Kush përmirëson anën e tij të brendshme

Këshilla me të cilat dijetarët porosisnin njëri-tjetrin

~•~•~•

Prej gjërave që zbusin anën tonë shpirtërore e morale, që gdhendin moralet tona, që zbusin zemrat tona, që bëjnë të përfitojmë shumë e të kemi dobi dhe që të udhëzohemi në rrugën e drejtë, janë edhe këshillat e brezave të parë të Islamit, gjeneratave të arta të këtij umeti islam. Ato janë këshillat më përmbledhëse, më të çmuara e më të vyera. Kjo nuk është çudi sepse ata, Allahu i mëshiroftë, me fjalët e tyre kishin për qëllim e synim vetëm Allahun dhe shpërblimin e Tij, ata nuk kishin për qëllim përfitimet materiale të jetës së kësaj bote. Andaj, Allahu u dha begati e bereqet në këshillat e tyre dhe bëri që ato të depërtojnë në zemrat e njerëzve e të përfitojnë prej tyre.

Në mesin e këtyre këshillave madhështore është edhe ajo të cilën e transmeton Ibn Ebi Dunja në librin e tij “El Ikhlas”, me zinxhirë deri te Ma’kil ibn Ubejdilahi el Xhezeri rahimehullah i cili ka thënë: “Dijetarët islam kur takoheshin mes veti porosisnin njëri-tjetrin me disa fjalë, e nëse nuk ishin prezentë, atëherë i shkruanin në letra dhe ua dërgonin njëri-tjetrit. Ato fjalë ishin:

“Kush përmirëson anën e tij të brendshme, Allahu ia përmirëson anën e tij të jashtme. Kush përmirëson lidhjen mes tij dhe Allahut, Ai i mjafton për gjërat mes tij e njerëzve. Kush brengoset për çështjet e ahiretit të tij, Allahu i mjafton për çështjet e tij në jetën e kësaj bote.”

Kjo porosi është tejet madhështore dhe prej saj përfitohen dobi të mëdha.

Te pjesa e parë përmendet se kur dijetarët takoheshin mes vete i kujtonin njëri-tjetrit këshilla e porosi madhështore, e kur nuk ishin prezentë i shkruanin në letër ato dhe ia dërgonin njëri-tjetrit. Kjo na jep të kuptojmë se ato këshilla janë tejet të rëndësishme dhe kanë ndikim të madh në zemra. Nëse ne veprojmë sipas këtyre fjalëve, atëherë të gjitha çështjet e muslimanit në jetën dhe fenë e tij do të jenë ashtu siç kërkon Allahu dhe Pejgamberi i Tij. Dijetarët nuk i kapen diçkaje dhe nuk e porosisin njëri-tjetrin me të përveç nëse ajo gjë është shumë e rëndësishme dhe që përmbledh mirësitë e të dy botëve.

Pozita e dijetarëve është shumë e lartë në Islam. Për këtë dëshmojnë shumë ajete nga kurani dhe hadithe nga Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem. Allahu thotë: Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm mendarët i pranojnë këshillat!” Zumer 9. Dhe: “Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija.” Muxhadile 10. Dhe: “Allahu dëshmon, e po ashtu edhe engjëjt, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka të adhuruar tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij…” Ali Imran 18. Dijetari i madh islam ibn Xhem’a rahimehullah duke shpjeguar këtë ajet ka thënë: “Allahu filloi me Veten e Tij, pastaj përmendi engjëjt, pastaj përmendi dijetarët, dhe kjo mjafton për ta si vlerë e mirësi prej Allahut ndaj tyre.”

Dijetarët janë trashëgimtarë të Profetëve, janë trashëgimtarë të dijes me të cilën erdhën ata. Transmeton Ebu Dersa radijAllahu anhu se e ka dëgjuar Pejgamberin salallahu alejhi ue selem duke thënë: “Vërtetë dijetarët janë trashëgimtarë të Profetëve. Ata (Profetët) nuk kanë lënë pas vete dinarë e as dërhemë (pasuri), mirëpo kanë lënë dije, andaj kush merr prej saj do të marrë një pjesë të madhe.”

 

Komentim mbi thënien

“Kush përmirëson anën e tij të brendshme, Allahu ia përmirëson anën e tij të jashtme”.

Ana e brendshme: janë ato gjëra të cilat njeriu i fshehe i vendos në zemrën e tij dhe për të cilat nuk ka askush tjetër dijeni përveç Allahut. Thotë Allahu në Kuran duke përshkruar Ditën e Gjykimit: “ditën, kur do të zbulohen të fshehtat” Tarik 9. Abdullah ibn Umeri radijAllahu anhu ka thënë: “Në ditën e Gjykimit Allahu do të shfaqë çdo sekret e fshehtësi që njeriu e ka bartur në zemrën e tij, pastaj ai sekret do të jetë ose bukuri në fytyrën e tij ose shëmti.”

Kush është Ai i Cili e di se ti urren një person ndërkohë që sillesh mirë me të në anën tënde të jashtme? Askush nuk e di përveç Allahut. Kush është Ai i Cili e di se ti je duke u falur për hir të Allahut, apo duke  dhënë zekatin për hir të Tij apo duke agjëruar vetëm për hir të Tij? Askush nuk e di këtë përveç Allahut. Kjo sepse kjo gjë ka të bëjë me dijen e fshehtë. Askush përveç Allahut nuk e di se çfarë bartë njeriu në zemër. Allahu ka thënë: “Allahu e di shikimin e përvjedhur të syrit dhe atë që fsheh zemra.” Gafir 19. Allahu në këtë ajet tregon për dijen e e Tij gjithëpërfshirëse, e cila ka rrethuar çdo gjë që ekziston, qoftë e madhe apo e vogël apo e imët. Ai na tregon për këtë dije të Tij në mënyrë që të kemi kujdes, të turpërohemi prej Tij dhe të frikësohemi prej Tij ashtu siç Ai e meriton, të dimë se Ai na sheh dhe dëgjon fjalët tona, e di gjendjen tonë, madje di edhe çfarë mbajmë në zemrat tona dhe Ai e di shikimin e përvjedhur të syrit (kur shikon në mëkat, ndalesë). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thoshte: “Allahu nuk shikon në trupat tuaj e as në pamjet tuaja, por shikon në zemrat tuaja dhe veprat tuaja.” Muslimi. Dhe thoshte: “Vini re! Në trup është një copë mishi, nëse ajo është e mirë atëherë i tërë trupi do të jetë mirë, i shëndoshë, e nëse ajo është e prishur atëherë i tërë trupi do të prishet. Vini re! Ajo është zemra.”

Pastërtia e anës së brendshme: Prej begative të përshpejtuara të Allahut për besimtarin në jetën e kësaj bote, madje ajo është xheneti i kësaj bote e kënaqësia e jetës, është kur i jep pastërti të zemrës. Kështu, ai ka zemër të pastër ndaj vëllezërve muslimanë, nuk mban urrejtje, mëri, mllef, zili etj. Ai ua do të mirën të tjerëve sikur ia do vetes së tij Si rezultat jetën do të ketë jetë të mirë e të qetë.. Këto cilësi madhështore dhe të bukura, që kanë të bëjnë me pastërtinë e zemrës, i përmbledh hadithi i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem i transmetuar nga Abdullah ibn Amri radijAllahu anhu i cili ka treguar se ai salAllahu alejhi ue selem është pyetur: “Cili njeri është më i miri?” dhe ka thënë: “Çdo njeri që e thotë gjithmonë të vërtetën dhe i devotshmi që është i pastër në zemër, ai nuk mban në zemrën e tij gjynah, padrejtësi e armiqësi ndaj askujt, as urrejtje e as zili.”

Profetët janë shembull për ne që duhet ndjekur lidhur me pastërtinë e zemrës. Allahu e përshkruan Ibrahimin duke thënë: “Ai i erdhi Zotit të vet me zemër të pastër”. Saffat 84. Allahu e përshkruan Pejgamberin tonë Muhamedin salAllahu alejhi ue selem me cilësitë më të mira: “Ti je në një gradë të lartë të moralit” Kalem 4. Kjo përfshin bukurinë e moralit, qoftë ai i brendshëm apo i jashtëm (në gjymtyrët e tij).

Pas Profetëve, niveli i dytë, në pastërtinë e zemrës, janë të sinqertit, të vërtetit, të cilët e kanë vërtetuar besimin e tyre. Në krye të tyre është es Sidiku i këtij umeti Ebu Bekri radijAllahu anhu, i cili shfaqi pastërtinë e zemrës së tij në shumë rrethana e situata (gjatë jetës së tij). Ebu Bekr el Muzeni rahimehullah duke treguar për Ebu Bekrin radijAllahu anhu ka thënë: “Ai nuk ua ka kaluar të tjerëve me agjërim të shumtë, apo me namaz vullnetar të shumtë, por me diçka që mbante zemra e tij- pastërtia e saj.” Ndërsa, Fudajl ibn Ijadi rahimehullah ka thënë: “Te gjeneratat tona personi nuk e ka arritur pozitën e lartë me namaz të shumë e agjërim të shumtë vullnetar, por me pastërti të shpirtit, me zemër të pastër dhe me këshillim ndaj umetit islam.”

Pastaj, brezat e arta pas sahabëve sollën shembuj të mahnitshëm e të mrekullueshëm në pastërtinë e zemrave të tyre. Kush ndalet të shikojë me vëmendje biografitë e tyre, do ta vërejë këtë gjë qartë, do të shohë se ata ishin njerëz me zemra shumë të pastra, të sinqerta e që kishin frikë Allahun shumë. Abdullah ibn Mubareku rahimehullah ka thënë: “Nuk kam parë ndonjë njeri të jetë ngritur aq lartë si imam Maliku rahimehullah. Megjithatë, ai nuk bënte shumë agjërim e namaz vullnetar. Nuk di diçka tjetër. Ndoshta kjo ishte për shkak të asaj që bartte zemra e tij.” Ndërsa, el Kasim ibn Muhamed rahimehullah ka thënë: “Ne udhëtonim shumë me ibn Mubarekun rahimehullah, imamin e këtij umeti. Unë vazhdimisht e pyesja veten: “Me çfarë është ngritur mbi ne? Pse është bërë i njohur në mesin e njerëzve e ne jo? Nëse ai falet, edhe ne falemi. Nëse ai agjëron, edhe ne agjërojmë. Nëse ai lufton në rrugën e Allahut, edhe ne luftojmë. Nëse ai bën haxh, edhe ne bëjmë.” Por, gjersa ishim në një udhëtim rrugës për në Sham, gjatë natës, u fik llamba dhe njëri prej nesh doli jashtë për të kërkuar diçka që ta ndizte përsëri e u vonua, pastaj erdhi dhe e ndezi dhe unë shikova në fytyrën e Abdullah ibn Mubarekut, mjekra e tij ishte lagur nga lotët. I thash vetes sime: “Ai është ngritur mbi ne për shkak të frikës ndaj Allahut.” Ndoshta kur mbetëm në errësirë atij iu kujtua errësira e ditës së Gjykimit dhe qau.”

Allahu është i Vetmi i Cili jep sukses drejt këtyre moraleve madhështore dhe pastërtisë së zemrës.

Dijetari i madh islam Ibn el Xheuzi rahimehullah ka thënë: “Kam parë shumë njerëz të cilët shpeshtonin namazin vullnetar, agjërimin, heshtjen, përmbaheshin në veten e tyre e në veshjen e tyre, megjithatë nuk ishin të dashur aq shumë te zemrat e njerëzve e nuk kishin pozitë të madhe tek ta. Ndërsa, kam parë njerëz të tjerë të cilët vishnin rroba të shtrenjta, por nuk falnin shumë namaz vullnetar, nuk agjëronin shumë vullnetarisht, nuk përmbaheshin shumë në vetët e tyre e në veshjen e tyre, megjithatë zemrat e njerëzve nxitonin drejt tyre dhe i donin shumë. U ndala të gjeja shkakun e kësaj dhe erdha në përfundim se çështja kthehet te zemra, te brendësia që kanë ata. Kush përmirëson anën e tij të brendshme, mirësitë e tij do të përhapen në mesin e njerëzve dhe ata do ta duan shumë e do të përhapin vlerat e tij. Kini kujdes e keni frikë Allahun në lidhje me zemrat tuaja! Nëse ana e brendshme është e prishur, nuk sjell dobi përmirësimi i anës së jashtme.”

Allahu ka treguar për lutjen e Ibrahimit alejhi selam: “…dhe mos më turpëro në Ditën, kur do të ringjallen njerëzit, në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” Shuara 97-89. Se çfarë është zemra e pastër dijetari i madh ibn Kajjim rahimehullah ka thënë: “Zemra e pastër është ajo zemër e cila është e pastër nga shirku, urrejtja, armiqësia, mllefi, zilia, koprracia, mendjemadhësia, dashuria ndaj jetës së kësaj bote, famës e pozitës, ajo zemër e cila është e pastër nga çdo pengesë e sëmundje e cila e largon prej Allahut, ajo zemër e cila është e pastër nga çdo dyshim i cili bie ndesh me lajmet që ka sjell Allahu dhe i Dërguari i Tij, ajo zemër e cila është e pastër nga epshet, tekat e dëshirat të cilat janë në kundërshtim me urdhrin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ajo zemër e cila është e pastër nga çdo dëshirë e cila e sfidon atë gjë që Allahu e kërkon nga njeriu, pra ajo zemër e cila është e pastër nga çdo pengesë e cila të shkëput në rrugëtimin drejt Allahut.”  Dhe thotë: “Pastërtia e zemrës nuk mund të arrihet derisa njeriu të shpëtojë nga pesë gjëra: nga shirku i cili bie ndesh me teuhidin, nga bidati i cili bie nesh me sunetin, nga epshi e pasioni të cilat kundërshtojnë urdhrin e Allahut, nga shkujdesja e cila bie ndesh me përkujtimin e përmendjen e Allahut dhe nga epshet, dëshirat e ego të cilat bien ndesh me sinqeritetin që duhet pasur ndaj Allahut. Këto janë pesë mbulesa që e mbulojnë atë dhe e largojnë prej Allahut.” Pastaj sqaron se në secilën prej tyre ka lloje e lloje që degëzohen prej tyre. Dhe thotë: “Nevoja e njeriut për t’i ditur këto gjëra është e domosdoshme. Patjetër duhet ta lusë Allahun ta udhëzojë në rrugën e drejtë, sepse ka nevojë të madhe për këtë lutje, më shumë se për çdo gjë tjetër.”

Kush përmirëson anën e tij të brendshme, Allahu do t’ia përmirësojë edhe anën e tij të jashtme, dhe jo anasjelltas. Këtë dhe e sqaron Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në një hadith sahih kur u pyet: “Cili njeri është më i miri?” tha: “Çdo njeri që e thotë gjithmonë të vërtetën dhe i devotshmi që është i pastër në zemër, ai nuk mban në zemrën e tij gjynah, padrejtësi e armiqësi ndaj askujt, as urrejtje e as zili.”

Zemra e këtij personi ka bërë bashkë mes disa cilësive:

-devotshmërisë ndaj Allahut,

-pastërtisë së zemrës,

-boshatisjes së zemrës nga gjynahet dhe mosbindja ndaj Allahut, sepse siç e dimë njeriu edhe me zemrën e tij bën gjynahe,

-në zemrën e tij nuk ka urrejtje ndaj muslimanëve,

-nuk ka armiqësi e padrejtësi,

-nuk ka zili ndaj askujt.

Ajo çfarë kërkohet prej njeriut është që të luftojë vetveten shumë që ta pastrojë zemrën e tij, më shumë sesa që pastron rrobat e shtëpinë e tij, sepse zemra e pastër do të sjellë dobi të shumta: bën që ai t’i dojë muslimanët, të ketë lidhje me ta, të mos shkëputet nga ta, do të jetë e pastër dhe e shëndoshë nga shumë defekte, muslimani do të jetojë i qetë, i pajtuar me Caktimin e Allahut, nuk do të ketë zili shkatërruese ndaj askujt e cila ia prishë rehatinë e tij.

Zemra e prishur bën që njeriu të shkatërrojë lidhjen mes tij dhe vëllezërve muslimanë, bën që të bartë gjynahe të mëdha pastaj të cilat i shfaqen edhe në gjymtyrët e tij. Të tillit do t’i humbin vlerat dhe do të bie në nivel të ulët, si dhe i shkatërrohen veprat e mira e prej tyre nuk do ketë bereqet.

Personit që ka zemër të pastër Allahu do t’i japë bereqet, edhe nëse vepron pak vepra, dhe njerëzit do ta duan shumë e do të jenë afër tij.

Shumë njerëz vërejmë se si tërheqin ndaj vetes mjerimin në të dy botët. Kjo ndodh kur flasin kundër njerëzve, kanë urrejtje ndaj muslimanëve, kanë gjynahe në zemra, kanë zili ndaj vëllezërve të tyre muslimanë dhe nuk mund të qetësohen veçse kur prishin lidhjet mes muslimanëve, kur bëjnë trazira, kur hulumtojnë të metat e të tjerëve e i përhapin pastaj. Këto vepra janë të ulëta, të cilat bien ndesh me devotshmërinë e zemrës dhe pastërtinë e saj. Madje, ka njerëz që ruhen shumë që të mos fusin një kafshatë të ndaluar në barqet e tyre, apo të që mos bëjnë një shikim të ndaluar, megjithëkëtë kur vjen puna te këto gjëra që përmendëm, atëherë vëren se nxitojnë drejt tyre. Andaj, muslimani duhet të ketë zemër të pastër, duhet të jetë më i ngritur, të jetë i sinqertë dhe të mos mbajë mendim të keq për muslimanët.

 

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit