Lidhur me thënien “La ilahe ilAllah”

Tahlili

(Thënia La ilahe il-lAll-llah لاَ إلهَ إلا الله)

Për shkak të fjalës “La ilahe ilAllah” janë krijuar të gjitha krijesat, janë dërguar Pejgamberët dhe janë zbritur Librat hyjnor prej Allahut. Ajo është fjala e devotshmërisë, shtylla më e madhe e fesë dhe dega më e rëndësishme e besimit. Ajo është rruga përmes të cilës njeriu e fiton xhenetin dhe shpëton prej zjarrit. Është fjala e dëshmisë, çelësi i derës së lumturisë dhe baza e koka e fesë. Vlerat e kësaj fjale dhe pozita e saj në fe është shumë më e lartë sesa që mund ta përshkruajë dikush. Allahu thotë: “Allahu dëshmon, e po ashtu edhe engjëjt, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka të adhuruar tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë. Nuk ka të adhuruar meritor përveç Tij, të Plotfuqishmit, të Urtit.” Ali Imran, 18. Krijesat më të ndershme, engjëjt, dëshmojnë bashkë me Krijuesin për këtë fjalë.

Vlerat madhore të fjalës La ilahe ilAllah (në ajetet kuranore)

  • Është baza e mesazhit të çdo të Dërguari të dërguar

Thotë Allahu: “Ne nuk kemi nisur asnjë të dërguar para teje, që të mos i kemi shpallur se: “S’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm) Mua!” Enbija 25.  Thotë: “Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt!” Nahl 36. Në suren Nahl Allahu numëron mirësitë e shumta që ua ka dhënë njerëzve. Dijetarët e quajnë “Surja e nimeteve”. Mirësia e parë që e përmend në të është Shpallja, dhe e para prej saj fjala La ilahe ilAllah. Thotë: “Me vullnetin e Tij, Ai ia dërgon engjëjt (Xhibrilin) me Shpallje kujt të dojë prej robërve të Tij (duke u thënë): “Paralajmëroni se s’ka të adhuruar tjetër meritor përveç Meje, prandaj të më kini frikë Mua!” Ajeti 2.

  • Ajo është fjala e mirë, e bukur

Thotë Allahu: “Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin.” Ibrahim 24-25.

  • Ajo është fjala e qëndrueshme

Thotë Allahu: “Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje; Allahu bën ç’të dojë.” Ibrahim 27.

  • Ajo është premtimi/besa (ahd) që Allahu e pranon prej njerëzve Ditën e Gjykimit

Thotë Allahu: “…askush nuk do të mund të ndërhyjë, përveç atij që ka marrë lejen dhe premtimin e të Gjithëmëshirshmit (se Ai do t’ia japë ndërmjetësimin).” Merjem 87. Ibn Abbasi radijAllahu anhu: “El ahdu” është shehadeti La ilahe ilAllah, ai që e dëshmon atë dhe ai që distancohet nga çdo ndryshim dhe forcë përveç ndryshimit dhe forcës së Allahut. Kjo është koka e çdo devotshmërie.”

  • Ajo është lidhja e fortë

Allahu e quan kështu sepse kush kapet pas kësaj lidhje do të shpëtojë, e kush nuk kapet pas saj do të shkatërrohet. Thotë Allahu: “Ai që mohon idhujt (dhe gjithçka që adhurohet në vend të Allahut) dhe beson në Allahun, ka siguruar lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë.” Bekare, 256. Dhe thotë: “Kush i dorëzohet Allahut, me tërë qenien e tij, duke qenë punëmirë, ai është kapur për vegën më të fortë.” Lukman 22.

  • Ajo është fjala e përhershme

Thotë Allahu: “(Kujto) kur Ibrahimi i tha të atit dhe popullit të tij: “Në të vërtetë, Unë i urrej dhe s’kam të bëj fare me ato që adhuroni ju në vend të Atij, që më ka krijuar dhe i Cili do të më udhëzojë në rrugën e drejtë”. Ai e bëri këtë fjalë të përhershme te pasardhësit e tij, me qëllim që ata të kthehen (vazhdimisht tek Allahu).” Zukhruf, 26-28.

  • Ajo është fjala e devotshmërisë

Allahu ua ka dhënë këtë fjalë shokëve të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, që të kapen pas saj e të mbështeten tek ajo. Ata ishin meritorë dhe të denjë të jenë pasues të kësaj fjale. Allahu thotë: “Dhe, kur në zemrat e mohuesve u shfaq zelltaria pagane, Allahu zbriti qetësinë e Tij në zemrën e të Dërguarit të Tij dhe të besimtarëve e i bëri ata të mbështeten fort në fjalën e përkushtimit (ndaj Allahut). Ata kishin më të drejtë e qenë më të denjë për të.” Feth, 26. Ebu Ishak es Sebiji transmeton prej Amr ibn Mejmunit i cili ka thënë: “Njerëzit nuk kanë shqiptuar fjalë më të mirë sesa fjala La ilahe ilAllah.” Atëherë Sad ibn Ijad i thotë: “A e di cili është kuptimi i saj?” I thotë: “Pasha Allahun, ajo është fjala e devotshmërisë (që u përmend në këtë ajet). Është fjala të cilën Allahu ua ka dhënë shokëve të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe vërtetë ata kanë pasur më të drejtë për të dhe kanë qenë më të denjit për të.”

  • Ajo është fundi i vërtetësisë

Allahu thotë: “Në ditën, kur Shpirti (Xhebraili) dhe engjëjt do të jenë të rreshtuar, nuk do të flasë askush, përveç atij që do t’i japë lejë i Gjithëmëshirshmi e që do të thotë të vërtetën.” Nebe 38. Ali ibn ebi Talha transmeton prej ibn Abbasit radijAllahu anhuma i cili kur e komenton këtë ajet thotë: “Përveç atij të cilit Allahu i jep leje të flasë dhe të dëshmojë se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, dhe kjo është skajshmëria (s’ka më tutje) e vërtetësisë, fundi i saktësisë.” Po ashtu thotë Ikrime rahimehullah: “E vërteta” që përmendet në këtë ajet është fjala La ilahe ilAllah.”

  • Ajo është lutja e vërtetë

Fjala La ilahe ilAllah është lutja që përmendet në suren Rad, ku thotë Allahu: “Vetëm për Atë është lutja e vërtetë! Kurse idhujt, të cilëve jobesimtarët u luten në vend të Allahut, nuk u përgjigjen lutjeve të tyre aspak. Rasti i tyre është si rasti i atij që i zgjat duart tek uji, për t’i ardhur te goja, por ai kurrsesi nuk i vjen. Lutja e jobesimtarëve është e kotë.” Rad 14.

  • Ajo është lidhja e vërtetë rreth të cilës bashkohen ithtarët e fesë Islame

Për këtë fjalë shoqëria islame bëhen si një trup i vetëm dhe si një ndërtesë solide, ku pjesët e saj e mbajnë fortë njëra-tjetrën. Për këtë fjalë duan dhe urrejnë. Dijetari Emin esh Shenkiti, Allahu e mëshiroftë, në librin “Adwaul bejan”, që është tefsiri i Kuranit, thotë: “Lidhja e vërtetë që i bashkon të ndarët e të përçarët, është lidhja e fjalës La ilahe ilAllah. A nuk e ke parë se kjo lidhje i bashkon të gjithë pjesëtarët e ummetit islam dhe i bën sikur të jenë një trup i vetëm, apo një ndërtesë e vetme solide, e cila nuk ka çarje/zbrazëtirë? Ajo është arsyeja që edhe engjëjt të cilët e bartin Arshin dhe që janë afër Arshit të tregojnë dhembshuri e dashuri për besimtarët prej bijve të Ademit, edhe pse mes tyre ka dallim të madh, ata janë në qiell, e këta në tokë.” Pastaj lexon ajetet në suren Gafir: “Ata (engjëj), që e mbajnë Fronin dhe ata që janë rreth tij, e madhërojnë Zotin e tyre me falënderim dhe i besojnë Atij. Ata lypin falje për besimtarët, duke thënë: “O Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde, prandaj fali ata që janë penduar e që ndjekin rrugën Tënde dhe ruaji ata prej dënimit të Zjarrit flakërues! O Zoti ynë, shpjeri ata në kopshtet e Adnit, të cilat ua ke premtuar, së bashku me të devotshmit prej prindërve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre! Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti. Dhe shpëtoji ata nga e keqja! Atë që Ti e shpëton nga e keqja atë Ditë, Ti e ke mëshiruar; e ky, me të vërtetë, është shpëtimi i madh!” Ajetet 7-9. Dhe thotë: “Këtu Allahu na jep shenjë se lidhja e cila ka bërë të ketë lidhje mes bartësve të Arshit e engjëjve rreth Arshit dhe banorëve të qiellit, saqë dhe i ka shtyrë të luten për besimtarët që janë në tokë, me lutje të mirë dhe madhështore, është besimi në Allahun.” Në fund thotë: “Përmbledhtazi themi se nuk ka mospajtime mes myslimanëve se lidhja që duhet t’i lidhë banorët e tokës mes tyre (të kenë një gjë rreth të cilës duhet të lidhen) dhe banorët e qiellit me banorët e tokës, është fjala La ilahe ilAllah. Prandaj, nuk lejohet assesi që njerëzit të thirren te ndonjë gjë tjetër përveçse te kjo fjalë.”

  • Është vepra më e mirë, më e vlefshme

Prej punëve të mira që kryen besimtari, më e mira është fjala La ilahe ilAllah. Thotë Allahu: “Ata që kanë bërë vepra të mira, do të kenë shpërblim më të mirë dhe do të jenë të çliruar nga tmerri i asaj Dite.” Neml 89. Abdullah ibn Mesudi, Ibn Abbasi dhe Ebu Hurejra, radijAllahu anhuma, për veprën e mirë që u përmend në këtë ajet, kanë thënë se është fjala La ilahe ilAllah. Po ashtu, Ikrime rahimehullah komenton: “Ai që vjen me vepër të mirë në atë Ditë (pra që vjen me fjalën La ilahe ilAllah), do të ketë shpërblim më të mirë për këtë fjalë ngase nuk ka fjalë dhe gjë më të mirë sesa ajo.” Transmetohet se Ebu Dheri radijAllahu anhu i ka thënë Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem: “O i Dërguar i Allahut! Më mëso një vepër që më afron më shumë afër xhenetit e më largon nga zjarri i xhehenemit!” Ai i ka thënë: “Sa herë që vepron një mëkat, menjëherë bëje një vepër të mirë, sepse vepra e mirë shpërblehet dhjetë fish.” I ka thënë: “Prej veprave më të mira, a është fjala La ilahe ilAllah?” Atëherë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thënë: “Po,  madje ajo është më e mira.” Musned.

 

Vlerat madhore të fjalës La ilahe ilAllah (në hadithet profetike)

  • Ajo është vepra më e vlefshme, me shpërblim që shumëfishohet

Më së shumti, tek Allahu shumëfishohet shpërblimi i fjalës La ilahe ilAllah dhe është i barabartë me lirimin e robërve. Nëse njeriu e thotë gjatë ditës, krijon mburojë mes tij e shejtanit. Transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Ai që thotë: “La ilahe ilAllahu wahdehu la sherike leh, lehul mulku, we lehul hamdu, we huwe ale kul-li shejin kadir (Nuk ka të adhuruar tjetër meritor përveç Allahut, të Vetëm, i Cili nuk ka ortak, të Cilit i takon pushteti dhe lavdia, dhe Ai është i Plotëfuqishëm për çdo gjë)”, gjatë ditës 100 herë, shpërblimi i parë që merr është sikur lirimi i 10 robërve, i shkruhen 100 shpërblime/të mira, i fshihen 100 të këqija/mëkate, dhe atë ditë ai do të jetë i mbrojtur prej shejtanit deri në mbrëmje. Askush nuk ka vepruar vepër më të mirë sesa ky, përveç atij që ka vepruar njëjtë apo atij që ka shtuar më shumë se ai.” Po ashtu transmetohet: “Ai që thotë dhjetë herë (këtë dhikër), arrin shpërblimin sikur lirimi i katër robërve të bijve të Ismailit.” Buhariu dhe Muslimi.

  • Ajo është fjala më e mirë e thënë nga të Dërguarit e Allahut

Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Gjëja më e mirë që e kam thënë unë dhe Pejgamberët para meje, në mbrëmjen e Arafatit, është “La ilahe ilAllahu wahdehu la sherike leh, lehul mulku, we lehul hamdu, we huwe ale kul-li shejin kadir.”

  • Ajo peshon rëndë në Peshore Ditën e Gjykimit

Siç qëndron në një hadith në Musned, ku tregohet se në Ditën e Kiametit do të thirret emri i një njeriu, me zë të lartë, në mesin e të gjithë njerëzve, të cilit do t’i shfaqin 99 libra/regjistra me mëkate. Secili prej tyre është i madh sa sheh syri i njeriut. Allahu e pyet: “A e mohon ndonjërin prej këtyre mëkateve të regjistruara në këta regjistra?” Ai thotë: “Jo, asnjërin nuk e mohoj.” Atëherë Allahu thotë: “A ke justifikim për to, a ke vepra të mira që i mbulojnë/fshijnë ato?” Ai frikësohet shumë nga kjo që i thotë Allahu. Ai thotë: “Jo, o Zoti im.” Allahu thotë: “Gjithsesi, te Ne ke një vepër të mirë që e ke bërë, dhe sot nuk do të të bëhet padrejtësi.” I afrohet një letër e vogël, në të cilën shkruhet se ai ka thënë “Eshhedu en la ilahe ilAllah, we eshhedu ene Muhameden abduhu we rasuluhu”. Ai çuditet e thotë: “O Zoti im! Çfarë mund të bëjë ajo letër e vogël karshi të gjithë këtyre regjistrave me këto mëkate kaq të shumta që i kam bërë?!” Allahu i thotë: “Ty kurrsesi sot nuk të bëhet padrejtësi.” Atëherë të gjithë regjistrat vendosen në njërën anë të peshores, kurse letra e vogël në anën tjetër, dhe jo vetëm që ajo peshon më rëndë, porse ato regjistra fluturojnë në anën tjetër, aq shumë që do të rëndojë ajo fjalë. Pa dyshim, këtë hadith ne duhet ta kuptojmë drejtë, kur ky person e ka thënë këtë fjalë, e ka thënë me besim dhe bindje të plotë në zemër. Njerëzit dallojnë sa i përket veprave varësisht besimit që kanë në zemra; veprat e tyre rëndojnë varësisht nga kjo në Ditën e Gjykimit. Ka shumë njerëz që thonë La ilahe ilAllah, mirëpo nuk kanë shumë shpërblim e dobi nga ajo për shkak të besimit të dobët që kanë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Do të dalë prej zjarrit ai i cili ka thënë La ilahe ilAllah, kurse në zemrën e tij ka pasur besim sa peshon një kokërr e elbit. Do të dalë prej zjarrit ai i cili ka thënë La ilahe ilAllah, kurse në zemrën e tij ka pasur besim sa peshon një kokërr e grurit. Do të dalë prej zjarrit të xhehenemit ai i cili ka thënë La ilahe ilAllah, kurse në zemrën e tij ka pasur besim aq sa peshon një kokërr i misrit.” Buhariu dhe Muslimi. Ky hadith na tregon se ata që thonë La ilahe ilAllah janë të shumtë, mirëpo pesha e thënies së saj dallon në varësi të besimit që kanë në zemra.

  • Ajo peshon më rëndë sesa qiejt e toka

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: Nuhi alejhi ue selem i ka thënë djalit të tij kur ky ishte në çastet e vdekjes: “Unë po të urdhëroj (të porosis) që gjithmonë të thuash La ilahe ilAllah, ngase sikur të vendoseshin shtatë qiejt e shtatë toka në një anë të peshores, kurse fjala La ilahe ilAllah në anën tjetër, ajo do të peshonte më rëndë. Sikur i gjithë ky univers të ishte si një rreth i mbyllur, ajo do ta çante në dy pjesë.” Transmetohet në Musned.

  • Ajo e djegë çdo pengesë dhe arrin tek Allahu

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Sa herë që një njeri thotë La ilahe ilAllah sinqerisht prej zemrës së tij (me zemër të pastër), do t’i hapen dyert e qiellit derisa ajo të përfundojë tek Arshi, tek Allahu, nëse (njeriu) u largohet mëkateve të mëdha.” Tirmidhiu.

  • Shpëton ai që e thotë atë

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka dëgjuar një myezin të thotë: “Eshhedu en la ilahe ilAllah”, dhe ka thënë për të: “Ky shpëtoi prej zjarrit të xhehenemit.” Muslimi. Po ashtu, në një tjetër hadith ka thënë: “Allahu e ka ndaluar zjarrin e xhehenemit për atë që thotë “La ilahe ilAllah” duke pasur për qëllim Fytyrën e Allahut (e thotë sinqerisht).” Buhariu dhe Muslimi.

  • Ajo është dega më e vlefshme e besimit

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Besimi ka shtatëdhjetë e ca degë. Më e larta është fjala La ilahe ilAllah. Kurse, më e ulëta është largimi i pengesës nga rruga.” Buhariu dhe Muslimi.

  • Ajo është dhikri më i mirë

Nuk ka dhikër më të mirë me të cilin njeriu e përmend Allahun sesa fjala La ilahe ilAllah. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Dhikri më i mirë është fjala La ilahe ilAllah, ndërsa lutja më e mirë është thënia Elhamdulilah.” Tirmidhiu.

  • Ai që e thotë me sinqeritet e meriton ndërmjetësimin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem

Ebu Hurejra radijAllahu anhu e ka pyetur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem: “O i Dërguar i Allahu! Kush është ai që e meriton më së shumti ndërmjetësimin tënd në Ditën e Gjykimit?” Ai i ka thënë: “Ai që më së shumti e meriton ndërmjetësimin tim në Ditën e Gjykimit, është ai i cili thotë La ilahe ilAllah sinqerisht (pastër) prej zemrës së tij.” Në këtë hadith kemi argument se fjala La ilahe ilAllah nuk pranohet kur ajo thuhet thjesht me gjuhë, duke mos e besuar me zemër ose kur nuk thuhet me sinqeritet, andaj ky hadith na mëson se të jetë e pranuar fjala La ilahe ilAllah tek Allahu, duhet patjetër të përmbushë kushtet e saj. Atij që e thotë atë sipas kushteve ose kufizimeve që përmenden në Kuran e sunet, atëherë i pranohet dhe arrin këto shpërblime e mirësi në të dy botët, të cilat janë përmendur deri tash.

Kushtet e fjalës La ilahe ilAllah

Që fjala La ilahe ilAllah të jetë e pranuar tek Allahu, duhet të përmbushen kushtet e përmendura në Kuran e sunet. Të gjitha adhurimet të jenë të pranuara duhet t’i përmbushin kushtet e tyre. Qëllimi nuk është që vetëm të lexohen dhe të mësohen përmendësh ato dhe argumentet. Ka shumë prej njerëzve që janë të thjeshtë, nuk kanë dije, mirëpo tek të cilët janë grumbulluar këto kushte dhe ata u përmbahen atyre, e kur i thua t’i numërojnë, ata nuk dinë t’i numërojnë. Në anën tjetër, ka nga njerëzit që i dinë ato, i lexojnë argumentet e tyre dhe janë në gjendje t’i numërojnë me rend pa pengesë, mirëpo ata veprojnë gjëra të shumta që e asgjësojnë apo e kundërshtojnë fjalën La ilahe ilAllah. Ajo që kërkohet nga ne është që së bashku me dijen e mësimin (përmendësh) të tyre, duhet edhe të punojmë me të, duke mos ndarë mes këtyre dy gjërave. Në këtë mënyrë njeriu bëhet prej ithtarëve të fjalës La ilahe ilAllah, të fjalës së teuhidit. E Ai që ndihmon dhe jep sukses në këtë, patjetër se është vetëm Allahu. Dijetarët kanë arritur në përfundim se fjala La ilahe ilAllah ka shtatë kushte:

  1. Dija, që kundërshton mosdijen

Nënkupton që njeriu të dijë se cili është kuptimi dhe domethënia e saj. Ai i cili e thotë atë patjetër duhet të dijë se ajo i mohon të gjitha llojet e adhurimeve që i kushtohen dikujt tjetër përveç Allahut dhe pohon se adhurimet i takojnë vetëm Allahut. Allahu thotë: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” Fatiha 5. Argumenti (i këtij kushti) është ajeti kuranor: “Dije se nuk ka të adhuruar tjetër meritor përveç Allahut!” Muhamed 19. Dhe thotë: “përveç atyre që dëshmuan për të Vërtetën dhe e dinë mirë.” Zukhruf 86. Dijetarët e tefsirit në komentimin e Fjalës: “Përveç atyre që dëshmuan për të vërtetën”, kanë thënë se qëllimi është me fjalën La ilahe ilAllah; “dhe ata e dinë mirë” e dinë mirë kuptimin e domethënien e saj, me zemër dhe me gjuhë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush vdes duke e ditur se nuk ka të adhuruar tjetër meritor përveç Allahut, do të hyjë në xhenet.” Muslimi. Ai salAllahu alejhi ue selem hyrjen në xhenet me këtë fjalë e ka kushtëzuar me dijen.

  1. Bindja, që kundërshton dyshimin dhe mëdyshjen

Nënkupton që ai i cili e thotë fjalën La ilahe ilAllah, ta thotë me bindje të plotë, të paluhatshme, në të cilën nuk ka dyshim e mëdyshje. Bindja është përkryerja e dijes rreth fjalës La ilahe ilAllah (arritja e dijes së plotë rreth saj pa pasur kulfarë dyshimi). Thotë Allahu: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe pastaj nuk dyshojnë…” Huxhurat 15. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Allahut dhe se unë jam i dërguar i Tij. Çdo njeri i cili e takon Allahun me këto dy dëshmi duke mos pasur asnjë dyshim rreth tyre, do të hyjë në xhenet.” Muslimi. Këtu vërejmë se ai po e kushtëzon hyrjen në xhenet me bindjen. Po ashtu transmetohet nga Muslimi se ai salAllahu alejhi ue selem i ka thënë Ebu Hurejrës radijAllahu anhu: “Këdo që e takon pas këtij muri, i cili thotë La ilahe ilAllah me zemër të bindur, përgëzoje me xhenet.”

  1. Sinqeriteti, që kundërshton shirkun dhe syefaqësinë

Nënkupton që njeriu të jetë i sinqertë në fjalën La ilahe ilAllah, duke e kundërshtuar shirkun dhe syefaqësinë, dhe kjo arrihet kur ai i dëlirë veprat e tij prej njollave të tyre, të brendshme, të jashtme, të qarta, të fshehta. Kjo arrihet kur ai nijetin e tij e ka të pastër, të sinqertë, për Allahun, në të gjitha adhurimet. Allahu thotë: “Vetëm Allahut i takon adhurimi i vërtetë (i pastër).” Zumer 3. Kur adhurimi është i përzier me ndonjë njollë të shirkut ose syefaqësisë, nuk pranohet tek Allahu. Po ashtu thotë Allahu: “…ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë…” Bejjine 5. Transmetohet në sahih prej Ebu Hurejres radijAllahu anhu se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu më i lumtur i cili do ta meritojë ndërmjetësimin tim në Ditën e Gjykimit, do të jetë ai që thotë La ilahe ilAllah sinqerisht prej zemrës së tij.” Këtu vërejmë se ai e ka kushtëzuar me sinqeritet hyrjen në xhenet.

  1. Vërtetësia, që kundërshton gënjeshtrën

Nënkupton që njeriu të jetë i vërtetë, të ketë sinqeritet prej zemrës, në thënien e fjalës La ilahe ilAllah. Sidk do të thotë kur gjuha dhe zemra e njeriut janë në përputhje të plotë, të mos e përgënjeshtrojnë njëra-tjetrën. Allahu kur i nënçmon dyfytyrëshit dhe cilësitë e tyre thotë: “Kur vijnë tek ti hipokritët, thonë: “Ne dëshmojmë se ti je vërtet i dërguari i Allahut!” Allahu e di se ti je i dërguari i Tij, por Ai dëshmon se hipokritët janë gënjeshtarë!” Munafikun 1. Allahu i përshkruan ata me gënjeshtër, sepse ajo që kanë thënë me gjuhë, nuk ka ekzistuar në zemrat e tyre. Po ashtu Allahu thotë: “Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë.” Ankebut 1-2. Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Nuk ka ndonjë prej njerëzve që thotë vërtetë prej zemrës së tij: “Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër meritor përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij”, veçse se Allahu do t’ia ndalojë zjarrin e xhehenemit.” Buhariu dhe Muslimi. Pra, ajo që e thotë me gjuhën e tij, buron prej zemrës së tij.

  1. Dashuria, që kundërshton urrejtjen dhe mospëlqyeshmërinë

Nënkupton që ai i cili e thotë fjalën La ilahe ilAllah duhet ta dojë Allahun, të Dërguarin e Tij, fenë Islame, myslimanët në përgjithësi; nga ana tjetër duhet të mos i dojë ose duhet t’i urrejë ata të cilët e kundërshtojnë këtë fjalë, që veprojnë gjëra që e asgjësojnë atë (shirk, kufër). Allahu thotë: “…disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar) në vend të Allahut (zota) të tjerë, (duke i konsideruar) si të barabartë me Atë dhe duke i dashur siç duhet Allahu. Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa ç’i duan idhujtarët idhujt e tyre).” Bekare 165. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Nyja më e fortë e besimit është të duash për hir Allahun dhe të urresh për hir të Tij.” Imam Ahmedi.

  1. Pasimi/bindja, që kundërshton braktisjen

Nënkupton që njeriu patjetër duhet ta pranojë fjalën La ilahe ilAllah me pranim të vërtetë, me zemër dhe gjuhë. Argumentet që na tregojnë për këtë janë të shumta, janë ngjarjet që Allahu na tregon në Kuran se si ka vepruar me ata (popuj) që e kanë pranuar, të cilët i ka shpëtuar, dhe si ka vepruar me ata që e kanë refuzuar atë, drejtë së cilës kanë thirr Pejgamberët, të cilët Allahu i ka dënuar dhe është hakmarrë ndaj tyre. Thotë Allahu: “Pastaj, Ne do t’i shpëtojmë të dërguarit Tanë dhe ata që kanë besuar. Kështu, është detyra Jonë që t’i shpëtojmë besimtarët.” Junus 103. Kur flet për idhujtarët dhe mohuesit (ata të cilët do t’i dënojë në xhehenem), pasi e përshkruan dënimin ndaj tyre thotë: “sepse, kur u thuhej atyre: “Nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Allahut!” – ata tregoheshin mendjemëdhenj”, nuk e pranonin, e refuzonin, “dhe thoshin: “Vallë, a t’i braktisim të adhuruarit tanë për shkak të një poeti të marrë?” Saffat 35-36.

  1. Pranimi, që kundërshton refuzimin

Nënkupton që ai i cili thotë fjalën La ilahe ilAllah patjetër duhet t’i bindet dhe nënshtrohet fesë së Allahut, urdhrave të Tij, Gjykimeve të Tij, me tërë qenien e tij t’i dorëzohet Atij. Kur vepron kështu, llogaritet se është kapur fort pas kësaj fjale. Thotë Allahu: “Kush i dorëzohet Allahut, me tërë qenien e tij, duke qenë punëmirë, ai është kapur për vegën (lidhjen) më të fortë. Tek Allahu do të kthehet çdo gjë.” Lukman 22. Dijetarët e tefsirit për Fjalën “për vegën (lidhjen) më të fortë” thonë se qëllimi është “është kapur për fjalën La ilahe ilAllah”. Prej cilësive me të cilat Allahu e përshkruan fjalën La ilahe ilAllah, thotë se ajo është lidhja më e fortë, me të cilën njeriu lidhet me  Allahun. Në këtë ajet, Allahu e kushtëzon që për të qenë i kapur pas fjalës La ilahe ilAllah, duhet të jesh i bindur ndaj fesë së Tij, e kjo arrihet duke ia dorëzuar qenien Allahut.

Domethënia dhe kuptimi i fjalës La ilahe ilAllah

Duhet ditur se fjala La ilahe ilAllah nuk pranohet tek Allahu kur njeriu e shqipton atë thjeshtë me gjuhën e tij dhe mjaftohet me kaq, duke mos punuar dhe vepruar me realitetin e kuptimit dhe të domethënies së saj, duke mos e zbatuar bazën e qëllimit të saj, që është mohimi i shirkut dhe pohimi i njëshmërisë së Allahut. Kësaj pastaj duhet t’ia bashkëngjesë besimin e fortë dhe të paluhatshëm rreth kuptimit të saj dhe të punuarit me këtë kuptim. Në këtë mënyrë njeriu bëhet mysliman i vërtetë, prej ithtarëve të vërtetë të fjalës La ilahe ilAllah. Me konsensusin e të gjithë dijetarëve, kjo fjalë nuk i bën dobi njeriut nëse e shqipton atë vetëm me gjuhë, pa e ditur domethënien e kuptimin e saj, si dhe pa punuar me ato gjëra që i kërkon ajo.

Kjo fjalë madhështore përfshin dhe përmban në veten e saj atë se askush tjetër përveç Allahut nuk është ilah; ilah-ia- të merituarit e adhurimit i takon vetëm Allahut. Çdo kujt tjetër që i kushtohet kjo ilah-ie, tregon për kotësinë dhe padrejtësinë më të madhe që mund ta veprojë njeriu, duke ia pohuar dhe drejtuar ilah-ien dikujt tjetër përveç Allahut. Kjo fjalë patjetër duhet të përmbushë tri gjëra së bashku: dijen, veprimin dhe sinqeritetin. Ai që e thotë dhe punon me të sipërfaqësisht, pa e besuar atë që e thotë dhe atë për të cilën punon, ai nuk ka besim në zemër, ky është dyfytyrësh. Ai i cili e thotë atë, por vepron gjëra që janë në kundërshtim me të, që e zhvleftësojnë atë në thelb (vepron kufër ose shirk), ai është jobesimtar. Ai që e thotë atë dhe del nga Islami duke e refuzuar dhe mohuar diçka prej të drejtave dhe obligimeve të kësaj fjale, nuk i bën dobi atij, edhe nëse e thotë njëqind herë. Ai i cili e thotë atë, pastaj disa lloje të adhurimeve ia kushton dikujt tjetër përveç Allahut, si: lutjen, therjen e kurbanit, zotimin, kërkimin e ndihmës e shpëtimit, kthimin me pendim, mbështetjen, frikën, shpresën, dashurinë etj., prej adhurimeve të gjymtyrëve dhe zemrës, të cilat i takojnë vetëm Allahut, atëherë ka bërë shirk të madh edhe nëse e thotë fjalën La ilahe ilAllah me gjuhën e tij, ngase i tilli nuk është duke punuar me atë që e kërkon kjo fjalë, që është teuhidi dhe ikhlasi, njëshmëria dhe adhurimi i sinqertë ndaj tij. Kjo është domethënia në të cilën na thërret kjo fjalë e madhe.

Fjala La ilahe ilAllah përkthehet: Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë, meritor, përveç Një të adhuruari, i Cili është Allahu, i Vetmi që nuk ka ortak. Në gjuhën arabe fjala “Ilah” do të thotë “meabud”-  i Adhuruar. Është gabim përkthimi i fjalës La ilahe ilAllah në këtë mënyrë: “Nuk ka Zot përveç Allahut”, si nga aspekti gjuhësor, si nga aspekti i kuptimit të saj. La ilahe do të thotë: nuk ka të adhuruar tjetër meritor, ilAllah do të thotë: përveç Allahut. Allahu thotë: “Ne nuk kemi nisur asnjë të dërguar para teje, që të mos i kemi shpallur se: “S’ka të adhuruar tjetër meritor përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm) Mua!” Enbija 25.

Për ta realizuar këtë fjalë, njeriu duhet ta dijë se ajo përmban:

-mohim: të mohohet adhurimi ndaj çdokujt tjetër që nuk është Allahu (qoftë engjëll, Pejgamber, krijesë etj.),

-pohim: të pohohet adhurimi veç ndaj Allahut, të Vetmit.

Ai që e thotë këtë fjalë, ai nuk kërkon ndihmë tek askush tjetër përveç Allahut, nuk i lutet askujt tjetër përveç Tij, nuk i mbështet askujt tjetër përveç Tij, nuk shpreson tek askush përveç Tij, nuk ther kurban për askënd tjetër përveç Tij, asnjë adhurim nuk ia kushton dikujt përveç Tij, jo vetëm kaq, por ai i mohon të gjithë ato gjëra dhe persona që adhurohen përveç Allahut dhe i mohon të gjitha adhurimet kushtuar dikujt tjetër veç Tij.

 

Asgjësueset e fjalës La ilahe ilAllah

Janë disa gjëra të cilat nëse njeriu i vepron, i asgjësohet fjala La ilahe ilAllah dhe nuk i pranohet. Myslimani duhet t’i dijë ato, për të mos rënë në to. Allahu e ka sqaruar në detaje në Kuran rrugën e atyre që e kanë realizuar këtë fjalë. Po ashtu e ka sqaruar në detaje dhe rrugën e atyre që e kanë kundërshtuar atë. Atij i cili e vepron njërën prej këtyre asgjësueseve, nuk i bën më dobi vetëm shqiptimi i fjalës La ilahe ilAllah. Janë të shumta çështjet që e asgjësojnë fjalën La ilahe ilAllah, mirëpo ato më të rëndat dhe në të cilat më së shumti bien njerëzit janë dhjetë, që i përmendin shumë prej dijetarëve, e që janë:

  1. Shirku në adhurimin ndaj Allahut- adhurimi i dikujt tjetër krahas apo përveç Allahut, p.sh.: lutja ndaj të vdekurve, kërkimi i ndihmës dhe shpëtimit prej tyre, therja e zotimi në emër të tyre etj.
  2. Vendosja ndërmjetës mes njeriut dhe Allahut– vënia ndërmjetës dikë prej krijesave duke kërkuar ndërmjetësim prej tij tek Allahu, apo duke iu mbështetur atij.
  3. Mosllogaritja e idhujtarëve si jobesimtarë – kur nuk i llogaritë si jobesimtarë ata të cilët Allahu në Kuran dhe i Dërguari në sunet i ka quajtur jobesimtarë, apo kur dyshon për ta se a janë të tillë apo jo, apo kur e bën të saktë rrugën e tyre duke thënë feja e tyre është e vërtetë dhe do të jenë në xhenet.
  4. Besimi se udhëzimi dhe gjykimi i dikujt tjetër është më i plotë/përkryer sesa udhëzimi i Muhamedit salAllahu alejhi ue selem – sikur ata që i favorizojnë dhe vlerësojnë ligjet e njerëzve para ligjeve dhe gjykimeve të tij salAllahu alejhi ue selem.
  5. Urrejtja e një gjëje prej shpalljes me të cilën ka ardhur Muhamedi salAllahu alejhi ue selem (Kuran e sunet) – edhe nëse vepron me të.
  6. Përqeshja me një pjesë të fesë, shpërblimit apo dënimit për të cilën na ka njoftuar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem.
  7. Magjia – prej saj është dhe shtimi i dashurisë apo urrejtjes mes bashkëshortëve; ushtrimi i saj apo kënaqja me të.
  8. Lidhja e aleancës me jobesimtarët kundër besimtarëve.
  9. Besimi se lejohet lirimi prej sheriatit islam (duke marrë diçka tjetër për fe).
  10. Kthimi i shpinës fesë së Allahut, duke mos e mësuar dhe mospunuar me të.

Dijetarët nuk kanë bërë dallim mes atij që e vepron një asgjësuese për shaka (humor), apo përnjëmend, apo për shkak të frikës, asnjëri nuk arsyetohet tek Allahu. I vetmi që arsyetohet është ai i cili e vepron një asgjësuese ngaqë është i detyruar (mukrah), duke qenë në rrezik jeta e tij, apo duke u rrezikuar nga torturimi, por që në zemër ai ka besim.

Dy forma të paligjësuara të tehlilit

Me gjithë rëndësinë e madhe që ka fjala La ilahe ilAllah, disa prej të padijshmëve ia kthejnë shpinën asaj dhe veprojnë e thonë lutje dhe dhikre të shpikura, që janë prej bidateve, për të cilat nuk ka ardhur argument as nga Kurani, as nga suneti e as nga gjenerata e parë e myslimanëve.

Prej këtyre njerëzve janë disa prej tarikateve, prej ithtarëve të dervishizmit. Këta kur duan ta përmendin Allahun, e përmendin vetëm Emrin e Tij të përveçëm, thonë “Allah, Allah”, duke e përsëritur, dhe mjaftojnë me kaq.  Disa të tjerë shkojnë edhe më tej, si zëvendësim të fjalës La ilahe ilAllah, marrin vetëm përemrin që aludon për Allahun, thonë “Hu, Hu”, që do të thotë Ai, Ai.

Këta kanë kaluar në ekstremizëm dhe kanë tejkaluar kufijtë e ligjshëm, dhe thonë se fjala La ilahe ilAllah është për njerëzit e thjeshtë, ndërsa përmendja e Emrit të Allahut në mënyrë të veçantë është për njerëz të veçantë dhe se të përmendet vetëm përemri “Hu, Hu”, kjo është për më të veçantit e të veçantëve prej të gjithë njerëzve. Madje disa kanë thënë se fjala La ilahe ilAllah është për besimtarët në përgjithësi, ndërsa të thuhet “Allah, Allah”, kjo është për ata që e njohin Atë, kurse të thuhet “Hu, Hu”, kjo është për ata që e kanë arritur të realizojnë besimin siç duhet. Kështu, këto dhikre i kanë favorizuar më shumë se fjalën La ilahe ilAllah, e cila është fjala më e mirë dhe më e vlefshme me të cilën përmendet Allahu. Nga ana tjetër, përmendja e Allahut në këto forma siç i veprojnë këta njerëz, nuk është e ligjshme, as me Kuran, as me sunet dhe as me praktikën e selefit (gjeneratave të para të muslimanëve).

Ibn Tejmije rahimehullah pretendimet e këtyre njerëzve ka arritur t’i asgjësojë dhe ka sqaruar kotësinë e argumenteve që i kanë sjellë ata. Ai ndër të tjera thotë: “Përmendja e Allahut vetëm me Emrin e Tij, nuk është ligjësuar në asnjë gjendje. Madje në argumentet fetare nuk ka ndonjë gjë që tregon se kjo është e pëlqyeshme… Përmendja e Allahut veç me përemër “Hu, Hu”, kjo është shumë larg sunetit dhe e fut njeriun shumë lehtë në bidat. Nëse njeriu e ndjek këtë rrugë, është afër ta devijojë shejtani nga rruga e drejtë. Ajo që është ligjësuar prej Allahut është përmendja e Tij me fjali të plotë, e jo të mangët (veç me përemër, ose veç me Emrin e Tij të përveçëm). Kur ti e përmend Allahun me fjali të plotë kjo i bën dobi zemrës, arrin shpërblime tek Ai, arrin afrimin tek Ai, njohjen e Tij, dashurinë, frikën e përuljen ndaj tij, si dhe arrin qëllime të tjera të larta. Të mjaftuarit e përmendjes së Allahut vetëm me Emrin e Tij apo vetëm me përemrin e Tij, kjo nuk ka bazë në fenë e Tij. E mos të flasim që të themi se kjo është prej dhikrit të njerëzve të veçantë ose të atyre që e njohin Allahun. Përkundrazi, kjo është rrugë që njerëzit i çon në bidate dhe humbje të shumta.” Mexhmu el fetaua.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Shkëputje nga libri “Ëmbëlsia e dhikrit” – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit