Mësime në teuhid për fillestar

Mësimi i parë

Zoti ynë është Allahu

Mësuesi: Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!

Nxënësit: Ue alejkumus-selamu ue rahmetullahi ue berekatuhu!

Mësuesi: A e mësuat përmendsh suren El-Ihlas?

Nxënësit: Po, e kemi mësuar.

Mësuesi: O Ahmed, lexoje suren!

Ahmedi: (Fillon dhe e lexon):

أعوذ بالله من الشيطان الرجيم

بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ

قُلْ هُوَ اللَّهُ أَحَدٌ. اللَّهُ الصَّمَدُ. لَمْ يَلِدْ وَلَمْ يُولَدْ. وَلَمْ يَكُنْ لَهُ كُفُوًا أَحَدٌ

Eudhu bil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim

Bismil-lahirr-Rrahmanirr-Rrahim

1. Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm!

2. Allahu është Es-Samedu (Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në

amshim).

3. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur.

4. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” (El-Ihlas, 1-4).

Mësuesi: Të lumtë o Ahmed për këtë recitim kaq të bukur! Ndërsa tani, duam të dimë se kush është Zoti ynë?

Tariku: Zoti ynë është Allahu, i Cili na krijoi, u përkujdes për ne me begatitë e Tij dhe na furnizoi me të mira.

Mësuesi: Si e njohim ne Zotin tonë?

Abdullahi: Zotin tonë e njohim përmes shenjave të shumta. Ndër këto shenja janë: nata, dita, Dielli dhe Hëna.

Mësuesi: Po, vërtet Allahu i Lartësuar është Ai i Cili ka krijuar qiejt, Tokën, natën, ditën, Diellin dhe Hënën. Është Ai i Cili zbret shiun nga Qielli dhe furnizon kë të dojë. Është Ai që ka fuqi për çdo gjë. Për këtë arsye, adhurimi duhet të jetë vetëm për Të dhe askënd tjetër.

Tariku: Çfarë do të thotë fjala adhurim (ibadet), të cilin Allahu e bëri të ligjshëm për myslimanët?

Mësuesi: Adhurimi është emër i cili përmbledhë në vete çdo fjalë apo vepër të cilën Allahu e do dhe është i kënaqur me të, qoftë ajo e dukshme apo e fshehtë. Adhurimi i dukshëm është ai që shihet, si: namazi, haxhi, etj, ndërsa adhurimi i fshehtë është ai që nuk shihet, si: agjërimi, sinqeriteti në nijet (qëllim), etj.

Ibrahimi: Duam të dimë më shumë shembuj të adhurimeve ndaj Allahut të Lartësuar!

Mësuesi: Dëgjojini, pra, shembujt që vijojnë: lutja, frika, shpresa, mbështetja, zotimi, therja e kurbanit, kërkimi i ndihmës, mbrojtjes dhe shpëtimit. Ka më shumë shembuj të adhurimeve sesa që i përmendëm, mirëpo, nuk lejohet që ndonjëri prej tyre t’i kushtohet dikujt tjetër përveç Allahut të Lartësuar.

Bilali: A ka argumente për këto lloje të adhurimit që na i përmende?

Mësuesi: Gjithsesi, argumentet janë të disponueshme, madje të shumta. Ato i hasim në Kuranin fisnik dhe në sunetin e vërtetë. Dëgjojini disa nga to:

Argumenti për lutjen: Fjala e Allahut: “Xhamitë i janë kushtuar vetëm Allahut, prandaj mos iu lutni askujt, krahas Allahut!” (El-Xhinn, 18).

Argumenti për shpresën: Fjala e Allahut: “Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet.” (El-Kehfu, 110).

Argumenti për kërkimin e ndihmës: Fjala e Allahut: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” (El-Fatiha, 5). Po ashtu fjala e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Kur të lypësh, lyp vetëm prej Allahut dhe kur të kërkosh ndihmë, kërko vetëm prej Tij.” (Tirmidhiu).

Argumenti për therjen e kurbanit: Fjala e Allahut: Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij”. (El-En’am, 162-163). Gjithashtu fjala e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Allahu e mallkoftë atë njeri që ther kurban për dikë tjetër në vend të Tij.” (Muslimi).

Halidi: Çfarë kuptimi ka fjala e Allahut të Lartësuar: “kurbani im”?

Mësuesi: Kuptimi i saj është e therura ime, përmes së cilës afrohem tek Allahu i Madhërishëm. Siç e dini, ka shumë injorantë që therin kafshë dhe gjatë therjes së tyre e përmendin emrin e dikujt tjetër në vend të Allahut, apo atë kafshë të therur ia afrojnë ndonjë varri, duke shpresuar nga ai sjelljen e dobive apo largimin e fatkeqësive. Kjo vepër e tyre e kundërshton teuhidin (njësinë e Allahut).

Argumenti për kërkimin e mbrojtjes: Hadithi i Haule bint Hakim (radijAllahu anha) e cila thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) të ketë thënë: “Kush ndalet në ndonjë vend për të qëndruar dhe thotë: “Eudhu bikelimatil-lahit-tammati min sherri ma haleka” (Mbrohem me fjalët e përsosura të Allahut nga e keqja e asaj që ka krijuar), nuk do t’i bëjë dëm asgjë, derisa të largohet nga ai vend.” (Muslimi).

Përmbledhtas: Ne duhet të njohim Zotin tonë i Cili na ka krijuar dhe e kemi për detyrë ta adhurojmë Atë sipas mënyrës së ligjësuar prej Tij, dhe të mos adhurojmë askënd tjetër përveç Tij. Ashtu siç dhe e mësuam nga surja El-Ihlas, Allahu është Një dhe i Vetëm; është Ai, i pakrahasueshmi, të cilit askush nuk i përngjanë; është Ai, i Cili nuk ka ndihmës e as fëmijë dhe i Cili nuk ka nevojë për askënd. Përkundrazi, krijesat i drejtohen Atij për çdo nevojë të tyre. Andaj, Allahu është i vetmi i Cili e meriton adhurimin dhe në këtë nuk ka asnjë shok.

Pyetje:

  1. Mësoje përmendsh suren El-Ihlas dhe shkruaje atë.

  2. Kush është Zoti ynë? Si e njohim ne Zotin tonë?

  3. Sqaroje kuptimin e adhurimit dhe përmendi disa shembuj të tij.

  4. Cili është argumenti që tregon se lutja është adhurim?

  5. A na lejohet të therim kurban për dikë tjetër në vend të Allahut? Argumento për atë që thua.

  6. Çfarë do të thotë emri i Allahut Es-Samedu?

Autor: Nezar El-Mubejjid

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit