Lloji “tilewetun hukmijjeh” i leximit të Kuranit (2)

20706_389050717848316_1627949226_n

 

Semura ibn Xhundub radijAllahu anhu tregon: “Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem sa herë që falej (në një transmetim thotë: “sa herë që e falte namazin e sabahut”) kthehej me fytyrë kah ne dhe na pyeste: “Kush prej jush ka parë ndonjë ëndërr natën e kaluar?”  Nëse dikush kishte parë ndonjë, ia rrëfente atij salAllahu alejhi ue selem. (Pasi ia rrëfente) Ai thoshte “MashaAllah – çfarë do Allahu bëhet”, e nganjëherë i interpretonte ato. Një ditë na pyeti: “A është ndokush në mesin tuaj që ka parë një ëndërr natën e kaluar?” I thamë: “Jo.” Tha: “Porse, unë kam parë një ëndërr natën e kaluar: erdhën dy burra dhe më morën me vete…” Këta dy burra kanë qenë engjëj të Allahut. Hadithi është i gjatë, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka parë shumë ngjarje në këtë ëndërr, dhe ne do të marrim vetëm pjesën që ka lidhje me temën. E në mesin e asaj që rrëfen se e ka parë në këtë ëndërr është (siç thotë): “Ne vazhduam (të ecim) derisa iu afruam një burri i cili ishte shtrirë (në shpinë). Kurse te koka e tij qëndronte një person i cili kishte një gurë të madh. Ai godiste me këtë gurë të madh në kokë burrin e shtrirë dhe ia shtypte atë. Pastaj, guri rrotullohej afër tij dhe ai shkonte e merrte përsëri atë. Derisa shkonte ta merrte dhe kthehej, koka i kthehej përsëri në formën që kishte. Pastaj vepronte me të edhe një herë njëjtë. Thashë: “SubhanAllah – I Lartësuar është Allahu. Kush është ky?” Thanë: “Vazhdo të ecësh!”. Siç përmendet në fund të hadithit, kur ia kanë sqaruar se kush ka qenë ky burrë, i kanë thënë: “Sa i përket burrit të cilit i shtypej koka me gurin e madh, është ai të cilit i vije Kurani dhe e refuzon atë (nuk e pranon) dhe fle derisa t’i kalojnë namazet farz (nuk i fal në kohë).” Buhariu. Ibn Abbasi radijAllahu anhu tregon: “Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem u ka mbajtur fjalim njerëzve në haxhin lamtumirës dhe në mes tjerash ka thënë: “Vërtetë, shejtani ka humbur shpresat se do të adhurohet ndonjëherë në gadishullin arabik, porse ai është i kënaqur që t’i bindeni në gjërat (mëkatet) që janë nën këtë adhurim (ndaj tij)[1], e këto janë veprat të cilat i nënvlerësoni (nuk i shihni si mëkate të mëdha), andaj të keni kujdes.” Pra, mos i ndiqni hapat e shejtanit edhe në këto gjynahe të vogla që ju i nënvlerësoni. Unë ua kam lënë juve dy gjëra, që nëse kapeni pas tyre nuk do ta humbisni kurrsesi rrugën: Librin e Allahut dhe sunetin e të Dërguarit të Tij.” Hakimi.

Amër bin Shuajbi përcjell prej babait të tij, e ky prej gjyshit të tij, se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Në Ditën e Kiametit, Kuranit do t’i jepet forma e burrit. Ai do t’i afrohet një njeriu që e ka marr përsipër mësimin e Kuranit, por që ka kundërshtuar udhëzimet (urdhrat) e tij. Dhe ai (Kurani) i bëhet armik, e thotë: “O Zoti im, Ti ke bërë që ky njeri të më marrë përmbi supet e tij (më ke lënë nën përgjegjësi të tij), porse ai është treguar shumë i keq në përgjegjësinë e tij (nuk e ka kryer siç duhet), ngase i ka tejkaluar kufijtë e tij, nuk i ka praktikuar obligimet e mia, i ka vepruar mëkatet (e ndaluara në të) dhe ka braktisur bindjen ndaj meje.” Kështu vazhdimisht do të sjellë kundër argumentet ndaj këtij personi derisa t’i thuhet: “Vepro me të çfarë të duash!” Dhe e merr këtë person (nuk e lëshon) derisa ta vendosë me fytyrën e tij përmbys në zjarrin e xhehenemit.” Disa dijetarë kanë thënë se ky hadith është i dobët, ibn Haxheri thotë se është hasen. Leximi i Kuranit apo shpërblimi për të shndërrohet në formë njeriu, e nuk shndërrohet Kurani, si Fjalë e Allahut, ngase Kurani është Fjalë e Allahut e nuk është i krijuar, siç e dimë prej akides së ehli sunetit. Ebu Malik el Eshari radijAllahu anhu përcjell se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kurani do të jetë argument për ty ose kundër teje (në Ditën e Gjykimit).Muslimi. Ibn Mesudi radijAllahu anhu thotë: “Kurani do të ndërmjetësojë për atë që e lexon dhe punon me të. Kush e vendos Kuranin para vetes (e bën udhërrëfyes të tij), Kurani do ta udhëheqë e dërgojë për në xhenet. E kush e vendos mbrapa shpinës së tij, ai do ta dërgojë (shtyjë) për në zjarr të xhehenemit.” Këtë ether disa e transmetojnë edhe si hadith, porse e sakta është se është ether nga ibn Mesudi. Ai të cilit Kurani i bëhet armik në Ditën e Gjykimit, atëherë si ka mundësi që prej armikut të tij të shpresojë ndërmjetësim?! Mjerë për atë i cili shpreson ndërmjetësim prej armikut të tij në këtë Ditë! Nuk ka mundësi që ai atë Ditë të fitojë e shpëtojë nga zjarri i xhehenemit.

Kurani, është Libri i Allahut, të cilin Ai e ka zbritur te ne, lexohet para nesh, dëgjohet nga veshët tanë. Ky është Libri i Allahut, e Allahu ka treguar se sikur ta zbriste mbi ndonjë mal, ai do të përulej e bëhej copë[2], e megjithatë shohim veshë që nuk e dëgjojnë atë, shohim sy që nuk qajnë kur e lexojnë atë, shohim zemra të pa përulura ndaj tij, shohim njerëz që nuk i zbatojnë urdhrat e Allahut, e megjithëkëtë shpresojnë se Kurani do të ndërmjetësojë për ta. Këto zemra janë të zbrazëta prej devotshmërisë (frikës) ndaj Allahut, janë të rrënuara ngase në to janë grumbulluar errësirat e mëkateve. Kjo është arsyeja pse ato zemra nuk shohin e nuk dëgjojnë. Sa e sa herë zemrave u lexohen ajetet e Kuranit ndërkohë që ato janë si gurë, e ndoshta dhe më të forta, ato nuk përulen ndaj Kuranit e nuk qajnë për të, për Fjalët e Allahut! Sa Ramazane kalojnë ndërkohë që gjendja e njerëzve është sikur e atyre të cilët i ka goditur mjerimi! Shohim të rinj që nuk ndalen prej dëfrimeve të tyre. Shohim pleq që nuk ndalen prej mëkateve në mënyrë që para se t’u vijë vdekja të bashkëngjiten me karvanin e atyre të cilët i ka përzgjedhur Allahu.

Ku jemi ne me muslimanët e parë, me shokët e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem, të cilët kur e kanë dëgjuar thirrësin e Allahut, Muhamedin salAllahu alejhi ue selem dhe Kuranin, menjëherë i janë përgjigjur kësaj thirrje, kanë thënë: “Dëgjuam dhe u bindëm!” Nisa 46. Kjo ka qenë moto e tyre. Kur u janë lexuar ajetet e Kuranit, zemrat e tyre janë dridhur. Këta janë ata të cilëve Allahu u ka dhënë begati e dhunti, duke i udhëzuar në rrugën e drejtë. Ata e kanë njohur të vërtetën dhe të drejtën e Kuranit, kështu që kanë përzgjedhur të jenë në mesin e atyre që janë besimtarë të pastër, me zemër e shpirt të pastër e të dëlirë për Allahun. Ibn Mesudi radijAllahu anhu thotë: “Lexuesi i Kuranit[3] duhet të dallohet prej njerëzve (me lexim Kurani në namaz nate) kur ata janë në gjumë natën, duhet të dallohet gjatë ditës (me agjërim nafile) kur njerëzit hanë, duhet të dallohet me të qarën e tij (ngase e di se ahireti është përfundimi) kur njerëzit janë në habi e qeshje, duhet të dallohet me devotshmërinë e Tij (duke e marrë vetëm atë që është hallall) kur njerëzi përziejnë (nuk dallojnë a hanë haram apo hallall), duhet të dallohet me heshtjen e tij kur njerëzit flasin, duhet të dallohet me përulje e modesti kur njerëzit tregohen mendjemëdhenj dhe duhet të dallohet me pikëllim (se çfarë e pret në ahiret) kur njerëzit dëfrehen.”

(Shejkhu sjellë disa vargje me të cilat i drejtohet nefsit):

O shpirti im, besimtarët e devotshëm fituan, e panë të vërtetën dhe e ndoqën, e zemra ime u tregua e verbër ndaj saj!

Sa të mirë janë ata, ngase kur vjen nata e i mbulon, drita e tyre është më e fortë sesa drita e yjeve!

Gjatë natës recitojnë dhikre të ndryshme[4], e jeta tyre është bërë e bukur për këtë.

Zemrat e tyre janë të zbrazura vetëm për dhikrin, e lotët e tyre rrjedhin si margaritarë njëri-pas tjetrit.

Syfyri i tyre është i ndriçuar me dritën e tyre[5], e falja prej Allahut është pasuria më e mirë që u është dhënë.

Ata e kanë ruajtur agjërimin nga kotësitë, e natën janë treguar të përulur në dhikër.

Mjerë për ty o shpirti im, a nuk po zgjohesh prej gjumit para se të rrëshqasin këmbët e mia![6]

Koha jote ka kaluar në dëshira e dembeli. Shpejto e përmirësoje gjendjen dhe shfrytëzoje këtë para se të të vijë vdekja!

Në fund themi se e kemi obligim ta mësojmë Kuranin përmendësh aq sa kemi mundësi, para se të vijë koha kur më nuk e kemi këtë mundësi, për shkak të pleqërisë apo vdekjes. Mirëpo, përveç që duhet mësuar përmendësh atë, po ashtu duhet të kujdesemi dhe t’i ruajmë kufijtë e tij, të mos tregohemi neglizhentë e të pabindur ndaj urdhrave dhe udhëzimeve të Allahut në këtë Kuran. Duhet ditur se në Ditën e Gjykimit, Kurani do të jetë dëshmitar për ne ose kundër nesh, në Ditën kur do të dalim para Allahut i Cili është Gjykuesi dhe Sunduesi ynë. Nuk ka mirësi e dhunti më të madhe sesa zbritja e Kuranit nga Allahu, që të na tregojë rrugën e drejtë. Nuk është falënderim e mirënjohje ndaj Allahut për këtë dhunti që këtë Kuran ta lëmë pas shpine, të mos merremi me të, apo që ta lexojmë vetëm në Ramazan ndërsa në pjesën tjetër të vitit të mos i qasemi. Nuk është prej madhërimit të shenjave të Allahut që ne të marrim dispozitat e Kuranit për tallje e shaka. Allahu thotë: “Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kurani) që më kishte ardhur!” Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës. Dhe i Dërguari do të thotë: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kuranin, si (diçka) të urryer.” Furkan 27-30. Duhet të kemi kujdes të mos futemi në këto fjalë të cilat i Dërguari salAllahu alejhi ue selem do t’ia thotë Allahut në Ditën e Gjykimit. E pas kësaj thotë: “Dhe, kështu Ne, çdo profeti i kemi kundërvënë një armik nga keqbërësit. Por ty të mjafton Zoti yt si udhërrëfyes dhe ndihmës!” Furkan 31.

[1] Mëkatet që janë nën shirk.

[2]Sikur këtë Kuran t’ia shpallnim ndonjë mali, ti do ta shihje atë (mal) të përulur dhe të copëtuar nga frika e Allahut.” Hashr 21.

[3] Ai që e lexon, që është ithtar e pasues i Kuranit.

[4] Lexojnë Kuran, bëjnë dhikër.

[5] Nga leximi i Kuranit e dhikri që e bëjnë.

[6] Që të bëj vepra të mira para se të devijoj prej rrugës së Allahut.

 

•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit.? Hoxhë Lulzim Perçuku.

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva