Kuptimi i emrit El-Uehhab

 

(الوهّاب)

Ky emër përsëritet në tri vende në Kuranin Fisnik. Allahu i Lartësuar thotë: “(Ata thonë:) “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je El-Uehhabi (Dhuruesi i Madh)!” (Alu Imran, 8); “A mos vallë, ata kanë në dorë thesaret e mëshirës së Zotit tënd, të Plotfuqishmit, El-Uehhabit (Dhuruesit?!)” (Sad, 9). Kurse, kur tregon për lutjen e të Dërguarit të Tij, Sulejmanit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), i Lartësuari thotë: “dhe tha: “O Zoti im, më fal dhe më dhuro një pushtet që të mos e ketë askush pas meje! Me të vërtetë, Ti je El-Uehhabi (Dhuruesi i madh!)” (Sad, 35)

“El-Uehhab” është Ai i Cili dhuron, begaton dhe jep shumë. Peshorja morfologjike “feaal” në gjuhën arabe tregon hiperbolizim. Pra, Allahu i Madhëruar iu dhuron robërve të Tij prej dhuntive madhore të Tij, iu jep në vazhdimësi prej mirësive të Tij, ua shton dhuratat e Tij, si dhe u jep shpërblime me bollëk. Prandaj, kjo cilësi ka ardhur sipas peshores morfologjike “feaal”, që tregon për shumësi, vazhdimësi, shumëllojshmëri dhe gjerësi të saj. Në Dorën e Allahut, qoftë i Lartësuar, janë thesaret e (furnizimit të) çdo gjëje, mbretëria/sundimi i qiellit dhe Tokës, si dhe drejtimi i të gjitha çështjeve. Ai vepron në mbretërinë e Tij si të dëshirojë, prandaj ajo që Ai dëshiron, bëhet, kurse ajo që Ai nuk dëshiron, nuk bëhet. I jep kujt të do dhe e privon kë të do; nuk ka kush që mund ta ndalojë atë që Ai e jep, dhe nuk ka kush që mund ta japë atë që Ai e ndalon. Pra, Allahu i Patëmeta i jep kujt të do, atë që do. Dhuratat e Tij që i vijnë robit të Tij janë të vazhdueshme, kurse shpërblimet e Tij të njëpasnjëshme. Dhurata të përhershme dhe bujari e pandërprerë. Nga bujaria e Tij, jep shpërblime para se t’i kërkohen. Prej çastit kur fara/sperma vendoset në mitër, dhuntitë dhe dhuratat e Tij për fetusin i cili është në barkun e nënës së tij, janë të përhershme dhe të pandërprera. Ai kujdeset për të dhe e edukon në formën më të përkryer. E kur nëna e tij e lind atë, atëherë prindërit e tij tregojnë mëshirë/dhembshuri për të, dhe me mirësitë që Allahu ua ka dhënë, ata kujdesen dhe e edukojnë atë derisa të hyjnë në moshën madhore. Kështu, gjatë gjithë jetës së tij, ai lëviz nëpër mirësitë dhe dhuratat e Allahut. E nëse jeta e tij është e ndërtuar mbi imanin (besimin) dhe takuanë (devotshmërinë), atëherë kjo është dhurata më e ndershme/bujare të cilën Allahu ia ka dhënë. E nëse Ai ia merr shpirtin në këtë gjendje, atëherë ai do të arrijë prej dhuratave shumëfish më tepër se ato (dhurata) të cilat i kishte në jetën kësaj bote, prej shpërblimeve të cilat Allahu i Lartësuar i ka përgatitur për robërit e Tij besimtarë dhe të devotshëm. Shpërblime të cilat asnjë sy nuk i ka parë, për të cilat asnjë vesh nuk ka dëgjuar, dhe të cilat asnjë zemër nuk mund t’i imagjinojë.

Allahu, qoftë i Madhëruar, në Kuranin Fisnik ka përmendur lloje të shumta të dhuratave, si dhe e ka përmendur që të Dërguarit edhe robërit e Tij të devotshëm, i drejtohen Atij për kërkimin dhe arritjen e tyre.

Ai, qoftë i Lartësuar, prej dhuratave të Tij e përmend mëshirën, të cilën kush e arrin, do ta arrijë lumturinë e kësaj bote dhe të tjetrës. I Lartësuari thotë: Ne u dhuruam atyre mëshirën Tonë dhe bëmë që ata të lavdërohen e të përmenden me nder.” (Merjem, 50); “dhe, nga mëshira Jonë, i dhuruam të vëllanë, Harunin, si profet.” (Merjem, 53); “(Ata thonë:) “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe dhurona (jepna) mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh!” (Alu Imran, 8); “A mos vallë, ata kanë në dorë thesaret e mëshirës së Zotit tënd, të Plotfuqishmit, Dhuruesit?!” (Sad, 9).

Prej dhuratave të Tij, Allahu, qoftë i Lartësuar, e përmend edhe aftësinë e të gjykuarit (mençurinë/diturinë) dhe sundimin/pushtetin. I Lartësuari tregon për fjalët e Musaut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “dhe Zoti im më dhuroi mençuri dhe më bëri një nga të dërguarit.” (Esh-Shuara, 21); Gjithashtu, tregon për fjalët e Ibrahimit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “O Zoti im, më dhuro dituri dhe më radhit me të mirët!” (Esh-Shuara, 83); “dhe (Sulejmani) tha: “O Zoti im, më fal dhe më dhuro një pushtet që të mos e ketë askush pas meje! Me të vërtetë, Ti je Dhurues i madh!” (Sad, 35)

Gjithashtu, prej dhuratave që ia jep robit të Tij, Allahu i Patëmeta e përmend edhe mirësinë e martesës me një grua të devotshme dhe furnizimin me pasardhës të mirë (të devotshëm), ç’është prehje për sytë e tij. I Lartësuari thotë: “Ne i dhuruam (ia kthyem) atij (Ejubit) familjen dhe dy herë më tepër, si mëshirë prej Nesh dhe këshillim për mendarët.” (Sad, 43); “edhe ata që thonë: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!” (El-Furkan, 74); “Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin si dhunti dhe të gjithë i bëmë të drejtë.” (El-Enbija, 72); “Ne iu përgjigjëm atij (Zekerijas) dhe i dhuruam Jahjain, duke ia bërë gruan të aftë (për lindje).” (El-Enbija, 90); “Ne i dhuruam (falëm) Daudit Sulejmanin, një rob të mrekullueshëm. Ai i drejtohej gjithnjë me pendesë Zotit!” (Sad, 30)

Të gjitha këto dhurata të shumëllojta janë në Dorën e Allahut, qoftë i Lartësuar. Ai është Sunduesi/Mbreti i këtij universi, në të cilin Ai vepron sipas vullnetit të Tij. I Lartësuari thotë: “I Allahut është pushteti mbi qiejt dhe Tokën. Ai krijon çfarë të dojë. Ai i dhuron vajza kujt të dojë e djem kujt të dojë. Disave u dhuron të dyja gjinitë: djem e vajza; e, kë të dojë e lë pa fëmijë. Vërtet, Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm.” (Esh-Shura, 49 – 50). Në këtë ka argument se ekzistenca e fëmijës dhe përmirësimi (devotshmëria) i tij është dhuratë hyjnore dhe mirësi prej Allahut të Lartësuar, i Cili veçohet dhe nuk ka ortak gjatë veprimit në këtë univers dhe drejtimit të tij. Pra, e gjithë çështja, në fillim dhe mbarim, i takon Atij, qoftë i Lartësuar. Ajo që Ai dëshiron, bëhet, kurse ajo që Ai nuk dëshiron, nuk bëhet. I jep kujt të do dhe e privon kë të do; nuk ka kush që mund ta ndalojë atë që Ai e jep, dhe nuk ka kush që mund ta japë atë që Ai e ndalon. Ai, qoftë i Madhëruar, i jep fëmijë kujt të do dhe e privon nga kjo atë që do. Ai është El-Alim (i Gjithëdijshmi), El-Kadir (i Plotfuqishmi).

Fjalët e Tij: Ai i dhuron vajza kujt të dojë”, domethënë: e furnizon vetëm me vajza dhe nuk i jep djem fare. “e (i dhuron) djem kujt të dojë”, domethënë: e furnizon vetëm me djem dhe nuk i jep vajza fare. “Disave u dhuron të dyja gjinitë: djem e vajza”, domethënë: në këtë dhuratë, Ai, atij që dëshiron, i jep prej djemve dhe vajzave së bashku. “e, kë të dojë e lë pa fëmijë”, domethënë: në origjinë ai nuk mund të ketë fare fëmijë.

Pra, Allahu i Patëmeta gjendjen e dy bashkëshortëve e ndau në katër lloje: prej tyre ka që u jep vetëm vajza; prej tyre ka që u jep vetëm djem; prej tyre ka që u jep prej dy gjinive: djem dhe vajza; dhe, prej tyre ka që i privon nga të dyja gjinitë, duke i bërë steril, pa pasardhës dhe duke mos u dhënë fëmijë.

Ibnul-Kajimi në Nunije-në e tij, thotë:

Allahu është Krijuesi i llojit tonë

Nga katër të krahasueshme

Që të gjitha qëndrojnë karshi njëra-tjetrës

Prej mashkullit dhe femrës;

Dhe, prej asaj që është në të kundërtën e kësaj;

Po ashtu, prej femrës pa mashkull;

Dhe, e kundërta, gjithashtu;

Siç është rasti me Havan, nënën tonë;

Këto janë katër, të mirënjohura dhe të qarta

Për atë që Allahu e ka begatuar me fëmijë dhe e ka nderuar me përmirësimin (devotshmërinë) e tyre, është obligim që ta falënderojë/lavdërojë El-Uehhabin, qoftë i Lartësuar, për favorizim e tij dhe mirësinë ndaj tij. Siç e përmend Allahu këtë për të Dërguarin e Tij Ibrahimin (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) me Fjalët e Tij: “Qoftë lavdëruar Allahu, i cili në pleqëri më dhuroi Ismailin dhe Is’hakun! Vërtet, Zoti im i dëgjon lutjet!” (Ibrahim, 39)

Pastaj, vetë falënderimi/lavdërimi është një dhuratë (prej Allahut) që kërkon falënderim/lavdërim, siç transmetohet prej Ibën Ebi Ed-Dunja, në librin e tij “Esh-Shukr[1], i cili transmeton nga Bekr bin Abdilah El-Muzeniu të ketë thënë: “Sa herë që një robi i jepet mundësia të thotë: “El-hamdu lil-lah (Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahu)!”, veçse i është dhënë një mirësi ndaj së cilës ka një detyrim. Atëherë, cili është shpagimi që duhet ta japë për këtë mirësi? Shpagimi për të është që prapë të thotë: “El-hamdu lil-lah!” Atëherë, vjen mirësia tjetër, dhe kështu mirësitë e Allahut, qoftë i Madhëruar, nuk shuhen kurrë.”

Për këtë Shafiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Lavdërimi i takon Allahut, falënderimi ndaj të Cilit për vetëm një mirësi prej mirësive të Tij të panumërta, nuk mund të shprehet veçse duke shkaktuar një mirësi tjetër, e cila pastaj na detyron ta falënderojmë Atë për atë (mirësi).”

I gjithë lavdërimi i takon vetëm Allahut! Atë e lavdërojmë me lavdërime të shumta, të sinqerta dhe të bekuara, ashtu siç do dhe është i kënaqur Zoti ynë! Atë e lavdërojmë me lavdërime të cilat nuk ndërpriten, nuk shuhen dhe nuk mbarojnë, aq sa është numri i lëvdatave të cilat i thurin lavdëruesit për Të! Vetëm Atij i takon lavdërimi si falënderim, begatimi si mirësi, dhe vetëm në Dorën e Tij është e gjithë çështja në këtë jetë dhe jetën tjetër!

Shkëputur nga: “Fikh El-Esma El-Husna” – (Kuptimi i emrave të bukur të Allahut) i Shejh Aburrezak bin Abdulmuhsin El-Bedër, Allahu e ruajt!

Përktheu: Lulzim Perçuku

 


[1] Nr. 7 dhe 99.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit