Mirësia është në të kuptuarit e fesë

Mirësia është në të kuptuarit e fesë

 

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kujt Allahu ia do të mirën, i jep të kuptuar (fikh) në fe.” Buhariu dhe Muslimi. Ky hadith është madhështor. Secili prej nesh duhet të meditojë në të ngase ai ka vlerë të madhe dhe pozitë të veçantë. Këtu kemi inkurajim dhe nxitje për marrje të dijes dhe përpjekje për të kuptuar çështjet e fesë. Ky hadith tregon edhe për vlerën e madhe të atij të cilit Allahu i ka dhënë sukses që ta ndjekë këtë rrugë- kërkimin e dijes fetare.

Nga ky hadith dijetarët kanë përfituar shumë dobi, prej tyre:

1.Të gjitha çështjet janë në Dorën e Allahut dhe se ndodhin me Dëshirën e Vullnetin e Tij. Nuk ka mundësi të ndodhë diçka në univers veçse atëherë kur Allahu dëshiron që të ndodhë, me Vullnetin e Tij. Mirësia, dhuntia dhe begatia janë në Dorën e Allahut. Kujt të dojë i jep, i dhuron dhe e begaton me ndonjë mirësi, “…suksesi im varet vetëm nga Allahu.” Hud 88. Besimi se gjërat janë në Dorën e Allahut dhe se kthehen tek Ai, është një anë apo aspekt i rëndësishëm i akides tonë. Nuk ka mundësi të të jepet dija dhe të punuarit me të veçse atëherë kur Allahu të jep sukses drejt kësaj, të inspiron e të begaton me këtë. Allahu i mëson njeriut atë që ai nuk e di, pastaj i jep sukses të punojë me këtë dije, pra e gjitha është në Dorën e Allahut. Në Kuran lexojmë: “…dhe të mësoi atë që nuk e ke ditur. Dhuntia e Allahut për ty është shumë e madhe.” Nisa 113. Dija e dhënë dhe puna me të është një mirësi e madhe që ta ka dhënë Allahu. Dhe: “I Gjithëmëshirshmi ua ka mësuar Kuranin (robërve të Tij),” Rrahman 1-2. Andaj, ai që mëson për fenë e Allahut, vazhdimisht le t’ia kujtojë vetes këtë pikë dhe besim të rëndësishëm, se gjërat janë vetëm në Dorën e Allahut dhe se Ai jep sukses. Madje, le ta kujtojë në çdo dobi të kësaj bote dhe të botës tjetër.

2. Mbështetja në Allahun dhe kërkimi i mbrojtjes tek Ai. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kushtoji rëndësi gjërave që të bëjnë dobi (mbështetu Allahut) dhe kërko ndihmën e Allahut (të të ndihmojë në to)!” Dhe: “Mos lërë pa thënë në fund të namazit lutjen: “O Allah, më ndihmo të të përmend, të të falënderoj dhe të të adhuroj në formën më të mirë!” Muslimani i cili kërkon dije ka nevojë të madhe të dijë se kjo bëhet me ndihmën e Allahut. Ai, ashtu siç të ndihmon të mësosh dije, të ndihmon dhe të punosh me të. Gjithashtu duhet ta lutësh Allahun që të jesh i fortë dhe i qëndrueshëm në këtë dije që e mëson dhe në të punuarit me të, pra që të jesh i vazhdueshëm në të deri në fund të jetës. Po ashtu ti ke nevojë që Allahu të të ruajë dhe shpëtojë prej gjërave të cilat ndikojnë në largimin prej rrugës që je duke ndjekur drejt Allahut. Vazhdimisht duhet mbështetje dhe lutje tek Allahu.

 

3. Rëndësia e lutjes. Kërkuesi i dijes duhet vazhdimisht që të kërkojë mbrojtje dhe strehë tek Allahu. Njeriu ka nevojë madhore për t’u lutur. Një prej tabiinëve ka thënë: “Kam menduar rreth mirësisë, se ai arrihet ajo, dhe kam parë se të mirat janë të shumta, si: namazi, agjërimi, mirësjellja ndaj prindërve etj., dhe se të gjitha ato janë në Dorën e Allahut (i jep kujt të dojë sukses drejt tyre), andaj jam bindur se lutja tek Allahu është çelësi i të gjitha mirësive.” E sidomos pra duhet lutur Allahun që të të japë dije të dobishme. Prej udhëzimit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, është lutja: “Allahume inni eseluke ilmen nafian, we rrizkan tajjiben, we amelen mutekabbelen – O Allah, të lus të më japësh dije të dobishme, furnizim të lejuar (të pastër) dhe vepra të pranuara!”, në mëngjes. Këto tri gjëra janë objektivat apo qëllimet muslimanit për çdo ditë të tij. Ka filluar me dijen, me më të rëndësishmen, me më të madhen, e para në listën e prioriteteve.

 

  1. Dashuria e rehatia karshi marrjes së dijes. Nëse sheh në veten tënde dashuri ndaj dijes, duke u gëzuar sa herë që dëgjon për një ndejë të dijes dhe shpejton për të prezantuar në të, apo duke u gëzuar se një libër i dobishëm është botuar dhe shpejton për ta pasur në duar, atëherë kjo është prej shenjave të mirësisë (Allahu është duke ta dashur të mirën).

 

  1. Të kuptuarit në fe përfshin të gjithë dijen fetare. Nuk është fjala vetëm për dispozitat fetare, por së pari në këtë hadith hyn akidja. Nuk ka të kuptuar më të madh të fesë (d.m.th. fikh) sesa akideja. Akidja është pjesa më madhështore e fesë.

 

  1. Rëndësia e fikhut. Nuk është fikh (dije në fe), thjesht mësimi i ajeteve përmendësh, apo i haditheve. Porse të kesh fikh në fe do të thotë të kuptosh thellësisht domethëniet e ajeteve dhe haditheve. Allahu thotë: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!” Muhamed 24. Qëllimi nuk është vetëm që të lexohet Kurani, mirëpo të meditohet në kuptimet e tij. Dhe: Vallë, a nuk kanë medituar ata mbi Fjalën (Kuranin)…” Muminun 68. Dhe: “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.” Sad 29. Gjithashtu fikhu nuk është vetëm të kuptuarit në fe, por edhe të punohet me atë dije, të afrohesh me të tek Allahu përmes saj duke e zbatuar. Kuptimi i hadithit është: Kujt ia do Allahu të mirën, i jep sukses që të kuptojë fenë, gjë e cila rezulton me të punuarit me atë dije. Madje, nuk ndalet vetëm me kaq, porse i thërret edhe të tjerët në atë dije, “që të thellohet në mësimin e fesë dhe kështu të këshillojë popullin e vet”. Teube 122.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku –

Dersi “Mirësia është në të kuptuarit e fesë”.