Kush janë dijetarët? – 2

Shkëputur nga libri “Et-Tekfîr ue dauâbituhû” fq. 38-44

Autor: Dr. Muhamed bin Umer Bâzmûl, profesor në Universitetin Ummul-Kurâ në Mekë

Prej cilësive të dijetarëve është se dijen e kanë shpallje të qartë në zemra, kështu që feja e tyre është e ngritur mbi fakte.

Allahu i Bekuar e i Lartësuar thotë: Përkundrazi! Ai (Kurani) është shpallje e qartë në zemrat e atyre, të cilëve u është dhënë dija. Shpalljet Tona i mohojnë vetëm keqbërësit.” (El-‘Ankebût, 49).

Pra, dija e tyre është: ka thënë Allahu, ka thënë i Dërguari i Tij dhe kanë thënë sahabët.

Për këtë arsye, Allahu i përshkroi me atë se, ata janë Ehludh-Dhikr, dhe urdhëroi që t’i pyesim për gjërat që nuk i dimë, andaj tha: Edhe para teje (Muhamed) kemi dërguar vetëm njerëz, të cilëve, u kemi shpallur; andaj, pyetni Ehledh-Dhikr nëse ju nuk dini!” (El-Enbijâ, 7).

Kështu, ata, dijen e tyre nuk e shfaqin përmes shprehjeve të gjata e elokuente, dhe as me shpeshtim të fjalëve e të transmetimeve.

Nga Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) përcillet të ketë thënë: “Kam takuar njeri që kur ulej me të tjerët, ata e shihnin si të pagojë (me të meta), mirëpo, ai nuk ishte i tillë. Përkundrazi, ai ishte fekih (dijetar) mysliman.” [1]

Them (shejh Muhamedi): “Kjo ishte gjendja e tyre (radijAllahu anhum ue erdâhum), dhe ishte frika ndaj Allahut dhe urrejtja e famës, ajo që i bënte të jenë të heshtur. Ata, dijen e kishin shpallje të qartë në zemra.

Njëri nga selefët kishte thënë: “Dija nuk arrihet me transmetime të shumta, por dijetar është ai që e pason dhe e zbaton dijen, si dhe që i ndjek sunetet, edhe nëse ka dije të pakët.” [2]

Ibën Uehbi thotë: “E kam dëgjuar Malik bin Enesin duke thënë: “Dija nuk arrihet me transmetime të shumta, por ajo është dritë që Allahu e vendosë në zemra.”[3]

Do të thotë: frika ndaj Allahut nuk arrihet me transmetime të shumta, por dija, ndjekjen e të cilës Allahu e bëri obligim, është Kurani, Suneti dhe ato që janë përcjellë nga sahabët dhe nga imamët e myslimanëve që erdhën pas tyre. Andaj, kjo nuk arrihet ndryshe, veçse me anë të rivajetit (transmetimit), ndërsa me fjalën e tij “dritë” ai kishte për qëllim kuptimin e dijes dhe njohjen e domethënieve të saj.[4]

Aun bin Abdullah transmeton nga ibën Mes’udi fjalën e tij: “Dija nuk merret nga grumbullimi i haditheve, por nga frika (ndaj Allahut).” [5]

Dhehebiu (v. 748 h. Allahu e mëshiroftë) shënon: “Dija nuk arrihet me transmetime të shumta, por ajo është dritë që Allahu e vendosë në zemër, me kusht që njeriu të pasojë dhe të ikë nga epshet (tekat) dhe nga shpikja në fe (novacionet). Allahu na dhëntë sukses drejt bindjes ndaj Tij!”[6]

Ibën Rexhebi (v. 795 h. Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Shumë prej të mëvonshmëve u mashtruan me këtë, duke menduar se kushdo që flet dhe polemizon shumë rreth meseleve të fesë, është më i ditur sesa ai që nuk është i tillë. Mirëpo kjo është injorancë e qartë. Shiko sesi ishin sahabët e mëdhenj dhe dijetarët në mesin e tyre si: Ebu Bekri, Umeri, Aliu, Mua’dhi, ibën Mes’udi dhe Zejd bin Thabiti. Thëniet e tyre ishin më të pakta se ato të ibën Abbasit, edhe pse ata ishin më të ditur se ai.

Po ashtu, thëniet e tabi’in- ëve ishin më të shumta se fjalët e sahabëve, edhe pse këta të fundit qenë më të ditur se ata.

Gjithashtu, thëniet e tabi’ tabi’in-ëve ishin më të shumta se ato të tabi’inëve, por, tabi’inët kishin dije më shumë se ta.

Pra, dija nuk ka të bëjë me transmetimet dhe të folmet e shumta, por ajo është dritë që hidhet në zemër, nëpërmjet të cilës njeriu e kupton të vërtetën, e dallon atë nga e kota, dhe pastaj për këtë, shprehet me fjalë të shkurta, përmes së cilave arrihen synimet. Profetit (sal-Allahu alejhi ue sel-lem) i ishin dhënë fjalët përmbledhëse dhe njëkohësisht të shkurtra.”[7]

Vijon…

Përktheu: Petrit Perçuku


[1] Përcjellë nga Uekiu në Kitabuz-Zuhd (1/307, nr. 80), Ebu Hajtheme në Kitabul-Ilm, (fq. 10), Ahmed bin Hanbel në Ez-Zuhd, (fq. 320). Verifikuesi i Zuhdit të Uekiut tha: “Transmetuesit e tij janë të besueshëm dhe zinxhiri i tij është i ngjitur.” Them (shejh Muhamedi): “Zinxhiri i tij është i saktë.”

[2] El-Xhamiu li shu’abil-iman (4/433, nr. 1684), Iktidaul-ilmil-amel i hatib El-Bagdadit (24), siç përcillet nga Ibrahim El-Hauas.

[3] El-Muhaddithul-fasil (fq. 558) dhe El-Xhamiu li ahlakir-raui ue adabis-sami’i (2/174).

[4] Shih tefsirin e ibën Kethirit, ajeti 28 i sures Fâtir.

[5] Përcjellë nga Taberani në El-Mu’xhemul-Kebir (9/105, nr. 8534) dhe Ebu Nu’ajm në El-Hilje, (1/131). Autori i Mexhme’uz-Zeuaid (10/235) tha: “Zinxhiri i tij është i mirë, përveçqë Auni nuk e ka takuar ibën Mes’udin.”

[6] Sijer A’lam En-Nubela (13/323).

[7] Fadlu ilmis-selef ala ilmil-halef (fq. 62-63).

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit