Kur thua: “Zoti im” qëllimi është: Ai i Cili më ka krijuar mua dhe Ai të Cilin e adhuroj të Vetëm

Me pyetjen në varr: “Kush është Zoti yt?” qëllimi është: Kush është i Adhuruari yt? Kë e ke adhuruar? A e ke adhuruar Allahun të Vetëm apo i ke shoqëruar të tjerë në adhurim? E nuk është qëllimi se nëse njeriu e njeh Allahun si Zot atëherë bëhet musliman dhe shpëton. Në Kuran e sunet shpesh përmendet fjala Rabb-Zot, e qëllimi është: Allahu. Pra, që ne duhet ta adhurojmë vetëm Allahun.

Pejgamberët, Allahu nuk i ka dërguar te popujt e tyre për t’i bindur ata se Allahu është Krijuesi, apo se është një Zot i Cili e ka krijuar universin, ngase të gjithë paganët e të gjitha kohërave nuk e kanë pasur problemin me këtë lloj të teuhidit (teuhidin Rububije), ata kanë besuar se Allahu është Zoti e Krijuesi i vetëm, porse kjo gjë nuk i ka bërë muslimanë ata. Ky besim nuk e bën njeriun musliman dhe nuk e shpëton prej zjarrit të xhehenemit. Mirëpo, pika kundërshtuese mes Pejgamberëve dhe popujve të tyre ka qenë teuhidi uluhije- njësimi i Allahut me adhurim. Andaj, Allahu thotë: “Thuaj: “Kush ju ushqen nga qielli dhe Toka? Kush mundëson të dëgjuarit dhe të parit? Kush mund të nxjerrë të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush i drejton gjërat?” Ata do të thonë “Allahu”. E ti (o Muhamed) thuaj: “Atëherë, përse nuk e keni frikë Atë?” Junus 31. Këto i takojnë besimit në Rububije. Janë gjëra të cilat njeriun e detyrojnë të besojë se është vetëm një Zot i Cili i ka në dorë ato. Mushrikët e Mekës janë përgjigjur: “Allahu”, në këtë pyetje, të cilën ua ka drejtuar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem. Pra ata kanë besuar se vetëm Allahu është Zoti, Furnizuesi, Drejtuesi i universit etj., porse ata i kanë shoqëruar Allahut edhe të tjerë në adhurim. Allahu thotë: “Nëse ti (o Muhamed) i pyet ata (mekasit paganë) se kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën, me siguri që do të të thonë: “Allahu.” Këtu kemi teuhidin rububije, të cilin e kanë besuar ata. “Thuaju: “Si mendoni, nëse Allahu dëshiron të më shkaktojë ndonjë dëm, a mund ta largojnë atë idhujt që ju i adhuroni krahas Tij?!” Këtu kemi teuhidin uluhije. “Po nëse Ai dëshiron të më mëshirojë, a mund ta pengojnë ata mëshirën e Tij?!” Thuaju: “Mua më mjafton Allahu. Tek Ai le të mbështeten ata që kërkojnë mbështetje.” Zumer 38.

Të paktë kanë qenë ata njerëz gjatë historisë të cilët e kanë mohuar Allahun si Krijues. Edhe sot kush e mohon, këtë e bën prej mendjemadhësisë, kurse në zemrën e tij është i bindur se universi nuk është krijuar rastësisht, porse e ka një Krijues. Këtë e besojnë të gjithë përveç kush e mohon me gjuhën e vet nga mendjemadhësia, për shkak të të cilës dëshiron të bëhet i pavarur apo i panevojshëm për Allahun.

Sa herë që vjen në Kuran e sunet fjala Rabb- Zot, qëllimi është për Allahun, sepse Rububija e kërkon medoemos Uluhijen. Kur njeriu e njëson Allahun në Rububije atëherë gjithsesi duhet (kërkohet) ta njësojë edhe në uluhije. Dijetarët kanë thënë se teuhidi Rububije e kërkon medoemos teuhidin Uluhije. Kështu, kush thotë se ky univers e ka një Krijues dhe i Cili e drejton Atë i vetëm, atëherë e ka për detyrë të besojë se vetëm Ai e meriton adhurimin, e jo dikush tjetër përveç Tij. Ndërsa, teuhidi uluhije e përfshinë në vete teuhidin rububije. Kur dikush e njëson Allahun në adhurim, kjo nënkupton (dhe përfshinë) se ai beson se Allahu është dhe Krijuesi i Vetëm i universit. Allahu kur përmend njërin nga Pejgamberët thotë: “Ai njeri nuk do t’ju urdhërojë që engjëjt dhe profetët t’i merrni për zota.” Ali Imran 80.  Qëllimi është: nuk do t’ju urdhërojë t’i merrni për të adhuruar në vend të Allahut. Allahu për të krishterët dhe hebrenjtë thotë: “Në vend të Allahut, ata kanë zgjedhur për Zot rabinët dhe murgjit e tyre…” Teube 31. Kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ia ka lexuar këtë ajet Adij ibn Hatimit, i cili më parë ka qenë i krishterë, Adij ka thënë: “Ne nuk i kemi adhuruar ata në vend të Allahut.” Pra, ai e ka kuptuar se me fjalën “ata kanë zgjedhur për Zot” qëllimi është se i kanë adhuruar në vend të Allahut. Është e njohur në gjuhën arabe se fjala Rabb, ose vjen në kuptimin se e kërkon domosdoshmërisht të besohet se Allahu është i Vetmi i Cili e meriton adhurimin, ose vjen tamam për këtë qëllim. Pastaj Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ia ka sqaruar: “A nuk i bënin ata gjërat e ndaluara të lejuara dhe ju i konsideronit si të lejuara (hallall)? A nuk i bënin ata gjërat e lejuara të ndaluara dhe ju i konsideronit si të ndaluara (haram)? A është kjo e vërtetë?” –“Po.” –“Ky është adhurimi ndaj tyre.”

Andaj, kur thua “Zoti im” qëllimi është: Ai i Cili më ka krijuar mua dhe Ai të Cilin e adhuroj të Vetëm, e jo dikë tjetër përveç Tij.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Tri parimet.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit