Mesatarja dhe Drejtësia-9

Gjërat që duhet t’i ruajmë

Shejh Salih Alu Shejh

Është detyrë e jona që të ndikojmë te njerëzit me metodologjinë mesatare, të punojmë për këtë brenda mundësive tona dhe të mos i marrim punët përmes rrugëve të gabuara. Gjithashtu kërkohet të mos entuziazmohemi në mënyrë të gabuar dhe të mos ia teprojmë.

Ne e kemi obligim t’i ruajmë këto gjëra:

1. Teuhidin e All-llahut të Lartësuar.

2. Bindjen ndaj urdhrit të të Dërguarit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem).

3. Ta ruajmë bashkimin dhe konsensusin.

Gjërat në të cilat Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) i ka kundërshtuar njerëzit e Xhahilijetit

Sa u takon çështjeve të Xhahilijetit në të cilat Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) i ka kundërshtuar njerëzit, imami dhe reformatori Muhamed ibën AbdulUehhab, All-llahu e mëshiroftë, ka shkruar një libër me titull: “Çështjet e Xhahilijetit”. Ai e ka filluar me tri çështje, të cilat konsiderohen si më madhoret, në të cilat Pejgamberi i kundërshtoi njerëzit e Xhahilijetit.

E para: Teuhidi. Njerëzit e Xhahilijetit ishin veprues të shirkut, kurse Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) i ftoi në teuhid.

E dyta: Bindja ndaj Pejgamberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Njerëzit e Xhahilijetit nuk i bindeshin ndonjë njeriu me vlera nga mesi i tyre, kështu që Allahu i kundërshtoi duke i urdhëruar t’i binden të Dërguarit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem).

E treta: Bindja ndaj udhëheqësit. Njerëzit e Xhahilijetit jetonin në anarki. Meka nuk kishte udhëheqës të vetin, po kështu edhe i gjithë vendi. Pejgamberi (sallAll-llahu alejhi ue sel-lem) i ftoi ata që t’i binden udhëheqësit.

Shejhul Islam Muhamed Ibën AbdulUehhabi, All-llahu e mëshiroftë, pasi përmendi këto tri çështje, tha: “Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) erdhi me këto tri çështje, ua mësoi dhe ua përsëriti.”

Kjo është ajo çështje të cilës duhet t’i kushtojmë rëndësi. Ndërsa sa u takon atyre që secilën ndodhi e përdorin për të mbjellë panik dhe dyshime e për të përhapur paragjykime të këqija, të tillët qëndrojnë larg thirrjes për bashkim dhe mospërçarje. Ata përpiqen ta sjellin atë që është e dëmshme me sheriat dhe tregohen ekstrem në idetë që japin.

Prandaj, gjatë ndodhive të ndryshme ne duhet të punojmë që ato të mos kthehen në fatkeqësi dhe të punojmë për zgjidhjen e tyre me sheriat, me mençuri, me urtësi e maturi.

Drejtësia në analizimin e politikës

Këto çështje, të cilat do t’i përmend shkurtimisht do të ishte mirë të hulumtoheshin gjerësisht, sepse janë me rëndësi për udhëzimin e njerëzve, të rinjve dhe gjithë umetit.

Me drejtësi në politikë kuptojmë balancimin mes teprimit në përcjelljen e politikës dhe anashkalimit të tërësishëm të saj. Disa kanë krijuar përshtypjen se përcjellja e një kanali televiziv dhe leximi i një analize gazetareske i aftëson ata për analiza politike. Politika konsiderohet e vështirë edhe për ata që kanë organizata të tëra, përmes të cilave ushqehen me informacione e lajme dhe njëkohësisht kanë edhe mundësi të tjera. Politika nuk është aq e lehtë sa secili njeri të futet e të japë gjykime se kjo çështje ka këtë dispozitë, e tjetra duhet të analizohet kështu.

Ne e kemi obligim të jemi mesatarë. Politika duhet të kuptohet, por duhet të kihet besim në zgjidhjet që udhëheqësi u bën çështjeve, sepse ai ka makinerinë e nevojshme, mundësi për analizë dhe mund të bëjë llogari nëse çështja është në interes të popullit, mundësi këto që nuk i kanë individë të caktuar. Kur dikujt i jepet mundësia të shikojë një analizë gazetareske, apo të ndjek një kanal televiziv dhe më pas vlerëson se ka arritur nivelin e duhur sa ta konsiderojë vetën prijës në çështje politike, duke pretenduar se është xheloz për fenë, aq sa të tjerët nuk janë, i tilli ia ka tepruar dhe i është shmangur drejtësisë.

Drejtësia në politikë mbështet në të kuptuar dhe bindje. Nuk është e mundur që të gjitha çështjet të kuptohen, por duhet të përpiqemi, megjithëse edhe për ato që i kupton, ndoshta s’mund të jesh i bindur plotësisht.

Drejtësia në politikë qëndron mes akuzimit të përhershëm dhe justifikimit të përhershëm. Disa ia teprojnë me akuzime duke e bërë atë me gabimin e parë. Në anën tjetër disa ia teprojnë duke e arsyetuar çdo gabim. I mençuri që kupton, dijetari, nxënësi i dijes, pasuesi i të vërtetës duhet të jenë mesatar, mes kritikave dhe arsyetimeve. Pra, i kuptojnë punët dhe e dinë ku çalojnë ato.

Mesatarja mes atdheut dhe Ummetit

Mesatarja ndodhet mes të rëndësishmes dhe asaj që është e një rëndësie më të lartë. Ne kemi nevojë për një hulumtim që i kushtohet atdheut dhe umetit. Disa prej nesh i lënë mangët obligimet ndaj atdheut, duke qenë se në esencë janë të obliguar me to, sepse aty ekziston pushteti të cilit duhet t’i binden, njëherësh aty ndodhen interesat e tyre dhe të atyre që ndodhen afër tyre. Lënë mangët interesat e atdheut në dobi të interesave të përgjithshme të umetit, megjithëse kjo nuk është e drejtë, edhe pse interesave të umetit duhet t’u kushtohet rëndësi dhe të mbrohen, por fillimisht është e nevojshme të mbrohen interesat e atdheut, sepse mbrojtja e tyre është kërkuar së pari nga ti: “Fillo me veten tënde, pastaj me ata që i ke nën mbikëqyrje!”.[1] Fillimisht kujdesu për ta furnizuar vetën dhe ata përreth teje.

Ai që humbet përkujdesjen ndaj atdheut si pasojë e përkujdesjes ndaj umetit, asnjëherë s’arrin ta mbrojë umetin e as atdheun. Punët gjithsesi duhet të kryhen me radhë. Duhet ta mbrosh atdheun tënd, sepse mbrojtja e tij është e një rëndësie më të lartë. Sa i takon kësaj duhet të jemi të një mendjeje dhe të kontribuojmë në mënyrë që të ndikojmë pozitivisht te umeti dhe të jemi në shërbim të interesave të tij.

Sa i takon të rëndësishmes dhe asaj është e një rëndësie më të lartë, disa nuk tregohen të drejtë këtu dhe sipas tyre të gjitha gjërat janë të së njejtës rëndësi. Jo, të mençurit prej dijetarëve, thirrësve dhe atyre që udhëzojnë në të mirë, mendojnë se përparësi duhet t’u kushtohet punëve që janë të një rëndësie më të lartë, edhe në qoftë se e humbasim një, ose disa punë që konsiderohen të një rëndësie më të ulët. Gjithsesi duhet të fillohet me ato që janë më parësore, duke u nisur nga ato që janë të një rëndësie më të lartë dhe t’i lëmë për më vonë ato që janë të një rëndësie më të ulët. Dhe duhet të jemi të kuptueshëm, sepse sheriati ynë ka kërkuar nga ne të jemi prej atyre që kuptojnë e analizojnë, jo prej atyre që s’kanë durim e nxitohen. Ne duhet të jemi mes dy skajeve, cungimit e teprimit.

Përfundim

E lusim All-llahun e Lartësuar që të na japë neve dhe juve sukses për atë që e kënaq Atë dhe të na bëjë prej atyre që Ali ibën Ebi Talibi, Halifi i drejtë dhe i katërti prej të përgëzuarve me Xhenet – radijAll-llahu anhu, i ka cilësuar duke thënë: “Njeriu më i mirë është i drejti, mesatari. Ai tek i cili kthehen ata që e teprojnë dhe mundohen ta arrijnë ata që lënë mangët.”[2] Kjo është ajo që kërkohet nga ju.

E lus Allahun të na japë sukses neve dhe juve. O All-llah! Bashkoji muslimanët në të vërtetën, në drejtësi e udhëzim!

O All-llah! Udhëzoji udhëheqësit tanë që ta pasojnë mirësinë dhe na bëj neve dhe ata prej atyre që bashkëpunojnë në mirësi dhe devotshmëri! Shpërbleji ata me të mira për çdo kontribut që japin për Islamin dhe myslimanët!

O All-llah! Të lutemi që të japësh sukses në çdo punë dhe të na bësh prej atyre që e ndihmojnë njëri-tjetrin në të mirë dhe devotshmëri.

E lus All-llahu e Lartësuar për mua dhe për juve që të na udhëzojë dhe të na drejtojë në çdo fjalë dhe vepër dhe të na mbrojë prej lajthitjeve në rrugën, fjalët dhe drejtimin tonë. Ai është Bujari, Fisniku.

Lutja jonë e fundit është: “Lavditë i takojnë Allahut, Zotit të botëve!” Salavatet dhe selamet qofshin për Pejgamberin tonë, për familjen e tij dhe për të gjithë shokët e tij!

Përktheu: Xhemal Jakupi

___________________________________________

[1] Ibën Haxheri, All-llahu e mëshiroftë, në Telhisul Habir 2: 184, thotë: “Hadithin “Fillo me veten tënde, pastaj me ata që i ke nën mbikëqyrje!” nuk e kam gjetur në këtë formë, por në dy Sahihat transmetohet nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu hadithi: “Lëmosha më e mirë është ajo që del në mungesë të pasurisë. Dora e lartë është më e vlefshme se dora e poshtme. Fillo me ata që i ke nën mbikëqyrje.” Shih Sahihun e Muslimit (Libri mbi Zekatin – tema Dora e lartë është më e mirë se e poshtmja dhe sqarimi se dora e lartë është ajo që jep, kurse e poshtme është ajo që merr) 1034, hadith të cilin e transmeton Hakim ibën Hizami radijAll-llahu anhu. Shih edhe 1036.

[2] U përmend më herët. Shih faqen 11.

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva