Kush janë dijetarët? – 1

Shkëputur nga libri “Et-Tekfîr ue dauâbituhû” fq. 38-44

Autor: Dr. Muhamed bin Umer Bâzmûl, profesor në Universitetin Ummul-Kurâ në Mekë

Disa njerëz e nënvlerësojnë dijen dhe dijetarët, pasi që nuk e dinë pozitën e tyre. Ata mendojnë se dija është shtimi i fjalëve dhe hijeshimi i tyre me tregime e poema, apo shpeshtimi i predikimeve që prekin ndjenjat e njerëzve.

Disa të tjerë hamendësojnë se dijetarë janë ato koka që përzihen e flasin për ndodhitë aktuale, dhe këtë ndryshe e quajnë “fikhul-uâki’” (njohja e aktualiteteve/rrethanave), përmes të cilës shpifin ndaj udhëheqësve, pa kurrfarë udhëzimi apo largpamësie.

Tek disa të tjerë, dija nënkupton vetëm atë që gjendet në libra, andaj dhe nuk i kushtojnë vëmendje faktit që dija është përcjellje dhe kuptim, ndërsa kuptimi i saj i nënshtrohet rrugës së brezit të parë dhe takëmit më të përsosur (njerëzor): sahabëve, tabi’inëve dhe atyre që i pësuan këta në të mira, deri në Ditën e Gjykimit. Kështu, ai filloi të “emërtohet” me përpjekje në kërkimin e dijes dhe me ulje nëpër tubimet e dijetarëve, mirëpo, nuk e kuptoi se dija ka lëmi, të cilat nuk arrihen ndryshe, veçse përmes bashkëbisedimit me dijetarët dhe marrjes nga ta.

Ka njerëz të atillë që, sipas tyre, dija është udhëtimi dhe zhvendosja për t’i thirrur njerëzit!! Ata thonë: “Ne s’kemi nevojë për libra të rinj, por për thirrës dhe thirrje (da’ue).” Ky i ngratë nuk arriti të kuptojë se “ai që s’posedon diç, s’ka mundësi ta jap atë.” Si ka mundësi të thërret në fe ashtu si duhet, kur ai është injorant rreth saj, kur nuk i ka kërrusur gjunjët nëpër ligjërata të dijes; nuk ka udhëtuar tek dijetarët dhe nuk i ka shoqëruar ata; kur nuk ia ka dhënë dijes një hise të asaj që posedon dhe as të tërën, kështu që, sa i përket dijes, ai është në varfëri e shterpësi të skajshme.

Ka edhe asi njerëz që nuk dinë të dallojnë midis dijetarit dhe atij që merret me tregime e këshilla, dhe as midis tij (dijetarit) dhe nxënësit të dijes. Kështu, tek ai të gjithë janë njësojë: kërkon fetva nga ta dhe merr dije prej tyre. Madje, ndodh që e konsideron atë që flet shumë (nëpër këshilla), si njeri me dije të shumtë (fetare). Bile, bile, disa nga ta, këtë njeri e shohin në një shkallë më të lartë se dijetari. Kjo ngaqë dijetari nuk flet shumë dhe nuk merret me tregime (rrëfenja), poema, analiza dhe opinione politike!! E, Allahu ka urtësi në çdo gjë.

Andaj, myslimani ka nevojë t’i dijë cilësitë e dijetarit, ashtu siç i ka sqaruar Allahu i Madhërishëm në Kuranin famëlartë. Cilësitë e dijetarëve qartësohen nëpërmjet ajeteve të Kuranit, në të cilat janë përmendur qëndrimet e tyre:

Kthimi i gjërave të paqarta tek ato që janë të qarta është prej cilësive të atyre që janë të thelluar në dijeni.

Allahu i Bekuar e i Lartësuar thotë: Është Ai që të ka zbritur ty (Muhamed) Librin, disa vargje të të cilit janë të qarta e me kuptim të drejtpërdrejtë. Ato janë themelet e Librit. Kurse disa (vargje) të tjera janë jo krejtësisht të qarta. Ata, zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta, ndjekin vargjet më pak të qarta, duke kërkuar të krijojnë pështjellim dhe duke kërkuar t’i komentojnë sipas dëshirës së vet. Por, kuptimin e tyre të vërtetë e di vetëm Allahu. Ndërsa ata që janë thelluar në dijeni, thonë: “Ne i besojmë (Kuranit). Të gjitha këto (vargje të qarta e të paqarta) janë nga Zoti ynë!” Këtë e kuptojnë vetëm mendarët.” (Âl, ‘Imrân, 7).

Pra, prej cilësive që Kurani ia pohon dijetarit është se ai i kthen vargjet e paqarta tek ato që janë të qarta dhe, njëkohësisht, nuk e ndjek atë që është e paqartë. Përmes kësaj cilësie dallohen pasuesit e të vërtetës e të udhëzimit nga pasuesit e tekave (bidateve) dhe të humbjes.

Është përmendur në një hadith qortimi dhe paralajmërimi nga ata që pasojnë gjërat e paqarta. Nga Aisha (radijAllahu anha) përcillet të ketë thënë: “Një ditë, i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e lexoi këtë ajet: Është Ai që të ka zbritur ty (Muhamed) Librin…” dhe tha: “Kur t’i shohësh njerëzit duke i ndjekur ato (vargje) që janë të paqarta, atëherë, dije se këta i kishte për qëllim Allahu, andaj ruajuni prej tyre.” [1]

Përulja dhe nënshtrimi ndaj urdhrit të Allahut të Lartësuar është prej cilësive të atyre që u është dhënë dijenia.

Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “Besoni në të (Kuranin) apo nuk besoni, ata që u është dhënë dijenia para (shpalljes së) tij, bien në sexhde me fytyrat përtokë, kur ai u lexohet, dhe thonë: “Qoftë i lavdëruar Zoti ynë! Me të vërtetë, premtimi i Zotit është plotësuar!” Ata bien me fytyrë përtokë, duke qarë dhe ai (leximi i Kuranit) ua rrit përuljen.” (El-Isrâ, 107-109).

Dhe thotë i Lartësuari: “Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët.” (El-Fâtir, 28).

Frika (el-hashje) ndaj Allahut është cilësi, të cilën e shkakton dijenia rreth Tij.

Ndër cilësitë e dijetarit është asketizmi, pakësimi i kënaqësive të dynjasë dhe tërheqja e vërejtjes për popullin e tij.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ndërsa njerëzit e dijshëm thoshin: “Të mjerët ju! Shpërblimi i Allahut është më i mirë për atë që beson dhe bën vepra të mira. Ai do t’u jepet vetëm të duruarve”. (El-Kasas, 80).

NgaImrân El-Menkarij përcillet të ketë thënë: “Një ditë prej ditësh e korrigjova Hasen El-Basriun rreth një fjale të tij dhe i thash: “O Ebu Se’id, kështu nuk thonë fukahatë!” Ai ma ktheu: “Mjerë për ty! Po a ke parë ti ndonjëherë në jetë njeri fekih (dijetarë)!! Fekih është vetëm ai që heq dorë nga dynjaja, që lakmon në botën e përtejme, që ka dije të thellë për fenë dhe që është i vazhdueshëm në adhurimin ndaj Zotit të tij.” [2]

Vijon…

Përktheu: Petrit Perçuku

 


[1] Buhariu, nr.4547 dhe Muslimi, nr. 2665.

[2] Daremiu, nr. 302, Ibën Ebu Shejbe, 13/498, Ebu Nuajmi në “El-Hilje”, 2/147, Nuajm bin Hammad në shtesat që ia bëri “Zuhdit” të ibën Mubarekut, fq. 30 dhe Hatib El-Bagdadij në “El- Fekih uel- Mutefekkih”, fq. 1066-1067. Verifikuesi i Sunenit të Daremiut tha: “Zinxhiri i tij është i vërtetë”.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit