhe të fundit; ky është furnizimi që ka të bëjë me trupat: “S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës (furnizimin) prej Tij.” (Hud, 6).

Nuk do të thotë kjo që nëse Allahu i Patëmeta i jep furnizim jobesimtarit dhe ia zgjeron/shton atë duke i dhënë pasuri dhe fëmijë të shumtë, etj, se Ai është i kënaqur me të, ngase Allahu ia jep dynjanë (të mirat e saj) atij që e do dhe atij që nuk e do.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Dhe thanë: “Ne kemi më shumë pasuri dhe fëmijë, prandaj ne nuk do të jemi të dënuar.” Thuaju: “Pa dyshim, Zoti im ia shton riskun ose ia pakëson kujt të dojë, por shumica e njerëzve nuk e dinë këtë.”As pasuria juaj, as fëmijët tuaj nuk do t’ju afrojnë më shumë te Ne, por vetëm ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira (e meritojnë këtë). Ata do të kenë shpërblim të shumëfishtë për atë që kanë bërë dhe do të jenë të sigurt në banesa të larta (në Xhenet).” (Es-Sebe’, 35 – 37).

“A mos mendojnë ata që Ne, duke u ardhur në ndihmë me pasuri dhe djem, po nxitojmë drejt tyre me të mira?! Kurrsesi, por ata nuk janë të vetëdijshëm (për këtë).” (El-Mu’minun, 55 – 56).

“Ne i mbështesim të gjithë me dhuratat e Zotit tënd: edhe këta, edhe ata. Dhuratat e Zotit tënd nuk i mohohen askujt. Shiko, si Ne i parapëlqejmë disa ndaj të tjerëve. Kurse bota tjetër, në të vërtetë, do të ketë shkallëzime më të mëdha dhe parapëlqime më të theksuara.” (El-Isra, 20 – 21).

Nuk janë dhuratat e shumta dëshmi se robi është i nderuar (i ngritur) tek Allahu, siç edhe dhuratat e pakta nuk janë dëshmi që ai është i parëndësishëm tek Allahu.

I Lartësuari thotë:

“Për sa i përket njeriut, kur Zoti i tij e sprovon atë, duke e ngritur lart dhe duke i dhënë mirësi, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar.” Por, kur e sprovon atë, duke ia ngushtuar mjetet e jetesës (furnizimin), ai thotë: “Zoti im më ka poshtëruar”. Nuk është kështu!” (El-Fexhr, 15 – 17).

Domethënë: nuk qëndron fakti se çdokujt që i kam dhënë nga mirësitë e Mia të jetë njëkohësisht edhe i nderuar (i ngritur) tek Unë, dhe as që çdokujt që ia kam ngushtuar riskun (furnizimin) të jetë njëkohësisht edhe i parëndësishëm (i nënçmuar) tek Unë. Mirëpo, pasuria apo varfëria, shtimi apo ngushtimi (i riskut) janë vetëm sprovim dhe testim prej Allahut, në mënyrë që ta dallojë falënderuesin nga mosmirënjohësi, durimtarin nga i paduruari (i dëshpëruari).

2) Furnizimi i veçantë, e që është furnizimi dhe të ushqyerit e zemrave me dije, besim dhe furnizim hallall i cili ndihmon në përmirësimin e fesë. Ky furnizim është i veçantë për besimtarët dhe është në varësi të pozitës së tyre ndaj tij, si dhe në varësi të asaj që kërkon urtësia dhe mëshira e Allahut. Allahu i Patëmeta do t’ua plotësojë atyre nderimin/ngritjen dhe dhuntinë e Tij në Ditën e Kiametit duke i futur në Xhenetin e kënaqësive.

I Lartësuari thotë:

“Atë që beson Allahun dhe bën vepra të mira, Ai do ta shpjerë në kopshtet e Xhenetit, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojë përgjithmonë. Pa dyshim, Allahu ka përgatitur për atë risk të mrekullueshëm.” (Et-Talak, 11).

Ky është një përkujtim. Vërtet, për njerëzit që ruhen nga gjynahet, ka kthim të mirë (në botën tjetër): në kopshtet e Adnit, dyert e të cilit janë të hapura për ta. Aty do të prehen e do të kënaqen me pemë dhe pije të llojllojshme. Pranë tyre do të ketë hyrie të dëlira e moshatare që nuk shikojnë anash. Kjo ju është premtuar për Ditën e Llogarisë. Këto janë, njëmend, begatitë (furnizimet) Tona që nuk kanë të sosur!” (Sad, 49 – 54).

Pastaj, Allahu i Patëmeta i paralajmëron robërit e Tij që të mos preokupohen me furnizimin e jetës kalimtare (të kësaj dynjaje) ndaj furnizimit të jetës së përhershme të ahiretit.

I Lartësuari thotë:

“Gjithçka që keni ju, është kalimtare, ndërsa ajo që ndodhet tek Allahu, është e përhershme.” (En-Nahl, 96).

“Por ju, përkundrazi, më shumë po e parapëlqeni jetën e kësaj bote, ndonëse jeta tjetër është më e mirë dhe e amshuar.” (El-A’la, 16 – 17).

Të mençurin nuk e preokupon furnizimi i kësaj jete, edhe nëse është i shumtë, ndaj qëllimit kryesor për të cilën është krijuar dhe erdhi në ekzistencë pas inekzistencës, e që është adhurimi i Allahut dhe që e gjithë feja t’i kushtohet sinqerisht vetëm Atij.

Siç thotë i Lartësuari:

“Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre risk, as nuk dëshiroj që të Më ushqejnë. Vërtet, Allahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi.” (Edh-Dharijat, 56 – 58).

Madje, këtë e bëri rrugë/mjet deri te arritja kënaqësisë së Allahut dhe hyrjes në Xhenetet e kënaqësive:

“Në kopshtet e Adnit, që i Gjithëmëshirshmi ua ka premtuar robërve të Vet, edhe pse ende nuk e kanë parë. Me të vërtetë, premtimi i Tij është i sigurt. Aty nuk do të dëgjojnë llomotitje, por vetëm fjalë përshëndetjeje për paqe dhe do të ushqehen (furnizohen) në mëngjes dhe në mbrëmje. Ky është Xheneti që Ne ua japim në trashëgim robërve Tanë të përkushtuar.” (Merjem, 61 – 63).

Allahu na bëftë prej robërve të Tij të përkushtuar, dhe me dhuntinë dhe nderimin e Tij na dhëntë në trashëgim Xhenetin e kënaqësive! Vërtetë Ai është i Madhëruar, i Lartësuar, Shumëdëgjues dhe Përgjigjës (i lutjeve).

Kjo temë është shkëputur nga libri “Fikh el-esmau el-husna” (Kuptimi i emrave të bukur të Allahut), i shejh Abdurrezak bin Abdulmuhsin El-Bedr, Allahu e ruajtë!

Përktheu: Lulzim Perçuku

__________________________________________

[1] Ebu Davudi, nr. 3451, Tirmidhiu, nr. 1314, Ibën Maxhe, nr. 2200, Ahmedi në “Musned” (3/156), dhe të tjerë me isnad (zinxhir) të saktë transmetuesish.

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit