Lutju direkt Allahut, pa ndërmjetës

Ne e dimë se Allahu është Karibun Muxhibe- Ai është afër dhe Ai që i përgjigjet lutjes. Këta janë dy Emra prej Emrave të Allahut. Andaj nuk ke nevojë të vendosësh ndërmjetës mes teje dhe Allahut, por të gjitha nevojat drejtoja direkt Atij, pra fal namaz për Allahun, ther kurban për Të, zotohu për Të, lutu tek Ai dhe adhuroje Atë dhe Ai do t’i përgjigjet lutjes tënde. Pse? Sepse Allahu është Karib- është afër, dhe është Muxhib- Ai i përgjigjet lutjes. Të gjithë e dimë ajetin në suren Bekare: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua.” Pra, është afër dhe i përgjigjet lutjes së lutësit, njeriu nuk ka nevojë që lutjen e tij t’ia dërgojë dikujt tjetër e pastaj ky t’ia dërgojë Allahut, siç pretendojnë mushrikët e sotshëm. Ky është shirk i madh. “Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime…” Duhet t’i përgjigjesh Allahut, të bindesh në urdhrat e Tij e të largohesh prej ndalesave të Tij, nëse do që Ai t’i përgjigjet lutjes tënde. “…dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” Bekare 186. Dera e Allahut është e hapur ditë e natë. Ty të mbetet vetëm ta lutësh Allahun dhe Ai është afër teje dhe i përgjigjet lutjes tënde. Allahu nuk është i fshehur nga robërit e Tij në këtë kuptim, Ai nuk ik nga ti, nuk largohet; nëse ti e lut Atë, Ai është afër teje. Madje, Allahu që t’i përgjigjet kërkesave, lutjeve tua e nevojave tua, zbret në qiellin e dunjasë në pjesën e tretë të natës, çdo natë, dhe thotë: “A ka dikush që kërkon prej Meje e Unë t’i jap? A ka dikush që më lutet e Unë ti përgjigjem lutjes së tij? A ka dikush që kërkon falje prej Meje e Unë ta fal? A ka dikush që pendohet e Unë t’ia pranoj atë?” Pra, Ai është afër njeriut kur ai e lut Atë dhe kërkon falje prej Tij, e nuk është e nevojshme që të vendosësh ndërmjetës mes teje e Allahut, qofshin ata ndërmjetës engjëjt, Pejgamberë, burra të mirë e të devotshëm etj.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset Kitabu teuhid – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit