Llojet e përqeshjes me fenë e Allahut

Llojet e përqeshjes me fenë e Allahut

Dijetarët cekin dy llojet e përqeshjes me fenë e Allahut:

  1. Përqeshja e qartë. Kjo është ajo që cekëm deri tash, përqeshje me fjalë, duke e nxjerrë nga goja një fjalë me të cilën kuptohet qartë se personi e përqesh Allahun, fenë e Tij, të Dërguarin dhe sunetin e tij.
  2. Përqeshja me shenja. Kjo është ajo që kur përmendet Allahu, feja e Tij, i Dërguari apo një sunet i tij, personi bën një shenjë me të cilën tregon se e po e nënçmon apo po e nënvlerëson fenë e Tij. Shembull: lëvizja e vetullës, shkelja e syrit, varja e buzëve, bërja me dorë, shenja këto që tregojnë dhe aludojnë se personi po e nënçmon dhe po e nënvlerëson fenë e Allahut.

Nuk është kusht që tallja, shakaja dhe përqeshja me fenë e Allahut të jetë gjithsesi me fjalë. Mirëpo, nëse personi bën veç shenjë me të cilën kuptohet se ai po e nënvlerëson dhe po e nënçmon fenë e Allahut, ai bën kufër dhe del nga Islami. Allahu për jobesimtarët thotë: “Vërtet, keqbërësit qeshnin me ata që besonin, duke ia shkelur syrin njëri-tjetrit, sa herë që ata kalonin pranë tyre.” Mutaffifinë, 29-30. Allahu i konsideroi si jobesimtarë veç për shkeljen e syrit. Përmes shkeljes së syrit ata kanë dashur t’i nënçmojnë besimtarët.

Besimtari duhet të ketë kujdes nga këto gjëra e të mos nxjerrë nga gjuha ndonjë fjalë apo të bëjë shenjë me gjymtyrët (e fytyrën) e tij me të cilën kuptohet se ai po e nënvlerëson apo po e nënçmon Allahun, fenë e Tij, të Dërguarin dhe sunetin e tij. Çdo gjë që del  prej gjuhës së tij ajo regjistrohet. Allahu thotë: “…dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” Kaf, 18.

Dallimi mes asaj që është e vërtetë dhe e kotë nga ana e besimtarit arrihet duke e kërkuar dijen e dobishme prej Kuranit e sunetit. Allahu, Kuranin e ka bërë dallues (Furkan). Prej Emrave të Allahut është Emri Furkan. Emri Furkan do të thotë dallues, dallues i së mirës prej të keqës, i së vërtetës prej të kotës/pavërtetës. Besimtarët të cilët e pasojnë Kuranin, Allahu i quan dallues dhe ka premtuar se do t’i bëjë dallues të së mirës nga e keqja. Allahu thotë: “O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt…” pra, do t’i bëjë furkan/dallues, do t’iu vendosë dritën e udhëzimit përmes së cilës do ta dallojnë të vërtetën nga e kota, mirëpo me kusht që ta kenë frikë Allahun.

Nëse njeriu është i sinqertë dhe e kërkon të vërtetën dhe i frikësohet Allahut, pa dyshim se Ai do ta udhëzojë në rrugën e drejtë dhe do ia bëjë të qartë se çfarë është e vërtetë e çfarë e pavërtetë/e kotë. E pas kësaj, nuk ka mundësi që besimtarit t’i ngatërrohen/përzihen gjërat duke rënë në thirrjet e devijimet e njerëzve të cilët thërrasin për të bashkuar mes së keqes dhe së mirës. Mirëpo, kjo kërkon pajisje me dije në vazhdimësi. Sa më shumë që besimtari kërkon dije, aq më shumë do i bëhen gjërat të qarta dhe do ta ketë më shumë frikë Allahun. Allahu thotë: “Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët…” Fatir, 28. Sa më shumë që njeriut i shtohet dija për Allahun, aq më shumë e ka frikë Atë. E sa më shumë që e ka frikë Atë, aq më shumë do arrijë t’i njohë gjërat se çfarë është e keqe e çfarë e mirë.

Prej gjërave që myslimanin e ruajnë të mos bie në këto dyshime, është që të mos prezantojë në ndejat në të cilat thirret bashkimi mes së mirës dhe së keqes. Nëse prezanton, ka mundësi që t’i futet ndonjë dyshim. Mirëpo, nëse ai ka dije dhe prezanton dhe ka mundësi t’i kundërshtojë dhe t’u kundërpërgjigjet të këqijave, atëherë prezanton, por me kusht që t’i kundërshtojë apo t’i kundërpërgjigjet të këqijave që fliten aty.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.

Derset “Asgjësueset e Islamit”.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit